E shtune, 27.04.2024, 07:09 PM (GMT+1)

Mendime

Edmond Tupja: Natoja apo Natua?

E diele, 05.04.2009, 01:34 PM


Edmond Tupja
Edmond Tupja
Natoja apo Natua?

Nga Edmond Tupja

Më në fund: Shqipëria anëtare me të drejta të plota e NATO-s! Deri dje e pabesueshme, por sot e vërtetë! Shqipëria, dikur anëtare e Paktit të Varshavës, më pas, ndonëse e veçuar, armike e betuar e imperializmit amerikan dhe e socialimperializmit sovjetik, rigjen prirjen e saj të natyrshme shekullore si komb i mirëfilltë europian. A nuk shkruante njëri prej rilindasve tanë largpamës se “për shqiptarët, dielli do të lindë atje ku perëndon”?
Sigurisht, shumica e shqiptarëve e dinë ç’kuptim ka sigla NATO. Në anglishte, bëhet fjalë për secilën nga shkronjat nistore të katër termave të emërtesës “North Atlantic Treaty Organization”, pra, në shqipe, “Organizata e Traktatit të ...Veriut”, çka, si sigël, do të duhej të ishte, në shqipe natyrisht, OTAV. Gjithsesi, prej dekadash, qysh nga krijimi i kësaj aleance, shqiptarët përdorin siglën anglo-amerikane NATO. Kështu pandehja unë të paktën deri para dy-tri ditësh. Por ja që, tek ndiqja njërin prej emisioneve kushtuar nga kanalet televizive shqiptare kësaj ngjarjeje me rëndësi historike të jashtëzakonshme për të tashmen e të ardhmen e Shqipërisë, vura re, duke u zbavitur e qeshur gati me zë të lartë, se, po në shqipe, na u përdorka edhe një variant tjetër i siglës anglo-amerikane. Në fillim, ç’është e vërteta, kujtova se më kishin bërë veshët, por jo, politikani i njohur, një “eksponent” i rëndësishëm i partisë kryesore të opozitës, kishte nxjerrë vërtet nga goja formën e përçudnuar NATUA!
E di, meqë jam profesionalisht i fushës së gjuhësisë, se për mjaft fjalë shqipe ekzistojnë forma dialektore e nëndialektore, të quajtura edhe krahinorizma, që, gjithsesi, janë të një shtresimi ligjërimor bisedor, për të mos thënë të një niveli nën atë të shqipes standarde, e që dëshmojnë njëfarë prejardhjeje më shumë fshatare sesa qytetare të folësit. Kështu ndodh, për shembull, me fjalët “radioja” e “trikoja” që shndërrohen në “radiua” e “trikua”, si edhe me emrat e përveçëm Spiro, Milo, Balo, Nako e Nano që shndërrohen në Spirua, Milua, Balua, Nakua e Nanua. Por le të kthehemi te folësi ynë konkret. Unë e falënderoj atë që më rinoi duke më kthyer tridhjetë a më shumë vite prapa. Trajta e përçudnuar NATUA më solli ndër mend ato kuadro të gdhendura trashë me sqeparin stalinist të PPSH, militantë provincialë, fshatareskë e fanatikë, që vërshonin kudo – në qendra pune, shkolla, zbore e aksione, të dërguar nga KQ i Partisë së vetme në pushtet, për të na mbajtur “leksione” ku, ndër të tjera, Natua stigmatizohej e sfidohej dhe kjo Natua pikërisht merrte gati trajtat e një gruaje kurvë e kuçedër që më kot e kërcënonte Shqipërinë, këtë fanar e kala të pamposhtur të socializmit fitimtar në Europë dhe, pas prishjes me Kinën Popullore, në mbarë botën, ndoshta edhe përtej sistemit tonë diellor.
“Natua” që dëgjova nga goja e “eksponentit” në fjalë të Partisë Socialiste (jo rastësisht po e përdor termin “eksponent” aq të “dashur” dikur për propagandistët e zellshëm të PPSH, ku mund të ishte radhitur edhe folësi ynë), më futi, pra, në atë atmosferë trushpëlarëse të shfrenuar deri në surrealizëm ku fjalë e shprehje krahinorisht të shpërfytyruara si “jeshëm”, “keshëm”, “nga fitorja në fitorje” etj., etj., t’i zinte shpesh veshi në gojën e udhëheqësve e, sidomos, të propagandistëve të përkushtuar të PPSH. (Një shoku im çerek i deklasuar asokohe, një ditë, kur e zuri barku në zbor, mend e pësoi keq sepse tha, me humor sigurisht: “Po kaloj nga nevojtorja në nevojtorje!”, kurse, pas shembjes së regjimit hoxhist, më tregoi që, në të vërtetë, aty në zbor, tek e hiqte orë e çast barku, i kishte ardhur në majë të gjuhës edhe shprehja “Parti, Enver, jemi gati për t’u dhier!”, por e kishte mbajtur gojën).
Pa diskutim që “eksponenti” në fjalë, i brumosur dikur me “mësimet e Partisë dhe të shokut Enver”, e tradhtoi veten me një fjalë të vetme, Natua, dhe kjo ishte e pashmangshme, sepse sado ta frenonte veten, ideologjia me të cilën është ushqyer në rini, por që tani i është tulatur në nënvetëdije, e gjeti të çarën dhe u shfaq botërisht, nëpërmjet asaj që Frojdi e quan “acte manqué” (veprim i pakontrolluar), pikërisht me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO për ne, te Natua, për atë, provë kjo edhe e një kompleksi inferioriteti rural dhe e një gjendjeje neurotike, nivelin e të cilëve u mbetet psikanalistëve dhe psikiatërve që ta përcaktojnë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora