E shtune, 12.06.2021, 09:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Rozi Theohari: Bisedë me zemër të hapur

E diele, 05.07.2009, 11:06 AM


B I S E D Ë  M E  Z E M Ë R  “T Ë  H A P U R”

Nga Rozi  Theohari—Boston
rtheohar01@northshore.edu

       Në adresë të emailit tim gjeta një foto dërguar nga kirurgia
duarartë shqiptare Lindita Çoku. Në fotografi paraqitej një krevat
spitali: trupi gjysmë i mbuluar i një pacienti, gjoksi i tij fiksuar me
tela elektronikë dhe fytyra… Ah, fytyra e tij mbuluar me rrudha shprehte
pakëz dritë ndërkohë që bashkëshortja, edhe ajo e moshuar, kishte
mbështetur buzët në ballin e tij të djersitur. Ishte puthja e parë
bekuese, përgëzuese, lutëse e frymëdhënëse, pas operacionit të rëndë në
zemër përfunduar disa orë më parë. Ajo puthje e lehtë, fisnike, ishte
dashuria e nënës, zemerdhembshuria e gruas shqiptare, e cila ka mbajtur
e mban gjallë familjen, mirësinë, traditat, ritet, shoqërinë.

    Ditë më vonë,pasi gjeta emrin dhe adresën  e pacientit, i
telefonova. Kisha  kureshtje. Ai quhej Avdyl Tufa dhe kishte ardhur
enkas nga Lushnja për t’u operuar në Amerikë, nën përkujdesjen e
familjarëve. Avdyli më foli me një zë emocionues: “ Doktoreshën Lindita
Çoku e njoha gjatë kohës që isha shtruar në spital. Dy ditë para se të
operohesha nga zemra erdhi në dhomën time një vajzë e re… “Unë jam
shqiptare, - më tha,- punoj kirurge në këtë spital…do të asistoj në
operimin tënd…Keni fatin e mirë që do t’ju operojë një nga doktorët më
të mirë.”  Ashtu, e urtë, e butë, më sqaroi për këtë operacion. Fjalët
e saj më ngrohën shumë dhe më bënë optimist. “E kam për detyrë që t’i
ndihmoj shqiptarët që vijnë këtu, mos ki merak, je ne besen time”-
vazhdoi ajo. Dy ditë pas operacionit doktoresha Lindita më erdhi në
dhomë e më tha gëzueshëm: “Avdyl, operacioni doli me sukses, siç ju
thashë edhe para se te operoheshit.” Ajo, fjalëmbla, më dha disa
këshilla të vlefshme, të cilat i përsëriste sa herë vinte në dhomë…Nuk
mjaftohej me kaq, por here pas here më telefononte nga shtëpia e saj e
më jepte porosira të mos kisha ankthe. “Çdo gjë do të shkojë mirë,
dalngadalë …” më përsëriste ajo. Kjo sjellje e saj humane ka lënë
mbresa të mira tek unë dhe tek familja. Ne e konsiderojmë doktoreshën
si pjesëtare të familjes dhe mua m’u bë tamam si bija ime. Edhe sot që
bisedoj me ju, e ndiej kujdesin e saj nga afër, prandaj dhe e respektoj
shumë, sepse ajo vetë i respekton shumë pacientët e saj. Nisur nga
konsideratat e mia, unë, përveç emrit të saj të bukur “Lindita”, do ta
quaja “zemërarta”. Këtë emër e meriton. Do ta kujtoj gjithmonë kirurgen
tonë shqiptare.”

              DOKTORESHA QË NUK DI TË ÇLODHET

    Dr. Lindita Çoku është një figurë e mjekësisë shqiptaro-amerikane
tashmë e njohur nga bashkatdhetarët e rajoneve të mëdha të Nju-Jorkut
dhe Bostonit, por edhe brenda e jashtë Amerikës. Ajo është zgjedhur
presidente e Shoqatës Mjekësore Shqiptaro-Amerikane, me kryetar nderi
nobelistin shqiptar dr. Ferid Muradi. Pjesëmarrja e dr. Çokut në elitën
e kardiokirurgjisë amerikane është një nder jo vetëm për doktoreshën,
por edhe për gjithë kombin shqiptar.

   Po prisja në sallonin paraoperator të “Boston University Medical
Center”, me sytë e përqëndruar tek ajo derë, pas së cilës vajza jonë e
talentuar shqiptare “qëndis” mbi organin e zemrës me gishtat e saj
delikate…Pas një ore drejt meje po ecte ajo, tiransja zemërdëlirë.
Kirurgia shqiptaro-amerikane  (the surgeon) Lindita Çoku hoqi maskën e
bardhë te operacionit dhe unë dallova fytyrën e saj pak fëminore të
përshkuar nga një buzëqeshje lumturie. Përsëri operacioni ne zemrën e
pacientit mbaroi me sukses. Përsëri…Vajza shqiptare nuk e ndien lodhjen
kapitëse të operimit në sallë dhe i përball emocionet e forta. Mbi të
gjitha qëndron ndjenja e lartë e përgjegjësisë për një jetë njeriu.

  Disa çaste më vonë po shëtisnim në kopshtin e spitalit “Boston
University  Medical Center”, që është bërë shtëpia e dytë e saj. I
transmetova dr. Çokut falënderimet e Avdylit. Ajo më shpjegoi se kishin
qenë tre pacientë shqiptarë që ishin operuar nga zemra kohët e fundit
dhe theksoi se që të tre pacientët shqiptarë kanë pirë duhan vite me
radhë. Ata u këshilluan ta ndalonin rreptësisht duhanin. Doktoresha
vazhdoi: “Zoti Avdyl Tufa, pacient i moshës 76- vjeçare nga Lushnja, u
diagnostikua me sëmundje arterosklerotike te tre prej arterieve
koronare të zemrës më 27 tetor 2008 tek Qendra Mjekesore Universitare e
Bostonit. Me 1 nëntor ai iu nënshtrua nderhyrjes kirurgjike pa kalim në
pompen mushkeri-zemër. Kursi postoperator kaloi me sukses dhe më 6
nëntor u dërgua në shtëpi. Më 30 prill 2009 ai u kthye ne gjendje te
mire në Shqipëri… Pacienti i dytë, zoti Agim Dëshnica,  i moshes 75
vjec nga Tirana, u soll ne Qendren Mjekesore Universitare te Bostonit
urgjent me « Ambulance » mbasi kaloi një episod sinkopie (të fiket) në
rrugë, e cila u deshmua nga bashkeshortja më 16 shkurt 2009. Ai u
diagnostikua me semundje arterosklerotike të zemrës në bazë të
prezantimit klinik, ekokardiografise. Më 20 shkurt 2009 ai iu nënshtrua
nderhyrjes kirurgjike për revaskularizimin e tri arterieve koronare të
bllokuara gati plotësisht.  Me 6 mars 2009 ai u dërgua në shtëpi dhe
deri tani ka një progres tepër të mirë klinik…Pacienti i tretë, zoti
Ramazan Çelaj, i moshës 48 vjec nga Lushnja, gjatë  kontrollit te
zakonshëm me mjekun e familjes, u njoftua se kishte një zgjerim të
mediastiniumit, përmes nje radiografie të kraharorit. Pas testeve të
nevojshme u demonstrua zgjerim (aneurizm) i shkalles patologjike të
aortes asendente (ena e madhe e gjakut që del menjëhere nga ana e majtë
e zemrës). Pacienti plotesonte të gjitha kriteret për nderhyrje
kirurgjike. Më 9 mars 2009 ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike. Kursi
postoperator kaloi me sukses dhe më 14 mars Ramazani u dërgua në
shtëpi. Ai është i gatshëm për t’u kthyer në punë rregullisht…Dua të
theksoj,- përfundoi doktoresha, se pirësit e duhanit duhet ta dinë mirë
 sa dëmtime serioze i shkaktojnë zemrës së tyre, perveç mushkerise,
fshikzes urinare, kavitetit te gojes dhe lekures…”


                         KRENOHEMI ME DR.  ÇOKUN


   Gjatë bisedës me pacientin Ramazan Çelaj, ai më tha: “Kur te ndjek e
mira, duhet pranuar si fatsjellëse. Keshtu më ka ardhur njohja dhe
ndihma e doktoreshës Lindita…Ishte janar 2009 dhe saktesisht data 12
kur kisha takimin me doktor Ara Ketchedijan dhe ai foli me admirim per
doktoreshën . –“ Në ekipin tonë kemi dhe nje patrioten tuaj që e quajne
Lindita Çoku,”- më tha doktori..


Nuk e prisja që të takoja një shqiptare këtu, në këtë institucion
prestigjioz, në “Boston University Medical Center”, dhe aq më tepër që
doktoresha do të ishte pjesëmarrëse në operacionin që më priste. Nuk
m’u dha mundesia ta takoja deri në ditën e operacionit, më datën 9 mars.


Ishte e hënë, një ditë e ftohtë me dëborë, kur unë dhe familja ime u
nisëm drejt spitalit…Në të tilla raste dihet se si ndjehesh dhe aq më
shumë familjarët e mi. Me të mbërritur në spital, gjithçka ishte gati
dhe mua më duhej vetëm të shtrihesha në shtratin e operacionit. Para
meje u paraqitën dr. Ketchedijan dhe dr. Çoku. Doktoresha, për të më
qetësuar, m’u drejtua në gjuhën tonë e m’u prezantua. Mbeta disi i
pafjalë, ndërsa ajo më fliste ngrohtësisht se duhej të isha i
çtensionuar dhe i qetë.    “-Gëzohem që ju njoha,- i thashë më në fund
doktoreshës,- dhe më vjen mirë që ju do të jeni me mua. “… Për momentin
nuk dija ç’t’i thosha më tepër, se isha i shqetësuar për vete dhe për
familjarët e mi. Iu luta dr. Çokut  që të shkonte tek të mitë dhe t’i
qetësonte për gjithçka. Ajo ma plotësoi dëshirën me mirësjellje…Krevati
im lëvizi për në drejtim të sallës dhe doktoreshe Çoku më shoqëronte e
më fliste për të më qetësuar. Kur u gjeta në sallë mes tërë atyre
aparaturave, m’u afrua doktoresha e më tha: “ Ne shqiptarët jemi të
fortë dhe ju kështu më dukeni, madje më dukeni më i fortë  nga ç’e
mendoja”.  Patjetër, ishin fjalë per kurajë. Kaq mbaj mend… derisa
erdha ne vete mbas disa orësh, në dhomën e reanimacionit. Sapo isha
përmendur pashë doktoreshë Çokun qe hyri në dhomë duke buzeqeshur dhe
që të dy me doktor Ketchedijan më pyetën si ndjehesha. “Të thashë që ne
jemi të fortë!”,  më foli doktoresha  me atë buzeqeshjen e saj të
ëmbël, por mua më dukej se më thoshte: “ Ne shqiptarët jemi të aftë të
bëjmë gjithçka!”…Me të vertetë, shqiptarët janë të aftë të bëjnë
gjithçka! Ja ku e kisha pranë doktoreshë Çokun, për të cilën ndjehesha
krenar. Një kirurge e përkushtuar shqiptare në Amerikë, e vlerësuar për
punën e shkëlqyer në operacionet dhe për kujdesin ndaj pacientëve te
saj…Dr. Lindita vinte disa herë në ditë, më pyeste për gjendjen time,
madje, kur kish pak kohe te lire, benim biseda te ndryshme. Kryesisht
meraku i saj ishte mjekësia, duke përmendur me admirim vendin tonë të
largët , me shpresë se ai vend mund të arrinte një ditë me një mjekësi
të përparuar…
     Ju lumtë doktoreshë Çoku ! Ju urojmë suksese në  karrieren tuaj
profesionale, sepse keni një profesion sa human, aq edhe të veshtirë!”

       Urimin e Ramazanit e vazhdon bashkëshortja e tij, Dituria:
“Doktoreshe Çokun për herë të parë e pashë  ditën që bashkeshorti im
bëri operacionin, - thotë ajo..- Më kujtohet  buzeqeshja dhe fjalet
qetësuese të saj; na siguroi se çdo gjë do të shkonte mbarë. Ndoshta
nuk fiksova shumë gjëra atë ditë, sepse mendja ime qe përqëndruar në
sallën e operacionit ku ishte bashkëshorti im, i cili, siç tha edhe
doktoreshe Çoku, kishte jetuar “me revole pas kokes.”  Zani kishte
lindur me difekt në zemër, AORTIK VALVE, dhe si pasojë  u shkaktua
ASCENDING AORTIC ANEYRYSM, që në moshë të re. Kjo sëmundje nuk të jep
shenja dhimbjeje ose të tregojë që je i semure, por është shumë e
rrezikshme për jetën, sepse, në qoftë se çahet aorta nga zgjerimi,
shkaktohet  vdekje e menjëhershme. Pra, dua të dal tek fjalët e
doktoreshe Çokut: “kishte jetuar me revole pas kokës!” U zgjata pak për
te treguar  diagnozën e Ramazanit jo pa qëllim, sepse njeriu duhet të
ketë informacion të saktë për llojin e sëmundjes së tij dhe kjo gjë në
Shqipëri na ka munguar. Dua të them se doktoreshe  Çoku, përveç
përkujdesjes shendetësore, gjente dhe kohën të na sqaronte për çdo gjë
rreth kësaj diagnoze. Nuk kam për ta harruar kujdesin e saj për
pacientët, por mbi të gjitha dua të theksoj thjeshtësinë e saj. Mua më
dukej sikur e njihja prej kohe këtë vajzë.Te Lindita Çoku janë bashkuar
të gjitha virtytet e shqiptarit: zgjuarësia , mirësia, thjeshtësia dhe
delirësia .

 Krenohemi me doktoreshe Çokun dhe i urojmë asaj  suksese të
mëtejshme në detyrën humane që ka marrë përsiper. Gjithë Shqipëria
duhet të krenohet me dr. Çokun!”

 

          FALEMINDERIT,  DOKTORESHË


              Pacienti i tretë, Agim Dëshnica, më tha: “Gjatë jetës
sime nuk kam pasur probleme  me shëndetin.  Vitin që shkoi, papritur,
tek ecja rrugës, nuk u ndjeva mirë me frymëmarrjen. Natën nuk munda të
flija nga një dhembje në krahëror. Sipas mendimit të kardiologut Hans
Mejer dhe analizës kardiografike, duhej t’i nënshtrohesha një procesi
të vështirë, operimit në zemer, zevendësimit të tri venave të dala
jashtë përdorimit ( me tre baj-pase.)

      Para operimit, në dhomën e pritjes, pranë shtratit u shfaq  një
djalosh  plot gjallëri. “ -Jam doktor Ara Ketchedijan, që do të drejtoj
nesër operimin tuaj. Çdo gjë do të kaloje  mirë. Flini i qetë” -më tha.
 Fill pas tij, befas dëgjova një zë të këndshëm vajze. Fliste ne gjuhën
e bukur shqipe. “- Jam doktoreshë  Lindita Çoku, nga Tirana-më tha
-Edhe unë tok me doktorin do të marr pjesë në operim...Mos u shqetëso
nga operacioni, ki besim tek ne.”

   Hodha sytë e pashë i gëzuar fytyrën e qeshur plot dritë të kirurges
shqiptare. M’u duk  aq e afërt, sa që natyrshëm iu drejtova me “ti” dhe
me  emrin Lindita. Në ato çaste m’u shfaq atdheu i largët. Me sytë e
mendjes pashë Tiranën e rinisë sime, të shkollës e të punës, me gëzime
dhe halle…Duke dëgjuar Linditën tek fliste aq përzemërsisht, u mbusha
me krenari për njerëzit tanë të talentuar që punojnë këtu në SHBA, falë
edhe  nivelit  e kushteve aq të mira të mjekësisë amerikane.
   
   Ditën e nesërme më mbartën për në sallen e operacionit. Nëpër
korridoret më shoqëruan njerëzit e  miqtë e mi të dashur. U ndava me ta
me besimin tek Zoti për të mbijetuar e tek aftësia e njohur e kirurgëve
amerikanë.  Ndërsa prisja në një dhomë të gjerë  para sallës së
operimit, m’u afrua e më foli disa herë Lindita jonë e shkathët.
Ashtu, i shtrire, ndiqja  me vëmendje përqendrimin e saj mbi një
tavolinë pune. Pas pak kohësh u afrua e nisi të punonte për mua doktori
anestezist, një djalë i fuqishem e i gjallë në prani të disa mjekëve të
tjerë. Në mbarim dëgjova tek e përgëzuan: “gud xhob!” Pastaj  nuk mora
vesh se ç’ndodhi….

   Papritur dëgjova shqipen e bukur:

  -“Mirëmëngjes, Agim!”- Ishte zëri i gëzuar i Linditës. Pranë saj
pashë gruan e birin tim të dashur. Doktoresha vijoi: “- Operacioni
mbaroi me sukses. Sikur ta dinit se sa me lehtësi më punuan mendja dhe
duart. Nuk ndjeva asnjë lodhje gjatë gjithë kohës së punës.”

    Tek e sodisja dhe e dëgjoja, e kisha  të vështirë të flisja. Nuk
gjeja fjalët e duhura për të shprehur admirimin e thellë ndaj saj. U
përpoqa e krijova diçka  të afërt me poezinë e emrave tona:

  -Pas „agimit“ „lind dita“ e shkëlqyer.

   Faleminderit, doktoreshë! Je një kirurge shqiptaro-amerikane me duar
të arta!
   Nuk do ta harroj kurrë edhe fytyrën e lumtur të doktor Ketchedijanit
për suksesin e arritur,  ndërsa  vinte pranë meje ashtu si Lindita për
të parë ecurinë e shërimit.“

 Ata janë tre pacientët e saj. Ajo „ua hapi zemrat“ e
tyre dhe ata e falënderojnë sot me „zemër të hapur!“ 


(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora