E hene, 29.04.2024, 01:49 AM (GMT+1)

Faleminderit

Luk Kaçaj, vrasja e artistit nga miqtë dhe Sigurimi

E marte, 21.04.2009, 06:51 PM


Luk Kaçaj
Luk Kaçaj
Nga Lorenc VANGJELI

Një jetë dramatike që thyhet në mes. Profili i një prej këngëtarëve më të mëdhenj shqiptarë, ai që sipas Kadaresë mund të ishte nga më të mëdhenjtë në Europë, “i vrarë” nga ish-Sigurimi i Shtetit dhe miqtë e tij që e spiunuan. Dosja e plotë e artistit që dashuronte Fishtën, që parathoshte dështimin e socializmit në Shqipëri, që thoshte se vendi ishte nën diktaturë dhe që pati kurajën të pranonte për veten se ishte “armik i popullit”. “MAPO” sjell një pjesë të saj në prag të 83-vjetorit të artistit të popullit, që u arrestua ditën që mbushi 47 vjeç. Për ironi të fatit, regjimi e konsideronte armik që në moshën dhjetëvjeçare... sepse kishte kryer gjimnazin françeskan në Shkodër.

Ishte dita kur duhet të festonte 47-vjetorin e lindjes. Por në vend që të frynte qirinjtë mbi tortë, iu desh të psherëtinte me dhembje e zhgënjim kur lexonte dëshmitë e miqve dhe kolegëve të tij që e akuzonin për agjitacion e propagandë. Kjo është historia e trishtuar e Luk Kaçajt, një nga këngëtarët më të mëdhenj klasikë të Shqipërisë, që i ndjekur dhe survejuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, zhytet në ferrin e burgjeve komuniste. Parandjenja dhe profecia e Ismail Kadaresë për Kaçajn nuk do të realizohej; këngëtari i madh do të “vritej” nga ai mekanizëm mbytës që i merrte frymën artit; ish-Sigurimi i Shtetit, që e kishte ndjekur me vite të tëra, që kishte qëmtuar me kujdes helmin që hidhnin kolegët e tij për shkak të xhelozisë, smirës apo dhe thjesht konformizmit me pushtetin, do ta dërgonte atë në qeli. “E kam admiruar gjithmonë Luk Kaçajn, qëkur kam qenë student në Moskë. Ai ishte jo vetëm një këngëtar i madh i Shqipërisë, por i kishte të gjitha shanset për t´u bërë një nga këngëtarët më të mëdhenj të Europës”, - do të shkruante 35 vjet më pas Kadareja për të. Pa ditur më parë se regjimi do ta konsideronte armik Luk Kaçajn që nga mosha 10-vjeçare..., sepse kishte ndjekur shkollën e françeskanëve në Shkodër.
Revista “MAPO” ka siguruar pjesë të tëra të dosjes që ish-Sigurimi i Shtetit kishte hapur për Kaçajn, si dhe ka në dispozicion një dosje të plotë të procesit të tij hetimor. Emra të shumtë, një pjesë e të cilëve mjaft të njohur në botën e artit, kanë firmuar aty; fatkeqësisht të rreshtuar në krahun e xhelatëve. Emrat e tyre nuk po publikohen të plotë, por me iniciale, diku në mënyrë të saktë dhe diku, inicialet do të jepen në mënyrë të përkundërt. Edhe ata, një pjesë të vdekur, një pjesë sot janë të moshuar; për të respektuar dhembjen e ndoshta pendimin e tyre, po i lëmë të vetëm në këtë pendesë, në qoftë se ekziston.
Kjo është një histori e vjetër që “MAPO” vendosi ta botojë si një homazh për artistin e madh në prag të 83-vjetorit të lindjes së tij.
Dosja voluminoze nis me kërkesën e hetuesit të Ministrisë së Brendshme, Isa Halilaj, të datës 25 prill 1973, që kërkon arrestin e artistit. E akuzon për krimin e agjitacionit e propagandës, për minimin e dobësimin e pushtetit popullor. Katër ditë më pas Kaçaj firmos këtë akuzë.
Aktakuza ndaj artistit është shkruar në gjuhën e zakontë, të drunjtë, të regjimit. Sot ajo ngjan si një krijesë e panatyrshme: “I pandehuri, në kohë dhe në vende të ndryshme, ka zhvilluar biseda armiqësore..., të cilat shprehin edukimin e tij kundërrevolucionar të filluar ndaj socializmit dhe komunizmit që në moshën 10-vjeçare në shkollën e françeskanëve, shprehin besnikërinë e tij ndaj këtij edukimi deri në ditën e arrestimit, për çrrënjosjen e të cilit në psikologjinë e të pandehurit nuk ka ndikuar aspak kujdesi i partisë, që i dha mundësinë të arrijë në lartësinë e artistit të popullit”.

Dëshmitarët

Kanë qenë shumë. Një pjesë e madhe të njohur. Shumica dërmuese e tyre gjithashtu artistë si ai. Një nga ta, Th. H., dëshmon fillimisht për Sigurimin e Shtetit e më pas, edhe në dosjen penale në ngarkim të Kaçajt, se artisti i ka thënë: “... këtu në Shqipëri nuk mund të bëhesh artist i madh, nuk ka kushte për të zhvilluar talentin, janë hequr nga repertori operat e huaja, nuk paguhemi sa duhet, jashtë shtetit artistët janë të lirë...”. (Dosja e Sigurimit, faqe 51 dhe 53).
Dëshmitari tjetër, B. J., dëshmon se ka dëgjuar nga Kaçaj që t´i thotë se “... në Shqipëri artistit nuk i plotësohen as nevojat më minimale që ia kërkon profesioni. Jashtë shtetit këto gjëra nuk diskutohen as për artistët e dorës së fundit...”. (Dosja në faqet 55, 56).
Në faqet e mëpasme të dosjes përmenden dëshmitarë të tjerë, M. M., T. Gj., M. A., Ç. Zh., T. I., P. K., M. K. e të tjerë.
Por dhe më e ashpër bëhet më pas dëshmia e B. J., i cili pohon se Kaçaj i ka thënë: “Në Shqipëri ka diktaturë të ashpër. Këtu çdo njeri ka dosje dhe ndiqet. Këtu njerëzit detyrohen të spiunojnë nga frika, mbasi i marrin dhe i rrasin brenda. Këtu nuk ka burrni”.
Por spiunët e tij shkojnë dhe më tej dhe dosja ka të tjera gozhdë për kryqin që i përgatisin artistit: “Shtetet e Bashkuara janë një forcë e madhe ushtarake dhe Vietnami nuk mund t´u rezistojë dot...”. Dhe që nga Vietnami, e “risjellin” sërish në Shqipëri. “Gjergj Fishta është poet i madh, poeti më i madh shqiptar i para dhe pas çlirimit”.
Tre muaj pas arrestit, tre muaj në izolim, më 31 korrik 1973, hetuesi Fejzo Aloçi firmos akuzën përfundimtare.

Hetuesia e artistit

Ishte e gjatë dhe e lodhshme. Si zakonisht. Ashtu siç dinin ta bënin komunistët. Revista zbardh një nga seancat e pyetjeve, atë të datës 29 prill 1973, të tjerat vazhdojnë deri pak ditë përpara gjyqit.
Kaçaj thotë: “Unë e pranoj që kam zhvilluar veprimtari armiqësore kundër pushtetit duke folur në shumë drejtime dhe me shumë persona. Kam mbaruar në 1944-n gjimnazin françeskan në Shkodër dhe të gjithë pedagogët e mi kanë qenë priftërinj. Drejtor i kësaj shkolle ishte Gjergj Fishta, i cili ishte dhe poet. Unë kam thënë se Fishta është poet i madh, bile poeti më i madh i Rilindjes sonë, bile më i madhi në Ballkan.
Një drejtim tjetër për të cilin kam folur keq kundër pushtetit është dhe gjendja ekonomike e vendit tonë. Kam komentuar disbalancimin mes çmimeve të larta të artikujve të ndryshëm në treg dhe pagave të ulëta... këtë gjendje ekonomike e kam krahasuar me atë të vendeve kapitaliste, të cilat i kam lavdëruar dhe kam thënë se aty ka një nivel të lartë jetese...”.
Kaçaj nuk mban rezerva. Ai është i qartë për atë që ka bërë dhe i bindur se ka vepruar drejt, pavarësisht se detyrohet të shprehë edhe pendesë. Ai nuk heziton t´u pohojë hetuesve të tij se: “regjimi në Shqipëri mbahet me diktaturë dhe kjo diktaturë është për njerëzit një thundër e hekurt, më e rëndë se ajo për të cilën ka shkruar Xhek London në veprën e tij. Regjimi mbahet në këmbë me anë të forcës sepse në të vërtetë... nga populli..., ka sa të duash që nuk e duan këtë pushtet”...; “...situatat nuk zhvillohen në drejtim të forcave marksiste-leniniste, por në favor të imperializmit dhe revizionizmit. Kjo ka vlerë që Shqipëria, një vend i izoluar, do të jetë keq..., kam thënë se Shqipëria do të bllokohet... dhe gjendja do të shkojë gjithmonë e më keq...”.

Gjyqi, dënimi

Filloi më 21 gusht 1973. E konsideron pa mëdyshje fajtor dhe e dënon me pesë vjet burg. Vendimi firmoset nga gjykatësja Shegush Hakani dhe ndihmësit e saj, Afërdita Ikonomi dhe Albert Sotiri. Por nuk kishte mbaruar këtu. Pothuaj dy javë më pas, me një shkresë të konsideruar sekrete, Ministria e Brendshme i drejtohet Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Shkresa firmosej nga Feçor Shehu, atëherë zëvendësministër i Brendshëm. Thelbi i saj ishte se “... masa e dënimit me pesë vjet burg që iu dha të pandehurit është e butë dhe nuk i përgjigjet rrezikshmërisë së theksuar shoqërore që paraqet vepra e kryer dhe vetë i gjykuari”.
Megjithatë, Gjykata e Lartë, si në pak raste të tilla, vendos ndryshe. Ajo lë të paktën në fuqi vendimin e gjykatës së Tiranës. Kolegji penal i Gjykatës së Lartë, pastaj më pas, më 11 tetor, me firmë të Aranit Çelës, lë sërish në fuqi të njëjtin dënim, por kërkon dhe shtesën e dënimit plotësues për konfiskim të pasurisë së artistit.
Këtu mbyllet kalvari legal i shkatërrimit të një jete njerëzore, i shkatërrimit të një artisti, për të cilin, profecia e Kadaresë, admiruesit të tij, fatkeqësisht nuk do të realizohej: “...Luk Kaçaj... i kishte të gjitha shanset për t´u bërë një nga këngëtarët më të mëdhenj të Europës”. Atë e vrau sistemi komunist, po aq sa dhe smira e kolegëve të tij, një pjesë e të cilëve jetojnë ende në heshtje pendesën për pjesëmarrje në krim ndaj sivëllait të tyre të artit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora