E shtune, 14.03.2026, 10:58 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Leximi si dashuria, një përjetim përtej kohës dhe hapësirës

E shtune, 14.03.2026, 06:56 PM


Leximi si dashuria, një përjetim përtej kohës dhe hapësirës

Nga Albert Vataj

Ekzistojnë dy botë ku ligjet e fizikës dorëzohen dhe ku ora pushon së trokituri. Faqja e një libri dhe rrahja e shpejtuar e një zemre, njëjt e shndërrojnë në magji të frytshmen e çasteve të epjes.

Italo Calvino, një nga arkitektët e gjithëpranuar të letërsisë moderne, na tregon se të lexosh nuk është thjesht një proces intelektual, apo një qasje për të ngulmuar kah drita, por një akt dorëzimi, i ngjashëm me atë të rënies kokë e këmbë në dashuri.

Në këtë udhëkryq ndjesish, në këtë rrokaqiellje përjetimi, ku fjala shndërrohet në mish dhe shikimi në përjetësi, ne zbulojmë se njeriu nuk ka nevojë për harta për të udhëtuar, por për shpirt. Calvino na fton në një territor ku kufijtë mes reales dhe imagjinares shkrihen, duke na dëshmuar se dashuria dhe leximi janë dy anët e të njëjtës medalje, përpjekja jonë sublime për të sfiduar vdekshmërinë dhe epja si ajo e një alkimisti për të shndërruar gjithçka që prek dhe përjeton në ar.

Calvino, kur e krahason leximin me dashurinë në një mënyrë që shkon përtej metaforës së zakonshmërisë, e sublimon atë. Ai na fton të shohim se si të dyja, si leximi ashtu edhe dashuria, krijojnë një realitet tjetër, përtej imagjinatives dhe idilikes, ku koha dhe hapësira nuk janë më të matshme me orë dhe kilometra, por me ndjesi dhe përjetime.

Dashuria është një udhëtim ku momentet e lumturisë mund të zgjasin përjetësisht në mendje, ndërsa çastet e dhimbshme na rrëmbejnë në një pafundësi pa dalje. Po kështu ndodh edhe me leximin, kur humbasim në faqet e një libri, orët shndërrohen në çaste dhe çastet në përjetësi. Një libwr i bukur na zhvendos në një botë tjetër, na hedh brenda një kohe që nuk ndjek më ritmin e zakonshëm të jetës sonë, duke shpërbërë të gjithë ligjësitë për të na zhytur thellë brenda vetes.

Në dashuri, si dhe në lexim, hapësira zgjerohet dhe shtrëngohet sipas ndjesive. Një prekje, një shikim, një fjalë e thënë me dashuri mund të krijojë universin më të gjerë, ndërsa një mungesë, një ndarje, mund ta ngushtojë botën deri në një pikë që vështirë se merr frymë. Po kështu, një faqe libri mund të jetë një portë drejt pafundësisë, një horizont që vazhdon të zgjerohet sa më shumë që lexojmë, duke na bërë të harrojmë dhomën ku jemi ulur, qytetin jashtë dritares, apo edhe trupin tonë fizik që vazhdon të marrë frymë në këtë botë.

Ajo që i bashkon më së shumti dashurinë dhe leximin është se të dyja janë përvoja të brendshme, të paprekshme dhe megjithatë më reale se realiteti vetë. Një zemër që dashuron dhe një mendje që lexon janë të destinuara të mos ndihen kurrë vetëm, sepse të dyja ekzistojnë në një përmasë ku koha dhe hapësira nuk maten me rregulla fizike, por me intensitetin e ndjenjës dhe thellësinë e përjetimit.

Ne nuk lexojmë për të kaluar kohën, ashtu siç nuk dashurojmë për të mbushur vetminë, ne e bëjmë sepse kemi nevojë të vërtetojmë se jemi të pafundëm. Sipas vizionit të Calvinos, dashuria dhe leximi janë dy aktet më të larta të rebelimit kundër kufizimeve tona njerëzore.

Kur mbyllim një libër që na ka tronditur, ose kur ndahemi nga një përqafim që na ka dhënë jetë, ne nuk kthehemi më në të njëjtën dhomë, na pamundësohet të rivijmë tek të njëjtat çaste. Hapësira ka ndryshuar, sepse ne jemi zgjeruar. Në këtë alkimi të shenjtë, ku shkronja bëhet emocion dhe emocioni bëhet kujtesë, ne kuptojmë të vërtetën e madhe, jeta nuk matet me frymëmarrje, por me çastet që na e marrin frymën. Dhe ashtu si Calvino na mësoi, sa kohë që ka një libër për t'u hapur dhe një zemër për t'u njohur, ne nuk do të jemi kurrë thjesht udhëtarë, por krijues të universeve tona.

(Në foto: Libri që kam në dorë, të cilin po e rilexoj, “Autobus për në Parajsë” të italiano-amerikanit, Leo Buscaglia, na tregon rrugën drejt; më shumë dashurie dhe lumturie, dhe e bën këtë duke na këshilluar se si të shikojmë përreth nesh dhe të gjejmë kënaqësi në gjërat e thjeshta, në ushqim, në lule, në muzikë, në vallëzim, në libra, në art, në kujtime, në familjet tona dhe në dashuri. Ju këshilloj të hipni në “Autobusin për në Parajsë”, është udhëtimi më i rëndësishëm që këni bërë ndonjëherë.)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: William Shakespeare për gruan, një mesazh i pavdekshëm i shpirtit Albert Vataj: George Orwell dhe Aldous Huxley, ata që paralajmëruan për një botë që kërcënohej nga dhimbja dhe kënaqësia Albert Vataj: Këndimi i Himnit të Flamurit në Shkolla, detyrues me qarkore shtetërore që nga 3 marsi i vitit 1937 Albert Vataj: Ndahet nga jeta Mane Lumani, këputet zëri i dytë i "Katërshes Magjike" të "Parodistëve të Vlorës" Albert Vataj: Si e sfidoi Vatikanin, Mozarti, në moshën 14-vjeçare, duke i "vjedhur" pjesën e famshme korale Albert Vataj: Ermal Meta, me “Stella Stellina” solli në Sanremo një akt besimi në fuqinë e artit Albert Vataj: Shkodra... Shkodra asht kafshim malli Albert Vataj: Hannah Arendt, një predikuese e kurajshme e besimit te e vërteta dhe të menduarit Albert Vataj: O zog shtegtimtar, mësoja fluturimin e ardhjes dhe këndimin e shqipes, zogjve Albert Vataj: Gjurme në historinë e një kremteje Albert Vataj: Virginia Woolf mbi vetësakrifikimin e grave, si normalitet në marrëdhënie me burrat Albert Vataj: Skënder Sallaku, një jetë e mbrujtur me të qeshura Albert Vataj: Azem Shkreli, më i zëshmi zë i këndimit të kushtrimshëm të fjalës së shpirtshme Albert Vataj: Dhimbja e ndarjes nuk është vetëm "në kokën tonë", por në çdo rrahje zemre dhe në çdo qelizë Albert Vataj: “Amaneti i Tylit” çon “Daja dhe Nipi”, nga “Portokalli” në Teatrin “Migjeni” Albert Vataj: Bruno Shllaku, aktori i prezencës së fuqishme skenike, ky kalorës i fushëbetejave të artit të shenjtërisë së fjalës Albert Vataj: Biblioteka rritet dhe unë vogëlohem, nën peshën e ëndrrës për të zotëruar dritën e dijes Albert Vataj: Kur Nënë Tereza, shpirti shqiptar i mëshirës lartësohej në mirënjohjen indiane, “Bharat Ratna” Albert Vataj: 20 vite nga kalimi në amshim i Ibrahim Rugovës Albert Vataj: Sot në përvjetorin e 558 të kalimit në përjetësi të Skënderbeut, udhëprijësit arbër që u ngjit në legjendë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx