Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Leximi si dashuria, një përjetim përtej kohës dhe hapësirës
E shtune, 14.03.2026, 06:56 PM
Leximi si dashuria, një përjetim përtej kohës dhe hapësirës
Nga
Albert Vataj
Ekzistojnë
dy botë ku ligjet e fizikës dorëzohen dhe ku ora pushon së trokituri. Faqja e
një libri dhe rrahja e shpejtuar e një zemre, njëjt e shndërrojnë në magji të
frytshmen e çasteve të epjes.
Italo
Calvino, një nga arkitektët e gjithëpranuar të letërsisë moderne, na tregon se
të lexosh nuk është thjesht një proces intelektual, apo një qasje për të
ngulmuar kah drita, por një akt dorëzimi, i ngjashëm me atë të rënies kokë e
këmbë në dashuri.
Në
këtë udhëkryq ndjesish, në këtë rrokaqiellje përjetimi, ku fjala shndërrohet në
mish dhe shikimi në përjetësi, ne zbulojmë se njeriu nuk ka nevojë për harta
për të udhëtuar, por për shpirt. Calvino na fton në një territor ku kufijtë mes
reales dhe imagjinares shkrihen, duke na dëshmuar se dashuria dhe leximi janë
dy anët e të njëjtës medalje, përpjekja jonë sublime për të sfiduar
vdekshmërinë dhe epja si ajo e një alkimisti për të shndërruar gjithçka që prek
dhe përjeton në ar.
Calvino,
kur e krahason leximin me dashurinë në një mënyrë që shkon përtej metaforës së
zakonshmërisë, e sublimon atë. Ai na fton të shohim se si të dyja, si leximi
ashtu edhe dashuria, krijojnë një realitet tjetër, përtej imagjinatives dhe
idilikes, ku koha dhe hapësira nuk janë më të matshme me orë dhe kilometra, por
me ndjesi dhe përjetime.
Dashuria
është një udhëtim ku momentet e lumturisë mund të zgjasin përjetësisht në
mendje, ndërsa çastet e dhimbshme na rrëmbejnë në një pafundësi pa dalje. Po
kështu ndodh edhe me leximin, kur humbasim në faqet e një libri, orët
shndërrohen në çaste dhe çastet në përjetësi. Një libwr i bukur na zhvendos në
një botë tjetër, na hedh brenda një kohe që nuk ndjek më ritmin e zakonshëm të
jetës sonë, duke shpërbërë të gjithë ligjësitë për të na zhytur thellë brenda
vetes.
Në
dashuri, si dhe në lexim, hapësira zgjerohet dhe shtrëngohet sipas ndjesive.
Një prekje, një shikim, një fjalë e thënë me dashuri mund të krijojë universin
më të gjerë, ndërsa një mungesë, një ndarje, mund ta ngushtojë botën deri në
një pikë që vështirë se merr frymë. Po kështu, një faqe libri mund të jetë një
portë drejt pafundësisë, një horizont që vazhdon të zgjerohet sa më shumë që
lexojmë, duke na bërë të harrojmë dhomën ku jemi ulur, qytetin jashtë dritares,
apo edhe trupin tonë fizik që vazhdon të marrë frymë në këtë botë.
Ajo
që i bashkon më së shumti dashurinë dhe leximin është se të dyja janë përvoja
të brendshme, të paprekshme dhe megjithatë më reale se realiteti vetë. Një
zemër që dashuron dhe një mendje që lexon janë të destinuara të mos ndihen
kurrë vetëm, sepse të dyja ekzistojnë në një përmasë ku koha dhe hapësira nuk
maten me rregulla fizike, por me intensitetin e ndjenjës dhe thellësinë e
përjetimit.
Ne
nuk lexojmë për të kaluar kohën, ashtu siç nuk dashurojmë për të mbushur
vetminë, ne e bëjmë sepse kemi nevojë të vërtetojmë se jemi të pafundëm. Sipas
vizionit të Calvinos, dashuria dhe leximi janë dy aktet më të larta të
rebelimit kundër kufizimeve tona njerëzore.
Kur
mbyllim një libër që na ka tronditur, ose kur ndahemi nga një përqafim që na ka
dhënë jetë, ne nuk kthehemi më në të njëjtën dhomë, na pamundësohet të rivijmë
tek të njëjtat çaste. Hapësira ka ndryshuar, sepse ne jemi zgjeruar. Në këtë
alkimi të shenjtë, ku shkronja bëhet emocion dhe emocioni bëhet kujtesë, ne
kuptojmë të vërtetën e madhe, jeta nuk matet me frymëmarrje, por me çastet që
na e marrin frymën. Dhe ashtu si Calvino na mësoi, sa kohë që ka një libër për
t'u hapur dhe një zemër për t'u njohur, ne nuk do të jemi kurrë thjesht
udhëtarë, por krijues të universeve tona.

(Në foto: Libri që kam në dorë, të cilin po e rilexoj, “Autobus për në Parajsë” të italiano-amerikanit, Leo Buscaglia, na tregon rrugën drejt; më shumë dashurie dhe lumturie, dhe e bën këtë duke na këshilluar se si të shikojmë përreth nesh dhe të gjejmë kënaqësi në gjërat e thjeshta, në ushqim, në lule, në muzikë, në vallëzim, në libra, në art, në kujtime, në familjet tona dhe në dashuri. Ju këshilloj të hipni në “Autobusin për në Parajsë”, është udhëtimi më i rëndësishëm që këni bërë ndonjëherë.)









