E hene, 16.03.2026, 10:10 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Rilindasit, ata që e blenë kombin... dhe këta që e shesin

E hene, 16.03.2026, 06:58 PM


Rilindasit, ata që e blenë kombin... dhe këta që e shesin

Nga Albert Vataj

Historia jonë është një paradoks i dhimbshëm ku sakrifica dhe lakmia shtrëngojnë duart përmes shekujve. Në njërën anë qëndrojnë Rilindasit, ata që me gjak, penë dhe pasuri të shkrirë, e blenë këtë komb duke e shkulur nga kthetrat e harresës dhe asimilimit. Në anën tjetër, shfaqet klasa politike e sotme, e cila duket se e ka gjetur rrugën e shtruar vetëm për ta përdorur si Pazar, pa vramendjen e një premtimi të bërë dhe amaneti të lënë. Sot, ne jetojmë në një epokë ku shteti që u ndërtua me idealet e atyre që dhanë gjithçka, po shitet dhe zhvatet, linçohet e sakatohet nga ata që s’kanë dhënë asgjë, duke mos ndalur para asgjëje... as moralit.

Burrat e vërtetë të çështjes kombëtare duket sikur kanë mbetur në një kohë që tashmë na flet nga largësia e historisë, nga kujtesa që del nga harrimi kremteve, për t’u zhdukur sërish nëpër raftet e pluhurosura dhe simpoziumet shabllone.

Ata u shuan bashkë me epokën e madhe të “Rilindjes Kombëtare”, atë kohë kur ideali për kombin nuk ishte një slogan i shterur, por një besë e dhënë me gjithë qenien, një amanet që nuk e tret as dheu. Ishin njerëz që nuk e matën kurrë atdheun me peshoren e përfitimit, por me përmasën e sakrificës. Për ta, Shqipëria nuk ishte një mundësi, por një detyrim moral; jo një privilegj për t’u gëzuar, por një barrë për t’u mbajtur me dinjitet.

Ata e blenë përkushtimin ndaj kombit jo me fjalë, por me gjithçka që kishin, me pasurinë e tyre, me mundin e përditshëm, me zellin e pashtershëm dhe me sakrificat që shpesh i çonin drejt varfërisë, mërgimit apo vdekjes. Nuk pritën kurrë të pyesnin se çfarë mund të bënte vendi për ta. Përkundrazi, e ndjenë si detyrë të shenjtë të bënin gjithçka për vendin e tyre. Ata u ngritën kundër errësirës së gjatë të sundimit osman, kundër një sistemi që për shekuj kërkoi të shurdhonte kujtesën dhe të shkelte dinjitetin, që na ndaloi të flisnim gjuhën e nënës, të këndonim me zërin tonë, të qanim me dhimbjen tonë, të ëndërronim një të ardhme që të na përkiste.

Ishte një përbindësh historik që synonte të na shndërronte në një popull pa zë dhe pa kujtesë. Por përballë tij u ngritën ata burra të rrallë, mëmëdhetarë të vërtetë, që e kuptuan se një komb nuk jeton vetëm me tokën, por me shpirtin që e mban atë gjallë. Ata e rikthyen këtë shpirt përmes gjuhës, përmes shkronjës, përmes flamurit dhe përmes idesë së atdheut si një shtëpi e përbashkët ku nderi dhe liria janë themelet.

Falë tyre, ne u bëmë me gjuhë që të na bashkonte, me flamur që të na përfaqësonte dhe me atdhe që të na jepte emër në hartën e botës. Ata e ndërtuan këtë me duar të zbrazëta, por me zemra të mbushura me një besim të palëkundur.

Dhe megjithatë, kur hedhim sytë mbi kohën tonë, pyetja lind e rëndë dhe e pashmangshme:

Po sot?

Sot duket sikur atdheu është shndërruar në një lopë për t’u mjelë. Një flamur për t’u tundur në ceremoni dhe për t’u harruar në ndërgjegje. Një tokë për pazare dhe për marrëveshje të fshehta. Një çështje për t’u përdorur si monedhë tregu. Një identitet për t’u tretur në harresë dhe për t’u shpërbërë në interesa të vogla.

Fjalët “komb” dhe “atdhe” shpesh tingëllojnë si dekor retorik në skenën e politikës, ndërsa në thelb ato janë zbrazur nga përmbajtja që dikur i bënte të shenjta. Ideali është zëvendësuar nga kalkulimi; sakrifica nga oportunizmi; ndërsa përgjegjësia nga justifikimi.

Kështu, çështja kombëtare, ajo që dikur ndezi zemrat e një brezi të tërë dhe i bëri njerëzit të flijonin gjithçka, sot duket sikur nuk është më në axhendë. Ajo është lënë në periferi të ndërgjegjes sonë kolektive, si një relike e një kohe heroike që e përmendim me nostalgji, por rrallë e jetojmë me përkushtim.

Dhe ndoshta tragjedia më e madhe nuk është se ata burra kanë vdekur.

Tragjedia është se ideali për të cilin ata jetuan dhe vdiqën rrezikon të mbetet jetim në kohën tonë.

Nëse historia do të ishte një bilanc kontabël, Shqipëria do të ishte rasti më i rëndë i keqmenaxhimit të aseteve. Rilindasit tanë ishin 'investitorët' e parë të këtij trualli. Ata që e blenë dinjitetin dhe identitetin tonë kur bota na shihte si thjesht një provincë pa emër. Rilindasit investuan jetën dhe shpirtin që ky komb të kishte një emër, një gjuhë, një kufi, një flmur, identitet dhe integritet, kulturë dhe trashëgimi. Por tragjedia qëndron te fakti se ata e blenë këtë komb me aq mund, vetëm që politikanët e sotëm të kishin më në fund diçka me vlerë për të nxjerrë në shitje, për të ngopur ambiciet e sëmura të përfitimeve... në emër të kombit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Leximi si dashuria, një përjetim përtej kohës dhe hapësirës Albert Vataj: William Shakespeare për gruan, një mesazh i pavdekshëm i shpirtit Albert Vataj: George Orwell dhe Aldous Huxley, ata që paralajmëruan për një botë që kërcënohej nga dhimbja dhe kënaqësia Albert Vataj: Këndimi i Himnit të Flamurit në Shkolla, detyrues me qarkore shtetërore që nga 3 marsi i vitit 1937 Albert Vataj: Ndahet nga jeta Mane Lumani, këputet zëri i dytë i "Katërshes Magjike" të "Parodistëve të Vlorës" Albert Vataj: Si e sfidoi Vatikanin, Mozarti, në moshën 14-vjeçare, duke i "vjedhur" pjesën e famshme korale Albert Vataj: Ermal Meta, me “Stella Stellina” solli në Sanremo një akt besimi në fuqinë e artit Albert Vataj: Shkodra... Shkodra asht kafshim malli Albert Vataj: Hannah Arendt, një predikuese e kurajshme e besimit te e vërteta dhe të menduarit Albert Vataj: O zog shtegtimtar, mësoja fluturimin e ardhjes dhe këndimin e shqipes, zogjve Albert Vataj: Gjurme në historinë e një kremteje Albert Vataj: Virginia Woolf mbi vetësakrifikimin e grave, si normalitet në marrëdhënie me burrat Albert Vataj: Skënder Sallaku, një jetë e mbrujtur me të qeshura Albert Vataj: Azem Shkreli, më i zëshmi zë i këndimit të kushtrimshëm të fjalës së shpirtshme Albert Vataj: Dhimbja e ndarjes nuk është vetëm "në kokën tonë", por në çdo rrahje zemre dhe në çdo qelizë Albert Vataj: “Amaneti i Tylit” çon “Daja dhe Nipi”, nga “Portokalli” në Teatrin “Migjeni” Albert Vataj: Bruno Shllaku, aktori i prezencës së fuqishme skenike, ky kalorës i fushëbetejave të artit të shenjtërisë së fjalës Albert Vataj: Biblioteka rritet dhe unë vogëlohem, nën peshën e ëndrrës për të zotëruar dritën e dijes Albert Vataj: Kur Nënë Tereza, shpirti shqiptar i mëshirës lartësohej në mirënjohjen indiane, “Bharat Ratna” Albert Vataj: 20 vite nga kalimi në amshim i Ibrahim Rugovës

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx