E shtune, 27.04.2024, 02:05 PM (GMT+1)

Faleminderit

"Fluturimi, bashkë me hapësirën e shikimit, të rrit edhe krenarinë e profesionit"

E premte, 24.04.2009, 06:03 PM


Bardhyl Taçi
Bardhyl Taçi
Nga Agim Bacelli

Kush është Komandant Bardhyl Taçi?

Ka lindur në 6 Dhjetor 1933 në Korçë. Shkollen 7-vjeçare e ka mbaruar po në Korçe, shkollën e mesme, atë ushtarake Skënderbej, në Tirane . Akademinë e Aviacionit në Rusi si dhe disa kurse kualifikimi në Kinë e Shqipëri. Ka qënë një pilot i kompletuar dhe një komandant i talentuar, i rreptë por shumë i drejtë.

Për herë të parë kam rënë në kontakt me komandatin kur ai erdhi për kontroll në gadishmërinë luftarake në Gjadër. Ishte vere e vitit 1980 dhe neve që ishim në gadishmëri atë ditë, na u tha se do të vinte për vizitë Komandant i Frocave Ajrore Shqiptare. E pastruamë lokalin e Gadishmërisë Luftarake siç bëjnë shqiptarët kur presin miq të rëndësishm. E takoja për herë të parë Komandant Bardhylin. Ai erdhi, na dha dorën dhe na pyeti për shëndetin e familjet, pastaj na pyeti sesi e kalojmë kohën në gadishmëri. Thirri komandantin e gadishmërisë dhe e pyeti nëse komanda e regjimentit na kishte sjellë kutinë e shahut që ne e kishim kërkuar prej kohesh. Mori një përgjigje negative. Ne, aviatorë, (pilotë dhe teknikë) kalonim një pjesë të mirë të jetës në atë lokal dhe kishim nevojë për të gjitha sendet për tu argëtuar dhe shlodhur. Pashë komandant Bardhylin që bërtiti dhe dha urdhëruar që brënda një orë të vinte kutia e shahut ! Vërtetë na erdhi. Me këtë veprim, (në dukje pak i ashpër por shumë i drejtë), respekti dhe dashuria për komandant Bardhylin u rrit akoma më shumë tek efektivi i gadishmërisë në çiftin roje.

Fëmjria e Bradhyl Taçit ka qënë shumë e vështirë, nëna i ka vdekur në vitin1940, babai i është vrarë në operacionin e Qershorit në 1944.

Që në fëmijëri ka patur kuriozitet të madh, veçanërisht për qiellin. Shpesh ai mendonte ç'është hëna, ç'janë yjet dhe misteret e tyre. Ëndërronte vogëlushi jetim të ngjitej në qiell, atje ku ishin prindërit e tij!  Një dëshirë e zjarrtë i përvëlonte kraharorin. I dukej se po të ngjitej në qiell do të ishte afër prindërve të tij që aq shumë i adhuronte dhe që aq shumë i mungonin.

Në qiell fëmija jetim do të kërkonte të plotësonte atë boshllëk prindëror. “Ah sikur të kisha krahë e të flururoja! Le të bëhesha shqiponjë pa le të rroja shumë pakë!” Kështu filloi që zëmra e tij e vogël të ishte qielli…Kaq herë ju lut zogjëve ta mësonin të fluturonte dhe kaq herë qau nga mos realizimi i kësaj ëndrre të çuditëshme.

Djaloshi i vogël Korçar pati guximin që këtë dëshirë të zjarrtë t’ua thoshte të gjithë njerëzve të njohur dhe të kërkonte ndihmë që të bëhej një fluturues. Me zogjtë ishte lodhur. Miqtë dhe të afërmit e ndihmuanë të shkojë në shkollën ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Bardhyli ishte një një i ri i shkathët, trup mesatar dhe shumë i fuqishëm. Frikën nuk e njihte fare pasi, që kur i vdiqën prindërit, ai ëndërronte të shkonte pranë tyre.

Guximi dhe ëndërra i dhanë krahë

Ëndërra më e vjetër e njeriut, ëndërr që e ka zanafillën qysh nga Ikarus, sot është bërë realitet për atë që don ta provojë dhe të guxojë.

Fluturimi, sidomos fluturimi vetëm, të jep diçka që asgjë tjetër nuk ta jep.Fluturimi, bashkë me hapsirën e shikimit të rrit dhe krenarinë e profesionit, siç thotë shpesh Komandant Bardhyl Taçi. Fluturimi vjen me një dozë helmi i cili të rrit së tepërmi edhe iluzionin e pavdekësisë dhe në të njëjtën kohë të sjell në vete me realitetin tokësor të vdekjes. Kjo është arsyeja që pilotët rrojnë mes vdekjes dhe pavdeksisë. Ata janë shpirti i avionit, asnjëri s’mund të rrojë dot pa tjetrin. Nëse çdokush që njeh Bardhyl Taçin dhe e kujton atë, menjëherë mëndja i shkon tek avioni. Ose nëse ndonjë mik apo i afërt i tij shikon një avion, me siguri do të kujtojë Bardhylin, ‘shtëpia’ e të cilit ka qënë mbi 30 vjet në qiell.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, Bardhyl Taçi ka shkuar në ish Bashkimin Sovjetik. U gëzua shumë kur u pranua në shkollën ushtarake të aviacionit luftarak që mbante emrin e një nga pilotëve më të famshëm të ish-Bashkimit Sovjetik, Valeri Pavlloviç Shkallovit. Këtë gjë Bardhyli e mori vesh sapo mbriti në atë shkollë pasi të gjithë ishin krenarë që shkolla e tyre mbante emrin e heroit. Legjenda nga më të çuditshmet tregoheshin për pilotin e famshëm. Trimëritë e tij kishin kaluar kufijtë e BS dhe Kampit Socialist. Shkolla  SHKALLOV, është një nga shkollat më të vjetra të aviacionit në ish BS. Ajo ndodhet në rrethin e Voronjezhit, në qytetin Borisoblebsk, qytet me popullsi reth 150.000 banorë, 600 km në lindje të Moskës.

Një kuriozitet për Valeri Pavlovi Shkallovin i cili me avion transporti të asaj kohe, në vitin1936, ka fluturuar nga Rusia mbi Polin e Veriut dhe ka bërë ulje në San Françisko, USA, duke fluturuar 36 orë pa pushim. Ai u vra në1938 nga një difekt teknik në motor.

“Kam krahë! Jam një shqiponjë!”

Momenti kur studenti Bardhyl Taçi hypi për herë të parë në avion bashkë me instruktorin që do ta mësonte, i ka ngelur edhe sot në mëndje dhe nuk do ti fshihet nga kujtesa kurrë! Gjëja e parë që i erdhi në mëndje ishin ëndërrat e tij fëmijnore kur ai ëndërronte prindërit e tij në qiell. Pastaj toka e bukur nën këmbët e tij. Madhështinë që ndjeu për herë të parë nuk është në gjëndjë ta përshkruajë pasi askush nuk mund ta bëjë atë ashtu siç ajo ndihet. Ishte shumë krenar dhe nga lumturia merrte frymë thellë. I vinte të thërriste me sa fuqi kishte, “Kam krahë! Jam një shqiponjë! Hapësirë e pafund dhe ju o prindërit e mij në qiell, ju kam kaq afër!” Kjo ishte njëra anë, ana e bukurisë dhe frymëzimit. Kur i erdhi radha që të provonte drejtimin e avionit, Bardhyli u befasua. Ju duk një profesion shumë i vështirë dhe ra në mendime se si do ta përvetësonte këtë zanat! Kjo i erdhi nga që ishte hera e parë që fluturonte, që bënte diça të pazakontë. Me kalimin e kohës studentit shqiptar ju fut në shpirt fluturimi dhe mbaroi studimet shkëlqyeshëm. Ditën që i dhanë diplomën si pilot dhe i varën në gjoks medaljen me emrin e Heroit Shkallov si student i shkëlqyer, Bardhyli u përlot dhe në brëndësi të shpirtit të tij u betua se do ta mbajë me nder titullin Pilot Shqiptar.

Sot ai nuk harron ata që e ndihmuan të realizonte ëndrrën për tu bërë pilot. Ai kujton me nostalgji në rradhë të parë pedagogun e aeronautikës (teorija e fluturimi), kolonelin Korenjev, me gradë shkencore profesor. Pas përfundimit të teorisë, Bardhyli kujton me mall po ashtu instruktorin e praktikës fluturuese, Sozin e rreptë dhe kërkues për detyrat. Ai ishte një kërkues pedant për çdo gjë që kërkonte fluturimi, qoftë edhe një gjë fare të thjeshtë dhe në dukje pa rëndësi.

Nga Shqipëria ata ishim vetëm 6 studentë për pilotë, të gjithë djem të mirë; Bardhyl Taçi, Hamit Ulqinaku, Anastas Ngjela, Agim Spahiu, Andrea Stavri, Vasil Andoni. Bardhyli edhe sot i kujton ata me respekt e dashuri për shoqërine e shkëlqyer që kishin. Ai ndalon një moment dhe mundohet të largojë emocionet e mallëngjimit dhe keqardhjes për katër nga shokët e tij që nuk rrojnë sot. Ai thotë se kanë ngelur vetëm dy, miku i tij mirë Vasil Andoni dhe ai. Të gjashtë janë kthyer në Shqipëri në vitin 1955. Bardhyli u emërua pilot në regjimentin e Qytetit Stalin, sot Kuçovë.

Më i miri student

I lutemi  komandantit të na tregojë ndonjë episod si studenti më i dalluar që ka qënë por ai nuk e pranon se ka qënë më i miri dhe e mbyll bisedën. Na u desh të pyesim të tjerët për të mësuar ndonjë gjë që vërtetë e dallonte studentin B.Taçi nga shumë studentë-pilotë. Do befasoheshim kur mësuam se ai ka qënë jo vetëm studenti shqiptar më i mirë por edhe më i miri i të gjithëve në grupin e tij ku kishte hungarezë, rumunë, polakë dhe bullgarë, sigurisht edhe rusë.

Gjatë praktikës fluturuese studenti Taçi ka qënë fluturues AS; i saktë, i vëmëndshëm, shumë i kujdesshëm, me reflekse brilante dhe tepër i guximshëm. Po tregojme vetëm një rsat simbolik ku aftësitë e tij vlerësohen nga eprorët e shkollës dhe ai cakotohet të fluturojë për kontrollin e kohës të cilin zakonisht e bën një nga pilotët më të mirë të shkollës ruse. Gjatë një stërvitje me gjithë grupin e studentëve, atë ditë në aerodrom frynte erë e madhe anësore, gjë që e vështirësonte ngritjen në ajër pasi kur ngrihet avioni duhet ta ketë erën nga përpara. E thërrasin të riun shqiptar tek udhëheqësi i fluturimeve dhe i thonë, ”Student Taçi, do të ngrihesh ti të fluturosh si studenti më i mirë, dhe pas uljes të na thuash a ka vështirësi për mbajtjen e drejtimit në ngritje nga studentët? Pastaj, nëse do marrim lejë nga ty, do të fillojmë fluturimet me të gjithë studentët e tjerë. Këtë gjë mund ta bësh vetëm ti nga studentët të cilët duhet të marrin shëmbyll dhe të inkurajohen për fluturime të vështira.” Studenti shqiptar fluturoi si shqiponjë e sigurtë në stuhi dhe kur zbriti tha me modesti, “Çdo student mund ta bëjë këtë që bëra unë”. Fluturimet filluanë po jo pa vështirësi pasi shumë studentë rrëshqitën në një krah gjatë ngritjes por, shëmbulli i shqiptarit trim i bëri ata të guximshëm.

Shqiponjë e hekurt

Kthimi në Shqipëri e bëri atë edhe më të zotin dhe një shëmbull për pilotët shqiptarë të cilëve nuk u mungonte guximi dhe dëshira për të fluturuar.

Një herë kur Bardhyli, tashmë aviator, fluturonte mbi Korçë vendosi që të fluturonte shumë ulët duke parë nga afër folenë e tij ku u lind dhe u rrit.

Befas pa qindra zogj që u trembën. Zogjtë lanë foletë e tyre dhe fluturuan nga sytë këmbët. Në shpirt ai ndjeu shqetësimin bashkë me xhelozinë e zogjëve dhe tha, “A nuk ju jam lutur juve dikur që të më mësonit të fluturoja? Ju nuk s’më ndihmuat. Tani unë fluturoj më mirë, më shpejt dhe më larg nga ju. Jam një shqiponjë prej hekuri pa pendë të dobëta si ju.”

Bardhyl Taçi ka fluturuar në shumë tipa avionësh, me helikë dhe në avionë reaktive si p.sh., MIG-15, UTIMIG-15, MIG-17, MIG-19PM,  MIG-19ES.

Kariera e Bardhyl Taçit në aviacion ka ecur në të gjitha shkallët e hierarkisë që nga pilot i thjeshtë, komandant çifti, komandant katërshe, komandant skuadrilje, zv komandant regjimenti, komandant regjimenti dhe komandant i përgjithshëm i aviacionit luftarak shqiptar. Kjo tregon se Bardhylin, në ngjitjen e tij në detyrë, e ka bërë vetë puna e tij pa asnjë “levë” ngritëse siç mund të ndodhte ndonjëherë me miqtë e udhëheqësve komunistë. Ai fluturoi mbi 30 vjet, pa futur vitet e shkollës. Është emruar Komandant i Forcave Ajrore në vitin 1974 pas komandant Edip Ohrit i cili kaloi në pozicionin e këshilltarit për një vit, me vonë Edipit ju propozua të shkonte Komandant i Akademisë së Aviacionit në Vlore se kishte eksperiencë,  propozim të cilin ai nuk e pranoi dhe vendosi të dilte në pension si shumë të tjerë. Arrestimi i Edip Ohrit ndodhi më vonë. Bardhyli ka qëndruar në detyrë deri në vitin 1990 kur ka dalë në pension.

“Unë për 30 vjet, sa herë qëndroja në ajër, ndihesha i lirë. Në ajër unë s’kisha komandant, s’kisha parti, s’kisha kufij, s’kisha polic trafiku, s’kisha pengesa, s’kisha kompleksin e krijuar nga shteti dhe ligjet…Në ajër isha vetë Zoti.” Qesh me gjithë shpirt.

Forcat Ajrore Shqiptare

Aviacioni shqiptar ka patur 209 aviona duke përfshirë këtu helikopterët MI-4,  An-2,  dhe disa aviona me helike Jak-61 për shkollën e aviacionit. Pjesa më e madhe e këtyre avionëve ka qënë MIG-19, që kishin shpejtesinë 1240 km/orë dhe ngjiteshin deri në 19.000 m lartesi. Ishin baza e Aviacionit Luftarak Shqiptar. Avionët reaktive ishin vendosur në 3 aerodrome me përmasa ndërkombëtare dhe të paisur me mjetet e nevojshme për mirëmbajtjen e tyre. Avionat ishin të armatosur me topa nga 23 mm deri në 37 mm, bomba 250 kg por edhe deri në 500 kg dhe me raketa ajër-ajër dhe ajër-tokë. Rraketat ishin të padrejtuara por kish dhe të drejtuara që përdoreshin vetëm në avionët MIG-21.

Aviacioni Luftarak Shqiptar nuk ngelej prapa shteteve fqinje si nga sasia e avionëve dhe nga të dhënat tekniko-taktike të tyre.

Ky aviacion, për fat të keq, sot pothuajse nuk ekziston jo vetëm si teknikë por nuk ekzistojnë as efektivi pilot dhe inxhinir së bashku me bazën materiale luftarake.

Pilotët tanë kanë patur përgatitje të lartë profesionale. Në një stërvitje me pilotët e ish vëndeve socialiste në vitin1959, ku merrnin pjesë 12 pilotë nga çdo shtet socialist i Europës, pilotët shqiptarë mbi shkretëtirën e Karakumit rrëzuan 9 shënja ajrore me raketa ajër-ajër dhe u klasifikuan në vëndin e 2-të nga shtatë vënde pjesmarrëse, sigurisht që BS do të qe i pari.

Pilotët fluturonin në të gjitha konditat e motit, pavarsisht nga mjetet radio teknike jo shumë te sofistikuara.

Shumë pilotë, në proçesin e stërvitjes, kanë humbur jetën dhe sot ata janë dëshmorë të atdheut. I kujtojmë me shumë respekt dhe dashuri për guximin e trimërine e tyre gjatë fluturimeve.

« Ka shumë fjalë që gjoja pilotët tanë do të luftonin me gjithë avionët e botës dhe do të fitonin, kjo nuk është e vërtetë, na thotë Bardhyl Taçi, pilotët stërviteshin për të mbrojtur hapësirën ajrore të Shqiperisë me mundesitë që kishim, dhe jo për të mbrojtur komunizmin. Qëllimit ata janë kanë arritur. Pilotët janë njerëz tekniko profesionalë dhe dogmat ideollogjike të asaj kohe nuk i kanë patur për zemër. Sot kanë ndryshuar situatat dhe Shqipërisë nuk i duhet një sasi aq e madhe avionash… » Ish komandanti i ALSH, Bardhyl Taçi, mendon që një sasi avionësh reaktivë bashkohorë, duhet të ekzistojë në Shqipëri, ashtu siç kanë edhe shtetet e tjera. Tani që vëndi ynë është bërë pjestar i NATO-s mund të krijohet një bërthamë avionësh reaktivë dhe këtë gjë duhet ta kërkojë qeveria. Sipas mendimit të tij kjo të bëhet sa më parë të jetë e mundur për arsye se akoma ekziston një farë baze materiale dhe infrastukurë e Forcave Ajrore Shqiptare. Po ashtu ekziston dhe përvoja e duhur, e cila nëse shuhet, do të duhen shumë vite për tu fituar.

Guximi i aviatorëve

Në jetën si pilot ka patur edhe momente kur e ka ndjerë veten ngushtë, kjo sidomos  kur kanë ndodhur defekte në teknikë. Ka marrë pjesë në shumë stërvitje ku ka vepruar dhe aviacioni duke qëlluar me predha luftarake dhe bomba të kalibrave të ndryshëm. Një rast i tillë ka ndodhur gjatë një stërvitje ku Bardhyli së bashku me tre pilotë do të qëllonin në malin e Postenanit, atje atij ju pre ndërlidhja me Vënd Komandën dhe qe shumë e veshtirë për të pëcaktuar vendin ku do të qëllohej. Ja dolën mbanë kaçakshe. Nuk u tërhoqën. Pastaj qesh dhe thotë se detyrën e kryen shkëlqyer. Sigurisht që ai pranon se kjo rrugë që u solli suksesin qe e gabuar por fitimitari nuk gjykohet.

Aviacioni në proçesin e stërvitjes ka bërë shumë eksperimentime duke fluturuar në lartësi të ulta dhe fluturime në qafa e gryka, gjatë njerit prej këtyre eksperimenteve për të bombarduar objektin natën duke përdorur bomba ndirçuese, Bardhyli u fut në rrezen e ndriçimit të bombës dhe pasi mbaroi misionin e doli nga rrezja e ndriçimit të bombës, ju errësua shikimi derisa ai u ambientua me errësirën. Ky ishte një moment shumë i vështirë pasi jashtë bllokimit të shikimit, katastrofa është shumë afër. Qe fat që shpëtoi gjallë. Ky rast që ai e bën publik sot është një guxim po aq i madh sa ai i bombardimit në atë situatë të vështirë pasi komandant Bardhyli kurrë nuk i ka fshehur të metat e tij duke qënë shëmbull për të tjerët.

Probleme te tilla në aviacion ka patur, por pilotët tanë dëdur kanë ditur ti përballojnë situatat. E rëndësishme është mos humbja e torruas dhe largimi i frikës nga paniku.

Repartet e aviacionit kanë patur një ngarkesë të madhe pune. Gjatë një viti kryheshin mesatarisht 25.000-28.000 fluturime natën dhe ditën, kjo kërkonte një gadishmeri të larte teknike dhe përgatitje intensive të pilotëve në tokë. Këtu vlen për tu përmendur puna vetmohuese dhe sakrificat e inxhinierëve, teknikëve dhe specialistëve të aviacionit, ata nuk kishin orar pune të caktuar pa vënë avionët në gadishmëri fluturimi. Kujton me respekt inxhinierët dhe teknikët Foto Lako,Yzedin Koçi, Qirjako Trebicka, Muhamet Orieti, Gjon Pali, Ali Shehu, Sulo Gorica, Shyqyri Langozi, etj.

Gjatë kohës që ka qënë komandant aviacioni në krye të regjimentve ka patur komandantë të aftë për të drejtuar fluturimet dhe gjithë aktivitetet e repartit si Klement Aliko, Sokrat Prifti, Mahmut Hysa, Gizdar Vehipi, Harilla Rebi, Servet Murati, etj.

Po si reagon ish Komandati i FLA kur pyetet për « Kastën Ushtarake » ?

« Nuk i kam me nduar të drejta  arrestimet dhe pushkatimet e të ashtequajturës kastë ushtarake, por në atë kohë dhe situatë nuk mund të dilje në mbrojtje të tyre sepse vuaje jo vetëm si person por edhe si rreth i gjërë familjar.” Sot ai  ka kurajon që ti dënojë ato krime shtetërore.

Në kohën që Bardhyli ka qënë komandant aviacioni, ka patur shumë pilotë që ju është hequr e drejta e fluturimit sepse jane spiunuar nga bashkëpuntorët e sigurimit, ose që kanë patur lidhje familjare me ata persona që quheshin të deklasuar si psh Bardhyl Lubonja, Perlat Lako, Agim Bylyku, Allaman Isaku etj. Sot është koha që Bardhyli me plotë guxim thotë, “Ju  kam patur dhe ju kam shokë dhe miq pamvarsisht nga urdhërat që më jepeshin në atë kohë”. Këto s’janë fjalë të kota , pasi në përgjithësi ai ka patur me ta jo vetëm lidhje pune por edhe shoqërore, shoqeri të cilen e ruan edhe sot. Kjo është një veti tjetër e lartë njerzore e ish komandantit të Forcave Ajrore Shqiptare, shëmbull tipik është lidhja e tij e ngushte me ish pilotin Bardhyl Lubonja që u përjashtua nga fluturimi se ishte kunat i Nexhip Vinçanit !

Aviatorët Shqiptarë kanë qënë heronj

Aviacioni është një profesion i bukur që ngjall kënaqësi nga fluturimi në fluturim, por në kohën që Bardhyli fluturonte ka patur vështirësi shumë të mëdha, pilotët qëndronin me ditë dhe netë në gadishmëri pranë avionit, pa pushime të djelave ose festave. Mosha e daljes në pension për pilotët ishte shumë e madhe dhe fluturimi në avionët gjuajtës deri në atë moshë ishte shumë i vështirë. Ai nuk mban mënd asnjë rsat ankese apo dorzimi përballë atyre vështirësive dhe thotë se aviatorët shqiptarë kanë qënë të gjithë heronj. Sot konditat kanë ndryshuar si në pikpamje të pushimit dhe të shpërblimit material.

Bardhyl Taçi sot

Në  moshën që është sot Bardhyl Taçi, duket shumë kurajoz të dijë se çfare do të bëhet me aviacionin shqiptar, do të shuhet përfundimisht ose do të ringrihet. Ai lexon përditë shumë literaturë historike sidomos veprimet e aviacionit gjatë Luftës së II Botërore. Lexon për anijet kozmike. Lexon çdo gjë që ka të bëjë më zanatin e tij si pilot dhe ajo kureshtje që kishte në fëmijëri për qiellin, tani në moshën e tretë i është shtuar akoma më shumë por sidomos në drejtim të njohjes së gjithëçkaje ; në drejtim të avionëve, qiellit dhe kozmosit. Ai është një studiues i apasionuar dhe një enciklopedist në kërkim të gjithëçkaje për aviacionin.

Bardhyl Taçi ndodhet përkohësisht në USA . Jeton njëkohësisht në Shqiperi dhe në USA . Kur është  në USA mëndjen e ka në Shqipëri, tek shokët e miqtë e tij, tek aviacioni dhe ndjek me shumë interes situatën politike, shoqërore dhe ekonomike të Shqipërisë. Jeton bashkë me gruan e tij, Shkëdijën. Është babai i dy vajzave shumë të talentuara si vetë babai i tyre.

Ai është 75 vjeç dhe akoma ruan zhdervjelltësinë e një të riu. Kur ju bë pyetja se a do të dëshironte të fluturontë përsëri me një reaktiv ai u përgjigj pa u menduar. « Vetëm kur të largohem nga kjo jetë nuk do të ëndërroj të fluturoj. Mund të kem humbur shprehitë e fluturimit por dashurinë nuk e humbas kurrë. Do të desha të isha i ri vetëm për të fluturuar. Më mirë i ri dhe plot dështime sesa i vjetër e plot përkujdesje.”

Një këshillë…

“Sado lart që të ngrihesh dhe sado ta admirosh madhështinë e bukurisë së tokës nën këmbët e tua, po nuk pe hijen e sendeve, nuk ke parë asgjë! Njeriu kudo që të shkojë, qoftë në kozmos a në një planet tjeter, ai quhet bir i kësaj toke. Këtë gjë nuk duhet ta harrojë kurrë ai që bëhet pilot. Unë ju them pilotëve të rinj, mos flturoni nëse në avion nuk ndiheni më mirë se në shtëpitë tuaja! Në qiell mund t’ju çojnë të tjerët por ju kurrë nuk do ta ndjeni atë kënaqësi veçse kur shkoni atje vetë dhe kur lundroni brënda qiellit si bir i qiellit dhe i tokës. Këtë fat e keni vetëm ju të dashur pilotë. Provoni më të mirën. Kush provon edhe mund të dështojë por vetëm ai që provon do të të fitojë.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora