Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjekë Gjonaj: Burrë i kuvendeve, pajtues gjaqesh, lahutar dhe vajtor i traditës malësore

| E enjte, 26.03.2026, 06:57 PM |


Burrë i kuvendeve, pajtues gjaqesh, lahutar dhe vajtor i traditës malësore

Nga Gjekë Gjonaj

Figura e Kolë Bardhit Kërcaj zë një vend të veçantë në kujtesën historike dhe kulturore të Kojës dhe Malësisë së Madhe. Ai përfaqëson tipologjinë klasike të burrit malësor: trim në rini, i urtë në pjekuri, pajtues në kuvende, lahutar në gëzime dhe vajtor në morte. Jeta e tij përmbledh në vetvete virtytet themelore të shoqërisë tradicionale shqiptare: besën, burrërinë, mikpritjen, solidaritetin dhe ndjenjën e thellë të përkatësisë ndaj fisit e vendit.

Prejardhja familjare dhe vitet e hershme

Kolë Bardhi Kërcaj u  lind në Kojë të Malësisë së Madhe, në vitin 1900. Ishte i biri i Bardh Mirit, një burrë i njohur për trimëri dhe fisnikëri, pjesëmarrës në luftën e Deçiqit më 1911. Bashkëluftëtarët e përmendnin Bardh Mirin si luftëtar të vendosur dhe të besës.

Nëna e Kolës ishte Luke Prekja Mërnjaçaj nga Kelmendi. Ajo ndërroi jetë kur Kola ishte ende fëmijë, duke lënë gjurmë të thella në formimin e karakterit të tij. Kola ishte vëlla i pesë motrave: Mares, Pales, Marisë, Hanit dhe Files.

Në moshën 19-vjeçare u martua me Tereze Vatën, bijën e Vat Gjelosh Lucajt nga Trieshi. Nga kjo martesë lindën tetë djem: Marashin, Gjokën, Prelën, Markun, Noshin, Gjeloshin, Pjetrin dhe Rrokun, si dhe katër vajza: Dranen, Tushën, Lulën dhe Prenën.

Vetitë morale dhe roli shoqëror

Që në fëmijëri Kola u dallua për urti, respekt ndaj të tjerëve dhe sjellje fisnike. Ishte zemërgjerë, bujar, besnik dhe trim. Në Kojë dhe rrethina njihej si burrë fjale dhe njeri i besës.

Në dasma, festa e tubime shoqërore ishte figurë qendrore — thuhej se “nuk fillonte logu (tubimi) pa ardhë Kolë Bardhi”. Po ashtu ishte gjithmonë i pranishëm në varrime, duke u bërë mbështetje morale për familjet e pikëlluara.

I pasur me toka pjellore dhe kullota, merrej me bujqësi e blegtori, por pasuria e tij më e madhe ishte zemra njerëzore. Ai ndihmonte njerëzit në nevojë.

Konteksti historik dhe angazhimi kombëtar

Kolë Bardhi mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore kundër forcave komuniste, së bashku me shumë burra të Kojës. Familja e tij lidhej edhe me ngjarjet e mëparshme të historisë malësore shqiptare. Gjatë Kryengritjes së Malësisë në vitin 1911, Bardh Miri i shpëtoi bashkëluftëtarët e vet duke vrarë dy ushtarë turq që kërcënonin vëllezërit e fshatit Kojë. Ky episod tregon jo vetëm trimërinë, por edhe rolin mbrojtës të familjes Kërcaj për komunitetin.

Fisnikëria si mënyrë jetese

Në kujtesën popullore ruhen shumë episode që dëshmojnë shpirtin fisnik të Kolës dhe të babait të tij, Bardh Mirit. Një nga këto episode lidhet me ndërtimin e shtëpisë (kullës) familjare nga mjeshtri i njohur Punish Nikolla nga Rahoja e Kuçit. Duke parë përkushtimin e mjeshtrit, Kolë Bardhi dhe Bardh Miri jo vetëm që e paguan sipas marrëveshjes, por i falën edhe një lopë me viç. Mjeshtri u shpreh se një dhuratë të tillë nuk e kishte marrë kurrë më parë në jetën e tij.

Një tjetër akt bujarie ndodhi në prag të festës së shtëpisë - Shna Nout , kur Kola dhe i ati (babai) ia falën dashin e blerë një bashkëfshatari që nuk kishte mundësi të festonte, duke thënë se nuk mund ta gëzonin festën nëse një familje e Kojës mbetej pa të.

Burrë kuvendesh dhe pajtues gjaqesh

Kolë Bardhi ishte burrë kuvendesh, pajtues mosmarrëveshjesh dhe ndërmjetës në raste konfliktesh. Ai shkonte gjithmonë “me ujë e jo me zjarr”. Autoriteti i tij moral pranohej jo vetëm në Kojë, por në gjithë Malësinë. Kola ishte pjesëmarrës aktiv në Besëlidhjen e Malësisë në Tuz në vitin 1970, ku si plak i maleve dhe burrë i kuvendeve, qëndroi krah për krah me burrat e trevës në mbrojtje të identitetit, nderit dhe autonomisë morale të Malësisë. Familja e tij njihej si shtëpi mikëpritëse, e besës dhe burrërisë. Tradita e pajtimit të gjaqeve dhe ruajtjes së nderit ishte trashëgimi brez pas brezi.

Lahutar dhe rapsod

Kolë Bardhi ishte ndër lahutarët dhe rapsodët e njohur të Malësisë. Zëri i tij karakteristik dhe interpretimi i fuqishëm e bënin figurë të respektuar në oda. Një nga këngët e tij të parapëlqyera ishte:

“…Çfarë haberi qet taborri,

qet nji za ma zi se korbi,

paska met Mic Sokoli…”

Përmes lahutës ai përcillte kujtesën historike dhe epikën shqiptare, duke ruajtur gjallë frymën e rezistencës dhe krenarisë kombëtare.

Vajtor i Malësisë dhe Kuçit

Kolë Bardhi ishte ndër vajtorët (britmëtarët) më të njohur të Malësisë dhe Kuçit, ku thirrja e vajit në gjuhën shqipe ishte një ritual i veçantë për ngjarje tragjike dhe përkujtimore. Vajtimi i tij karakterizohej nga fuqia emocionale dhe ruante një traditë që ai  e trashëgoi nga paraardhësit dhe më pas ia kaloi të birit (djalit), Prelës, i cili për rreth 40 vjet thirri vaj për trimat e Malësisë. Në vajtimet e tij Kola ndërthurte: lavdërimin e virtyteve, përkujtimin e trimërisë, pranimin e fatit si vullnet hyjnor dhe porosinë për brezat.

Vajtimi në traditën malësore nuk ishte thjesht shprehje dhimbjeje, por akt ritual, filozofik dhe moral. Vajtorët ishin zëdhënës të komunitetit, që përmes fjalës poetike nderonin të vdekurin dhe ngushëllonin të gjallët.

Humbjet familjare dhe qëndrueshmëria shpirtërore

Jeta e Kolës u shënua nga humbje të rënda familjare. Ai varrosi me duart e veta katër djem: Marashin (1 vjeç), Gjokën (20 vjeç), Pjetrin (33 vjeç) dhe Noshin (44 vjeç në Michigan), si dhe vajzën Tushën, e ndarë nga jeta në moshën 22-vjeçare. Megjithatë, ai qëndroi stoik, duke u bërë shtyllë për familjen dhe nipat.

Mërgimi dhe solidariteti – modeli i Kojës në Amerikë

Një episod i veçantë dhe fatkeqësi e rëndë ndodhi gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Michigan më 1977, kur i vdiq djali Pjetri, ndër vdekjet e para të kojasve në mërgim. Me këtë rast kojasit e Amerikës, kryesiht nga Miçigani, por edhe Nju-Jorku u organizuan për ta ndihmuar financiarisht familjen e Kolë Bardhit  për sjelljen e trupit të pajetë të djalit në varrezat familjare në vendlindje, në Kojë, pasi Kola nuk dëshironte ta varroste djalin në Michigan. U vendos që Pal Frani Ulaj t’ia dorëzonte Kolë Bardhit shumën e grumbulluar. Para se t’ia dorëzojë  paratë, Pali i tha:

“Qitro për djalë. Zoti të  dhashtë kivet (forcë). Ne disa kojas, emrat e të cilëve i kemi shënuar në letër, kemi vendosur të ta dorëzojmë një ndihmë të vogël, për të të ndihmuar ta çosh ( dërgosh) trupin e pajetë të djalit në vendlindje, në Kojë. E dimë se të gjitha shpenzimet do t’i kishit përballuar edhe pa këtë ndihmë, por dëshirojmë ta pranoshë këtë kontribut modest nga ana jonë. Zoti ju forcoftë!”

Kola, pasi e dëgjoi me vëmendje Pal Franin, u ngrit në këmbë me lot në sy dhe tha:

“Edhe ju u dhashtë Zoti kivet. Sepse shumë e keni qarë me lot e me zemër këto ditë e netë që nga vdekja e djalit. Besa, shoku i mirë njihet larg vendit të vet. Së pari, dua t’ju falënderoj për hysmetin (shërbimin) e bërë ditë e natë. Së dyti, ju falënderoj që ju ka shkuar ndër mend të na ndihmoni, sepse kurbeti e paska të vetën. Veçsa keni filluar me ardhë në Amerikë. Nuk është e lehtë me ndërtua jetën në mërgim, as me u martua — e besa as me vdekë. Humbja e njeriut të dashur është dhimbje e madhe kudo, por në mërgim qenka edhe më e rëndë. Zoti jua mbajtë dashninë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Ju të gjithë jeni vëllezër, sidomos në raste të vështira. Më keni vënë në një pozitë shumë të rëndë, por me ndihmën e Zotit, nëse pajtohemi të gjithë, kërkoj nga ju të vendosim një rregull (vendim) të përhershëm: që prej sot e tutje, në raste të tilla, për çdo kojas/e që vdes në Amerikë, të japim një shumë të caktuar parash, njësoj për të gjithë. Nëse nuk doni t’i merrni ju nesër këto ndihma, as unë nuk i marr sot”.

Pas këtyre fjalëve, të gjithë njëzëri pa u menduar gjatë, i dhanë fjalën Kolë Bardhit se këtë vendim (rregull) do ta mbajmë  dhe nuk do ta shkelim sa të jemi gjallë. Kështu vepruan atëherë. Kështu veprojnë edhe sot kojasit në Amerikë.Pas 49 vitesh, për çdo kojas apo kojase që ndërron jetë në SHBA, çdo familje e komunitetit jep 100 dollarë, pa marrë parasysh në cilin qytet apo shtet të Amerikës ndodh vdekja - një model unik komunitar që mban firmën morale të Kolë Bardhit.

Dëshmi folklorike për Kolë Bardhin

Në zërin e vajtorëve, në rrëfimet e brezave, emri i tij mbetet i gdhendur si gur themeli i burrërisë dhe i pajtimit. Ai ishte prej atyre njerëzve që nuk kërkojnë lavdi, por lënë gjurmë; që nuk flasin shumë, por peshojnë rëndë në ndërgjegjen e vendit.

Vajtori i njohur i Trieshit, Mark Noshi Gjeloshaj, me rastin e ndarjes nga jeta të Kolë Bardhit Kërcaj, iu drejtua me këto fjalë:

“…Kolë Bardhi, burrë daji,

plak i urtë kje nar  pleqni,

n’part vajtor kje  n’Malësi,

tre breza ropit i pat kjo shpi.

Je kjën nipi i Mir Çunit,

ç’ i ka kjen  burrë daji,

i dalluem për besë e për hijeshi,

shumë ke dalë plakë n’Malësi,

qysh prej Kuçit e deri n’Shqipni,

tue pajtue gjaqe n’Malësi,

ini  t’shkruem tash n’histori…”

Vargjet e vajtimit për Kolë Bardhin Kërcaj përbëjnë një akt të qartë vlerësimi kolektiv dhe një dëshmi të fuqishme të rolit të tij shoqëror në Malësi. Ato e paraqesin atë si plak të urtë, autoritet moral dhe pajtues gjaqesh, si bartës të traditës folklorike dhe si trashëgimtar të një dere të njohur për besë, hijeshi dhe burrëri. Figura e tij shfaqet jo vetëm në dimensionin familjar, por në atë komunitar dhe ndërkrahinor, nga Kuçi deri në Shqipëri. Vlerësimi ini t’shkruem tash n’histori” përfaqëson formën tradicionale të kanonizimit popullor, përmes së cilës Kolë Bardhi kalon nga kujtesa gojore në kujtesën historike. Në këtë mënyrë, ai mbetet shembull i gjallë i njeriut që përmes urtësisë, pajtimit dhe fjalës së matur kontribuoi në ruajtjen e harmonisë shoqërore dhe identitetit kulturor të Malësisë.

Përfundim

Kolë Bardhi Kërcaj ndërroi jetë në dhjetor 1991, duke lënë pas një familje të madhe: djem, vajza, nipa, mbesa, stërnipa e stërmbesa dhe mbi të gjitha një trashëgimi morale të jashtëzakonshme. Ai mbetet figurë simbol e Malësisë: burrë i urtë, pajtues, lahutar, vajtor dhe njeri i besës — një jetë që përfaqëson dinjitetin e kulturës malësore shqiptare.

Kjo figurë autoritare në Malësi  përfaqëson unitetin e traditës malësore, trimërinë dhe forcën e bashkimit familjar dhe fisnor. Roli i tij si vajtor, si burrë i kuvendeve dhe pjesëmarrës aktiv në ngjarjet historike të Malësisë, ruan një trashëgimi të vyer për studiuesit e folklorit, historisë dhe antropologjisë shqiptare. Trashëgimia e tij vazhdon përmes brezave të rinj që ruajnë dhe pasurojnë traditën e vajit dhe ritet malësore. Ai mbetet shembull i burrërisë malësore, i fisnikërisë së heshtur dhe i solidaritetit njerëzor — një figurë që jeton në kujtesën kolektive të Kojës dhe të gjithë Malësisë.

Sot, Kolë Bardhi jeton në kujtesën e njerëzve të vet, në vargjet e vajtimit, në besën e trashëguar dhe në historinë e pashkruar të maleve. Sepse ka njerëz që ikin, dhe ka njerëz që mbesin — Kolë Bardhi është ndër ata që mbesin.