Faleminderit
Nue Oroshi: Dom Kelmend Spaçi - prifti i atdhetarizmit shkoi në përjetësi
E diele, 05.04.2026, 06:58 PM

Dom Kelmend Spaçi - prifti i atdhetarizmës shkoi në përjetësi
Nga
Nue Oroshi
Djemtë
e familjeve atdhetare shqiptare, pavarësisht se çfarë profesioni dhe drejtimi
kanë, ata në zemër, në shpirt dhe në gjen gjithmonë e kanë shqiptarizmën. E
kanë në gjak, në gjen dhe në shpirt, sepse rriten nëpër familje ku flitet e
shkruhet vetëm për shqiptarizëm.
Vetëm
6 vite pasi kishte kryer burgun, në vitin 1956, atdhetari Gjokë Spaçi, vëllait
të tij Nrecës i lind një djalë. Në këtë rast Gjokë Spaçi e pagëzon me emrin
Kelmend për t’i ngjarë Papa Klementit XI me emrin Shën Françesk Albani, që
ishte Papë në Vatikan në vitet 1700-1721 dhe që e ndihmoi pa masë çështjen
shqiptare. E Kelmendi i ri u rrit me veprimtarinë e axhës Gjokë dhe babës Nrec.
Ai, edhe pse e mori rrugën e meshtarisë, asnjëherë nuk u ndal së punuari e
vepruari për çështjen kombëtare. Që në vitet e nëntëdhjeta organizoi t’iu dalë
në ndihmë shumë familjeve shqiptare në aksionin: "Familja ndihmon
familjen", që ishte udhëhequr nga Abas Fejzullahi. Dom Kelmendi në
periudhën më të vështirë historike të viteve 1998-1999 tërë qenien e tij
kombëtare, edhe jetën e vuri në shërbim të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Kishën ku shërbente në Gllogjan në këtë periudhë kohore e mbushi me plot shqiptarë
dhe e vuri jetën e tij në rrezik për të shpëtuar qindra e mijëra shqiptarë. E
diku në arkivin e kishës Dom Kelmendi ruante edhe ditarin e axhës së tij
Gjokës, që e kishte shkruar me makinë shkrimi në vitet e shtatëdhjeta. Ndërsa
origjinalin me shkrim dore e ruaja unë në Gjermani dhe që i shpëtoi flakëve të
luftës së vitit 1999. Dom Kelmendi veproi e punoi siç i pati hije një pinjolli
të një familjeje atdhetare e nacionaliste. Ai përherë ishte në shërbim të
kombit dhe fesë. Shkoi në amshim në moshë relativisht të re, por u bë shembull
se si duhet të punohet për ta mbrojtur popullin dhe kombin shqiptar kur ai
është në rrezik. E si çdo herë, veprimtarët dhe atdhetarët nacionalistë që u
takojnë familjeve atdhetare, ata nuk marrin shpërblime nga institucionet
shqiptare ose kujtohen për ta pasi të ndërrojnë jetë. Por Dom Kelmendi moton e
punës kombëtare e kishte betimin e Grupit të Lidhjes së Prizrenit: Shqipëria e
shqiptarëve, që shumë mirë e shkruan në ditarin e tij axha i tij Gjoka me
moton: "Në paqa shtu ose madhzu ndonjë fjalë, mos e gzofsha idealin tim
kombëtar."









