E premte, 30.07.2021, 03:00 AM (GMT+1)

Faleminderit

Flori Slatina: Pranë varrit të mjeruar të Sotir Koleas

E diele, 12.04.2009, 08:07 PM


Sotir Kolea (1872-1945)
Pranë varrit të mjeruar të Sotir Koleas

Nga Flori Slatina
 
1.
Në parcelën e njerëzve “vip“ në varrezat publike të Elbasanit gjendet edhe një varr i thjeshtë, përtej modestisë, në mjerim të plotë, aspak i mirëmbajtur, i rrethuar nga plehra e nga shkurre e bimë që po i “zënë“ frymën... Poshtë atij varri të pashembullt prehet trupi i një njeriu të madh, një atdhetari që sakrifikoi jetën, pasurinë dhe shpirtin e tij për këtë dhé, për këtë komb. Aty prehet trupi i Sotir Koleas. Shumë njerëzve sot nuk u thotë gjë ky emër, por shumë të tjerë, e dinë mirë kush është ky burrë i nderur, ky personalitet që pluhuri i harresë ka rënë jo vetëm mbi veprën dhe veprimtarinë e tij atdhtare, por edhe mbi varrin e prishur.
Një pllakë betoni, me gjatësinë e gjerësinë e vetë varrit, e vendosur kushedi prej sa vjetësh mbi dheun e ngjeshur, mbi arkivolin e tij, tashmë të kalbur nga koha dhe lagështira, ndërsa një tjetër pllakë betoni, paksa e dëmtuar, qëndron mbi krye të varrit, ku një dorë prej punonjësi të ish-komunales ka gdhendur keq e keq një emër “Spiro Koleja“, të cilin duhet ta ketë lexuar gabim në ata defterë të vjetër të rojës së varrezave, me qëllimin e mirë për të mos e lënë ma emër këtë varr. Emri është shkruar gabimisht, pasi aty prehet Sotir Kolea, një njeri i shquar që është ndarë nga jeta thuajse 65 vjet më parë.
 
2.
Në këtë parcelë “vipash” prehen edhe personalitet të tjera të qytetit të Elbasanit dhe për mirëmbajtjen e varreve duhet të kujdeset bashkia e qytetit, por në një kohë që sot është e vështirë të kujdesesh për të gjallët, nuk ke sesi t’i kërkosh llogari bashkisë pse nuk kujdeset edhe për të vdekurit, megjithëse është detyrë e saj dhe paguhet edhe nga taksapaguesit për këtë gjë) !! Sotir Kolea e ngrysi jetën e tij i vetëm dhe, fatkeqësisht nuk la pasardhës (thonë se ka nipër e mbesa), por të paktën bashkia ose këta “pasardhës” të tjerë të kujdesen për të rregulluar disi varrin. Sotir Kolea nuk ka nevojë sot për një varr madhështor, mermeri me ngjyra, të kushtueshëm e me dekoracione e zbukurime të tjera të panevojshme. Të paktën, të shkruhet një pllakë të re mermeri, vetëm emri dhe viti i lindjes dhe i vdekjes “Sotir Kolea 1872 – 1945”. Do të ishte një mundim i vogël, por një shërbim i madh për një njeri që meriton shumë më tepër se aq. Le të rregullohet emri i tij, që dikush në këtë botë mosmirënjohëse të verë një buqetë lulesh, në kujtim të veprës dhe jetës së tij.

3.
Ishte 65 vjeç më 1937, kur u nxuarr në pension, me një rrogë të vogël.  U nda nga biblioteka, të cilën ai e kishte ngritur e organizuar me thonj e me dhëmbë, me një mijë mundime e me aq dashuri, që prej vitit 1928. Vitit e fundit i kaloi në Elbasan, jo në vendin e tij të lindjes në Berat, për t'iu kushtuar tërësisht, larg rrethit dhe njerëzve të vet, që mund t'i rrëmbenin ndonjë pjesë të kohës aq të çmuar, në vetminë e qetësinë e një jetese prej plaku beqar, veprës së jetës së tij,  Fjalorit të madh frëngjisht-shqip. Në ato vite lufte, e shikoje të gozhduar në tryezë të punës që nga mëngjesi e gjer vonë natën, me ndonjë ndërprerje të vogël për të bërë ndonjë shëtitje jashtë qytetit andej nga Shën Thanasi, ose për të zhvilluar ndonjë bisedë të shkurtër me miq e të njohur.
Bëri një jetë shumë të mbyllur, pa lëvizje, thuajse të njëjtë, në kushte të vështira ekonomike. Shëndeti iu dëmtua dhe iu shfaqën sëmundje. Pendën nuk e lëshoi nga dora gjer pak ditë para vdekjes. U shua në krahët e gjuhëtarit të shquar, mikut të tij, Mahir Domi, i cili shkroi edhe nekrologjinë për të. U varros në varrezat e Elbasanit, aty ku prehet edhe sot, në një varr të mjerë e të lënë pas dore, si mos më keq! 

 4.
Kush ishte Sotir Kolea? Duke iu referuar një shkrimi të profesor Mahir Domit, le të shkëputim ca radhë nga biografia e tij për lexuesin. U lind në Berat në vitin 1872, prej një familjeje tregtare-intelektuale. I ati i Sotir Koleas, Kristo Kolea, ishte avokat në Berat. Në moshën 9-vjeçare, Sotiri iku nga Berati për në Manastir,  ku frekuentoi shkollën greko-turke dhe kur mbaroi gjimnazin dhe u emërua nëpunës në industrinë e duhaneve të një shoqërie franceze. Në Ohër, Sotiri zuri miqësi me shqiptarët që banonin atje dhe filloi të punonte për çlirimin e Shqipërisë e për gjuhën shqipe. Nga Ohri u transferua në Dhramë (Maqedoni), gjithmonë në duhane. Nga Dhrama u transferua në Kavallë. Gjatë kësaj kohe, Sotir Kolea ishte në kontakt me Petro Nini Luarasin dhe Trebickën që kishin shtypshkronjën në Sofje dhe financiarisht ai i ndihmonte shumë shtypshkronjën për aktivitetin e patriotëve shqiptarë për përhapjen e gjuhës shqipe dhe pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve, Sotir Kolea filloi të studionte gjuhë të huaja dhe arriti të zotërojë me të folur dhe me shkrim nëntë gjuhë. Qysh atëherë filloi të punonte për fjalorin, i cili i mori si kohë gjysmën e jetës së tij. Në Kavallë, motra e tij banoi tre vjet me Sotirin (1899-1902) dhe ajo thotë se qysh atëherë i vëllai kishte filluar të mblidhte fjalët e fjalorit e të punonte në këtë fjalor të famshëm. Nga Kavalla, Sotir Kolea u transferua në Egjipt (Kajro-Aleksandri), gjithmonë në duhane, ku ai qëndroi deri në çlirimin e Shqipërisë në 1912-ën. Ai erdhi në Shqipëri me dokumente të rregullta, si përfaqësues i shqiptarëve të Egjiptit, pasi organizoi koloninë shqiptare të atij vendi. Në Shqipëri Sotir Kolea luftoi partinë që kërkonte një mbret nga Perëndimi, duke thënë se Shqipëria ishte shumë e prapambetur dhe më e varfra nga shtetet myslimane dhe një mbret kristian nuk mund të qëndronte. Ai luftoi gjithashtu partinë që donte të binte si mbret një princ-pasha turk, duke thënë se Shqipëria duhej të shkëputej krejtësisht me Turqinë dhe në asnjë mënyrë të mos kishte të bënte me të në vend të këtyre partive, Kolea propozoi si mbret (me pëlqimin edhe të shqiptarëve të Egjiptit), princin Ali Fuat, trashëgimtar të Egjiptit, i cili pranonte të linte fronin e Egjiptit, (vëllait të tij) dhe të bëhej mbret i Shqipërisë. Në qershor 1913 Kolea ikën nga Shqipëria për në Paris, ku bashkëpunoi ngushtë me Ismail Qemalin për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën Ndërkombëtare të Parisit. Që nga Parisi shkoi në Zvicër, ku banoi disa vjet në Lozanë, pastaj shkoi tek e motra në Madagaskar, por atje u tmerrua nga regjimi kolonial. Nga Madagaskari shkoi në Marsile disa kohë dhe atje i propozuan që të vinte në Tiranë për të organizuar Bibliotekën dhe Muzeumin Kombëtar e kështu u kandis e erdhi në Shqipëri, ku punoi si organizator dhe drejtor i Bibliotekës e Muzeumit Kombëtar. Pasi mbaroi së organizuari Bibliotekën dhe Muzeumin Kombëtar, edhe nga shkaku i karakterit indipendent të Koleas, Zogu e nxori në pension dhe Kolea shkoi në Elbasan, ku mbaroi së shkruari: 1. Fjalorin e madh. 2. Një mbledhje (libër) proverbash shqiptare. 3. Një libër botanik me gjithë bimët që mund të kultivoheshin në Shqipëri. Kolea vdiq në Elbasan dhe autoritetet e Elbasanit vulosën dhomën e Koleas dhe morën gjithë bibliotekën e pasur të tij, gjithë veprat e tij!... Sotir Kolea ishte një njeri i zgjuar dhe studionte vazhdimisht, ai kishte mësuar me baza dymbëdhjetë gjuhë: shqip, frëngjisht, greqisht, italisht, rumanisht, ispanisht, anglisht, arabisht, gjuhën mallgashe të Madagaskarit, turqisht, bullgarisht.

Kanë thënë për të:

“Më 3 korrik 1945 vdiste në Elbasan Sotir Kolea, jeta e të cilit kishte qenë jetë shëmbëllore pune e vetmohimi për atdhe e popull, jetë atdhetari të pastër që punoi në heshtje, pa u kursyer, për çështjen kombëtare, dhe gjurmuesi të palodhur të visarit tonë gjuhësor e folklorik. Sotir Kolea i takon asaj dore rilindasish që nuk u mjaftuan të veprojnë në fushën politike të lëvizjes sonë kombëtare e në publiçistikë, por, të shtytur nga ideja e zjarrtë patriotike, të ndihmuar herë herë edhe nga kultura e fituar me punën e tyre prej autodidakti, e quajtën për detyrë të punojnë për të gjurmuar e nxjerrë në dritë pasuritë spirituale të popullit tonë dhe arritën, me entusiasmin e seriozitetin e tyre, të kryejnë një punë pozitive e t'u sjellin shërbime jo të pakta kulturës sonë e studimeve shqiptare”.
Mahir DOMI

“Për dhjetë vjet, në kushtet e mjaft mungesave dhe vështrisëive, bëri përpjekje për të vënë institucionin e Bibliotekës kobëtare mbi baza profesionale. Ai hodhi hapat e para të veprimtarisë së mirëfilltë bibliotekonomike në Shqipëri. Me përgjegjësi të veçantë punoi për sistemimin, mirëmbajtjen e shtimin e fondeve të bibliotekës. Deri në fund të jetës mblodhi burime bibliografike e dokumentare për historinë, etnografinë folklorin dhe gjuhën e popullit shqiptar”.
Maksim Gjinaj

Vepra

•    Hartimi i një fjalori sa më të pasur të shqipes u bë synimi kryesor i jetës së tij, atij i kushtoi ai mundimin më të madh e përpjekjen kryesore që nga viti 1905 e gjersa vdiq. Kontaktet e dëndura me shqiptarë të anëve më të ndryshme, ndjekja e rregulltë e gjithë botimeve shqipe, serioziteti dhe ngulmi e vinin atë në gjendje të mirë për të njohur si pakkush pasurinë leksikore të gjuhës sonë, për të mbledhur një pasuri të jashtëzakonshme fjalësh e shprehjesh.
•    Aty ai më 1915 nxjerr dhe drejton gazetën në gjuhën frëngjisht "L'Albanie", që vijoi të botojë gjer në vitin 1919, duke mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar përpara botës së jashtëme e duke u bërë një luftë të paepur planeve e veprimeve të armiqve të tij. Ky organ ze një vend nderi në historinë e shtypit shqiptar, në mënyrë të veçantë për qëndrimin e drejtë patriotik që mbajti në mjaft rrethana të vështira.
•    Mblodhi burime bibliografike e dokumentare për historinë e Shqipërisë, fjalë të urta, të thëna e tjera të dhëna të gojës së popullit, u muar me botanikën e bimëve që rriten a mund të rriten në vendin tonë, trajtoi çështje gjuhësore, po sidomos bëri punë të madhe për mbledhjen e visarit leksikor të gjuhës sonë e për përpunimin e tij në formë fjalorësh. Rëndësi të veçantë ka për historinë e studimeve shqiptare, veprimtaria e tij në folklor e leksikografi. Po pak gjë arriti të botohet ne librin "Një tufë proverbash" 1944.
•    Sotir Kolea shkroi në revista e gazeta artikuj e studime gjuhësore. Ndër to meriton të përmendet studimi frëngjisht "La langue albanaise" (Gjuha shqipe) botuar në disa numura të gazetës së Kostancës së Rumanisë "Shqipëria e re" (qershor-gusht 1928).
•    Sotir Kolea ka lënë në dorëshkrim të redaktuar një fjalor të gjerë greqisht-shqip prej 2613 faqesh formati të madh e me shkrim shumë të imtë, me 68963 fjalë. Redaktimi përfundimtar i tij nisi në Aleksandri të Egjyptit më 4 tetor 1909 dhe u mbarue në Lozanë të Zvicrës më 22 qershor 1914. Duket se për këtë fjalor bën fjalë një lajm i shtypit shqip i fundit të vitit 1910 që bën të njohur se është pregatitur nga Sotir Kolea një fjalor prej 60-70000 fjalësh, "i cili pritet të shtypet së shpejti!".

Sotir Kolea në Madagaskar

Pas 1920-ës, Sotir Kolea u gjend në ishullin e Madagaskarit, ku banonte e motra e tij. Aty ai pati mundësi të njohë fytyrën e shëmtuar të kolonializmit e të diskriminimit racial. Me karakterin e tij të drejtë, ai revoltohej nga trajtimi përbuzës që u bëhej zezakëve me sjelljet e t’ia fitoi nderimin e dashurinë e vendësve. Kur zbriti për të parën herë nga vapori, refuzoi kategorikisht të hipte në njërin nga "pousse-pousse" (karroca të vogla të tërhequra nga vendës të varfër) që pritnin, duke thënë: "Nuk e lejoj kurrë që të më heqë një njeri në vend të kafshës" pas ca kohe banimi në Madagaskar, si pat mësuar edhe gjuhën malgashe, në Tanarivë ku ishte vendosur, i afruar siç ishte, ai u bë gjerësisht i njohur nga zezakët vendës, të cilët e donin shumë dhe thoshin shpesh: "Monsieur Kolea est le seul blanc qui se considere notre égal" (Zoti Kolea është i vetmi njeri i bardhë që e mban veten barabar me ne). Më pas ai shkoi në Marsejë të Francës. 

Kolea, drejtori i Biliotekës Kombëtare (1928-1937)

Më 1928, iu bë ftesë që të organizonte e drejtonte Bibliotekën e Muzeumin Kombëtar, që ishin krijuar që më 1923, po ekzistonin vetëm me emër e sa për formë e s'kishin asnjëfarë veprimtarie, ai u kthye në atdhe, duke braktisur një punë ekonomikisht të leverdishme. Me ndërgjegjen e lartë të punës që e karakterizonte, i u përvesh me gjithë shpirt detyrës që i qe ngarkuar dhe, me gjithë mungesën e vajtueshme të mjeteve financiare, moskuptimin e pengesat të një regjimi prapanik, mundi ta verë në vijë funksionimin e këtyre dy institucioneve kulturore të rëndësishme. Sotir Kolea jo vetëm u përkujdes me një skrupolozitet të pashoq për sistemimin, mirëmbajtjen e shtimin e fondit të Bibliotekës, po vuri edhe bazat e para për një veprimtari shkencore të saj. Ai filloi botimin e broshurave vjetore mbi veprimtarinë e këtij institucioni, ku u bë edhe përshkrimi bibliografik i mjaft veprave me interes për studimet shqiptare. Dorëshkrimi i Kostë Beratit u bë i njohur për parën herë nga kumtimi që dha për të në këto botime S. Kolea. Drejtoi deri në vitin 1937, vit kur doli në pension.



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora