Kulturë
Vangjush Ziko: Tri kujtime dhe një meditim
E merkure, 01.07.2009, 06:56 PM

LEJLEKU I PLAGOSUR
Doktori i dëgjuar i qytetit tim kishte ngritur një shtëpi të re të lartë me një taracë të mbuluar nga sipër me një kupolë të veçantë prej betoni.Në të katër anët e kësaj kishte sajuar prej hekuri disa kanistra të rrumbullakta për të ndjellë lejlekët që të ngrinin fole.Një pranverë një çift lejlekësh të rinj,që ishin kthyer nga shtegtimi përtej deteve,solli purteka dhe kashtra,sajoi folenë në njërën nga shtratet prej hekuri.Femra bëri vezët.I ngrohën.Dolën dhe zogjtë e brezit më të ri.U rritën.Mësuan të fluturojnë.Dhe keshtu vazhduan.Po një vjeshtë kur dote niseshin për shtegtim,njëri nga prindërit,nëna apo ati,nuk e di,qëlloi që të plagoset në krah pas hekurave të folesë dhe nuk shtegtoi dot.
Doktori,që mbante në bashtën e shtëpisë kafshë dhe shpezë të ndryshëm,e mbajti në një kafaz më vete dhe lejlekun e plagosur.Ia mjekoi krahun.E ushqeu.E nxori shëndoshë e mirë nga dimri.Por një ditë, kur kishte erdhur pranvera dhe kur pritej të ktheheshin lejlekët nga Misiri,e gjeti të ngordhur.
I ZHDUKURI
Gjyshi im kishte katër djem.Të katër i mori me vete kur vajti në kurbet në Siberinë e largët.Kur filluan trazirat e revolucioneve ruse,ai mori udhën për në Shqipëri tok me djemtë.Por njëri prej tyre,më i vogëli,sa u ankorua vapori në skelën e Selanikut,iu vodh të atit,hipi përsëri në atë vapor dhe u kthye në vendin ku patën mërguar disa vjete me radhë.Ai kishte vajtur atje i vogël dhe ishte bërë tetëmbëdhjetë vjet.Ai u zhduk në dheun e Rusisë pa nam e pa nishan.
FLAMURTARI
Një miku im i ngushtë,pasi kishte vajtur në Amerikë si turist dhe kishte takuar xhaxhanë e tij të moshuar kurbetlli,kur u kthye në atdhe,më tregoi këtë histori.
Xhaxhai i tij,mbi të tetëdhjetat,ngrihej çdo mëngjes,merrte flamurin amerikan,që e mbante të palosur në një raft të veçantë,e shpaloste dhe e ngrinte në shtizën metalike që lartësohej në oborrin përpara shtëpisë së tij.Kur vinte mbrëmja,dilte e ulte flamurin,e shkundte,e paloste dhe e vendoste në raftin e vet.Kur nipi i ishte lutur një ditë që ta ndihmonte,xhaxhai nuk e kishte pranuar.
-Këtë duhet ta bëj vetëm unë!
Xhaxhai kishte puthur flamurin dhe i kishte thënë:
-Ky flamur mua më bëri njeri,më shpëtoi nga hallet dhe nga skamja.
MEDITIMI
Lejleku i plagosur.I zhdukuri.Flamurtari.
Të tria këto kujtime m'i lidh bashkë një mendim i vetëm.
Lejleku që,për vite me radhë kishte marrë udhën e shtegtimit dhe qe plagosur papritur dhe nuk kishte shtegtuar dot...
Xhaxhai im,që kishte mërguar fare i ri dhe nuk mund të rrinte dot larg vendit ku kishte kaluar vitet më mbresëlënëse të moshës së tij të rinisë...
Ndërsa,flamurtari,mërgimtari tetëdhjetëvjeçar...
Nuk ju thashë se ky i kishte kërkuar të nipit të tij që t'i sillte me vete disa numura të gazetës lokale dhe albumin me fotografitë me pamje nga jeta e tij e vogëlisë dhe e qytetit të tij të lindjes...
Si shpezët,si njerëzit paskan ca ndjesi të pavetëdijshme apo të vetëdijshme të përbashkëta që lidhen sa me vendlindjen aq edhe me vendmërgimin.Dhe paska një çast në psikën apo në psikologjinë e tyre që i venka të dyja këto vendbanime në peshoren e gjyqit vetjak dhe...ndodhka çudia.Peshorja rëndoka nga i dyti!
Lejlekun e vuri poshtë pikëllimi për Nilin.
Djaloshin e joshi ëndrra e vendit të dëborës dhe të akullit ku u brumos rinia e tija.
Ndërsa,kurbetlliu i thinjur binte më gjunjë dhe puthte flamurin e huaj,që ishte bërë flamuri i tij dhe...lotonte duke parë albumin e rinisë dhe duke lexuar gazetën me lajme nga vendlindja.
Sa e çudtshme qenka peshorja e shpirtit të emigrantit!
Çdo qënie qenka e prirur të synojë nga e ardhmja.E ardhmja paska më shumë forcë tërheqëse se sa e shkuara.
Vërtet.Ç'kuptim do të kishte jeta po të mos jetohej për një ëndërr joshese,për nje ënderr reale,të prekshme,qoftë edhe duke sakrifikuar.
Komentoni
Artikuj te tjere
Bilall Maliqi: Poezi me emocione që paraqesin tabllo reale të kohës
Tregim nga Agim Drenica
Milazim Kadriu: Rezistenca për mbrojtjen e trojeve shqiptare, dhe normalistët e parë drenicas
Halit Bogaj: Abaz Hoxha ”100 Vjet kinema”
Ejup Ceraja: Letër për së largu
Alma Papamihali: Intervistë me sopranon me famë botërore, Ermonela Jaho
Skënder R. Hoxha: Kultura shpirtërore e Dushkajës (II)
Sami Repishti: Duke lexuar: ”Diloiada”, ose Lotët e paterur të dhimbjeve
Naser Aliu: Mbishkrimet e varrezave
Hajdin Morina: Fillim i një poezie për Adem Jasharin
Shkëlqim Millaku: Kapitull i ri i një historie të albanologjisë
Ramiz Gjini: Genjeshtra partie
Cikël poetik nga Engjëll Koliqi
Halit Bogaj: Egzona e vogël
Albert Zholi: “Prekja e ëndrrës”
Mihai Antonesku: Shpalimet e shpirtit
Këze (Kozeta) Zylo: Qindra shqiptarë morën pjesë në Paradën Internacionale të përvitshme, në Manhattan
Demir Krasniqi: Lugetërit rrënues të urës së shenjtë...
Intervistë e z. Uk Lushi dhënë gazetarit të Illyrisë, Ruben Avxhiu
Tregim nga Arsim Halili