Kulturë
Ndue Dedaj: Në Pazar të Milotit tash shiten edhe libra!
E diele, 29.03.2026, 06:05 PM

NË PAZAR TË MILOTIT TASH SHITËN EDHE LIBRA!...
Nga Ndue Dedaj
Altini, një miku im biznesmen nga Rrësheni, më shkruante
dje: “Profesor, si je? U nisa për në pazar të Milotit për të blerë një pajisje
për Bar-in, por teksa po kontrolloja tregun, u habita kur në mes të rrugës
gjeta disa libra që po i shiste një person me ngjyrë. Librat ishin rifuxho në
kuti kartoni, dhe mes tyre më zuri syri edhe një libër tëndin me poezi. I
“zoti” po i shiste me një çmim simbolik: për mos t’i parë në mes të rrugës, i
thashë sa bëjnë të gjitha që ti marr unë? Ai u gëzua që doli dikush që po ia
merrte të gjitha librat dhe pa i kërkue çmim më bëri përsëri ulje. Po ti nis me
foto se ku ndodheshin librat - me këtë po të jap një shkas që ti të shkruash
diçka, se ku ka mbërritë shoqëria e sotme!?...”
Faleminderit Altinit. Nuk mund të ndodhte ndryshe në rastin
e tij, ai është rritur në një kullë Kodër-Rrësheni me qoshe të gdhendura dhe
portë të skalitur me mbishkrime, ku falë paraardhësve të tij, libri ka qenë gjithnjë
në “shtëpinë” e vet, që në vitet e para të shekullit të kaluar, pasi stërgjyshi
i tij ishte ndër mësuesit e parë të Mirditës së asaj kohe.
Mjerisht në “pazar” tash ka dalë dhe libri. Nuk ka më vend
në shtëpitë moderne “qytetare” për të! Sa biblioteka të pasura dijetarësh kanë
dalë në “ankand”. Më tregonin se diku në Tiranë shihet një ballkon i mbushur
plot me libra, çka ka ndodhur mbasi i zoti apo e zonja e tyre ka ndërruar jetë.
Mund të ketë qenë shkrimtar, shkencëtar, përkthyes, mjek a kushedi se çfarë
profesioni zotëria apo zonja dhe bashkë me të është shuar dhe biblioteka e
tij/saj!...
Mund të zgjatemi sa të duam me komentin tonë, por a ka
zgjidhje? Nëse ekziston vullneti i mirë, po! Kemi lagje të tëra qytetesh të
mëdha pa librari dhe biblioteka. Shteti, biznesi, shoqatat kulturore, shkollat
etj. mund ta ndryshonin këtë realitet të trishtë, që libri mos të marrë udhën e
pazarit, por të shkojë lehtësisht te lexuesit.









