E diele, 12.04.2026, 09:06 PM (GMT+1)

Faleminderit

Lekë Mrijaj: Homazh përkujtimi – kongresisti amerikan Eliot Engel

E diele, 12.04.2026, 06:54 PM



HOMAZH PËRKUJTIMI - Kongresisti Amerikan Eliot Engel i tha gazetës The Washington Post se angazhimi i tij për Kosovën ishte një angazhim “kundër një gjenocidi që po ndodhte në zemër të Evropës”

Shkruan: Lekë Mrijaj

Në kujtim dhe nderim të Eliot Engel, fjala e tij e dikurshme, tashmë e njohur për të gjithë shqiptarët e Republikës së Kosovës, se angazhimi për Kosovën ishte një angazhim “kundër një gjenocidi që po ndodhte në zemër të Evropës”, pra kundër gjenocidit serb në Jugosllavinë fantome të atëhershme, mbetet sot më shumë se një deklaratë politike. Pikërisht ajo fjalë tingëllon si një dëshmi morale, si një akt i qartë ndërgjegjeje që refuzoi të pajtohej me heshtjen, relativizimin dhe indiferencën përballë vuajtjes njerëzore.

Në një kohë kur shumë zëra të botës ndërkombëtare zgjodhën gjuhën e kujdesshme të diplomacisë, kongresisti amerikan Engel zgjodhi gjuhën e së vërtetës. Dhe kjo zgjedhje e tij e thënë nuk ishte e lehtë, sepse të thuash të vërtetën në kohë krize kërkon jo vetëm informacion, por edhe guxim; kërkon jo vetëm pozicion, por edhe ndërgjegje. Pra, ai, nuk e pa Kosovën si një çështje të largët, por si një plagë të hapur të njerëzimit, që kërkonte emërtim të drejtë dhe reagim të vendosur.

Në këtë kuptim, figura e tij i tejkalon kufijtë e një funksioni politik, dhe më plot kuptimin e fjalës bëhet simbol i një modeli të rrallë të veprimit publik, ku përgjegjësia institucionale ndërthuret me ndjeshmërinë njerëzore. Kongresisti Eliot Engel dëshmoi se politika, kur mbështetet në parime, mund të jetë një instrument i drejtësisë dhe jo vetëm i interesit, që do të thotë se ai, asnjëherë nuk e ndau moralin nga vendimmarrja, por e bëri atë pjesë të qenësishme të saj.

Për shqiptarët e Republikës së Kosovës, ky qëndrim kishte një domethënie të veçantë. Në një kohë kur ekzistenca dhe dinjiteti i tyre vihej në pikëpyetje, zëri i tij u bë një ndër ata pak zëra që e artikuluan qartë dramën e tyre në arenën ndërkombëtare. Ai ndihmoi që ajo dramë të mos mbetej në margjinat e vëmendjes globale, por të hynte në ndërgjegjen politike të botës si një çështje që kërkonte drejtësi dhe përgjegjësi.

Në planin më të thellë, kongresisti Engel mbetet një dëshmi se ndërgjegjja individuale mund të ketë ndikim real në rrjedhat historike. Ai nuk ishte thjesht një përfaqësues i një sistemi politik, por një zë që sfidoi kufijtë e atij sistemi, duke e orientuar atë drejt një dimensioni më të lartë etik. Kjo është ajo që e bën kujtimin e tij të qëndrueshëm dhe të denjë për homazh.

Sot, në kalimin e tij në amshim, ne nuk përkulemi vetëm para një figure publike madhore, por para një qëndrimi që duhet ruajtur dhe përcjellë nder breza. Kjo do të thotë se kujtimi i tij na fton përherë të reflektojmë mbi rolin e fjalës së drejtë në kohë të vështira, mbi përgjegjësinë për të mos heshtur kur shkelet dinjiteti njerëzor dhe mbi nevojën që politika të mos humbasë kurrë dimensionin e saj njerëzor.

Sepse mbi të gjitha më në fund, ajo që mbetet nuk janë vetëm vendimet apo funksionet, por qëndrimet. Dhe qëndrimi i kongresistit Eliot Engel për Kosovën mbetet një nga ato dëshmi të rralla ku fjala dhe ndërgjegjja u bënë një.

Falënderime dhe mirënjohje përgjithmonë, z. Engel, për miqësinë dhe për mbështetjen tij monumentale historike për të drejtat e Kombit shqiptar anembanë trojeve të veta shekullore. Pushosh në paqe miku ynë i përjetshëm, i amshuari Eliot Engel.

Klinë, më 10 prill 2026



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Isuf B. Bajrami: Eliot Engel do të kujtohet përherë si zëri i së vërtetës dhe i drejtësisë për Kosovën Gani Pllana: Prof. Dr. Eshref Ademaj - Zhurjani, figurë e shquar ndër personalitetet botërore Ndue Dedaj: Prifti që la pas histori Fejzulla Berisha: Hashim Thaçi – lideri që ndryshoi fatin e kombit Gani Pllana: Prof. Dr. Shefqet Rashani – mitrovicasi pedagog universiteti që shkëlqeu… Sevdail Hyseni: Ndahet nga jeta republikani i devotshëm Avdil Ramadani Lekë Mrijaj: Sot, pas meshës së shenjtë në varrezat e Velezhës u varros Dom Kelmend Spaçi Nue Oroshi: Dom Kelmend Spaçi - prifti i atdhetarizmit shkoi në përjetësi Eduard M. Dilo: Qirjako Ilia Dilo — i lindur për të ndriçuar kohën që jetoi Lekë Mrijaj: Dom Kelmend Spaqi - 'Këtu nuk ka myslimanë e katolikë, këtu të gjithë janë shqiptarë të pafajshëm në vendin e tyre' Gjekë Gjonaj: Burrë i kuvendeve, pajtues gjaqesh, lahutar dhe vajtor i traditës malësore Gani Pllana: Prof. Dr. Jusuf Gacaferri-Pejani, Prijetar në Studime dhe Elektroekonomi në Kosovë Ilir Çumani: Rauf Fico - profili i një politikani dhe diplomati perëndimor Gani Pllana: Prof. Dr. Alfred Pema, inxhinier mekanik, studiues dhe autor i teksteve universitare Gjon Keka: Karakteri i kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) Asllan Dibrani-Luani: Kur arti bëhet mirënjohje për një zë të palodhur të kombit Ndue Dedaj: Baca Pal, një “Sokrat” mes Munellës dhe Myzeqesë Ndue Dedaj: Ndrec Ndue Gjoka, misionar i arsimit Eduard M. Dilo: Mihal dhe Petro Harito – Atë e bir në shërbim të kombit Violeta Allmuça: Dr. Vlora Mehmeti-Tërshani, një fenomen i botës së shkencës

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx