Faleminderit
Ndue Dedaj: Prifti që la pas histori
E shtune, 11.04.2026, 06:58 PM
PRIFTI QË LA PAS HISTORI
NGA
NDUE DEDAJ
Prifti
katolik i Kosovës Dom Kelmend Spaçi nuk rron më. Shkoi në amshim në moshën
64-vjeçare, në ditët e Pashkëve. U shkrua për të si për rrallë ndonjë tjetër
prift, ipeshkëv, kardinal që kishte ndërruar jetë. Si ndodhi që pati një
“shpërthim” të mënjehershëm të të gjithëve, për t’iu gjendur atij në ditën e
lamtumirës. Kjo se ai kishte pasur një histori të veten. Një histori kishe. Nuk
ishte nisur për të bërë histori, as për t’u bërë i lavdishëm. Por dihet,
historia u shkon pas atyre që nuk janë nisur për te altari i saj.
Ishte
koha e Pashkëve, që kremtoheshin në kohë lufte. Kisha e Shna Ndoit të
Gllogjanit, rrethi i Pjesë, ishte mbushur plot me besimtarë, si dhe qytetarë të
besimit mysliman, që kishin hyrë në tempull për të shpëtuar nga ndjekjet e
paramilitarëve serbë. I kërkojnë këta të fundit Dom Kelmendit, meshtarit, që
t’i nxirrte jashtë Kishës ata që ishin strehuar aty. Por jo, famullitari nuk do
ta pranonte këtë. Veladoni atë çast mund të përgjakej, trupi i priftit mund të
përshkohej nga plumbat, ashtu si dhe i motrave të nderit, murgeshave. Lufta iu
kishte sjellë aq shumë mundime edhe njerëzve të fesë, kudo, në Malishevë,
Gjakovë, Pejë etj.
E
ka rrëfyer vetë Dom Kelmendi ngjarjen e pazakontë të asaj dite, me pak fjalë të
thjeshta, si vetë thjeshtësia e tij: “Ishte 4 prilli i vitit 1999, i kishin
marrë 12 burra me i pushkatue. Kam shkue mbas tyne me i shpëtue: “Ose vrisni
edhe mue, ose asnjë” dhe iu kam pri për në Kishë. Edhe sot nuk mundem me e
besue se si kam mundun në atë kohë me i marrë serbit automatikun prej dore e me
i thanë “ti s’ki zemër me e vra këta”. Njerëzit e armatosur deri në dhëmbë të
Milloshveçit kishin këmbëngulur që ta asgjësonin “prenë” e tyre, ndaj vazhdonin
kërcënimet: “Besimtarët e tu, le të rrinë në Kishë, myslimanët na i jepni ne,
dimë ne çka bëjmë me ta!” “Po ua përsëris për të disatën herë: Jo kurrë e
përjetë, nuk i ndaj. Nuk ka këtu as katolikë, as myslimanë, ka njerëz të
pafajshëm që kanë një Zot. Kjo është fjala ime e fundit”. Dialogu ishte i prerë
mes palëve. Dom Kelmendi nuk tundej nga e tija: “Pushkatomëni më së pari mue, e
krejt stafin e kishës, atëherë mundeni me i prekë këta”.
Mediat
e kohës kishin shpejtuar ta jepnin lajmin, ku më e madhja britanike “Sky News”,
do të raportonte: “Sot në dalje të Pejës, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme
guximi. Prifti katolik vendor në fshatin Gllogjan u dha strehë qindra
shqiptarëve myslimanë, teksa paramilitarët serbë po afroheshin. Duke i ruajtur
ata brenda kishës së tij, Ati Kelmend Spaçi refuzoi t’i lejonte serbët të hynin
tek ata, duke thënë se të gjithë kanë një Zot. Përfundimisht, ai u desh t’i
paguante paramilitarët për t’ua shpëtuar jetën atyre...”
Për
këtë akt të lartë human janë shkruar jo vetëm artikuj të shumtë në gazeta e
rrjete sociale, por dhe poezi kushtuar Dom Kelmendit.
Po
përsëritej historia, për të njëmijtën herë. Duheshin kryqëzuar njerëzit në
tokën e tyre, një popull i tërë si Jezusi. Aty ku dikur kishin qenë martirizuar
dy nga shenjtorët e parë të njerëzimit Flori dhe Luari në Ulpianë. Kryqëzuesit
prisnin jashtë kishës me pushkët ngrehur që prifti të ndantë në dysh popullin,
duke nxjerrë jashtë ata të besimit tjetër, por ai qetësisht i ishte përgjigjur
thirrjes së tyre. Brenda kishës janë të gjithë shqiptarë dhe unë nuk nxjerr
asnjë jashtë. Kjo ishte befasia më e madhe e kryqëzuesve me automatikë,
mitrolozë, bomba. Si ishte ishte e mundur? Kuptohet, ata nuk mund të bënin një
skandal para ndërkombëtarëve, kështu që duke parë vendosmërinë e meshtarit u
tërhoqën nga oborri i Kishës së Gllogjanit.
Por
nuk mbaron këtu historia e këtij prifti katolik atë kohë. “Meqë nuk kishte
xhami afër fshatit Gllogjan, Dom Kelmendi bashkë me njerëzit e tjerë të kishës,
për besimtarët myslimanë, vendosën të lajmërojnë iftarin dhe syfyrin me anë të
kambanave të kishës”. /Klankosova/.
Dom
Klemendi kishte lindur në fshatin Velezhë të Prizrenit, nga një familje e
ardhur nga Mirdita, si shumë të tjerë në atë territor. Mbante emrin e Klementit
XI, papës me origjinë shqiptare dhe ndoqi udhën e priftërinjve martirë të këtij
kombi, At Luigj Pali dhe At Shtjefën Gjeçovi, në Kosovë, por fati e deshi që ai
mbeti gjallë në Luftën e Kosovës, ndonëse u përball si askush tjetër me
pushtuesin vrastar serb në kishën e tij, në fshatin Gllogjan, ku shërbente si
meshtar e famullitar. Vitet e fundit Dom Kelmendi shërbente në Tivar, por u
varros në vendlindje. Mesha e salikimit dhe ceremonia u zhvilluan me 6 prill në
Velezhë. Morën pjesë sivëllezër të tij meshtarë, ipeshkvinj, ish-presidentja e
Kosovës Vjosa Osmani, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kryetarja e Kuvendit
Albulena Haxhiu etj.
Ka
njerëz që gjithë jetën rreken të kryejnë “bëma” të mëdha për t’u rreshtuar
nesër në histori, përpiqen të jenë gjithnjë në qendër të vëmendjes së të
gjallëve, zënë ekranet ditë-natë kinse po shkrihen për vendin e tyre në kohë
paqeje, sajojnë vepra të vëllimshme pafund, që ia kalojnë serisë së mbetur
përgjysmë të “veprave” të udhëheqësve të regjimit të kaluar, ndërkohë që Dom
Kelmendit iu deshën vetëm pak fjalë në kohë lufte për të dëshmuar se cili ishte
ai, se historia ishte aty, e padukshme dhe priste akte të guximshme, të
papërsëritshme. Të gjithë dhanë për lirinë e Kosovës dhe Kosovën e lirë;
Ibrahim Rugova vizionin perëndimor dhe staturën e lartë të një burri shteti,
Adem Jashari shembullin e një komandanti heroik e qendrestari të paepur, që
sakrifikon gjithçka për atdheun, edhe familjan e tij të madhe, kurse Don
Kelmendi shenjtërinë e një misionari kishe, që bën mrekulli në popullin e vet.
PS:
Njiheshim me Don Kelmendin. Dhjetë vjet më parë e patëm takuar me një grup
miqsh në Kishën e Novosellës (Gjakovë), teksa po kërkonim të dhëna rreth dajave
të Nënë Terezës, me origjinë nga Mirdita, siç ishte dhe vetë Dom Kelmendi. Vite
më parë do të ndalonte në Rrëshen, ku na dhuroi një libër të shkruar nga një
autor për luftën e Kosovës, me dëshirën për të marrë pjesë dhe ne në promovimin
e tij në Prishtinë. Dhe nuk u pamë më, pos “të falave” vllaznore për
shoqi-shoin, që janë ende një ritual fisnikësh.
Tash,
kur të shkojmë në Prizren, do ta kemi dhe një tufë lule me vete...









