E diele, 25.07.2021, 01:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Halit Bogaj: Babai i burgosur

E premte, 03.07.2009, 06:41 PM


Tregim

Halit Bogaj

BABAI I BURGOSUR

Në ditët e hershme të rinisë sime shkoja në shkollën fillore në Prishtinë dhe pasiqë kinemaja ishte argëtimi ynë kryesor filluam ta shijojmë  atë ndërtesë të çuditshme për të gjithë ne në të cilën hynim qindra persona të moshave dhe gjinive të ndryshme.Për mua dhe shokët e mi shkollarë kishte filluar një pjesë tjetër e jetës sonë.Kishim filluar t’i përjetonim magjitë e fuqishme të kinemasë së qytetit tonë të cilat e pushtonin çdo njeri, ngase siç u tha edhe më sipër- shikimi i filmave ishte argëtimi dhe kënaqësia kryesore për të gjithë neve.

E mbaj mend si sot kur hyra për herë të parë në kinema. Isha 14 vjeçar dhe nuk dija fare serbokroatisht ngase kisha ardhur në qytet nga fshati Komoran i Drenasit të sotëm.Kisha ardhur në qytet ngase babai im ishte i burgosuri i ndërgjegjës i cili qëndroi në burg 7 vjetr vetëm pse i kishte kërkuar të drejtat e popullit tonë për vetvendosje.Pas lirimit të tij nga burgu ai ishte i ndjekur nga sytë vigjilentë të UDB-së rankoviçiane e cila nuk e lente asnjëherë të qetë babain tim patriot dhe të vuajtur nga maltretimet e përhershme që i ishin bërë dhe i bëheshin atij, duke mos e lënë kurrë të qetë edhepse e kishte vuajtur dënimin për të cilin ishte akuzuar.Policia sekrete serbe i kishte spiunët e saj në çdo cep të atdheut tonë të dashur dhe të maltretuar.Babi e kishte parë se jeta në fshat ishte bërë e pamundur prandaj kishte vendosur që të shpërngulej në qytetin tonë të sotëm dhe të ikte sado pak nga ndjekësit e tij të pashpirtë që ia bënin jetën ferr kudo që shkonte dhe lëvizte .Kur babai im kishte shkuar për të punuar privatisht në qytetin Shtip të Maqedonisë, hastretxhinjtë dhe spiumët ia kishin futur në vesh komandirit të policisë arysen se përse kishte shkuar ai atje!.Ata shqipfolës i kishin thënë komandirit se babai im kishte shkuar në Maqedoni për të ikur më lehtë  në Shqipëri!.Pasi ishte marrë në pyetje nga ana e policisë babi kishte qeshur ironikisht me atë’’margaritar’’spiunazhi duke ia kthyer komandirit se’’po të doja të ikja në Shqipëri unë do të shkoja qysh moti atje përmes Kosovës, por unë kam shkuar në Maqedoni për të punuar, për t’i rritur dhe shkollluar fëmijët dhe për ta ushqyer familjen time të cilën e kam lënë të vetmuar dhe të izoluar për shtatë vite të tëra.Prandaj ju lutem të më leni të qetë ngase të  gjitha ato shpifje janë vetëm gënjeshtra të njerëzve të pashpirtë’’..Për fatin e mirë të babait tim  edhe komandiri shqiptar kishte qenë një patriot i madh i cili e donte dhe e çmonte babain tim dhe sakrificën e tij të madhe që e kishte bërë për këtë popull dhe për këtë vend.Pra babi im erdhi në Prishtinë me familjen e tij dhe na luti neve bijt e tij që të mësonim në shkollë dhe të mos i sillnim probleme në shtëpi ngase nuk do të mund t’i duronte ato.Shpesh na këshillonte që ta ndiqnim rrugën e tij patriotike dhe na thoshte se të gjitha do t’ua falja përveç tradhëtisë, prandaj të keni kujdes se me kë shoqëroheni dhe si do të veproni në jetën tuaj të mëtejme.

Babai punonte në Ndërmarrjen ndërtimore’’Ramiz Sadiku’’në të cilën e kishin punësuar disa shokë të tij të cilët ishin trima për atë kohë ngase ishte shumë vështirë që të punësoheshin njerëzit të cilët kishin qenë të burgosur. Ne djemtë e tij e dinim fare mirë kontributin e tyre ndaj babait tonë të vuajtur dhe u ishim mirënjohës tërë jetën për aktin e tyre burrëror dhe heroik të cilin e kishin bërë ndaj prindit tonë të përndjekur nga UDB-ja jugosllave.

Babi herëherë punonte edhe në dy ndërrime ngase vërtet ishte një punëtor i madh dhe i ndershëm tek i cili kishin besim udhëheqësit dhe punëtorët e tij, ngase ai ishte kryepunëtor..Ai gjatë tërë atyre viteve sa punoi nuk e hoqi kurrë plisin e tij të bardhë nga koka/.Të gjithë thoshin se vërtet i kishte hije por edhe ai i rrinte gati dhe e mbante shumë të pastër atë simbol të madh kombëtar.Kur nuk kishte pare që ta blente plisin e ri ai të vjetrin e çonte te mjeshtri Murat për ta larë dhe për ta zbardhur ngase përherë thoshte se plisi nuk guxon të njolloset.Më duket se edhe tani po e përjetoj atë ditë kur doli nga burgu dhe kur ne djemtë e tij/Xhaviti, Selmani dhe unë. E pritëm te vendi i quajtur’’Lugu i plepave’’.Ne akoma nuk besonim se e kishim babain të gjallë.Mendonim se njerëzit na gënjenin ngase kurrë në jetë nuk e kishim parë. Nganjëherë motra shkonte për ta vizituar në burg dhe kur kthehej dukej edhe më e mërzitshme që kishte shkuar dhe ishte kthyer pa babain tonë të dashur.Duke qarë na thoshte’’Më mirë që nuk e shihni dhe nuk e njihni babain tonë’’, ngase ndarja prej tij vërtet është shumë e vështirë.Por më në fund erdhi edhe ajo ditë e lumtur kur ai doli nga ai burg i tmerrshëm në të  cilin kaloi aq shumë vite.

Jeta në qytet ishte mjaft e vështirë ngase nuk kishim kushte për jetë.Babai punonte por rroga e tij nuk mjaftonte as përafërsisht për ta mbajtur familjen e tij të madhe dhe pesë djem që shkonin në shkollë.Më kujtohet kur i kërkoja pare për të blerë libra dhe fletore, duke më përkëdheklur më thoshte’’nesër do të shkoj tek një shok dhe do t’i marr do pare për librat e juaja’’.Është interesant të theksohet se asnjëherë nuk na ka thënë se nuk kishte pare, por edhe ne e kuptonim se sa e kishte vështirë për t’i siguruar ato.

Ditët kalonin dhe ne djemtë e tij të dashur që shkolloheshin sipas dlëshirës së tij filluam ngapak të punonim dhe siç thotë populli’’T’ia ngjitnim dorën’’.Vëllai i madh kishte hyrë në një zeje për ta mësuar atë dhe për të na ndihmuar të gjithë neve.Edhe ne dy të tjerët që ishim pak më të mëdhenj filluam të punonim në disa punë të lehta dhe të mësonim ngase e dinim se nuk kishim rrugëdalje tjetër. Babai ,kur vinte në shkollë krenohej me ne dhe jepte gjithçka nga vetja që të përparonim sa më tepër.I shëndrriste fytyra kur na i shihte notat e mira në ditar dhe na thoshte se vërtet nuk i dhembsej asgjë për ne.

Në familjen tonë vinin shumë miq dhe dashamirë por edhe ishte kohë shumë e vështirë për t’iu përballuar të gjitha atyre sfidave që na dilnin përpara.Mikpritja e babait tim ishte e njohur në Drenicën e tij të dashur.Te ne shpeshherë vinin burra të shquar me të cilët kishte qenë i burgosur babai.Më kujtohet sot kur mulla Rizahu/një shok i mirë i babait nga burgu/ma mori njëherë gramatikën e klasës së VIII të Hasan Vokshit.Më shikoi në fytyrë  dhe ashtu i buzëqeshur më tha’’Halit kur t’ia japësh librin dikujt mos prit që ai të kthehet’’.Unë qesha dhe nuk e dija se kurrë më nuk do ta shihja axhën Rizah nga fshati Marec me emrin e të cilit ishte e lidhur Lëvizja për çlirimin e tokave shqiptare. Xha Rizahu kishte qenë i dënuar shumë vite nga regjimi obskurantist serbosllav i cili me zi kishte shpëtuar nga pushkatimi pas një amnistie që e kishte bërë Titoja.Por sidoqoftë ai kishte qenë një kohë shumë të gjatë në burgjet jugosllave.

Pra pasi ma mori librin dhe mi tha fjalët e cituara më lart, vërtet kishte të drejtë ngase nuk e pashë më kurrë.Nga zullumi dhe hijet e zeza të UDB-së që e ndiqnin vazhdimisht, ai kishte vendour të arratisej në Shqipëri pikërisht në ditën kur ishte vrarë kryetari amerukan Xhon Kenedi.Në kufi e kishin plagosur në këmbë por një shok i tij e kishte bartur në shpinë deri në brendi të Shqipërisë.

Kur jemi këtu duhet theksuar edhe faktin se edhe Rizahin e madh e kishte burgosur OZNA tjetër e Enver Hoxhës, siç kishte ndodhur edhe me qindra kosovarë të tjerë të cilët duke ikur nga zulluami shkonin atje për ta shpëtuar kokën por sapo mbërrinin’’tek nëna’’u ndodhte ajo që nuk e kishin parë as në ëndrra, siç shprehet Dervish Shaqa në këngën kushtuar Kosovës’’E lamë borë, e gjetëm dimër’’. Ne këndej kufirit dëgjonim fjalë të tilla makabre por asnjëherë nuk mund të besonim se ishin të vërteta derisa njëmend u deshën dekada të tëra për ta kuptuar lidhjen ortodokse komuniste midis dy shteteve/kinse para botës të hasmuara/ por në të vërtetë shumë të lidhura njëra me tjetrën për shkak të idealeve të tyre staliniste.

Sa herë që vinin mysafirë të tjerë si:Elez Qerimi/Baica/, Hamdi Gruda, Qazim Zogu, Osman Beqa, Shefqet Kapiteni, Idriz Rashiti, Muharrem Alushani, Rrustem Statofci, Ibrahim Gashi dhe Baci Ali/një kusheri yni arsimdashës i madh/, pjesa dërmuese e të cilëve kishin qenë të burgosun me babain tonë, ne djemët kaliteshim edhe më shumë me dashuri ndaj atdheut. Elezi më tregonte shpeshherë histori nga jeta e luftëtarve të njohur shqiptarë dhe më thoshte se ato nuk do  të gjenden në libra tonë të sotëm, e që kishte pasur të drejtë absolute. E kishte në shpirt luftën heroike të Azem Bejtës dhe Shotë Galicës, duke thënë se ajo ishte një Teutë e dytë shqiptare.

Xha Elez na tregonte se si kishte luftuar kundër serbëve edhe kushëriri i tij Shefqet Kolshi me epitetin Kapiteni i cili kishte qenë i shkolluar në Itali në kohën e Zogut/bashkë me heronjtë dhe veprimtarët e tjerë drenicasë:Rifat Berishën dhe Ibrahim Hoxhën/, njëri i vrarë në fshatin Gajrak duke luftuar kundër shumë policëve serbë, kurse tjetri i pushkatuar natën në vendin e quajtur’’Tauk Bahçe’’, kinse ishte i implikuar në vrasjen e Milladin Popoviqit..

Shtëpia jonë vërtet ishte një odë përherë me dyer të hapura ku vinin njerëz me ideale të larta, por edhe miq dhe dashamirë të tjerë që kishin nevoja të ndryshme. Atëherë nuk kishte rrugë që i lidhnin viset rurale me ato urbane. Udhëtimi bëhej vetëm me tren ose me qerre të drunjta deri në ndërtimin dhe asfaltimin e rrugës së sotme midis Prishtinës dhe Drenasit.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora