E shtune, 27.04.2024, 01:37 PM (GMT+1)

Faleminderit

Bilall Maliqi: Portret Mexhid Mehmeti, shkrimtar

E shtune, 25.04.2009, 04:52 PM


Portret Mexhid Mehmeti, shkrimtar

PUNA E PALODHSHME KRIJUESE- PASQYRË E SUKSESEVE TË ARRITURA

“Shpirti i një populli pasqyrohet me poezinë e tij më mirë se në çdo formë tjetër të artit”
Alen Bosket

Nga Bilall MALIQI

Me këtë thënie të poetit dhe eseistit të njohur frëng Alen Bosket fillova këtë portret të njeriut, i cili që në moshë të re filloi të kontribuojë për kulturën e një pjese të ndarë të shqiptarëve e që quhet Preshevë, dhe pikërishtë është ai shpirt i këtij populli të ndarë, i cili u pasqyrua me punën e tij kulturore, poetike letrare.Është fjala për shkrimtarin Mexhid Mehmeti, i cili punoi shumë në promovimin e kulturës së Kosovës Lindore në të gjitha zhanret e krijimtarisë letrare, por edhe në aspekte tjera kulturore.

BIOGRAFIA

Mexhid Mehmeti lindi më 11 qershor 1948 në fshatin Zhunicë  të Preshevës.Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Preshevë, kurse Fakultetin Filozofik dega Gjuhë e Letërsi Shqipe i kreu në Universitetin e Prishtinës.Një kohë punoi në arsim profesor i gjuhës shqipe në Qendrën Arsimore “Skenderbeu” në Preshevë, në shkollën e mesme në Tërrnoc të Bujanocit, si dhe në shkollat fillore të Raincës, Corroticës dhe Preshevës, pastaj përkthyes në gazetën “Flaka e vëllazërimit” në Shkup, ndërsa nga viti 1985 e deri në përfundim të luftës në Kosovë, punoi gazetar në gazetën “Rilindja”  dhe “Bujku”, në Prishtinë përkatësishtë korrespondent i saj nga Kosova Lindore.Pas luftës deri në shuarjen e së përditshmes “Rilindja” ishte gazetar dhe redaktor i rubrikës së kulturës, kurse tash është i papunë.Jeton dhe vepron në Fushë- Kosovë.Është anëtarë i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

KULTURA DHE PROMOVIMI

Mexhid Mehmeti
Mexhid Mehmeti
Viteve të shtatëdhjeta,  kultura letrare në Preshevë filloi të lulëzojë falë angazhimit të Mexhid Mehmetit, i cili ishte njëri nga themeluesit dhe bartës i aktiviteteve kulturo letrare ,  dhe redaktor i revistave “Filizat” e “Panorama” të Preshevës dhe “Jehona” të Bujanocit, ku shquheshin për nga vlerat,  të gjitha punimet që prezentoheshin atëbotë në këto revista.Kjo, pra ishte edhe një shtytje e madhe e krijuesve të rinj të merren me shkrime dhe punimet e tyre t’i plasojnë në këto revista, sepse pikërisht prej këtyre publikimeve u motivuan krijues e që tashmë janë bartës të kulturës së Kosovës Lindore dhe më gjerë.Mexhid Mehmeti ishte njëri nga themeluesit e Klubit Letrar “Feniks” të Preshevës dhe i Edicionit botues, ku për një kohë të gjatë e udhëhoqi.Bashkëthemelues të këtij Klubi letrar ishin edhe Jonuz Fetahaj, Xhemaludin Rexhepi, Gani Misini, Demir Behluli,Sadete Presheva etj.,  ku pastaj u aktivizuan edhe emra tjerë krijuesish si Xhemë Karadaku, Ferid Selimi, Nijazi Aliu etj., të cilët vazhduan punën e palodhshme të themeluesve të klubit.Edicioni i botimeve të Klubit Letrar “Feniks” ishte i suksesshëm dhe u botuan një sërë botimesh të autorëve të trevës së Kosovës Lindore, ku në disa vepra ishte  redaktor.Në kohën kur e udhëhiqte Klubin Letrar, kultura preshevare lulëzonte, duke mbajtur aktivitete të shumta letrare si orë letrare, promovime të librave të ndryshme, Manifestimi “Takimet e Krijuesve Preshevarë” e shumë manifestime kulturore si në Preshevë dhe jashtë saj, duke treguar seriozitet të madh në avancimin e kulturës së Preshevës.

KRIJIMTARIA LETRARE

Mexhid Mehmeti me krijimtari letrare filloi të merret që nga bankat e shkollës fillore. Vjershën e parë e botoi në vitin 1965 në revisten “Zani i rinisë”.Është shkrimtar me vlera të qëndrueshme letrare.Mexhidi ka një rezon të gjerë të krijimtarisë letrare, poezitë e tija janë të pasura me figura letrare, pra kanë figurshmëri poetike gjë, që i bënë shkrimet me një cilësi të lartë artistike.Pos që shkroi poezi Mexhidi shkroi edhe tregime, novela, katër drama, poemën për fëmijë dhe dy romane.Për veprat letrare të shkrimtarit Mexhid Mehmeti kanë shkruar pozitivisht edhe Kritikët letrarë nga Kosova, Shqipëria dhe më gjerë.

Veprat letrare:

“Klithje e përmallim”(Poezi), 1977, “Lumja”(Tregime)-1982, të dyja botim të Klubit Letrar “Feniks” të Preshevës; “Frymëmarrje”(Poezi)-1984 “Flaka e vëllazërimit” Shkup; “Peizazh i ngrirë”(Poezi)-1994, “Rilindja”, Prishtinë; “Monstrumiada”(Tetralogji me dramat “Zibardhët”, “Monstrumiada”,”Ëndërroj për një ditë”, dhe “Vdekja e hijshme”)-1998, “Vatra”, Prishtinë; “Presheva”(Poemë)-1998, “Vatra”, Prishtinë; “Rikthim dhembjeje”(Poezi)-1998, “Vatra”, Prishtinë ; “Puthja vrastare”(Tregime)-2003, “Gazeta Rilindja”, Prishtinë; “Hija e korbit”(Vëllim me novelat: Hija e korbit dhe Zgafella e hutinit)-2005, KL “Lumi i Bardhë”, Mitrovicë; “Pikë në zemër”(Poezi)-2005, “Ura”, Prishtinë; “Pallati me yje”(Poemë për fëmijë)-2006, “Ura”, Prishtinë; “Shtatë ditë pas vdekjes”(Roman)-2006, “LSHK”, Prishtinë, “Furtuna”(Roman)-2007 “Ura”, Prishtinë dhe përmbledhjen me poezi "Përtej harimit", "Ura", Prishtinë, 2008.
Mexhid Mehmeti është fitues i disa çmimeve letrare në poezi, si dhe të çmimit “Hivzi Sulejmani” të LSHK-së për prozën më të mirë të vitit 2006 me romanin “Shtatë ditë pas vdekjes”.

PREZENTIME TË VARGËZUARA

Mexhid Mehmeti shkrimtar me vlera të qëndrueshme artistike, është i prezentuar në shumë vepra historike, kritike, leksikone, antalogji e panorama letrare, albume, etj., në shqip e në gjuhë tjera, si për shembull në :Sevdije Ahmeti, Amedan Jani, Musa Gërguri:”Jeta e re”-Bibliografia 1949-1979, Prishtinë 1976, Hasan Hasani “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-1990”, Prishtinë 1994, “Jeta e re”, numri jubilar 1949-1999, nr.4, Prishtinë, Demir Behluli:”Portrete shkrimtarësh”, Prishtinë 2002, Hasan Hasani “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptar 1501-2001”, Prishtinë 2003, Ferdinand Laholli:”Antologji e poezisë moderne shqipe”, botoi “Doruntina”, Buckeburg 2002-2003, Nebi Islami “Historia dhe poetika e dramës shqiptare (1886-1996)”, ARTC, Prishtinë 2003, Hysen Këqiku “Psherëtimë për tokën”,  Panoramë letrare e krijuesve të Kosovë Juglindore, Gjilan 2004.

KONDICIONI KRIJUES

Mexhid Mehmeti shkrimtar, i takon Plejadës së ndritshme të kombit, e që punon pandërprerë në rritjen e kualitetit të shkrimit të tij. Si shkrimtar i kompletuar Mexhidi asnjëherë nuk e ndali rrugëtimin e tij krijues si në aspektin letrar, ashtu edhe me shkrime gazetareske, vështrime, kritika letrare etj., ku shpesh na gëzon edhe me botime të reja të çfarëdo zhanri qofshin.Pra lirisht mund të themi se Mexhid Mehmeti posedon edhe më tutje kondicion krijues, dhe se llogaritet si shkrimtar i palodhshëm, dhe synimet e tija janë që atë që e boton të ketë vlera të mirfillta letrare.

NË VEND TË PËRFUNDIMIT

Shkrimtari Mexhid Mehmeti, deri tash i radhiti nëntëmbëdhjetë vepra letrare dhe me sukses i preki të gjitha gjinitë letrare, pra kujtojmë se është në formë të mirë që shumë shpesh të na gëzojë me vepra të reja letrare, e që sigurisht se ka në dorëshkrim një mori veprash  voluminoze ku në të ardhmen presin ta shohin dritën e botimit.
Kujtojmë se shkrimtari Mexhid Mehmeti me sukses,  për të satën herë, forcoi bindjen te lexuesit dhe te kritikët letrarë se në shpirtin e tij ekziston dëshira  dhe dashuria e madhe për krijime të mirfillta e që deri më tash u promovua me sukses  me veprat e tija të botuara deri më tani, dhe s’do mend se këto suksese në krijimtari letrare  do t’i vazhdojë edhe në të ardhmen, ku me  shkrimet e tija do t’ia ngritë vlerën vendlindjes Preshevës,  vendit ku jeton dhe sigurisht edhe mbarë kulturës shqiptare në përgjithësi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora