Kulturë
Skënder R. Hoxha: Kultura shpirtërore e Dushkajës (II)
E marte, 30.06.2009, 08:08 PM

SUKA E CËRMJANIT
Shkruan Prof. Skënder R. HOXHA
Lokalitet i lashtë i tipit të fortifikuar
Në qendër të Dushkajës, në mes të territoreve të katundeve Gërgoc, Radoniq, Zhdrellë, Rashkoc, Cërmjan e Rakovinë, gjendet një kodër e lartë e quajtur Suka e Cërmjanit, e cila paraqet një fragment të vargut malor serpentin (Suka e Koznikut, e Cërmjanit, e Babajlloçit dhe Suka e Hereçit), që rajonit të Dushkajës, të thuash, i vë përmes edhe një kufi natyral horizontal në drejtimin lindje – perëndim. Suka e Cërmjanit gjendet në pjesën qendrore të Rrafshit të Dukagjinit, përafërsisht, është në mes të Dushkajës, e cila kërkon një studim të thukët e të gjithanshëm nga fusha të ndryshme diturake, ngase përreth majës së saj gjenden fragmente gërmadhash të mureve të një kalaje të dikurshme, mbase të kohës ilire? Pra, është fjala për një lokalitet të lashtë të tipit të fortifikuar, të zhdukur. Lashtësinë e këtij vendbanimi “e argumentojnë edhe gjurmimet arkeologjike të bëra nga Enti Arkeologjik i Kosovës, në pranverën e vitit 1982, në Sukë të Cërmjanit, ku është konstatuar vendbanimi i kohës iliro-romake.” (Shih, “80 - vjet pune të shkollës fillore të Cërmjanit”, Cërmjan, 1995, f. 8).
Në një burim shkrimor Sukën e Cërmjanit e gjejmë të jetë përmendur në grupin e gradishtave, të kohës parahistorike, ku thuhet se “sistemi i lokaliteteve ka qenë i zhvilluar qysh në parahistori, sidomos sistemi i gradishteve afër Domorovcit në Moravën e Poshtme dhe afër Vllashnës së Prizrenit, të cilat i takojnë grupit të Budanjës – Humit. Veç këtyre gradinave, të cilat janë ndërtuar kryesisht në rrafshnalta dhe në shpatije sipër lumenjve, ekzistojnë edhe një varg tjerash, sikurse janë: Kamenica, Teneshdolli, Bellaqevci, Cërnica, Strezovci, Binçi, Vlashna, Veletini sipër Janjevës, Kodra e Cërmjanit (kupto Suka e Cërmjanit – sqarim yni), Hisari afër Suharekës etj.”1) Kur i referohemi këtij shkrimi do thënë se aty, përveç sa u tha më sipër, nuk ka kurrfarë shpjegimesh të tjera për Sukën e Cërmjanit.
Ndërkaq, në një Referat të mbajtur në Tribunën – Toponimia e trevës së Gjakovës, të mbajtur më 4 maj 2001 në Gjakovë, Prof.Dr. E. Shukriu thotë se: Shtresa të kulturës së periudhës romake përmban dhe vendbanimi kodrinor i fortifikuar Suka e Cermjanit në Cermjan.
Antikës së vonë i përkasin vendbanimet e fortifikuara kodrinore si Suka e Cermjanit në Cermjan dhe Kalaje e Madhe dhe Kalaja e Vogël në Batushë. Kësaj periudhe i takon dhe (…) lokaliteti Te Kisha apo Ara e Hasanit tek Cërmjani (gjenden themele të kishës), si dhe lokaliteti Kisha, po ashtu në Cermjan, ku kishte varre me skelete.2)
Suka e Cërmjanit është e lartë 7o1 m., lartësi mbidetare, dhe përnga lartësia dominon në këtë pjesë të Rrafshit të Dukagjinit.
Legjenda që është ruajtur në traditë
Thuhet se pas 500 vjetësh, kur sheh Ahmeti i Doblibares (së Dushkajës – plotësim yni), i cili kishte ardhur këtu, si muhaxher, prej Leskoci, të cilit, gjoja, iu kishte diftuar në ëndërr, se ku gjendet trupi i Mustafës dhe ai, gjoja, gjen një gur në Sukë, në të cilin kishte qenë e shënuar një historik i shkurtër i Mustafës (Këtu i thonë baba Mustafë – plotësim i informatorit).
Më tutje legjenda thotë se – kur e lexon këtë gur sheh Ahmeti, bjen në Gërgoc (katund afër Sukës – plotësim yni) dhe e merr babëgjyshin e Ali Rrustemit të sotëm. I marrin sakicat, ngjiten në Sukë, i prejnë do therra dhe e pastrojnë vendin, e Ahmeti i thotë se në këtë vend është, në dhe, njëfarë Mustafa prej Halepit, i katundit Bushat. Masandej i thërrasin edhe do njerëz nga Cërmjani, nga Gërgoci dhe nga Rashkoci (vendbanime këto përreth Sukës – plotësim yni), të cilët e mbarojnë Tyrben. E mbarojnë edhe një shtëpi të vogël por dykatëshe. Thuhet se kati i dytë ishte djegur flakë, vetvetiu, gjoja se vetë vendi nuk e ka lejuar katin e dytë (?). Pastaj e mbarojnë shtëpinë tjetër me një kat, e kjo nuk ka luajtur më.”
Ndërsa një histori më e re e Sukës së Cërmjanit, si vend i shenjtë, sipas informatorit, duket kështu: Në këtë Sukë gjithmonë kanë ndenjur tyrbetarët, shehlerët, dervishlerët dhe huzmeqarët. Në të kanë shërbyer: 1. Dan Kulludra (dervish), 2. Dervish Beka (dervish, prej Gërgocit), 3. Dervish Ragipi (dervish, i lindur në Gjakovë, i cili vdiq në vitin 1974, në moshën 71 vjeçare, në Sukë. Kishte ardhur këtu me të ëmën kur ishte 2 vjeç. Pas vdekjes së dervish Ragipit, Sukën e mbajti e shoqja e tij Naxhija edhe 12 vjet pas vdekjes së dervishit, deri në vitin 1986, kur edhe ajo vdiq këtu. Pas vdekjes së dervishit ajo ndejti me një djalë që ia kishin falur dervishit, ku ai ishte djali i çikës së dervishit të cilën e kishte pasur me një grua tjetër, para Naxhijes.Tash, në Tyrbe të Sukës së Cërmjanit nuk rri askush.3)
Mikrotoponime në Sukë të Cërmjanit
Se fjala s u k ë është e gurrës shqipe, edhe më herët, është vërtetuar nga linguistë të albanistikës dhe të ballkanistikës, e që është tumirur edhe nga dijetarë të tjerë. Po ashtu, se fjala S u k ë (e Sukës së Cërmjanit) është e ngurosur në shumë toponime dhe mikrotoponime të këtij krahu, kemi bërë fjalë kur kemi shqyrtuar çështje të toponimisë së katundeve Radoniq e Rakoc, Gërgoc, Rashkoc, Zhdrellë etj., territoret e të cilave shtrihen përreth Sukës së Cërmjanit. Duhet përmendur se fjala Sukë ka shtrirje të gjerë në shumë anë ku kanë jetuar shqipfolësit, gjë që është dëshmuar në shumë burime shkrimore. R. Ushaku kishte shënuar se “Fjala S u k ë e shqipes përdoret edhe në një oronim të përbërë në Ulqin si S u k a e G j o l o s”4).
Në maje të Sukës dhe rreth saj janë disa fragmente muresh, sigurisht të një kalaje të dikurshme, disa varre, Tyrbja, Xhamia etj., të cilat përbëjnë mikrotoponiminë e këtij lokaliteti të tipit të fortifikuar të dikurshëm e të zhdukur, të cilat po i shënojmë në vijim:
- BUNARI MOÇËM (një bunar (pus) i vjetër në Sukë),
- BUNARI SUK’S (E quajnë kështu këtë pus të Sukës i cili është shumë i thellë dhe nuk shtirret kurrë),
- TYRBJA (Dëgjohet këtej edhe Tyrbja Suk’s – Tyrbe kjo e ndërtuar për hirësinë e atij Mustafait, arab (?), i rënë në atë Luftën e Sukës, varri i të cilit gjendet aty.),
- VORRI BAB’S ARAP (E quajnë kështu një varr për të cilin legjenda thotë se është varri i një ushtari të mbetur në një luftë të dikurshme aty. Dëgjohet këtej edhe emërtimi Vorri Arapit.),
- VORRI BAB’S SADIK (Thuhet se ky kishte qenë nipi i bab’s Mustafë dhe ushtar i tij, i cili ishte mbetur në luftë, në Sukë.),
- XHAMIA (Është një shtëpi e vogël në majë të Sukës që gjithandej e quajnë Xhami. Edhe kjo ishte ndërtuar në kohën kur ishte ndërtuar Tyrbja.),
- ZITI KALASË (Fragmente muresh të një kalaje të dikurshme, përreth majës së Sukës së Cërmjanit.).5)
Flora dhe fauna
Maja e Sukës së Cërmjanit është e rrethuar me male të vogla e të mëdha. Drurët janë llojesh të ndryshme, por më të theksuara janë: Frashni, Mllaku, Qarri, Bungu etj. Një pjesë e krahut jugor të majës së Sukës është e zhveshur por nuk mungon bimësia. Në majë të Sukës ka pemë: arra, duda, kumbulla, dardha, thana etj.
Disa lloje të shpesëve të egra që janë karakteristike për territorin e Dushkajës, gjejnë mënyrën e jetesës edhe në Sukë. Por, këtu jetojnë edhe ekzemplarë të veçantë të faunistikës. Duhet theksuar se në lokalitetin, në majë të Sukës së Cërmjanit prezenca e zvarritësve është e theksuar, sidomos gjarpërinj e bolla ka shumë.
Referencat:
1) Kosova - dikur e sot, Ekonomska politika, Beograd 1973, f. 101.
2)Prof.Dr. Edi S h u k r i u, Trashëgimia arkeologjike në kontekst të ndryshimeve të toponimeve (Komuna e Gjakovës), Toponimia e Gjakovës me rrethinë, Gjakovë, 2002, f. 47 – 48. Shih, Po aty, në fusnotën 12 thotë: Popullatës i shërbejnë për “urate”. Në “Arën e Rrustemit” gjenden vorba.
*) Këtë të dhënë e kam dëgjuar në traditë të katundit Gërgoc, katund afër Sukës, nga Fazli (Metë) T h a ç i (1916), në tetor të vitit 1990, por që e kam dëgjuar edhe nga goja e shumë pleqve të tjerë nga Dushkaja.
3) Këtë legjendë dhe të dhëna të tjera që ruhen në traditën popullore të Dushkajës për Sukën e Cërmjanit, autori i mori nga Kadri U k s h i n i (1935), i lindur në Cërmjan, tash jeton në Rashkoc (afër Cërmjanit), më 28.II. 1987, në shtëpi të tij, në Rashkoc të Dushkajës. Meqë e dija se Kadriu është dhëndërr i dervishit të Sukës, dervish Ragipit dhe shumë kohë kishte ndenjur në Sukë, m’u duk si informator i qëlluar.
4) Ruzhdi U s h a k u, Ulqini dhe rrethina në dritën e disa mikrotoponimeve, Onomastika e Kosovës, Prishtinë, 1979, f. 17.
5) Këto mikrotoponime të Sukës së Cërmjanit, të cilat i njihja edhe vetë, i shënuam sipas informatorit Kadri U k s h i n i (1935) nga Cërmjani, tash jeton në Rashkoc, dhënë autorit më 28.II. 1987, në shtëpinë e tij, në Rashkoc – Dushkajë.
Komentoni
Artikuj te tjere
Sami Repishti: Duke lexuar: ”Diloiada”, ose Lotët e paterur të dhimbjeve
Naser Aliu: Mbishkrimet e varrezave
Hajdin Morina: Fillim i një poezie për Adem Jasharin
Shkëlqim Millaku: Kapitull i ri i një historie të albanologjisë
Ramiz Gjini: Genjeshtra partie
Cikël poetik nga Engjëll Koliqi
Halit Bogaj: Egzona e vogël
Albert Zholi: “Prekja e ëndrrës”
Mihai Antonesku: Shpalimet e shpirtit
Këze (Kozeta) Zylo: Qindra shqiptarë morën pjesë në Paradën Internacionale të përvitshme, në Manhattan
Demir Krasniqi: Lugetërit rrënues të urës së shenjtë...
Intervistë e z. Uk Lushi dhënë gazetarit të Illyrisë, Ruben Avxhiu
Tregim nga Arsim Halili
Sabit Rrustemi në shtypin letrar të Rumanisë
Milazim Kadriu: A-ZH plotë këngë e dashuri për fëmijë
Megan Foks, gruaja më seksi në botë
Robert Radoja: Si censuronim veten gjatë regjimit të Hoxhës
Nexhat Rexha: Koncepcioni artistik i ngritur ne frymën kombëtare
Dhurata Hamzai: Michael Jackson, ja si qëllohen yjet..!
Halil Haxhosaj: Vecantitë kryengritëse të poezisë