E marte, 22.06.2021, 02:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Rexha: Enigma e kullave të boshatisura

E diele, 05.07.2009, 12:39 PM


ENIGMA E KULLAVE TË BOSHATISURA

Albinë Idrizi: ”Hijet e kullave” Botoi ,”Rozafa”,Prishtinë,2009,fq.134.

Nga Nexhat Rexha

Hyrja në brendinë e romanit “Hija e kullave’ , të autores Albinë Idrizi  afron ngjarje të përjetuara nga  një shtresë e gjerë njerëzish e lexuesish.
Shtjellimi i ngjarjeve në roman, nuk është eksperiencë e shkrimit,por është eksperiencë e jetës, e më shumë trashëgimi,që ka prodhuar jeta  me të ndodhurat e saj në Kosovë.
    Narracioni i shtruar si ngjarje  e si temë në roman,qartëson një periudhë kohore relativisht të shkurtër e të afërt,sapo ka  mbushur dekadën e parë të jetës së saj. Përjetimi i të ndodhurave  edhe si ngjarje  të rrëmben të tërin,sepse ajo që rrëfehet në vepër e tëra ka ndodhur,e i pa informuari(apo i pa përjetuari i kësaj drame) mund të shtrojë pyetjen?, mund të ndodhin  gjëra  imagjinatave në letërsi,por sigurisht se është e vështirë të besohet se në këtë fundshekull të vriten njerëzit e pafajshëm si insekte, është kjo e vërtetë e qartësuar në roman.
    Pra  për ne, që i kemi përjetuar e bashkëjetuar  këto ngjarje e zhvillime makabre nuk kemi dilema se a kanë mundur  të ndodhin këto skena  rrëqethëse në  trollin tonë, ndoshta edhe me keq,por ne e shtrojmë çështjen,se; duhet të shkruhen  edhe shumë vepra të tjera ,si kjo e autores Albinë Idrizi.    
Duke lexuar këtë roman ,dalin në pah edhe dilema e definicione të kufizuara e të kristalizuara për artin në përgjithësi ,se dora e mendja e artistit krijon art apo arti krijon artistin për të shprehur e shpalosur ato që prodhon jeta me veçantitë e veta ,nëpër periudha të ndryshme kohore. Gjithsesi kemi një shkrirje  të dy gjërave  të mundshmes reale dhe vështirë të besueshme dhe asaj jo reale,por që nuk ka diçka të pabesueshme.
Krejt kjo varet nga optika e vështrimit,sepse sikur drunjtë e një mali,nëse vështrohen nga largësitë  ata duken shumë  të përafërt,por nëse vështrohen aga afërsia dhe njeriu hynë në brendinë e tyre, gjithsesi ndërron mendjen,se largësitë dhe afërsitë të diktojnë të ndryshosh  mendimin paraprak dhe kështu njeriu me veten  bie në kundërshtim.Pra,kështu edhe në  romanin Hijet e kullave kemi kundërshtimin me veten edhe me protagonistin  kryesor të romanit Zoran Petroviqin, i cili lufton me botën e tij të brendshme,por në asnjë moment nuk merr guximin e hapur të luftojë me padrejtësitë,që bënë funksioni i tij prej koloneli dhe ushtarët e tij,kundër një populli të pa fajshëm e të pambrojtur  në shtëpitë e tyre.
    Autorja në roman ka shtruar  ngjarje në një pjesë të Kosovës,duke e përqendruar vëmendjen e lexuesit në qytezat ;Vicianum dhe në Skënderaj ,qëllimi i jashtëm dhe ë brendshëm  është  i qartë ,sepse ajo nuk dëshiron të dallojë ngjarje e personazhe,por trajton me një frymë realiste ngjarjet dhe të ndodhurat e kësaj lufte në Kosovë.
    Ajo ka sintetizuar mjaft bukur nyjat e kësaj lufte dhe  i ka shfrytëzuar elementet faktografike të njohura edhe për klasën politike evropiane,duke e ndërlidhur edhe lidhjen e miqësinë e Zoran Petroviqit  me shokun e tij të fëmijërisë, i cili kishte luftuar në Bosnje dhe ishte plagosur,por tani heshtja dhe mbyllja  në vete e Zllatos,mikut të tij, i qartësojnë të ardhmen  jo vetëm të kryeprotagonistit të romanit, por përmes të cilit barten rrëfimet e kohërave e ngjarjeve ,që në vete ruajnë imazhe shumë interesante dhe me pasoja për të ardhmen e njeriut.
    Mirëpo, ajo që trashëgohet e shumohet për të keq,nuk i humbë gjurmët e veta dhe gjithsesi i ka edhe ithtarët  në vazhdimësi. Rrëfimet bëhen gjithherë, e ato nuk  zgjedhin vend ,por gjejnë moment të përshtatshëm  për t`u treguar. Kështu,rrëfimi retrospektivë për kolonizimin e tokave  shqiptare dhe dominimi politik serb,sipas Programit të Naçertanias  1844, dhe tregimi i paramilitarit Marko me kolonelin Zoran Petroviq ,janë imazhe,personifikuese për tregimin e gdhendjes së shqiponjës në drurin e fatit tonë. Apo rrëfimi i Dritonit,që bënte në Beograd me eprorin e ardhshëm që vjen në Kosovë,për ta shijuar ushqimin specialitet të shqiptarëve më emrin Fli. Pra, këto dy  rrëfime e të tjera, ruajnë në vete edhe anën mistike që prodhon jeta, jo kudo në botë, por në tokën e shqiptarëve këto fatkeqësi janë përsëritur gjatë shumë periudhave historike nga i njëjti okupues.
    Ballafaqimi me UÇK-në,nuk doli i lehtë ashtu siç iu kishin thënë në Beograd,as kolonelit, e as paramilitarit Marko. Vrasja  e familjes Jashari, komentohej në mënyra të ndryshme tek ushtarët serb.
 ” Që thoni ju,ai kishte qenë mor vëlla përbindësh e kaluar përbindëshit. Dhe mirë bëmë që e zhdukëm me gjithë çka kishte. Shpresoj të mos ketë mbetur asnjë farë Jashari mbi tokë............ Kam dëgjuar se disa nga ata kanë shpëtuar gjallë,- ia preu fjalën një ushtarë me zë të lartë që i buçiti si trumbetë,pasi ishte më larg tyre. Ushtari me tatuazh instinktivisht brofi në këmbë i trembur thua se Jasharajt hynë aty brenda.”fq.46.
     Nami i Adem Jasharit,sa vinte e shtohej edhe në mesin e ushtarëve të kolonel Pertoviqit. Hija e këtyre kullave me gurë ,ruante e trashëgonte në vete një forcë të veçantë  e dalluese ,sepse ato digjeshin ,por oxhaqet nuk shembeshin,kjo pamje diktonte të besonin në mite,se kur  nuk shembet oxhaku nëpër stuhi , e ardhmja është e atij populli.
    Sa zhvillohej  lufta UÇK-së dhe NATO-së,aq më tepër ata tmerroheshin për të ardhmen e tyre,edhe pse plaçkitjet,dhunimet,vrasjet ,djegiet nuk i ndalnin,por në vete filluan  të dyshojnë,se planet ushtarake të tyre vazhdimisht  zbeheshin. Kjo e tmerroi edhe paramilitarin Marko,kush do ta imagjinonte nga ushtarët se ai një ditë do të bëjë vetëvrasje si shumë të tjerë.  Këto dhe skena të tilla pasqyrojnë pamjen  e humbësit dhe realen e zhvillimit të ngjarjeve në roman, e asaj që ka ndodhur  para syve të botës.
    Parashtrimi i këtyre skenave fuqizon objektivitetin e  një periudhe  historike,sa tragjike ,po aq edhe domethënëse, jo vetëm për përfundimin e kësaj lufte tmerruese,por është edhe reflektuese për atë që ka ndodhur në Kosovë mbi popullatën e pa mbrojtur.
Njëherit,autorja e ka kursyer lexuesin me përshkrime të përditshmërisë,që kanë ndodhur nëpër të gjitha vendbanimet e Kosovës edhe pse skenat e këtij tmerri janë të pa fund.
Albinë Idrizi në tërësinë e mbarështrimit  të ngjarjeve e narracionit  të romanit është racionale në  shumë pikëpamje, e ky racionalizëm i kultivuar e begaton përmbajtjen dhe mesazhin e saj për lexuesin dhe letërsinë në përgjithësi. Pra,ideja e autores në mbarëshkrimin e fatit të kolektivitetit tonë,vjen fuqishëm përmes dialogut e më shumë përmes monologut të Zoran Petroviqit, atë e ndjekin hijet e kujtimeve,hijet e shkollimit ,ku ai është farkues  i tyre,me dashje apo pa dashje,ai është epror me gradën e kolonelit dhe fundi i fundit shteti i tij  i ka dhënë atij dekoratën “URDHËRI I LIRISË”,e lexuesi do të pyes të cilës Liri?.
Holucinacionet e kolonelit z.Petroviq në shtëpinë e gurtë,janë gërshetuar mirë. Ndërsa,  ndjenjat për një shtresë të njerëzve,si malli e dashuria për vajzën së tij Marina në Beograd e ndjek atë kudo që shkon, prandaj edhe në  halucinacionet e tij, kur përmend emrat; Liza, Marina   dhe Agimi kanë peshë fajësie.
Autorja romanin e përfundon me mesazhe  të  qarta,sepse diktatorët at që mbjellin edhe atë kanë për  ta korrur herët a vonë.
    Ndërsa, ndërgjegjja e kryeprotagonistit Zoran Petroviq ,vritet edhe më shumë,para më të dashurës së tij Marinës,që vazhdimisht hija e saj e ka ndjekur.
Pra ,kur njeriu i gabuar vëhet në ngjarje e misione të gabuara, padyshim se tragjikja është e pashmangshme dhe ajo padyshim se është rezultat i një zeje me prodhime të pa vlefshme.  
    Përcaktimi i fatit të një individi përshkohet dhe shfaqet bashkë me tmerret, e si rezultat i zhgënjimeve të një politike grabitqare,që gjithnjë ka ushqyer veten me projekte iluzore për ta zhdukur një popull të tërë,kjo është një katarzë, që duhet të  përfundojnë të gjithë ata projektues në të njëjtën kat të ferrit.
   I tërë kompozicioni  i romanit dhe krijimi i situatave me një arsenal të fuqishëm të bindjeve politike ngërthen në vete  një galeri të  identifikuar të personazheve e  peizazheve që duken  nga afërsia.
    Autorja e riaktualozon  tërë këtë proces   politik duke i dhënë  gjak e motivim identitetit  kohor dhe njerëzor,që parashihej të damkoste tërë një populli të pa fajshëm e të pa mbrojtur.
Aktualiteti i kësaj ngjarje  është  gjithnjë i hapur dhe motivon relacionin  e njohjes  më të madhe për të  djeshmen artikuluese me refleksione relaksuese për të ardhmen.                          
E rëndësishme është se autorja ka shtruar  në roman, temën e luftës dhe ka afruar jo vetëm tabllo të të rëndësime për t`i dhënë lexuesit shprishjen e  koncepteve ideologjike dhe  me pasojat e  saja  të pa shërueshme që ka  prodhuar  politika gjenocidiale e intrumentalizuar nga  filozofia mitike e motivuar në enigmatikën  e dhunimit,plaçkitjes ,vrasjeve më tragjike dhe duke lënë konflikte të hapura për ta shfajsur veten .   
Pra, vlera e romanit qëndron në korrektësinë e realizimit objektiv  si dhe në mënyrën e rrëfimit klasik,  e  të  përforcuar me anën  leksikore e semantike,gjithnjë duke e ruajtur  nivelin artistik, e  për t`i dhënë  funksion zgjidhjes së enigmës  për boshatisjen e  kullave ,si dhe shpalosjen  e zhgënjimit të një koloneli për të bërat e tij.
Rëndësia e romanit do të rritej sikur ai të përkthehej  edhe në gjuhën serbe.    


(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora