Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lekë Mrijaj: Homazh përkujtimi – kongresisti amerikan Eliot Engel

| E diele, 12.04.2026, 06:54 PM |



HOMAZH PËRKUJTIMI - Kongresisti Amerikan Eliot Engel i tha gazetës The Washington Post se angazhimi i tij për Kosovën ishte një angazhim “kundër një gjenocidi që po ndodhte në zemër të Evropës”

Shkruan: Lekë Mrijaj

Në kujtim dhe nderim të Eliot Engel, fjala e tij e dikurshme, tashmë e njohur për të gjithë shqiptarët e Republikës së Kosovës, se angazhimi për Kosovën ishte një angazhim “kundër një gjenocidi që po ndodhte në zemër të Evropës”, pra kundër gjenocidit serb në Jugosllavinë fantome të atëhershme, mbetet sot më shumë se një deklaratë politike. Pikërisht ajo fjalë tingëllon si një dëshmi morale, si një akt i qartë ndërgjegjeje që refuzoi të pajtohej me heshtjen, relativizimin dhe indiferencën përballë vuajtjes njerëzore.

Në një kohë kur shumë zëra të botës ndërkombëtare zgjodhën gjuhën e kujdesshme të diplomacisë, kongresisti amerikan Engel zgjodhi gjuhën e së vërtetës. Dhe kjo zgjedhje e tij e thënë nuk ishte e lehtë, sepse të thuash të vërtetën në kohë krize kërkon jo vetëm informacion, por edhe guxim; kërkon jo vetëm pozicion, por edhe ndërgjegje. Pra, ai, nuk e pa Kosovën si një çështje të largët, por si një plagë të hapur të njerëzimit, që kërkonte emërtim të drejtë dhe reagim të vendosur.

Në këtë kuptim, figura e tij i tejkalon kufijtë e një funksioni politik, dhe më plot kuptimin e fjalës bëhet simbol i një modeli të rrallë të veprimit publik, ku përgjegjësia institucionale ndërthuret me ndjeshmërinë njerëzore. Kongresisti Eliot Engel dëshmoi se politika, kur mbështetet në parime, mund të jetë një instrument i drejtësisë dhe jo vetëm i interesit, që do të thotë se ai, asnjëherë nuk e ndau moralin nga vendimmarrja, por e bëri atë pjesë të qenësishme të saj.

Për shqiptarët e Republikës së Kosovës, ky qëndrim kishte një domethënie të veçantë. Në një kohë kur ekzistenca dhe dinjiteti i tyre vihej në pikëpyetje, zëri i tij u bë një ndër ata pak zëra që e artikuluan qartë dramën e tyre në arenën ndërkombëtare. Ai ndihmoi që ajo dramë të mos mbetej në margjinat e vëmendjes globale, por të hynte në ndërgjegjen politike të botës si një çështje që kërkonte drejtësi dhe përgjegjësi.

Në planin më të thellë, kongresisti Engel mbetet një dëshmi se ndërgjegjja individuale mund të ketë ndikim real në rrjedhat historike. Ai nuk ishte thjesht një përfaqësues i një sistemi politik, por një zë që sfidoi kufijtë e atij sistemi, duke e orientuar atë drejt një dimensioni më të lartë etik. Kjo është ajo që e bën kujtimin e tij të qëndrueshëm dhe të denjë për homazh.

Sot, në kalimin e tij në amshim, ne nuk përkulemi vetëm para një figure publike madhore, por para një qëndrimi që duhet ruajtur dhe përcjellë nder breza. Kjo do të thotë se kujtimi i tij na fton përherë të reflektojmë mbi rolin e fjalës së drejtë në kohë të vështira, mbi përgjegjësinë për të mos heshtur kur shkelet dinjiteti njerëzor dhe mbi nevojën që politika të mos humbasë kurrë dimensionin e saj njerëzor.

Sepse mbi të gjitha më në fund, ajo që mbetet nuk janë vetëm vendimet apo funksionet, por qëndrimet. Dhe qëndrimi i kongresistit Eliot Engel për Kosovën mbetet një nga ato dëshmi të rralla ku fjala dhe ndërgjegjja u bënë një.

Falënderime dhe mirënjohje përgjithmonë, z. Engel, për miqësinë dhe për mbështetjen tij monumentale historike për të drejtat e Kombit shqiptar anembanë trojeve të veta shekullore. Pushosh në paqe miku ynë i përjetshëm, i amshuari Eliot Engel.

Klinë, më 10 prill 2026