E shtune, 27.04.2024, 01:07 PM (GMT+1)

Faleminderit

Fritz Radovani: 80 vjet ma parë lindi Prof. Gjon Sinishta

E merkure, 22.04.2009, 08:03 PM


80 VJET  MA  PARË  LINDI  PROF. GJON  SINISHTA

(8 Prill 1929 – 8 Maji 1995)

Nga Fritz RADOVANI

Ishte ajo ditë e madhe për Shqipni, 25 Prill 1993 kur pritej në Shkoder ardhja e Papës Gjon Pali II dhe, posa mërrijta në oborrin e Argjipeshkvisë pashë një Burrë që më bani disi përshtypje paraqitja e tij, mjaft i zbardhun me mjekerr por me një fëtyrë të freskët. Me Té ishte Z.Lec Zadeja i cili ma paraqiti mikun e ardhun nga San Francisko, ishte Prof. Gjon Sinishta, Shqiptar që ruente Burrninë dhe Gjuhën të pacenueme...mjaft larg, në SHBA.
 Prof. Gjon Sinishta edhe mbas asaj dite erdhi prap në Shqipni, por jeta e Tij kje aq e shkurtë sa më asht dukë se vdekja kje mizore dhe e parakohshme me 8 Maji 1995. Ma vonë nëpërmjet librit që më dhuroi Z.Matish Shestani mujta me njohtë afër Prof. Gjonin, që për mue u pat ba për dy vjet i paharrueshëm...Shpesh shpjegimet biografike tregojnë shumë nga ata detaje që njeriut i duhet me shfletue disa libra me gjetë ate çka kërkon në pak fjalë.
 Unë nuk do të hyj në ata detaje, mbasi qellimi i shkrimit tem asht tjetër nga ai i një date që na kujton lindjen apo humbjen e Tij. Ai ka le me 8 Prill 1929 në Podgoricën e Shqiptarve të Malit të Zi...Në vitin 1941 ishte në Shkoder, ndjekë mësimet në Seminarin e Jeziutve deri në vitin 1946, kur komunistët e mbyllin ate, Gjoni me familje shpërngulet dhe shkon prap në Jugosllavi, por vëndoset në Zagreb...Punon në radio dhe ndjekë shkollë. Në vitin 1956 arrestohet, dënohet 5 vjet për atë veprimtari që në Shqipni me siguri do t’ishte pushkatue, si antikomunist dhe agjent i amerikanve...Posa lirohet arratiset në Austri, shkon në Itali dhe në 1965 emigron në SHBA. Punon në fabrikën e automobilave Ford dhe tek General-Motors, ku plotëson studimet në Michigan dhe diplomohet në Universitetin John Carroll të Cleveland-it Ohio. Mbas dy tre librave që pat përkthye në Jugosllavi, në vitin 1967 boton librin e vet anglisht “Flijim për Shqipninë” (“Sacrifice for Albania 1946 – 66”). Shkon në Universitetin Santa Clara, në Kaliforni dhe atje thëmelon “Qendren Informative Katolike Shqiptare. Në vitin 1977 bashkë me Prof. Gjon Sinishten në San Francisco,  vëndoset edhe “Qendra Informative Katolike Shqiptare” në Universitetin e Jezuitve atje, ku botoi edhe Revistën “Buletini Katolik Shqiptar”, që nga viti 1980.
Ma vonë “Instituti Katolik Shqiptar”, u quejt me dëshirë të Prof. Gjon Sinishtes  “Danjel Dajani SJ” dhe u përfshi në selinë”Xavier Hall” të Universitetit San Francisco.
Vepra kryesore e Tij mbeti “Premtimi i mbajtun” që u botue anglisht, italisht dhe spanjisht me 1976, në Santa Clara California. Një libër i plotë i përsekucionit komunist.
Prof. Gjon Sinishta asht organizator i tre manifestimeve të mëdha ndërkombëtare, i atij të 10 e 40 vjetorit të salvimit të Fesë në Shqipni nga rregjimi komunist si, dhe, Ai i Don Simon Jubanit, për dhanjen e titullit “Honoris Causas”, për celebrimin heroik të Meshës së Parë në Kapelën e Vorreve të Rëmajit në Shkoder, me 11 Nandor 1990.
Prof. Gjoni pak kohë para vdekjes len gojarisht një testament që u botue në librin e Matishit, “Të njohim Gjon Sinishten”, në faqe 13: “...Familjarët e mij do t’a sjellin vazon me hinin dhe do t’i vëndosish, pa ceremoni, ku të duash, në Vorret e Rëmajit, në Shkoder...
Ato Vorre janë të bekueme me gjakun e Martirve të Fesë të pushkatuem aty, të Eprorve të mij në Seminarin Papnuer Jezuit të Shkodres, At Danjel Dajani SJ, dhe At Gjon Fausti SJ, me të tjerë. Miqve dhe dashamirve të mij Ju la një kërkesë: Të luftohet për  Fé – Atdhé – Përparim; të jetoni në bashvllazni pa dallim Feje; të mbani amanetin e Dëshmorve të Fesë, flije këta që thërrasin jo, ndihmë, por Liri, jo, hakmarrje, por Bashkim; i tham Popullit tem, se pata miq të afërt përsonalitete fort të vlertë, profesorët Ernest Koliqi, Martin Camaj, Zef Pali, Sami Repishti, Arshi Pipa, Karl Gurakuqi, Anton Logoreci, Rexhep Krasniqi, Hamdi Uruçi, Petro Vuçani e të tjerë bashatdhetarë e, prej sish kanë shumë shka mësojnë bashkombësit e mij.”
“Kam jetue larg, por përjetsisht në gjurmim të informacionit që më mësonte për fatin e Atdheut tem”...
“Kam nëvojë me ngranë bukë misri me djathë dhije që ruan shijen e gjethëve të ahishtave tona malore, me të cilat ushqehën dhitë tona!”...
“Dishrova të jem intelektual, Thonë...se u bana i tillë... Në kjoftë se po, më ndihmuan dy përkujdesje të mijat: ruejta të papërlyem përsonalitetin tem, i ushqeva vehtës kurajo civile të naltë”...
“Dishrova të bahem prift jezuit. Fati i Atdheut tem nën komunizëm, nuk më lejoi që në moshën e duhun të shkollohesha për këte. Ndrroi drejtimi i jetës seme. Megjithatë, vepra eme flet se u përpoqa t’i përmbahesha parimit, që pasardhësi, duhet të jetë intërpretuesi besnik i paraardhësit. Veç prindve, pata paraardhës eprorët e mij jezuit”...
“U çlirova nga brenga që më mundoi shumë, sëpse pashë shpirtin e Shqiptarit të veshun me rrobat e krenarisë që i solli Liria; demokracia barazoi Shqiptarin me njeriun  që edhe në Shqipni, njeriu të jetë njeri!”...
“Çka mendoj për t’ardhmën e Shqipnisë?
 Mos të lejohet ma që Shqipnia të lahet me lot gjaku!
Përsëritja e lotëve për Shqipninë, së pari do të jetë faj i intelektualëve!...”.

Do t’ishte një diçka e tepërt me hy në komente të këtyne rreshtave që shkrova ma sipër, mbasi për secilin Shqiptar asht e kuptueshme çdo fjalë e Prof. Sinishtës.
Ai erdhi tri herë në Shqipninë Nanë, në vitin 1992 (foto nalt me F.R.), 1993, dhe 1994. Pata fatin me e njohtë dhe me komunikue me Té. Në “Buletinin Katolik Shqiptar”, (“Albanian Catholic Bulletin”) 1993, në Nr. XIV, fq.232, ka botue për librin tem “At Pjetër Meshkalla SJ.”, me pseudonimin Palok Plaku, i cili asht kenë i vetmi për atë liber...ku, Prof. Gjon Sinishta, shkruen: “...Libri i Fritz Radovanit asht për t’u lexue nga çdo shqiptar që mban për zemer parimet e shejta të atdheut, fésë e lirisë”.
Mendoj se Shqiptarët duhet të lexojnë dhe të njohin shkrimet dhe veprat e Sinishtës, mbasi puna e fillueme nga Ai asht e domosdoshme për mbarvajtjen e Atdheut, por duhet me zbatue porositë e tija, të cilat janë detyra për të gjithë ne, mbrenda e jashta Atdheut. Askush nuk duhet mendojnë se ka ikë koha kur Shqiptarët kishin interes me ditë çka bahet në atdhe. Asht detyrë për secilin me njohtë historinë e shkueme e, sidomos, até të cilën me dhimbje duhet t’a pranojmë se: “Në disa forma ajo paralajmëron se ka rrezik edhe se mund të përsëritët!”... Na kishim një rrezik të madh që ishim të izoluem. Na patme edhe një rrezik tjetër që shumë nga Ata Burra që mund të jepnin kontributin e Tyne për me ecë Perpara, jo vetëm nuk i mblodhëm rreth vatres së shkretnueme, por edhe i lame me vdekë në mergim. Nuk u mjaftuem me kaq por, bame edhe “ligjë” që kush nuk ka kenë për 20 vjet në atdhé, nuk mund të ngarkohet me detyra të larta shtetnore...mbasi kështu, ia ruenim edhe “kulltukun” trashigimtarve të vagabondave që me vazhdue sundimin e tyne...
Veprat e Prof. Gjon Sinishtës duhet të jenë frymzim për ne, që në të ardhmen me ndjekë rrugën e lavdishme të Këtij Atdhetari të Madh Shqiptar, që gjithë jetën punoi për një Shqipni të Përparueme e Demokratike!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora