| E hene, 16.03.2026, 06:58 PM |

Rilindasit, ata që e blenë kombin... dhe këta që e shesin
Nga
Albert Vataj
Historia
jonë është një paradoks i dhimbshëm ku sakrifica dhe lakmia shtrëngojnë duart
përmes shekujve. Në njërën anë qëndrojnë Rilindasit, ata që me gjak, penë dhe
pasuri të shkrirë, e blenë këtë komb duke e shkulur nga kthetrat e harresës dhe
asimilimit. Në anën tjetër, shfaqet klasa politike e sotme, e cila duket se e
ka gjetur rrugën e shtruar vetëm për ta përdorur si Pazar, pa vramendjen e një
premtimi të bërë dhe amaneti të lënë. Sot, ne jetojmë në një epokë ku shteti që
u ndërtua me idealet e atyre që dhanë gjithçka, po shitet dhe zhvatet, linçohet
e sakatohet nga ata që s’kanë dhënë asgjë, duke mos ndalur para asgjëje... as
moralit.
Burrat
e vërtetë të çështjes kombëtare duket sikur kanë mbetur në një kohë që tashmë
na flet nga largësia e historisë, nga kujtesa që del nga harrimi kremteve, për
t’u zhdukur sërish nëpër raftet e pluhurosura dhe simpoziumet shabllone.
Ata
u shuan bashkë me epokën e madhe të “Rilindjes Kombëtare”, atë kohë kur ideali
për kombin nuk ishte një slogan i shterur, por një besë e dhënë me gjithë
qenien, një amanet që nuk e tret as dheu. Ishin njerëz që nuk e matën kurrë
atdheun me peshoren e përfitimit, por me përmasën e sakrificës. Për ta,
Shqipëria nuk ishte një mundësi, por një detyrim moral; jo një privilegj për
t’u gëzuar, por një barrë për t’u mbajtur me dinjitet.
Ata
e blenë përkushtimin ndaj kombit jo me fjalë, por me gjithçka që kishin, me
pasurinë e tyre, me mundin e përditshëm, me zellin e pashtershëm dhe me
sakrificat që shpesh i çonin drejt varfërisë, mërgimit apo vdekjes. Nuk pritën
kurrë të pyesnin se çfarë mund të bënte vendi për ta. Përkundrazi, e ndjenë si
detyrë të shenjtë të bënin gjithçka për vendin e tyre. Ata u ngritën kundër
errësirës së gjatë të sundimit osman, kundër një sistemi që për shekuj kërkoi
të shurdhonte kujtesën dhe të shkelte dinjitetin, që na ndaloi të flisnim
gjuhën e nënës, të këndonim me zërin tonë, të qanim me dhimbjen tonë, të
ëndërronim një të ardhme që të na përkiste.
Ishte
një përbindësh historik që synonte të na shndërronte në një popull pa zë dhe pa
kujtesë. Por përballë tij u ngritën ata burra të rrallë, mëmëdhetarë të
vërtetë, që e kuptuan se një komb nuk jeton vetëm me tokën, por me shpirtin që
e mban atë gjallë. Ata e rikthyen këtë shpirt përmes gjuhës, përmes shkronjës,
përmes flamurit dhe përmes idesë së atdheut si një shtëpi e përbashkët ku nderi
dhe liria janë themelet.
Falë
tyre, ne u bëmë me gjuhë që të na bashkonte, me flamur që të na përfaqësonte
dhe me atdhe që të na jepte emër në hartën e botës. Ata e ndërtuan këtë me duar
të zbrazëta, por me zemra të mbushura me një besim të palëkundur.
Dhe
megjithatë, kur hedhim sytë mbi kohën tonë, pyetja lind e rëndë dhe e
pashmangshme:
Po
sot?
Sot
duket sikur atdheu është shndërruar në një lopë për t’u mjelë. Një flamur për
t’u tundur në ceremoni dhe për t’u harruar në ndërgjegje. Një tokë për pazare
dhe për marrëveshje të fshehta. Një çështje për t’u përdorur si monedhë tregu.
Një identitet për t’u tretur në harresë dhe për t’u shpërbërë në interesa të
vogla.
Fjalët
“komb” dhe “atdhe” shpesh tingëllojnë si dekor retorik në skenën e politikës,
ndërsa në thelb ato janë zbrazur nga përmbajtja që dikur i bënte të shenjta.
Ideali është zëvendësuar nga kalkulimi; sakrifica nga oportunizmi; ndërsa
përgjegjësia nga justifikimi.
Kështu,
çështja kombëtare, ajo që dikur ndezi zemrat e një brezi të tërë dhe i bëri
njerëzit të flijonin gjithçka, sot duket sikur nuk është më në axhendë. Ajo
është lënë në periferi të ndërgjegjes sonë kolektive, si një relike e një kohe
heroike që e përmendim me nostalgji, por rrallë e jetojmë me përkushtim.
Dhe
ndoshta tragjedia më e madhe nuk është se ata burra kanë vdekur.
Tragjedia
është se ideali për të cilin ata jetuan dhe vdiqën rrezikon të mbetet jetim në
kohën tonë.
Nëse
historia do të ishte një bilanc kontabël, Shqipëria do të ishte rasti më i
rëndë i keqmenaxhimit të aseteve. Rilindasit tanë ishin 'investitorët' e parë
të këtij trualli. Ata që e blenë dinjitetin dhe identitetin tonë kur bota na
shihte si thjesht një provincë pa emër. Rilindasit investuan jetën dhe shpirtin
që ky komb të kishte një emër, një gjuhë, një kufi, një flmur, identitet dhe
integritet, kulturë dhe trashëgimi. Por tragjedia qëndron te fakti se ata e
blenë këtë komb me aq mund, vetëm që politikanët e sotëm të kishin më në fund
diçka me vlerë për të nxjerrë në shitje, për të ngopur ambiciet e sëmura të
përfitimeve... në emër të kombit.