E premte, 25.06.2021, 11:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Hysen Këqiku: Vegim i përflakur

E diele, 05.07.2009, 01:52 PM


Biblioteka
ÇELTINA

Redaktor:
AVNI DEHARI

Reacensues
Demir Behluli

Piktura në ballinë dhe
realizimi artistik i kopertinës
Faton Dërmaku

HYSEN KËQIKU

VEGIM I PËRFLAKUR

Shtëpia Botuese
KURORA
Gjilan 2008

“Dokumentat e shkruar mbesin, fjalët i merr era”
                                   (Fjalë e urtë latine)

Parathënie

    Në kohën e sundimit të nacionalshovinistëve serbë, isha nxënës në Gjimnazin e Preshevës.
    Shpesh në paralelet tona, kur kishim orë të gjuhës shqipe dhe të historisë, pa paralajmërim, futeshin njerëz të UDB-së jugosllave dhe e bastisnin klasën, pa ia thënë asnjë fjalë profesorit që mbante mësim.
    Përveç protestave që thadroheshin në vargje, ne nxënësit, në atë kohë, tjetër gjë nuk mund të bënim.
    Në klasën tonë ishim katër veta që merreshim me poezi: Jonuz Fetahaj, Mexhit Mehmeti, Salih Qerimi, Avni Dehari dhe Hysen Këqiku. Përpiqeshim që pakënaqësitë dhe mospajtimet tona t’i paraqitnim nëpërmjet fjalës artistike. Në heshtje, njeri-tjetrit ia lexonim krijimet poetike. Në vitin 1965, arritëm t’i botonim poezitë e para në revistën  “Zani i rinisë”.
    Këto pesëmbëdhjetë sonete i kam shkruar, derisa isha nxënës, në  vitet 1965 – 1966.
    Një ditë, një mikut tim, që ishte më i moshuar se unë, ia lexova sonetet dhe ia kërkova mendimin për to. Ai, pa menduar se mund të më rrezikonte, duke më lavdëruar, e përhapi fjalën, se e kisha shkruar një libër kundër regjimit.
    Sonetet, të shkruara me stilograf në një fletore të vrugët, me katrorë, që të mos binin në dorë të UDB-së, ia dhashë Qefsere Destanit. Ajo për ta ruajtur me besnikëri fletoren, bashkë me një fotografi timen, e fshehu në një palë paje. Duke i bartur andej-këndej dhe duke i futur nëpër arka të ndryshme, fletorja me sonete, e titulluar “Korbi” dhe fotografia, u zhdukën dhe nuk u gjetën për një kohë të gjatë.
    Në vitin 1970 u martova me Qefseren. Për fat, në vitin 2008, në arkën e së ëmës, kur ishte tek ajo, në fshatin Llojan të Kumanovës, i gjeti fletoren dhe fotografinë.
    U gëzuam shumë dhe u prekëm thellë.
    Sonetet i rishikova me mall dhe ua bëra aty-këtu ndonjë ndryshim stilistik. Gjuhën, në të cilën ishin shkruar, qëllimisht nuk e preka.
Këtë kujtim të shtrenjtë të së kaluarës, vendosa ta botoj për hir të miqve të mi dhe të dashamirëve të fjalës së shkruar.

1.

Dielli ka lindë me kohë e toka e djegun dritë nuk ka
Do re të zeza skëterrë edhe frymën na e kanë zanë
Kaherë shiu pikamadh arat mbi shkrumb nuk i ka la
As bilbili kangën për blerimin e tharë nuk e ka thanë

Reskëterrat kalërojnë si ushtria e mundun në ikje
Dhe asnji pikë loti nuk e lëshojnë në grunajën time
Livadhi i etun ashtë  përshëndetë me lulet në fikje
Edhe fiku para shtëpisë së vjetër ka po ato  lëndime

Therrat në kodrën e gjatë rrijnë në kambë si ushtarë
Në roje të lodhun e të këputun tue e pritë nji ditë
Ta marrin hapin nga kanë ardhë, pa pritë, sa ma parë

Diell, pash rrezet e tua, qite synin tand nga ajo re e zezë
Mos më le me përcëllimën  e ftohtit e me mërzitë
Se do ditë në kujtimet e mija janë bjerrë e janë ndezë.

2.

Bjerrë janë do ditë në kujtimet e mija e fare ndezë
Medet edhe copat e janxhikut me do thërrime buke
Kanë mbetë të uritura, sa keq, me fytyrën mërdhezë
Si barka ndër valë e kapun aq fort në fyt për kuke

Kalojnë e nuk ndalen ernat që ftohin e ngrijnë
Edhe bubullima e vetëtimës përcëlluese flakënon
Pas krejt asaj lëbyrje në heshtje shpirtënat nxijnë
E krrakama e korbave mbi mue pushtetin forcon

Ani, edhe veten e lodhin se pashpirtësinë e shfaqin
Në fytyrën time pa shend i mbetun kaherë në rrethojë
Drynat që i prodhoni zemrat e të gjithëve nuk i kënaqin

I mbetun nën hije të zezëresë – pritjen jam tue e forcue
Në mbitokën time qiellin e kaltër e kam mbulojë
E zemra ime nuk dorëzohet ka me u rritë e forcue.

3.

Zemra ime nuk dorëzohet ka me u rritë e forcue
23 vjetët e mia korbat i kanë nxi e ba skëterrë
Ku janë rrapët që nëpër lufta janë nxi e shkrumue
Në Arbëninë e Vogël edhe  krojet janë tha e shterrë

Udhëtari me buzë  të shkrumueme nuk e ndal hapin
Ia ka msy e Ai patjetër se ka me e gjetë Itakën
Thirrjet e shtegëtarit të  dritës ia shpejtojnë hapin
Edhe nga qafa nuk vonon e ka me hjek lakun.

Myku e ka mbulue e me kurgja nuk dallohet
I lanun në nji lagështi ku edhe gaforrja jetën e ban
Si zemra ime eshka, në trup të rrapit shkrumohet

Në këtë pikë të acarit arat e mia dikushhiqi i shkel
Nuk i skuqet fytyra, fytyrë nuk ka, nuk ka as gjan
Kali i Trojës – kali. Në vendnumërim ka ngel.

4.

Kali i Trojës – kali. Në vendnumërim ka ngel
I pëlqen hija e zezëresë mbi kokat e kreshtave
Mbyll pas perdes së mjegullës. Shtigje nuk le çelë
Qeni i tërbuar qen. Në vrap i uritur pas eshnave

Andej hedh hapin. Vajin e kujën e le mbrapa
Me bekimin e burimit të ditëzezës, korba
Në tokëbukën tonë pogaçe val, hedh hapa
Të duket e pa shije fare e pa krip edhe çorba

Në faqe të bjeshkës, në dritën e bekuar të ditës
Nuk fshihet as gjilpëra, le më kërbaçi në dorë
As në shtegun e ngushtuar aty në cakun e pritës

Dije nuk  ke forcën të na e mbyllësh fare frymën
Edhe bima, si thua në këtë vend, të mos ketë kunorë
Dora jote nuk ka me mbrri ku e hudhë ti brymën

5.

Dora jote nuk ka me mbrri ku e hudh ti brymën
Bukurija e vrame kurrë nuk e humb krejt pamjen
Perëdimi asht i gjallë, nuk e humb kurrë frymën
Vera e ndihmon vjeshtën – të dyja e flakin skamjen

Skërmitjet e tua do të shurdhohen. Afër në një ag
Në cep të nji teposhteje mbrri – veç që s’je gremisë
Në grafite do të svorcohen të gjitha ato vrragë
Dhe, lotin do t’ia fshijësh pjellës së vegullisë

Dielli asht imi sa edhe i atij në fund të botës
Sa rreze për ty aq edhe për mue do të ketë
Jemi kalit, pjekë e djegë edhe në valë të shqotës

Rradha e teposhtëzës për ty do të afrohet
Ke me përjetue patjetër në këtë të vorfunën jetë
Sigurisht apokalipsa para meje ty do të këndohet.

6.

Apokalipsa sigurisht para meje ty do të këndohet
As nuk ke me pasë  vajtuese në rruzullin vezullor
Se ma le sofrën fare të zbrazun pa asnji trohë buke
Në tokën e etënve e të gjyshstërgjyshave – skamnorë

Ani, xha Dema im e ka mjeshtrinë e shkallëve të nalta
Dikush zbret poshtë e tjerët ngjiten atje m’u në maje
Keq për ata që në vend të amblave flasin fjalë të tharta
Se këtij vendi mjaltë e keqja gjithmonë i erdh prej teje

Kudo acar e mjegull përzie me skërmitje e lavërima
I solle nga Bungu e Vistula jote bashkë me bisha
E lype, e gjete, nga e keqja që të vjen me shungullima

Mbolle acar do të korrësh përcëllimë –tha nji poet
Po në trupin tand ka me t’u ngri fare edhe këmisha
Bane gropë për tjetrin, në ta  ke me ra vetë

7.

Bane gropë për tjetrin – në te  ke me ra vetë
Shumë herë asht krye prova e kësaj thanieje formulë
Vetë muza nuk e lodh poetin - fjalët në letër ia qet
Dhe, në dy gjuj para tij e sheh sa e sa herë përkulë

Muza dhe poeti endin pëlhurë të bardhë nusënije
E zbardhin edhe ma te skuta bashkë me lule prilli
E uron pranvera për pikat në fytyrë – sheja pjekunije
Vashën me rrahën përmes koke si një rreze dielli

Atje shpat me shpat kush ta lëshoi si shej vezullimin
Mos vallë flokët me valë liqeni t’i shpupurishi puhia
E në gropëzat në mes faqes, kush ta fali kuqlimin

Uni dhe unë tok si Skënderbeu me shpatë, atëherë
(Kur çallma sillej rrotull atdheut si edhe tradhëtia)
Kujdestar mos me lëshue mbi Prishtinë zjarr e vnerë

8.

Pa pra lëshonte sipër Prishtinës skëterrë edhe vnerë
E unë mbi letër me maje lapsi hedh kokrra fare
Kënaqem dhe e shof se afër më afrohet një verë
Me nji diell plot rreze të ngrohta e margaritar

U mblodhën e u mblodhën në nji vend kuvendar
Djalli e lubia me helm nepërke maje gjuhës së gjatë
Për zgjerim territori diku t’i ngritet në shesh lapidar
Me Biblën në nji dorë e në tjetërën, e mprehta shpatë

Kryekeqi me kuje e buje, e fitoi pushimin – bekimin
Në “Qytetin e Bardhë” me zemrën e  zezë Shumadi
-E shlyen nga letra e bardhë në atë kuvend dënimin

U betuan fuqishëm në bubullimë e në vetima
Ylberët pas çdo shiu do të dënohen për tradhëti
Me futje në vrima miu, ku i rrok shungullima

9.

Më tutje nëpër vrima miu  ku i rrok shungullima
Nji njollë e zezë u hoq të tjerat mbetën shtrimë
Ecja jonë me opinga. Nuk duhet me pasë rrapëllima
Me heqje barku – të sëmutë, të krrusun, të pangimë

Rruga nuk na çon nëpër rrafshe. Ajo është me thera
Nëpër lakesa me përgjime të fshehuna ka plot lubia
Nga veriu na vjen ftohti, nga perendimi nuk fryn era
Galuac, në plangun tonë ilir – vend ka zanë shumtia

Bariut me kërrutë përsëri po ia sulmon delet ujku
Ujku qimen e ndërron po zanatin kurrë – tha plaku
As pllugu nuk erdh. Në arë me parmendë mbet bujku

Litari asht mykë. O njeri, nuk i durohet  kundërmimi
Do të kalbet fare dhe nga qafa do të na hiqet laku
Ditë për ditë eci dhe në ecjen time më rritet besimi.

10.

Ditë për ditë eci dhe në ecjen time më rritet besimi
Legjendat nuk flejnë gjithmonë atyne u del gjumi
E vërteta për rrashtin tim ka me dalë nga ngujimi
E vërteta ka me lindë, në gjumë nuk bjen lumi

Bukurija e ka madhninë, ajo nuk duhet me u brejtë
Unë e due dhe e kultivoj këtu në vargun tim hollak
Nji grue e meçme ka thënë “Rri shtremtë e fol drejtë”
Në tokën time jam, heu! në tokën e lame me gjak

Lulet e brymosuna rrajtë i ruejnë thellë në dhe
Mbretneshë në mes tyne lulëkuqja me madhështi
E ruejnë të ngrohtë bukurinë atë e kanë për ne

E thrrasin verën me afshin e tyne të rreshkun
E marrin ngrohtësinë e saj me të tyne veçanti
Për freskim strehimi e lusin malin edhe bjeshkën

11.

Për freski strehimi e lusin malin edhe bjeshkën
Aty lahutari plak prore shtriu jehonën e lahutës
Tue ia dhanë forcën për me i përballue stuhitë
Tue stolisë trimin legjendar me artin e luftës

Dhe, foli lahuta, foli... me trollin e ndamë të etnisë
Nuk ishte kangë, kanga asht vaji i burrit – thonë
Dhe, do të flasin vrragët  e thella – plagët e etnisë
Sa ma parë që të mundet mos të na bahet vonë

Mos të na bahet vonë – o burrë i dheut shqim
Merre forcën e shkambit - trumbeto për lirinë
Atdheu po na thërret, po e lyp gjakun tand o trim

Gjashtëdhjetë e pesë, u banë gjashtëdhjetë e gjashtë
Rruga e gjatë prej Shupi nuk mbaron në Prishtinë
Kurrë ajo nuk mbaron – për nji mot të nxehtë.

12.

Kurrë ajo nuk mbaron – për nji mot të nxehtë
Vetëdija asht pjekë-ajo ka me dalë nga korniza
S’mundet me u pengue vera – ajo vjen e lehtë
Edhe nëse asht e shtrueme me thera e me driza

E di se koha ashtë ende shumë e sëmutë, ka lëngim
Ethet mesjetare e kanë mbërthye thellë në ndërdije
Ato janë të forta me molisjen e acarit shkatrrim
I kanë shortue në tavolinë në tanësi e fije-fije

Butë flasin lulet me gjuhën e fluturave në fluturim
Me dro të mos rrëshqasin në dimrin e verës ngri
Butë u pikin lotët në atdhe, mbushë me ngashërim

Eh, sa lehtë bie shi dhe ylberi nuk duket askund
Retë njana mbas tjetrës vrapojnë me nguti
Errësina pa dro dentësohet e keqja nuk ka fund

13.

Errsina pa dro dendësohet e keqja nuk ka fund
Në shtratin  e lulëkuqeve thuren andrra të trishta
Ma të trishta se kobi i nji zezëdite të pafund
Të nji kohe paslufte me premtime fare të brishta

Saherë u vesh e u zhvesh  nga mjegulla bjeshka ime
Saherë pritëm me na ra hana në harkun e vetullës
Jo. Vetëm ditët i hajshim me mëngjeset në kapërdime
Llavat e qenve të egër iu mërzitën edhe bjeshkës

Koha e hinit – tha plaku me shkop të lakuar, si jeta e tij
Nuk ashtë në gjumë të harrimit, as andrra nuk sheh
Dhe, mbeti në kotjen e tij, tue shprehë lodhje, pafuqi

Tash si me zbritë kësaj teposhtëze, pa u rrokullisë
E dije me ate që e bana luftën për liri, sot nuk më njeh
Më thoshte vëlla, sot mohon nuk të kam as farë as fis

14.

Më thoshte vëlla, sot mohon nuk të kam as farë,  as fis
Kur dergjej tinëz edhe kolli i thatë në kokë të skiles
Duke vendosë tufë njollash në kapelën e kokës sime plis
Në shkolla të hapuna, ku thureshin rregullat e hiles

Atëbotë era e pluhnueme ndiqte stinët e kafazueme
Kur ngritej dhe temperaturë e naltë e pluhunit të kuq
Atëbotë kur grunë nuk mbinte në arat e shkretnueme
Kur edhe numrimi për nji ditë të bardhë shkoi  huq

Çiftelisë  i kishin ra dhamtë tok me kangën e tretun
Në nji hapsinë vakum nga nuk dilte zani i shterrun
Kur nga hana vinte thirrja: Drita nuk ashtë e tretun

Dielli nuk e shteron dritën. Ai derdh në hanë përnatë
Ai do ta ngrohë edhe trupin tim me kangën e bjerrun
- Çiftelisë do t’i  shërohen dhamtë për kangët me fat

15.

Korbi me arnat e mykun edhe trupin ka me stolisë
Kolli ka me ia brejtë pejzat e gënjeshtrave të zeza
Kujtesa e prishun ka me ia hup aftësinë me dërdëllisë
Drejtësia nuk fundoset, ajo forcohet nëpër breza ...

Muzë, kam me ta dhanë nji pranverë me lule dhuratë
Se m’u bane shartuese e vargut, plot me psherëtima
Ma forcove ecjen të mos i bahem kobit vëlla i shtatë
Se do të humbsha nëpër labirinthe plot me farfullima

Do t’më tretej plisi, simboli i zemrës sime të bardhë
Do t’ më sosej kanga e prrallës sime, mbetë me njerkë
Më udhëheq, o muzë – me fatin drejt rrugës së bardhë

Hyjnoje pra, o muzë, bekimin e vargut vjersharak
Jepi krahë të shkojë në kullën e hapur fare pa hjekë
Të fluturojë me krahë shqiponje mbi Gollak e Karadak

Vaksincë
1966 -1968

MAGJISTRALI

Që kur e ruan këtë psherëtimë, si dhembje në shpirt
Edhe e miklon me ofshamë. Vallë, ku e kishte qelinë
Fjalë shpirti, prore duke e thirrur për të dalë në dritë
Se e dëgjove muzën, kur të kapi për dore me mirësinë

E strukur në palë paje, fare pa e humbur sublimën
Radise pa reshtur, hap e gjurmë. E gjete të strukur
E kape për dore me miklime të atëhershme vezullimën
Dritë e kohës edhe sot më flakëron njësoj e bukur

Eroj hapësirën e vegimit të lodhur në vendnumërim
Sall heshtjes, fort i përkulem edhe sëndisjes durimtare
Ty, o pjesa e djathtë e jetës. Ty, syloti im në vrojtim

Ashku e rreshku na përcollën me psherëtimat në hapërim
Nemitja nuk na shoqëroi askurrë në ecjen tonë vertikale
I fortë – strall për gurkala. Në qëndresë hapi yt e hapi im.

Gjilan, 2008

Hysen Këqiku
Hysen Këqiku
SHËNIME PËR AUTORIN


Hysen Këqiku u lind më 7 qershor 1944, në Velegllavë të Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Llojan të Kumanovës,  gjimnazin në Preshevë, kurse gjuhën dhe letërsinë shqipe e studjoi në Shkup dhe në Prishtinë.
(maturant, 1966)
 
Veprat :
 “Nëpërkëmbësi”, poezi për të rritur, 1994, “Ti dil nga loja, poezi për fëmijë, 1995, “Kufij që preken”, dramë për të rritur, 1997, “Dritë mbi Lotinë”, Poezi për të rritur, 1999, “Ujëvarë e patharë”, poemë për fëmijë, 2000, “Qëndresë me besa-besë”, poemë për fëmijë, 2000, “Velia Glaua ëndërr e ripërtërirë” I, - monografi, 2001, “Velia Glaua ëndërr e ripërtërirë I, – gjenealogji 1720-1996”, 2001 “Kujtim malli për shkollën time” I, - poezi për fëmijë, Gjilan 2004, “Psherëtimë për tokën” I, - panoramë letrare, 2004, “Melodi e pritjes”, poezi për të rritur, 2005, “Kujtim malli për shkollën time”, poezi për fëmijë, II, 2007, “Nazif Përlepnica hero në mes të heronjve”, monografi, me bashkautor Muharrem Bajramin, 2008, “Demir Behluli”, monografi, me bashkëautor  Jonuz Fetahajn, 2008,  “Një atdhe me dashuri”, poezi, 2008. “Vegim i përflakur” 2008, Demir Behluli” – monografi 2009, “Pikëvështrime” (të tjerët për Demir Behlulin), dhe “Etje e pashuar”2009


HYSEN KËQIKU
VEGIM I PËRFLAKUR
Lektor
Autori
Realizimi kompjuterik
KURORA ARS, Tel. 044-679-553
Gjilan
Formati  
B/6 (148 x 182 mm)
Tirazhi
100 copë
U shtyp në shtypshkronjën
“a-print”
Prishtinë


Katalogimi në botim – (CIP)
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës
    

821.18-1

Këqiku, Hysen
      Vegim i përflakur / Hysen Këqiku. - Gjilan : Kurora. -  22 f. ; 18 cm. - (Biblioteka Çeltina)

Parathënie : f. 4-5. - Shënime për autorin : f. 21-22

ISBN 978-9951-449-38-0


I nderuari mik i shtrenjtë dhe shumë i sinqertë – Baki Ymeri,
Ka kohë që përmes internetit e përcjell aktivitetin Tënd të çmueshëm e shumë dimenzional, dhe t’ju them sinqerisht edhe në këto vitet e mia  të pleqërisë më ngazëlleni. Po ti aprovonte lutjet e mia Zoti, unë ty do t’i shtoja në kub sepse njerëzit si TY i nevoiten kombit tonë.
E lexova  biografinë  jetësore dhe krijuese  - biobibliografinë e Fatmir Salihut dhe vepërm më të re e cila ishte botuar edhe në gjuhën rumune. Përveç meritës së autorit i dyti pas tij sigurisht je TI, prandej edhe të falenderoj edhe të  uroj sukses,
 Fatmir Salaihun e njof se  që nga 1973 jetoj dhe punoj në Gjilan. Kam shkruar për babain e tij  mësuesin patriot Fehmi si dhe për Fatmirin, t ë cilin e kam  prezentuar në Panaoramën letrare të krijuesve të Kosovës Juglindore “Psherëtimë për tokën” e botuar në vitin 2004
    Në shenjë respekti dhe admirimi për TY e veprën tënde  po ta dërgoj  në postën tënde  elektronike një  tufë sonetesh – një psherëtimë timen të viteve 1966. përkatësisht vepërzën “Vegim i përflakur”
Me ndjenjat më të sinqerta dhe me dëshirë që të jesh si ta do zemra jote, të përshëndes dhe të uroj shumë  fat në rrugën Tënde të shenjtë.

TË LUMTË......  
Hysen Këqiku


(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora