E diele, 12.04.2026, 10:55 PM (GMT+1)

Speciale

Milazim Zeqiraj: Beteja e Vrellës më 12 prill 1999 dhe masakra e Studenicës më 13 prill 1999 janë ngjarje me peshë historike

E diele, 12.04.2026, 07:00 PM


Shtëpia e Sali Sokolit Zeqiraj në Studenicë, ku është kryer masakra më 13 prill 1999

Beteja e Vrellës më 12 prill 1999 dhe masakra e Studenicës më 13 prill 1999 janë ngjarje me peshë historike

(Me lavdi, kushtuar dëshmorit të kombit Ismet Bicaj dhe luftëtarëve të tjerë)

Nga Milazim Zeqiraj

Një ngjarje me peshë historike është rezistenca heroike e UÇK-së në betejën e Vrellës më 12 prill 1999, ku forcat e UÇK-së qëndruan në vijën e frontit për të mbrojtur popullsinë civile, deri sa ata kaluan malin.

Ngjarje të tjera të dhimbshme janë masakrat e bëra më 13 prill 1999 në Vrellë, Studenicë dhe Kaliqan, pas rënies së rezistencës së UÇK-së.

Deri më tani mungojnë informacione të plota. Vlen të vlerësohet intervista e ushtarit të UÇK-së, z. Fikret Shatri.

Këto ngjarje kanë vlerë të madhe historike dhe mund të përpunohen mirë, pasi akterët e ngjarjeve janë të gjallë. Për një projekt të tillë, Komuna e Istogut ka mjete, dhe kryetari i saj, z. Ferati, nuk heziton.

Beteja e Vrellës më 12.04.1999

Një përballje e ashpër e ushtarëve të UÇK-së me një armik të armatosur dhe të organizuar mirë. Në mbrojtje të vijës së frontit pati të rënë dhe të plagosur nga radhët e UÇK-së, dëshmi e çmimit të lartë që u pagua për të ndalur avancimin dhe për t’i dhënë kohë popullsisë të tërhiqej.

Rezistenca në Vrellë nuk ishte vetëm një përballje ushtarake, por një akt mbrojtjeje për jetën e njerëzve të strehuar në Vrellë, Studenicë dhe Kaliqan. Rezistenca e UÇK-së krijoi një kohë dhe hapësirë të shkurtër shpëtimi për civilët, duke u mundësuar largimin nga zonat e rrezikuara.

Megjithatë, menjëherë pas kësaj rezistence, më 13 prill 1999, pasoi dhuna ndaj popullsisë vendase, me ndjekje, dëbime dhe masakra.

Duhet theksuar se në mbrëmjen e 13 prillit 1999, nga Istogu deri në Radavc nuk kishte mbetur asnjë banor shqiptar në atë zonë. Ajo hapësirë ishte shndërruar në një errësirë të vërtetë, një tokë e zbrazët, e mbushur vetëm me frikë dhe heshtje.

Masakra e Sali Zeqiraj dhe familjarëve Lipaj në Studenicë më 13 prill 1999 është një dhimbje e paharruar

Masakra e Studenicës mbetet një nga plagët më të rënda të luftës së fundit në Kosovë, pas betejës së Vrellës. Në atë ditë të errët humbën jetën katër vajza të reja, katër nëna dhe i zoti i shtëpisë, që mbronte familjarët në pragun e shtëpisë së tij.

Krimi ndodhi më 13 prill 1999, në shtëpinë e Sali Sokolit. Paramilitarë nga Banja, të mbështetur nga policia lokale e Istogut, ushtria serbe dhe disa romë, masakruan nëntë civilë të pafajshëm në shtëpinë e tyre.

Familja Lipaj ishte strehuar aty që nga fillimi i bombardimeve të NATO-s.

Shtëpia e Sali Zeqiraj ishte një derë e hapur për njerëzit në nevojë. Ajo derë kishte qenë përherë e hapur për mikun dhe Zotin. Ai ishte përgatitur me kohë, sepse jeta e kishte mësuar atë.

Jeta e tij kishte qenë një luftë; barbaria serbe shtëpinë e tij nuk e kishte kursyer kurrë, as në liri e as në pushtim.

Për refugjatët e luftës ai kishte përgatitur ushqime dhe veshmbathje, duke e kthyer shtëpinë e tij në një vend shprese në kohë frike.

Si ndodhi

Pas betejës së Vrellës më 12 prill 1999, banorët u detyruan të largoheshin për t’i shpëtuar ofensivës. Forcat serbe kishin rrethuar zonën dhe lëviznin të koordinuara, duke mbjellë frikë dhe shkatërrim.

Salihu, më 12 prill 1999 në mbrëmje, i mori familjarët e strehuar Lipaj dhe së bashku u vendosën në veri të fshatit, në lagjen e Cakutajve. Qëndrimi në atë strehimore ishte i pamundur.

13 prill 1999

Në mëngjesin e hershëm, disa nga familjarët Lipaj vendosën të ktheheshin në shtëpi për të marrë ushqime, rroba dhe barna për të tjerët. Ishte menduar një kthim i shkurtër, me shpresën se gjithçka do të kalonte pa u vënë re.

Ata që u kthyen ishin katër vajza, dy nëna dhe i zoti i shtëpisë.

Me të mbërritur, ata me shpejtësi përgatitën rrobat, ushqimet dhe medikamentet për të plagosurit, fëmijët dhe të moshuarit.

Në momentin e largimit, nuk kishte më kohë për të ikur. Rreth orës 08:30, shtëpia ishte rrethuar nga paramilitarët serbë.

Sali Sokoli u doli përpara paramilitarëve në oborr dhe filloi të bisedonte me ta. Në momentin kur ata tentuan të hynin në shtëpi, ai nuk i lejoi të futeshin, duke u thënë se aty jetonte ai me familjarët e tij.

Ai u vra i pari, pas shpine.

Më pas, paramilitarët nga Banja hynë në shtëpi dhe nga bodrumi i nxorën një nga një, duke i ekzekutuar në oborrin e shtëpisë.

Zërat u shuan, por heshtja që mbeti flet ende.

Pas krimit, trupat u hodhën në bunarin para shtëpisë dhe vendi u minua për të fshehur gjurmët. Shtëpia u dogj, me qëllim që të zhdukej edhe kujtesa.

Një javë pas çlirimit të Kosovës, trupat u nxorën nga bunari me ndihmën e banorëve dhe forcave ndërkombëtare. Por ajo që ndodhi nuk u nxor kurrë nga kujtesa. Vetëm drejtësia mund t’i lehtësojë zemrat e lënduara.

Familjarët e pushkatuar më 13 prill 1999 në shtëpinë e Sali Sokolit Zeqiraj

Në atë oborr, pa faj, u vranë:

I zoti i shtëpisë: Sali Sokoli Zeqiraj (86 vjeç)

Qëndresë Lipaj (15 vjeç)

Mirëdonë Lipaj (13 vjeç)

Njomzë Lipaj (15 vjeç)

Lindihanë Lipaj (13 vjeç)

Nënat:

Sale Lipaj

Hajrije Lipaj

Sabrije Lipaj

Si dhe:

Hatmane Mehaj (e strehuar aty)

Po atë ditë, më 13 prill 1999, nga paramilitarët serbë të Banjës në Studenicë u pushkatuan edhe këta persona:

Hoxha i fshatit Sylejman Ramqaj

Ali Belaj

Sadri Kuqaj

Have Kuqaj

Nezir Lipaj

Fatime Lipaj

Sofe Hysenaj (e strehuar në fshat)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx