E hene, 16.03.2026, 10:07 PM (GMT)

Kulturë

Hysni Cara: Gjon Marku - 'Drejt Arbërisë'

E hene, 16.03.2026, 06:54 PM


Sakrifica dhe Trashëgimia Kulturore në Romanin Historik '...Drejt Arbërisë' të Gjon Markut

Nga Hysni Cara

Leximi i romanit "...Drejt Arbërisë" të autorit Gjon Marku lë një përshtypje të thellë për stilin e përdorur në përshkrimin e ngjarjeve dhe për fokusin analitik të autorit, si dhe për përdorimin e gjuhës së kujdesshme, të pasur dhe të gjerë, ku çdo fjalë ka peshë dhe zë vend me kuptim të plotë. Kjo qasje krijon një përvojë leximi të angazhuar dhe të gjallë, ku lexuesi shndërrohet pothuajse në protagonist të ngjarjeve.

Romani trajton periudhën pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, kur Shqipëria dhe shumë territore përreth, të pushtuara nga osmanët për afro pesë shekuj, u përballën me një shtypje të egër dhe të vazhdueshme. Gjon Marku shpalos në mënyrë të detajuar luftën dhe sakrificën e popullit shqiptar kundër këtij regjimi, duke përqendruar vëmendjen tek kleri katolik shqiptar, i cili, megjithëse shpesh vritej dhe masakrohej, përpiqej të ruante gjuhën, fenë, zakonet dhe identitetin kulturor të popullit të vet.

Një dimension i veçantë i rezistencës lidhet me ata që nuk pranonin të myslimanizoheshin, ndonëse pashallarët turq bënin çmos për të ndryshuar zakonet dhe fenë e popullit, duke synuar asimilimin dhe tjetërsonin identitetin kombëtar. Përballë këtyre sfidave, shqiptarët kërkonin të ruanin vetveten dhe trashëgiminë kulturore.

Gjon Marku ndalet në këtë periudhë historike, duke u fokusuar tek figura e Papa Klementit XI, një shqiptar i origjinës, i cili përpiqej të mbronte dhe të dokumentonte sakrificën e katolikëve shqiptarë. Ky popull nuk dorëzonte armët, nuk paguante taksat dhe nuk pranonin të dërgonin djemtë e tyre në nizam, gjë që intensifikonte luftën me pushtuesit osmanë. Në këtë kontekst, pas një marrëveshjeje me Stambollin, Papa Klementi autorizon dërgimin e dy klerikëve, Atë Filipit dhe Atë Xhuzepit, për të monitoruar dhe dokumentuar gjendjen e katolikëve në Shqipëri, si dhe për të dërguar në Romë të gjitha materialet historike të këtij territori.

Duke u mbështetur në fakte historike të njohura me kujdes, Gjon Marku i vendos klerikët në Arbëri dhe në Venecie, ku ata kontribuojnë në mënyrë të madhe, falë dhe shoqëruesve të tyre, Besnikut dhe Gjin Burrërorit, që nga Gjakova, Mirditë. Në këtë kontekst, tradita e mikpritjes dhe e respektit ndaj të huajve shihet si vlerë e shenjtë, jo vetëm për mikun, por edhe për atdheun, gjuhën dhe fenë.

Autori thekson se Shqipëria nuk ishte kurrë e ndarë në kantone si Spanja apo Gjermania; në zemër të kombit jetonte një popull që, me krenari dhe sakrificë, mbronte territorin, gjuhën dhe identitetin e vet. Katolikët e veriut, veçanërisht Mirdita, ishin një komunitet që për më shumë se dy mijë vjet kishte ruajtur zakonet dhe fenë e tyre, duke rezistuar çdo goditjeje dhe duke ruajtur traditat si askund tjetër. Gjon Marku i trajton këto tradita me mjeshtëri artistike, duke i integruar në mënyrë harmonike me ambientin, i cili duket se Zoti e kishte bekuar vetëm për shqiptarët.

Territori i Arbërit, që ruante trashëgiminë kulturore, përballohej me sulmet e pushtuesve të pa mëshirshëm, të pabesë dhe të pangopur, të cilët synonin nënshtrimin e popullit dhe vendosjen e pushtetit, fesë dhe zakoneve të tyre, por nuk ia arrinin qëllimit.

Një nga aspektet më të spikatura të romanit është përdorimi i gjuhës së figurshme dhe i togfjalëshave poetikë, që të bëjnë të përjetosh ngjarjen si protagonist: "qielli i vrugët", "muzg i buzëmbrrëmjes", "truall i prushte", "edhe dryrët rënkojnë", "udhënajes majëkodre", "mallet kreshtëmurrme", "ujedhesa e kretës" etj. Ngjarjet lëvizin në hapësira të gjera: nga Roma në Stamboll, nga Kreta në Mirditë, Krujë, Rodon, Durrës dhe Hunavi, ku tehu i shpatës nuk ndalet, dhe heronjtë këndohen me lahutë.

Ky roman historik, i lexuar dhe rilexuar, është ndër të paktët që trajton një periudhë ku mungojnë dokumentet e plota, duke paraqitur një tablo të asaj kohe të errët, të trajtuar artistikisht dhe me bukuri. Libri duhet të jetë pjesë e bibliotekës së çdo mirditasi dhe shqiptari, pasi ofron një pasqyrë të gjallë të historisë dhe traditave.

Autori harmonizon luftën dhe sakrificën me virtytet e besës, mikpritjes dhe burrërisë, duke i lidhur ato me kodin e vetëqeverisjes, Kanunin, që ruante identitetin dhe traditat e popullit kundër asimilimit.

Një tjetër dimension i veçantë është ruajtja e gjuhës shqipe, ku klerikët katolikë përpiqeshin të pagëzonin fëmijët dhe të kryenin meshën në shqip, duke përdorur libra si Meshari, që Gjon Marku e konsideron një Kësonbul, dhe duke u përpjekur të shkollonin fëmijët pavarësisht kushteve të vështira të kohës.

Për mua ishte fat që munda ta gjej këtë botim, ta lexoj dhe të përjetoj emocionet dhe ndjesitë e periudhës, edhe pse nuk mund të qëndroja indiferent. Me modesti, përpiqem të ndaj disa nga këto përjetime. Gjon Marku është një intelektual i rangut të lartë, i cili ka realizuar botime serioze në poezi, tregime, ese, romane, studime historike e filatelike, monografi dhe kritika letrare, duke bërë krenar çdo mirditas prej nga ka origjinën.

Unë e përgëzoj autorin për realizimin e këtij botimi, për arritjet e tij, dhe i uroj suksese të mëtejshme në fushën e krijimtarisë dhe të studimeve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx