Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Prifti që la pas histori

| E shtune, 11.04.2026, 06:58 PM |


PRIFTI QË LA PAS HISTORI

NGA NDUE DEDAJ

Prifti katolik i Kosovës Dom Kelmend Spaçi nuk rron më. Shkoi në amshim në moshën 64-vjeçare, në ditët e Pashkëve. U shkrua për të si për rrallë ndonjë tjetër prift, ipeshkëv, kardinal që kishte ndërruar jetë. Si ndodhi që pati një “shpërthim” të mënjehershëm të të gjithëve, për t’iu gjendur atij në ditën e lamtumirës. Kjo se ai kishte pasur një histori të veten. Një histori kishe. Nuk ishte nisur për të bërë histori, as për t’u bërë i lavdishëm. Por dihet, historia u shkon pas atyre që nuk janë nisur për te altari i saj.

Ishte koha e Pashkëve, që kremtoheshin në kohë lufte. Kisha e Shna Ndoit të Gllogjanit, rrethi i Pjesë, ishte mbushur plot me besimtarë, si dhe qytetarë të besimit mysliman, që kishin hyrë në tempull për të shpëtuar nga ndjekjet e paramilitarëve serbë. I kërkojnë këta të fundit Dom Kelmendit, meshtarit, që t’i nxirrte jashtë Kishës ata që ishin strehuar aty. Por jo, famullitari nuk do ta pranonte këtë. Veladoni atë çast mund të përgjakej, trupi i priftit mund të përshkohej nga plumbat, ashtu si dhe i motrave të nderit, murgeshave. Lufta iu kishte sjellë aq shumë mundime edhe njerëzve të fesë, kudo, në Malishevë, Gjakovë, Pejë etj.

E ka rrëfyer vetë Dom Kelmendi ngjarjen e pazakontë të asaj dite, me pak fjalë të thjeshta, si vetë thjeshtësia e tij: “Ishte 4 prilli i vitit 1999, i kishin marrë 12 burra me i pushkatue. Kam shkue mbas tyne me i shpëtue: “Ose vrisni edhe mue, ose asnjë” dhe iu kam pri për në Kishë. Edhe sot nuk mundem me e besue se si kam mundun në atë kohë me i marrë serbit automatikun prej dore e me i thanë “ti s’ki zemër me e vra këta”. Njerëzit e armatosur deri në dhëmbë të Milloshveçit kishin këmbëngulur që ta asgjësonin “prenë” e tyre, ndaj vazhdonin kërcënimet: “Besimtarët e tu, le të rrinë në Kishë, myslimanët na i jepni ne, dimë ne çka bëjmë me ta!” “Po ua përsëris për të disatën herë: Jo kurrë e përjetë, nuk i ndaj. Nuk ka këtu as katolikë, as myslimanë, ka njerëz të pafajshëm që kanë një Zot. Kjo është fjala ime e fundit”. Dialogu ishte i prerë mes palëve. Dom Kelmendi nuk tundej nga e tija: “Pushkatomëni më së pari mue, e krejt stafin e kishës, atëherë mundeni me i prekë këta”.

Mediat e kohës kishin shpejtuar ta jepnin lajmin, ku më e madhja britanike “Sky News”, do të raportonte: “Sot në dalje të Pejës, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme guximi. Prifti katolik vendor në fshatin Gllogjan u dha strehë qindra shqiptarëve myslimanë, teksa paramilitarët serbë po afroheshin. Duke i ruajtur ata brenda kishës së tij, Ati Kelmend Spaçi refuzoi t’i lejonte serbët të hynin tek ata, duke thënë se të gjithë kanë një Zot. Përfundimisht, ai u desh t’i paguante paramilitarët për t’ua shpëtuar jetën atyre...”

Për këtë akt të lartë human janë shkruar jo vetëm artikuj të shumtë në gazeta e rrjete sociale, por dhe poezi kushtuar Dom Kelmendit.

Po përsëritej historia, për të njëmijtën herë. Duheshin kryqëzuar njerëzit në tokën e tyre, një popull i tërë si Jezusi. Aty ku dikur kishin qenë martirizuar dy nga shenjtorët e parë të njerëzimit Flori dhe Luari në Ulpianë. Kryqëzuesit prisnin jashtë kishës me pushkët ngrehur që prifti të ndantë në dysh popullin, duke nxjerrë jashtë ata të besimit tjetër, por ai qetësisht i ishte përgjigjur thirrjes së tyre. Brenda kishës janë të gjithë shqiptarë dhe unë nuk nxjerr asnjë jashtë. Kjo ishte befasia më e madhe e kryqëzuesve me automatikë, mitrolozë, bomba. Si ishte ishte e mundur? Kuptohet, ata nuk mund të bënin një skandal para ndërkombëtarëve, kështu që duke parë vendosmërinë e meshtarit u tërhoqën nga oborri i Kishës së Gllogjanit.

Por nuk mbaron këtu historia e këtij prifti katolik atë kohë. “Meqë nuk kishte xhami afër fshatit Gllogjan, Dom Kelmendi bashkë me njerëzit e tjerë të kishës, për besimtarët myslimanë, vendosën të lajmërojnë iftarin dhe syfyrin me anë të kambanave të kishës”. /Klankosova/.

Dom Klemendi kishte lindur në fshatin Velezhë të Prizrenit, nga një familje e ardhur nga Mirdita, si shumë të tjerë në atë territor. Mbante emrin e Klementit XI, papës me origjinë shqiptare dhe ndoqi udhën e priftërinjve martirë të këtij kombi, At Luigj Pali dhe At Shtjefën Gjeçovi, në Kosovë, por fati e deshi që ai mbeti gjallë në Luftën e Kosovës, ndonëse u përball si askush tjetër me pushtuesin vrastar serb në kishën e tij, në fshatin Gllogjan, ku shërbente si meshtar e famullitar. Vitet e fundit Dom Kelmendi shërbente në Tivar, por u varros në vendlindje. Mesha e salikimit dhe ceremonia u zhvilluan me 6 prill në Velezhë. Morën pjesë sivëllezër të tij meshtarë, ipeshkvinj, ish-presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu etj.

Ka njerëz që gjithë jetën rreken të kryejnë “bëma” të mëdha për t’u rreshtuar nesër në histori, përpiqen të jenë gjithnjë në qendër të vëmendjes së të gjallëve, zënë ekranet ditë-natë kinse po shkrihen për vendin e tyre në kohë paqeje, sajojnë vepra të vëllimshme pafund, që ia kalojnë serisë së mbetur përgjysmë të “veprave” të udhëheqësve të regjimit të kaluar, ndërkohë që Dom Kelmendit iu deshën vetëm pak fjalë në kohë lufte për të dëshmuar se cili ishte ai, se historia ishte aty, e padukshme dhe priste akte të guximshme, të papërsëritshme. Të gjithë dhanë për lirinë e Kosovës dhe Kosovën e lirë; Ibrahim Rugova vizionin perëndimor dhe staturën e lartë të një burri shteti, Adem Jashari shembullin e një komandanti heroik e qendrestari të paepur, që sakrifikon gjithçka për atdheun, edhe familjan e tij të madhe, kurse Don Kelmendi shenjtërinë e një misionari kishe, që bën mrekulli në popullin e vet.

PS: Njiheshim me Don Kelmendin. Dhjetë vjet më parë e patëm takuar me një grup miqsh në Kishën e Novosellës (Gjakovë), teksa po kërkonim të dhëna rreth dajave të Nënë Terezës, me origjinë nga Mirdita, siç ishte dhe vetë Dom Kelmendi. Vite më parë do të ndalonte në Rrëshen, ku na dhuroi një libër të shkruar nga një autor për luftën e Kosovës, me dëshirën për të marrë pjesë dhe ne në promovimin e tij në Prishtinë. Dhe nuk u pamë më, pos “të falave” vllaznore për shoqi-shoin, që janë ende një ritual fisnikësh.

Tash, kur të shkojmë në Prizren, do ta kemi dhe një tufë lule me vete...