Kulturë
Ajne Ibërhysaj: Klithmë në labirintin e pushtetit
E premte, 03.04.2026, 06:54 PM
KLITHMË NË LABIRINTIN E PUSHTETIT
Recension
për romanin “Kandidati për Kandidat” të autorit Arben Çejku
Nga
Ajne IBËRHYSAJ
Romani
“Kandidati për Kandidat” i autorit Arben Çejkut, është
një pasqyrë reflektimi i realitetit të demokracisë së brishtë shqiptare ku
e vërteta thyhet në përplasje me mekanizmat e fshehtë të pushtetit partiak,
duke na sjellë përmes këtij romani një teatër të kontrolluar nga dora e të fortit
brenda partisë. Kjo vepër nuk është thjesht një rrëfim letrar, por është një
trokitje e qartë në ndërgjegjen qytetare, një thirrje në forme klithme në
labirintin e pushtetit, që fton lexuesin të reflektojë mbi mënyrën se si po deformohen
përfaqësimet politike për pushtet.
Me
një qasje të thellë, autori arrin të ndërthurë satirën me një realizëm të
hidhur, duke krijuar një narrativë që të trondit për nga përmbajtja. “Kandidati
për Kandidat” shfaqet si një metaforë e fuqishme e një
sistemi që prodhon iluzionin e zgjedhjes duke na sjell një dëshmi të hidhur dhe
po ashtu edhe një akt kritik ndaj një demokracie në krizë.
Arben Çejku, ka një karrierë të pasur në diplomaci,
gazetari dhe publicistikë, ish Ambasador i Shqipërisë në Kosovë
(2005-2009) dhe Maqedoninë e Veriut (2009-2013), njohës i mirë i politikës rajonale dhe integrimeve Evropiane,
aktualisht Drejtor Ekzekutiv i ACGG-së. Romani “Kandidati për Kandidat”,
përmes personazhit me të njëjtin emër me titullin e librit pasqyron frymën
politike brenda partive përmes satirës së lehtë, që e nis ditën me një “gabim” të vogël, por domethënës:
Ai pa dashje, në vend që të shtypë minus një, e shtyp numrin 11 dhe ngjitet në
katin e njëmbëdhjetë. Ky detaj i thjeshtë shndërrohet në metaforë të
qëndrueshme gjatë gjithë narratives së romanit.
Përmes këtij
personazhi, autori sjell vrullin e verbër të ndërgjegjes sonë politike, idenë
se asgjë nuk ndodh pa arsye. Siç shprehet në libër. “E paskam bërë vetë gabimin, por sa duket me ndonjë komandë hyjnore,
përderisa u ngjita lart. Ngjitja është shenjë e mirë në çdo kuptim, prandaj le
ta shtyp edhe një herë minus njëshin që të zbres,”
Ironia ndaj vetes,
sarkazma e lehtë dhe humori i mbrehtë e shoqërojnë librin nga fillimi në fund.
Por rrëfimi nuk ndalet këtu. “E mira nga
qielli” vjen edhe me mesazhin domethënës, që shfaqet në makinë: “Ju lutem, ecni pak përpara!” Të ecësh
pak përpara por ku të shkoj?
Këtu lind dilema
thelbësore: të qëndrosh apo të ecësh tutje? A duhet kandidati të vazhdojë, apo
të ndalet? Autori e shtjellon këtë dilemë përmes një analize të brendshme ku
ngjitja shndërrohet në shenjë fati apo bërrylash: “Unë fillimisht shkova lart, u ngjita, në vend që të zbrisja. Kjo
është, në të vërtetë, një shenjë e qartë se fati më kërkon të ngjitem.”
Megjithatë, sipas
personazhit, gjithçka do të marrë kuptim vetëm nëse vjen një shenjë e tretë: “Nëse vjen shenja e tretë, do të mendoj
seriozisht se ai atje lart po flet dhe duhet të jem vigjilent.” Pikërisht
Kandidati për Kandidat ka një “pse”
për të kandiduar, ai gëzon një autoritet
nga puna e tij si avokat dhe mund të përballoj çdo “si” po këtu fillon beteja e heshtur mes asaj që jemi dhe asaj që
duhet të jetë shoqëria. Ai nuk e bëri konsultimin formal me familjen për
rikthimin në betejën politike, ku mori një kundërshtim dhe mospajtim të hapur për
ecjen e mëtutjeshme, në mungesë të kësaj mbështetje në mendjen e tij, kandidati
nuk kishte nevojë për miratimin e të shoqes,
kur para syve i kishin ardhur tri shenja hyjnore, ai nuk do të pyeste askënd
tjetër.
Autori A. Çejku
thekson skepticizmin te identiteti kolektiv, sepse aty ku është pikënisja për
caktimin e dobisë individuale, për t’i krijuar dobitë në të ardhmen është i nevojshëm identiteti i qëndrueshëm në bazë të së cilit në
një afat kohe të gjatë mund të llogariten shpenzimet dhe përparësitë: që mund
të bëhet vlerësimi i dobive, individi që llogarit këtë duhet t’i sigurohet
pëlqimi i një kolektivi që krijon identitet ku i përfaqësuari mund të kërkojë
prej përfaqësuesve të tyre që t’u përshtatën interesave të tyre
e si zëvendësim me këtë ofrojnë besnikërinë kolektive.
Kandidati sipas autorit,
Çejku është i denjë për t’i përfaqësuar interesat dhe ofron besnikëri kolektive
por dy përpjekjet e mëparshme i kishin lënë në shpirt vulën e dështimit dhe në publik, sloganin e bërë tatuazh si:
“Kandidati për Kandidat”. Përtej kësaj frike për një dështim të tretë si kandidat do ta godasë përfundimisht
reputacionin e tij dhe besnikërinë kolektive.
Këtu autor A. Çejku
nuk është në pajtim me qasjen e identitetit politik këtë paradoks mund ta
shpjegoj me faktin se pjesëmarrja në zgjedhje qëndron aty se individi është i
kyçur në parti. Autori përmes personazheve
të librit shfaq mungesën e demokracisë së brendshme brenda partive, ku kandidatët për deputet caktohen nga lartë e jo
nga baza ku vendimet merren nga një njeri i vetëm ose një rreth shumë i ngushtë
ku anëtarësia ekziston vetëm si dekor, mendimi ndryshe nuk shihet si pasuri por
si rrezik, nuk dëgjohet por etiketohet si qasje problematike.
Ashtu siç shprehet
autori në libër “Jo çdo propozim që sjell
baza duhet pranuar”, siç thotë edhe kryetari i partisë: “ ka njerëz që ne kemi shmangur nga lista jo
për faj të tyre ose për mungesë vlerash, por se në parti na janë krijuar
rrethana të tilla që jemi detyruar të marrim vendime ndryshe”, pra autori
këtu shpreh: “politika nuk vuan nga mungesa e njerëzve që flasin por
nga mungesa e njerëzve nuk mbajnë përgjegjësi ku demokracia brenda partive
politike është “mobilje ekspozite”, listat zgjedhore janë mjet kryesor i kontrollit
kush është besnik futet kush ka mendim për çdo tentativë për demokraci të brendshme
të ndëshkon nga dora e zgjatur e “shefit” andaj pa parti demokratike nga brenda
është iluzion të presësh demokraci të shëndetshme në shtet, me këtë rast autori
shprehet: “një kapiten i mirë e çon
anijen në breg, pavarësisht nga vështirësitë dhe kostot”.
Prapë, duke ju referuar
mendimit të autorit në këtë roman, për mungesën e reformës brenda partive, ai
shprehet: “Duke mos bërë ndryshime brenda
partisë krijohen grupe interesi dhe lobime që na bllokojnë - mori guxim e tha
Breg Kodra”. Vetëm atyre personave, që ne do t’u bëjmë telefon dhe do t’i takoj
unë privatisht këtu në zyre para se t’i diskutojmë në kryesi janë kandidatë për
deputet ”.
Autori A.Çejku në
këtë roman përmes personazhit Kandidati për Kandidat, përfaqëson individin
racional, parashikimin e sjelljes së individit në fushat që nga vendimi i
votuesit deri të ajo e vendimit të kandidatit. Kjo intuitë e verbër apo egoiste
që mund ta quaj e shtyn kandidatin të besojë gjithnjë e më shumë, deri në
momentin kur folësja e lajmeve njofton: “Nga
Zyra e Presidentit të Republikës njoftohemi se sapo është firmosur dekreti për
zgjedhjet e reja parlamentare.” Këtu fillon ajo e vërteta e hidhur që
përfaqëson ata individë që partitë politike i përdorin duke na pasqyruar tragjikomedinë
politike shqiptare ku qëllimi i vetëm i kandidatëve në tregun politikë është zgjedhja (apo
rizgjedhja) e tyre në pozita publike të
njëjtë emra, e gjatë kësaj autori i librit
A. Çejku aq mirë e prezanton në tregun politik duhet të vlejë sovraniteti
i votuesit e jo autoriteti i shefit te partisë. Përmes romanit “Kandidati për
Kandidat”, Çejku evidenton mungesën e zgjedhjeve të brendshme dhe demokracisë
reale në parti, ku çdo frymë ndryshe në këtë sistem politik shtypet nën frymën
e demokracisë delikate ku çdo urdhër veprimi vjen vetëm “nga lart”.
Kjo mungesë e
demokracisë bën që asnjë kandidat me frymë ndryshe të mos “marr atë thirrjen telefonike të shumëpritur”, nëse strukturat nuk
ndërgjegjësohen nga poshtë-lart. Lideri mbetet fryma e vetme drejtuese, që vendos,
orienton dhe manipulon me masën.
Një pjesë e
simpatizantëve, duke besuar se po shohin ndryshim, fillojnë të besojnë sepse,
me mjeshtëri, lideri arrin të mashtrojë opinionin publik dhe vet individin, për
aq kohë sa ka pushtet dhe “moral politik” dhe ndjen nevojë për ta.
Autori, përmes
satirës, vë në lojë inteligjencën superiore që dallon nga masa, por që shpesh
mposhtet nga naiviteti kolektiv. Siç thekson Hannah Arendt: “Virtyti, përkatësisht besnikëria ndaj
udhëheqësit, shërben si talisman që siguron fitoren përfundimtare të
gënjeshtrës dhe trillimit mbi të vërtetën dhe realitetin.” Më tej, Arendt
shprehet: “Është në natyrën e lëvizjes
që, kur udhëheqësi ka marrë përsipër postin e tij, i gjithë organizimi të
identifikohet aq plotësisht me të, saqë çdo pranim gabimi apo largim i tij do
të shkatërronte magjinë e pagabueshmërisë që e rrethon.” Kandidati mbetet në pritje të lajmit
“nga lart”, duke përjetuar një vetmi mendore, shtigjeve të një labirinti që e kthen
individin në qenie të izoluar brenda partive politike. Dilema mbetet: të
qëndrosh apo të bëhesh pjesë e kësaj mendësie të centralizuar rreth liderit?
Në përfundim të
romanit, pritja ashtu siç pret edhe vetë Kandidati për Kandidat, mbetet fakti më i dhimbshëm shpresa tek
ndryshimi.
Kriza e kohës
sonë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, dhe përvoja shumëvjeçare e
subjekteve politike dëshmojnë se zgjedhjet e brendshme vazhdojnë të bëhen vetëm
si një premtim që koha i ka zhveshë, ndërsa ndryshimi shndërrohet në një ëndërr
të bukur me retoriken e vazhdueshme “unë
jam ndryshimi”. Në fund të këtij recensionit për romanin “Kandidati për Kandidat”
po e përmbyll me thënien e Uill
Roxhers i cili thotë: ”aq më shumë lexoni
për politikën, aq më shumë arrini të pranoni se çdo parti është më e keqe se
tjetra”.
Mars, 2026









