Kulturë
Hysni Cara: Gjon Marku - 'Drejt Arbërisë'
E hene, 16.03.2026, 06:54 PM

Sakrifica dhe Trashëgimia Kulturore në Romanin Historik '...Drejt Arbërisë' të Gjon Markut
Nga
Hysni Cara
Leximi i romanit "...Drejt Arbërisë" të autorit Gjon
Marku lë një përshtypje të thellë për stilin e përdorur në përshkrimin e
ngjarjeve dhe për fokusin analitik të autorit, si dhe për përdorimin e gjuhës
së kujdesshme, të pasur dhe të gjerë, ku çdo fjalë ka peshë dhe zë vend me
kuptim të plotë. Kjo qasje krijon një përvojë leximi të angazhuar dhe të
gjallë, ku lexuesi shndërrohet pothuajse në protagonist të ngjarjeve.
Romani trajton periudhën
pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, kur Shqipëria dhe shumë territore përreth, të
pushtuara nga osmanët për afro pesë shekuj, u përballën me një shtypje të egër
dhe të vazhdueshme. Gjon Marku shpalos në mënyrë të detajuar luftën dhe sakrificën
e popullit shqiptar kundër këtij regjimi, duke përqendruar vëmendjen tek kleri
katolik shqiptar, i cili, megjithëse shpesh vritej dhe masakrohej, përpiqej të
ruante gjuhën, fenë, zakonet dhe identitetin kulturor të popullit të vet.
Një dimension i veçantë i
rezistencës lidhet me ata që nuk pranonin të myslimanizoheshin, ndonëse
pashallarët turq bënin çmos për të ndryshuar zakonet dhe fenë e popullit, duke
synuar asimilimin dhe tjetërsonin identitetin kombëtar. Përballë këtyre
sfidave, shqiptarët kërkonin të ruanin vetveten dhe trashëgiminë kulturore.
Gjon Marku ndalet në këtë
periudhë historike, duke u fokusuar tek figura e Papa Klementit XI, një
shqiptar i origjinës, i cili përpiqej të mbronte dhe të dokumentonte sakrificën
e katolikëve shqiptarë. Ky popull nuk dorëzonte armët, nuk paguante taksat dhe
nuk pranonin të dërgonin djemtë e tyre në nizam, gjë që intensifikonte luftën
me pushtuesit osmanë. Në këtë kontekst, pas një marrëveshjeje me Stambollin,
Papa Klementi autorizon dërgimin e dy klerikëve, Atë Filipit dhe Atë Xhuzepit,
për të monitoruar dhe dokumentuar gjendjen e katolikëve në Shqipëri, si dhe për
të dërguar në Romë të gjitha materialet historike të këtij territori.
Duke u mbështetur në fakte
historike të njohura me kujdes, Gjon Marku i vendos klerikët në Arbëri dhe në
Venecie, ku ata kontribuojnë në mënyrë të madhe, falë dhe shoqëruesve të tyre,
Besnikut dhe Gjin Burrërorit, që nga Gjakova, Mirditë. Në këtë kontekst,
tradita e mikpritjes dhe e respektit ndaj të huajve shihet si vlerë e shenjtë,
jo vetëm për mikun, por edhe për atdheun, gjuhën dhe fenë.
Autori thekson se Shqipëria
nuk ishte kurrë e ndarë në kantone si Spanja apo Gjermania; në zemër të kombit
jetonte një popull që, me krenari dhe sakrificë, mbronte territorin, gjuhën dhe
identitetin e vet. Katolikët e veriut, veçanërisht Mirdita, ishin një komunitet
që për më shumë se dy mijë vjet kishte ruajtur zakonet dhe fenë e tyre, duke
rezistuar çdo goditjeje dhe duke ruajtur traditat si askund tjetër. Gjon Marku
i trajton këto tradita me mjeshtëri artistike, duke i integruar në mënyrë
harmonike me ambientin, i cili duket se Zoti e kishte bekuar vetëm për
shqiptarët.
Territori i Arbërit, që
ruante trashëgiminë kulturore, përballohej me sulmet e pushtuesve të pa
mëshirshëm, të pabesë dhe të pangopur, të cilët synonin nënshtrimin e popullit
dhe vendosjen e pushtetit, fesë dhe zakoneve të tyre, por nuk ia arrinin
qëllimit.
Një nga aspektet më të
spikatura të romanit është përdorimi i gjuhës së figurshme dhe i togfjalëshave
poetikë, që të bëjnë të përjetosh ngjarjen si protagonist: "qielli
i vrugët", "muzg i buzëmbrrëmjes", "truall
i prushte", "edhe dryrët rënkojnë", "udhënajes
majëkodre", "mallet kreshtëmurrme", "ujedhesa
e kretës" etj. Ngjarjet lëvizin në hapësira të gjera:
nga Roma në Stamboll, nga Kreta në Mirditë, Krujë, Rodon, Durrës dhe Hunavi, ku
tehu i shpatës nuk ndalet, dhe heronjtë këndohen me lahutë.
Ky roman historik, i lexuar
dhe rilexuar, është ndër të paktët që trajton një periudhë ku mungojnë
dokumentet e plota, duke paraqitur një tablo të asaj kohe të errët, të trajtuar
artistikisht dhe me bukuri. Libri duhet të jetë pjesë e bibliotekës së çdo
mirditasi dhe shqiptari, pasi ofron një pasqyrë të gjallë të historisë dhe
traditave.
Autori harmonizon luftën
dhe sakrificën me virtytet e besës, mikpritjes dhe burrërisë, duke i lidhur ato
me kodin e vetëqeverisjes, Kanunin, që ruante identitetin dhe traditat e
popullit kundër asimilimit.
Një tjetër dimension i
veçantë është ruajtja e gjuhës shqipe, ku klerikët katolikë përpiqeshin të
pagëzonin fëmijët dhe të kryenin meshën në shqip, duke përdorur libra si Meshari,
që Gjon Marku e konsideron një Kësonbul, dhe duke u përpjekur
të shkollonin fëmijët pavarësisht kushteve të vështira të kohës.
Për mua ishte fat që munda
ta gjej këtë botim, ta lexoj dhe të përjetoj emocionet dhe ndjesitë e
periudhës, edhe pse nuk mund të qëndroja indiferent. Me modesti, përpiqem të
ndaj disa nga këto përjetime. Gjon Marku është një intelektual i rangut të
lartë, i cili ka realizuar botime serioze në poezi, tregime, ese, romane,
studime historike e filatelike, monografi dhe kritika letrare, duke bërë krenar
çdo mirditas prej nga ka origjinën.
Unë e përgëzoj autorin për
realizimin e këtij botimi, për arritjet e tij, dhe i uroj suksese të mëtejshme
në fushën e krijimtarisë dhe të studimeve.









