Kulturë
Ilir Muharremi: Ritme ngjyrash dhe shpërthime drite
E premte, 03.04.2026, 06:53 PM

Ritme ngjyrash dhe shpërthime drite
Nga
Ilir Muharremi, kritik i artit
Peizazhe
ngjyrash, të mbushura me tension, kontraste dhe një lojë harmonish të pasura, karakterizojnë peizazhet
abstrakte të veçanta të Faton Aliu, të cilat u ekspozuan ditë më parë në
Stadtbücherei Velbert Zentralbibliothek Gjermani (biblioteka qendrore e qytetit
të Velbertit). Ekspozita personale u hap në galerinë e kësaj biblioteke. Ajo që
të rrëmben menjëherë syrin është ngjyra, e kombinuar dhe e përzier në një
shumësi nuancash që kulmojnë në një tërësi të vetme vizuale, duke krijuar një
magji artistike të mbushur me konflikt të brendshëm shpirtëror. Peizazhi nuk
paraqitet si një strukturë statike, por si një lëvizje e vazhdueshme ndërmjet
dritës dhe hapësirës, e cila shpesh vihet në kontrast me format në plan të parë
një veçanti e dallueshme e gjuhës piktorike të Aliut. Në këto vepra dominojnë ngjyrat
e ngrohta, si portokallia dhe e kuqja, të ndërthurura me nuanca më të ftohta që
krijojnë ekuilibër dhe tension vizual.
“Falënderoj
përzemërsisht drejtoreshën e kësaj qendre, zonjën Motte, mikun tim z. Rrahman
Islami që bëri të mundur realizimin e kësaj ekspozite, si dhe të gjithë
mysafirët e pranishëm,” shprehet Aliu. Sipas tij, në ekspozitë ishin të
pranishëm edhe Dr. Paul Jürgen Stein dhe z. Rainer Jadjewski, të cilët ai i
falënderoi përzemërsisht.
Në
këto peizazhe të Aliu, ngjyra nuk
funksionon si përshkrim i natyrës, por si bartëse e një tensioni emocional që e
tejkalon referencën reale. Gama e ngjyrave është e ndarë nw dy zona, njëra e
errët, me tonalitete blu, gri dhe të zeza të përziera me shpërthime të kuqes,
dhe tjetra e ndritshme, me të verdha e të gjelbra që krijojnë një atmosferë të
tejdukshme, pothuajse lirike. Ky kontrast nuk është vetëm vizual, por edhe
psikologjik një përballje mes trazimit dhe qetësisë, mes stuhisë dhe dritës.
Forma është e shpërbërë, e liruar nga konturi i saktë. Nuk kemi një horizont të
qartë apo një strukturë lineare të peizazhit, përkundrazi, forma lind nga
gjesti. Penelata është energjike, e shtresëzuar, shpesh e vrullshme, duke
krijuar një sipërfaqe ku materia piktorike bëhet vetë subjekt. Në disa zona,
ngjyra duket e hedhur me impuls, duke krijuar fragmente që sugjerojnë terren,
qiell apo vegjetacion, por pa i fiksuar ato në një identitet të prerë.
Kontrasti
është një nga elementet më të forta kompozicionale. Ai ndërtohet jo vetëm
përmes përplasjes së ngjyrave të ftohta dhe të ngrohta, por edhe përmes
densitetit të shtresës piktorike, zona të ngarkuara, të errëta dhe të trasha
përballen me hapësira më të lehta, më të ajrosura. Ky kontrast krijon një ritëm
vizual që e udhëheq syrin në mënyrë dinamike brenda kompozicionit.
Drita
nuk vjen nga një burim i përcaktuar, ajo duket se shpërndahet nga brenda vetë
ngjyrës. Në veprën me dominancë të verdhës, drita është difuze, pothuajse
atmosferike, duke krijuar një ndjesi shprese dhe hapjeje. Ndërsa në kompozimin
më të errët, drita është fragmentare, shpërthyese, si një ndërhyrje e papritur
brenda një fushe të trazuar. Abstraksioni këtu nuk është total, por as i lidhur
me realizmin. Ai funksionon si një zonë ndërmjetëse ku peizazhi mbetet i
njohshëm në nivel intuitiv, por jo i identifikueshëm në mënyrë konkrete. Kjo e
vendos shikuesin në një pozicion aktiv interpretimi, ku përvoja vizuale bëhet
më shumë ndjesore sesa deskriptive.
Kompozicioni
është i balancuar përmes tensionit. Nuk ka një qendër të vetme gravitacioni,
pesha vizuale shpërndahet në mënyrë të pabarabartë, duke krijuar një ekuilibër
të brishtë, por efektiv. Elementet nuk organizohen sipas një rendi klasik, por
sipas një logjike intuitive të gjestit dhe ngjyrës.
Në
tërësi, këto peizazhe funksionojnë si hapësira emocionale ku natyra nuk
paraqitet, por përjetohet. Ato nuk kërkojnë të tregojnë një vend, por të
evokojnë një gjendje.
Ekspozita
do të qëndroj e hapur një muaj.












