Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Burrë i kuvendeve, pajtues gjaqesh, lahutar dhe vajtor i traditës malësore
E enjte, 26.03.2026, 06:57 PM
Burrë i kuvendeve, pajtues gjaqesh, lahutar dhe vajtor i traditës malësore
Nga
Gjekë Gjonaj
Figura
e Kolë Bardhit Kërcaj zë një vend të veçantë në kujtesën historike dhe
kulturore të Kojës dhe Malësisë së
Madhe. Ai përfaqëson tipologjinë klasike të burrit malësor: trim në rini, i
urtë në pjekuri, pajtues në kuvende, lahutar në gëzime dhe vajtor në morte.
Jeta e tij përmbledh në vetvete virtytet themelore të shoqërisë tradicionale
shqiptare: besën, burrërinë, mikpritjen, solidaritetin dhe ndjenjën e thellë të
përkatësisë ndaj fisit e vendit.
Prejardhja
familjare dhe vitet e hershme
Kolë
Bardhi Kërcaj u lind në Kojë të Malësisë
së Madhe, në vitin 1900. Ishte i biri i Bardh Mirit, një burrë i njohur për trimëri
dhe fisnikëri, pjesëmarrës në luftën e Deçiqit më 1911. Bashkëluftëtarët e
përmendnin Bardh Mirin si luftëtar të vendosur dhe të besës.
Nëna
e Kolës ishte Luke Prekja Mërnjaçaj nga Kelmendi. Ajo ndërroi jetë kur Kola
ishte ende fëmijë, duke lënë gjurmë të thella në formimin e karakterit të tij. Kola
ishte vëlla i pesë motrave: Mares, Pales, Marisë, Hanit dhe Files.
Në
moshën 19-vjeçare u martua me Tereze Vatën, bijën e Vat Gjelosh Lucajt nga
Trieshi. Nga kjo martesë lindën tetë djem: Marashin, Gjokën, Prelën, Markun,
Noshin, Gjeloshin, Pjetrin dhe Rrokun, si dhe katër vajza: Dranen, Tushën,
Lulën dhe Prenën.
Vetitë
morale dhe roli shoqëror
Që
në fëmijëri Kola u dallua për urti, respekt ndaj të tjerëve dhe sjellje
fisnike. Ishte zemërgjerë, bujar, besnik dhe trim. Në Kojë dhe rrethina njihej
si burrë fjale dhe njeri i besës.
Në
dasma, festa e tubime shoqërore ishte figurë qendrore — thuhej se “nuk fillonte logu (tubimi) pa ardhë Kolë
Bardhi”. Po ashtu ishte gjithmonë i pranishëm në varrime, duke u bërë mbështetje
morale për familjet e pikëlluara.
I
pasur me toka pjellore dhe kullota, merrej me bujqësi e blegtori, por pasuria e
tij më e madhe ishte zemra njerëzore. Ai ndihmonte njerëzit në nevojë.
Konteksti
historik dhe angazhimi kombëtar
Kolë
Bardhi mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore kundër forcave komuniste, së bashku
me shumë burra të Kojës. Familja e tij
lidhej edhe me ngjarjet e mëparshme të historisë malësore shqiptare. Gjatë Kryengritjes së Malësisë në vitin 1911,
Bardh Miri i shpëtoi
bashkëluftëtarët e vet duke vrarë dy ushtarë turq që kërcënonin vëllezërit e
fshatit Kojë. Ky episod tregon jo vetëm trimërinë, por edhe rolin mbrojtës të
familjes Kërcaj për komunitetin.
Fisnikëria
si mënyrë jetese
Në
kujtesën popullore ruhen shumë episode që dëshmojnë shpirtin fisnik të Kolës
dhe të babait të tij, Bardh Mirit. Një nga këto episode lidhet me ndërtimin e shtëpisë (kullës)
familjare nga mjeshtri i njohur Punish Nikolla nga Rahoja e Kuçit. Duke parë
përkushtimin e mjeshtrit, Kolë Bardhi dhe Bardh Miri jo vetëm që e paguan sipas
marrëveshjes, por i falën edhe një lopë me viç. Mjeshtri u shpreh se një
dhuratë të tillë nuk e kishte marrë kurrë më parë në jetën e tij.
Një
tjetër akt bujarie ndodhi në prag të
festës së shtëpisë - Shna Nout , kur Kola dhe i ati (babai) ia falën dashin e blerë një bashkëfshatari që
nuk kishte mundësi të festonte, duke thënë se nuk mund ta gëzonin festën nëse
një familje e Kojës mbetej pa të.
Burrë
kuvendesh dhe pajtues gjaqesh
Kolë
Bardhi ishte burrë kuvendesh, pajtues mosmarrëveshjesh dhe ndërmjetës në raste
konfliktesh. Ai shkonte gjithmonë “me ujë e jo me zjarr”. Autoriteti i tij
moral pranohej jo vetëm në Kojë, por në gjithë Malësinë. Kola ishte pjesëmarrës
aktiv në Besëlidhjen e Malësisë në Tuz
në vitin 1970, ku si plak i maleve dhe
burrë i kuvendeve, qëndroi krah për krah me burrat e trevës në mbrojtje
të identitetit, nderit dhe autonomisë morale të Malësisë. Familja e tij njihej
si shtëpi mikëpritëse, e besës dhe burrërisë. Tradita e pajtimit të gjaqeve dhe
ruajtjes së nderit ishte trashëgimi brez pas brezi.
Lahutar
dhe rapsod
Kolë
Bardhi ishte ndër lahutarët dhe rapsodët e njohur të Malësisë. Zëri i tij
karakteristik dhe interpretimi i fuqishëm e bënin figurë të respektuar në oda. Një
nga këngët e tij të parapëlqyera ishte:
“…Çfarë
haberi qet taborri,
qet
nji za ma zi se korbi,
paska
met Mic Sokoli…”
Përmes
lahutës ai përcillte kujtesën historike dhe epikën shqiptare, duke ruajtur
gjallë frymën e rezistencës dhe krenarisë kombëtare.
Vajtor
i Malësisë dhe Kuçit
Kolë
Bardhi ishte ndër vajtorët (britmëtarët) më të njohur të Malësisë dhe Kuçit, ku
thirrja e vajit në gjuhën shqipe
ishte një ritual i veçantë për ngjarje tragjike dhe përkujtimore. Vajtimi i tij
karakterizohej nga fuqia emocionale dhe ruante një traditë që ai e trashëgoi nga paraardhësit dhe më pas ia kaloi të birit (djalit), Prelës,
i cili për rreth 40 vjet thirri vaj për trimat e Malësisë. Në vajtimet e tij
Kola ndërthurte: lavdërimin e virtyteve, përkujtimin e trimërisë, pranimin e
fatit si vullnet hyjnor dhe porosinë për
brezat.
Vajtimi
në traditën malësore nuk ishte thjesht shprehje dhimbjeje, por akt ritual, filozofik
dhe moral. Vajtorët ishin zëdhënës të komunitetit, që përmes fjalës poetike
nderonin të vdekurin dhe ngushëllonin të gjallët.
Humbjet
familjare dhe qëndrueshmëria shpirtërore
Jeta
e Kolës u shënua nga humbje të rënda familjare. Ai varrosi me duart e veta
katër djem: Marashin (1 vjeç), Gjokën (20 vjeç), Pjetrin (33 vjeç) dhe Noshin
(44 vjeç në Michigan), si dhe vajzën Tushën, e ndarë nga jeta në moshën
22-vjeçare. Megjithatë, ai qëndroi stoik, duke u bërë shtyllë për familjen dhe
nipat.
Mërgimi
dhe solidariteti – modeli i Kojës në Amerikë
Një
episod i veçantë dhe fatkeqësi e rëndë ndodhi
gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Michigan më 1977, kur i vdiq djali Pjetri, ndër vdekjet
e para të kojasve në mërgim. Me këtë rast kojasit e Amerikës, kryesiht nga
Miçigani, por edhe Nju-Jorku u
organizuan për ta ndihmuar financiarisht familjen e Kolë Bardhit për
sjelljen e trupit të pajetë të djalit në varrezat familjare në vendlindje, në
Kojë, pasi Kola nuk dëshironte ta varroste djalin në Michigan. U vendos që Pal
Frani Ulaj t’ia dorëzonte Kolë Bardhit shumën e grumbulluar. Para se t’ia
dorëzojë paratë, Pali i tha:
“Qitro
për djalë. Zoti të dhashtë kivet (forcë).
Ne disa kojas, emrat e të cilëve i kemi shënuar në letër, kemi vendosur të ta
dorëzojmë një ndihmë të vogël, për të të ndihmuar ta çosh ( dërgosh) trupin e
pajetë të djalit në vendlindje, në Kojë. E dimë se të gjitha shpenzimet do t’i
kishit përballuar edhe pa këtë ndihmë, por dëshirojmë ta pranoshë këtë
kontribut modest nga ana jonë. Zoti ju forcoftë!”
Kola,
pasi e dëgjoi me vëmendje Pal Franin, u ngrit në këmbë me lot në sy dhe tha:
“Edhe
ju u dhashtë Zoti kivet. Sepse shumë e keni qarë me lot e me zemër këto ditë e
netë që nga vdekja e djalit. Besa, shoku i mirë njihet larg vendit të vet. Së
pari, dua t’ju falënderoj për hysmetin (shërbimin) e bërë ditë e natë. Së dyti,
ju falënderoj që ju ka shkuar ndër mend të na ndihmoni, sepse kurbeti e paska
të vetën. Veçsa keni filluar me ardhë në Amerikë. Nuk është e lehtë me ndërtua
jetën në mërgim, as me u martua — e besa as me vdekë. Humbja e njeriut të
dashur është dhimbje e madhe kudo, por në mërgim qenka edhe më e rëndë. Zoti
jua mbajtë dashninë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Ju të gjithë jeni
vëllezër, sidomos në raste të vështira. Më keni vënë në një pozitë shumë të
rëndë, por me ndihmën e Zotit, nëse pajtohemi të gjithë, kërkoj nga ju të
vendosim një rregull (vendim) të përhershëm: që prej sot e tutje, në raste të
tilla, për çdo kojas/e që vdes në Amerikë, të japim një shumë të caktuar
parash, njësoj për të gjithë. Nëse nuk doni t’i merrni ju nesër këto ndihma, as
unë nuk i marr sot”.
Pas
këtyre fjalëve, të gjithë njëzëri pa u
menduar gjatë, i dhanë fjalën Kolë Bardhit se këtë vendim (rregull) do ta
mbajmë dhe nuk do ta shkelim sa të jemi gjallë.
Kështu vepruan atëherë. Kështu veprojnë edhe sot kojasit në Amerikë.Pas 49
vitesh, për çdo kojas apo kojase që ndërron jetë në SHBA, çdo familje e
komunitetit jep 100 dollarë, pa marrë parasysh në cilin qytet apo shtet të
Amerikës ndodh vdekja - një model unik komunitar që mban firmën morale të Kolë
Bardhit.
Dëshmi folklorike për
Kolë Bardhin
Në
zërin e vajtorëve, në rrëfimet e brezave, emri i tij mbetet i gdhendur si gur
themeli i burrërisë dhe i pajtimit. Ai ishte prej atyre njerëzve që nuk
kërkojnë lavdi, por lënë gjurmë; që nuk flasin shumë, por peshojnë rëndë në
ndërgjegjen e vendit.
Vajtori
i njohur i Trieshit, Mark Noshi Gjeloshaj, me rastin e ndarjes nga jeta të Kolë
Bardhit Kërcaj, iu drejtua me këto fjalë:
“…Kolë
Bardhi, burrë daji,
plak i
urtë kje nar pleqni,
n’part vajtor
kje n’Malësi,
tre
breza ropit i pat kjo shpi.
Je kjën
nipi i Mir Çunit,
ç’ i ka
kjen burrë daji,
i
dalluem për besë e për hijeshi,
shumë ke
dalë plakë n’Malësi,
qysh
prej Kuçit e deri n’Shqipni,
tue
pajtue gjaqe n’Malësi,
ini t’shkruem tash n’histori…”
Vargjet
e vajtimit për Kolë Bardhin Kërcaj përbëjnë një akt të qartë vlerësimi kolektiv
dhe një dëshmi të fuqishme të rolit të tij shoqëror në Malësi. Ato e paraqesin
atë si plak të urtë, autoritet moral dhe pajtues gjaqesh, si bartës të traditës
folklorike dhe si trashëgimtar të një dere të njohur për besë, hijeshi dhe
burrëri. Figura e tij shfaqet jo vetëm në dimensionin familjar, por në atë
komunitar dhe ndërkrahinor, nga Kuçi deri në Shqipëri. Vlerësimi “ ini
t’shkruem tash n’histori” përfaqëson formën tradicionale të kanonizimit
popullor, përmes së cilës Kolë Bardhi kalon nga kujtesa gojore në kujtesën
historike. Në këtë mënyrë, ai mbetet shembull i gjallë i njeriut që përmes
urtësisë, pajtimit dhe fjalës së matur kontribuoi në ruajtjen e harmonisë
shoqërore dhe identitetit kulturor të Malësisë.
Përfundim
Kolë
Bardhi Kërcaj ndërroi jetë në dhjetor 1991, duke lënë pas një familje të madhe:
djem, vajza, nipa, mbesa, stërnipa e stërmbesa dhe mbi të gjitha një trashëgimi
morale të jashtëzakonshme. Ai mbetet figurë simbol e Malësisë: burrë i urtë,
pajtues, lahutar, vajtor dhe njeri i besës — një jetë që përfaqëson dinjitetin
e kulturës malësore shqiptare.
Kjo figurë autoritare në Malësi përfaqëson unitetin e traditës malësore, trimërinë dhe forcën e
bashkimit familjar dhe fisnor. Roli i tij si vajtor, si burrë i kuvendeve dhe pjesëmarrës aktiv
në ngjarjet historike të Malësisë, ruan një trashëgimi të vyer për studiuesit e
folklorit, historisë dhe antropologjisë shqiptare. Trashëgimia e tij vazhdon
përmes brezave të rinj që ruajnë dhe pasurojnë traditën e vajit dhe ritet malësore. Ai mbetet shembull i
burrërisë malësore, i fisnikërisë së heshtur dhe i solidaritetit njerëzor — një
figurë që jeton në kujtesën kolektive të Kojës dhe të gjithë Malësisë.
Sot,
Kolë Bardhi jeton në kujtesën e njerëzve të vet, në vargjet e vajtimit, në
besën e trashëguar dhe në historinë e pashkruar të maleve. Sepse ka njerëz që
ikin, dhe ka njerëz që mbesin — Kolë Bardhi është ndër ata që mbesin.









