Faleminderit
Ndue Dedaj: Baca Pal, një “Sokrat” mes Munellës dhe Myzeqesë
E shtune, 14.03.2026, 06:55 PM
Njihuni me këtë fisnik të racës tonë
BACA
PAL, NJË “SOKRAT” MES MUNELLËS DHE MYZEQESË
NGA
NDUE DEDAJ
Thirrej
Pal Nikoll Marku, me emrin e gjatë si të malësorëve të origjinës. Kishte një
portret artisti në rini (e pleqëri), por jo si i Dorian Greit, pasi në rastin e
“personazhit” tonë luan jeta me të e jo ai me jetën. Ishte lindur më 28 prill
1926 në fshatin Kalivare/ Kimzë, rrëzë malit të Munellës, që nga ana
administrative shkonte me rrethin e Pukës. I “përkundur” nga shushurima e
gjetheve të lisit, ahut e pishës dhe valëzimet e Fanit të Madh, si një djep i
lashtë i trevës së Mirditës. Sot Pali ynë do të ishte njëqind vjeç. Një njeri
që zor ta ngërthesh mes epitetesh, sado i pakursyer të jesh me to. Ishte një
shqiptar i racës, që ndërthurte aq mirë klasiken me bashkëkohoren. Për njerëzit
e thjeshtë e Myzeqesë mes të cilëve rronte, ishte një bacë malësor nga anët e
Munellës, i cili mbante mustaqe spic si aristokratët. Diplomohet në Beograd për
sinoptikë dhe titullohet oficer i aviacionit shqiptar. Do të tregonte lëvizjen
e avionëve nga aerodromet duke “komanduar” qiellin nga toka me tejqyra, një
zakon që nga koha e Kopernikut e Gjon Gazullit. Ruhet ndonjë fotografi e
oficerit elegant, në krah të aviatorëve të shquar, si Niko Hoxha, tek kundron
lëvizjen e avionëve në Kuçovën e naftës, që qe pagëzuar me emrin “Qyteti
Stalin”.
Karriera
e Palit do të niste në kryeqytet. Në vitin 1948 ai krijon për herë të parë
shërbimin e Sinoptikës shqiptare, pranë Aeroportit të Tiranës, duke u emëruar
shefi i Stacionit Qendror të saj. Bën pjesë në elitën kryeqytetase të mbas
Luftës, si një intelektual i shkolluar dhe me interesa studimore. Profesioni do
ta largonte nga Tirana dhe do ta çonte atje ku kishte më shumë fluturime dhe ku
po përqendrohej aviacioni ushtarak. Do të ishte me siguri një shkencëtar i
motit, pasi më 1956, bashkë me një autor bullgar, paraqet një studim për klimën
e Shqipërisë në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë. Jo rastësisht një vit më
vonë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dekorohet me motivacionin “për punë
shkencore”. Ka pasur njohje me personalitete të fushave të ndryshme, çka e
tregojnë dhe fotografitë e tij, me Zenel Islamin, Ismet Elezin, Çun Jonuzin,
Ndrek Lucën, Nasho Jorgaqin, Dritëro Agollin, Frrok Haxhinë, Lipe Nashin,
Xhevahir Spahiun, Moikom Zeqon, Mustafa Nanon, Piro Naçen etj.
Simbolika
do të ishte në natyrën e tij. E para gjë që bën, e merr vendlindjen me vete,
përmes një filizi pishe që e shkul në Munellë dhe e mbjell në një lulishte të
Kuçovës, që më vonë të do njihej si Pisha e Pal Nikoll Markut, që shpresojmë të
jetë dhe sot me ndonjë mbishkrim, pasi “brezat ndërrohen/ e kohët harrojnë”,
thuhet në një poezi.
Teksa
e priste një karrierë e shkëlqyer në profesion, në vitin 1961 befas Partia e
flak Palin nga radhët e saj, për bashkëpunim me armiqtë, domethënë e
“pushkaton” politikisht. Kjo nuk është ndonjë metaforë e krijuar prej nesh, por
kështu quhej në gjuhën zyrare përjashtimi nga radhët e Partisë – pushkatim
politik. Bolshevizmi kishte prodhuar të pushkatuarit e gjallë, që nuk e merrnin
kurrë më veten, për gjithë jetën. Goditja e shumë intelektualëve në këtë kohë
shpjegohet me panikun që kishte kapur udhëheqjen komuniste shqiptare pas
prishjes me Bashkimin Sovjetik, ku tashmë shihej si armik çdo person që kishte
pasur lidhje me vendet revizioniste të Lindjes. Pali pas kësaj shkon një vit
bari dhish në Munellë, në pritje të përgjigjes së letrës, që i kishte çuar
Enver Hoxhës, për ndëshkimin e padrejtë, por nuk tundej “madhëria” e tij nga
froni i luftës së klasave. Para tij askush nuk ishte asgjë. Dhe u kthye Pali
punëtor në naftë (!). Por Biblioteka tekniko-shkencore e Naftës, që krijohet në
vitin 1963 në Kuçovë, donte një njeri erudit dhe njohës të gjuhëve të huaja, që
ta drejtonte dhe kush më mirë se Pali do ta bënte këtë, pa qenë nevoja të vinte
dikush tjetër nga Tirana. Fotografia e tij në atë bibliotekë i ngjet asaj të
Fishtës në bibliotekën françeskane në Gjuhadol, me rafte të lartë plot me libra
deri në tavan. Ndoshta dhe mbi atë shëmbëllesë e kishte krijuar Pali, që e
kishte pas vizituar Shkodrën qysh fëmijë, pasi atje kishte shërbyer në
xhandarmëri i ati, duke marrë prej atij qyteti “urdhrin” e heshtur për
shkollimin e të bijve.
Baca
Pal nuk rronte dot pa librin, ishte në njëfarë mënyre mishërim i tij, çka e
dëshmonte dhe biblioteka vetjake me rreth pesë mijë libra shqip dhe në gjuhë të
huaja, në një banesë të vogël në Patos. Njeri erudit dhe poliglot, një lloj
“Sokrati” i kohës së vet, që dinte përmendësh “Ferrin” e Dante Aligerit dhe
krejt “Lahutën e Malcis” të Gjergj Fishtës. Në shenjë adhurimi dhe nderimi,
shkon me një “përgamenë” të shkruar prej vetë atij te varri i poetit të madh
fiorentin në Ravena, ndërkohë që poeti kombëtar i dheut të tij nuk kishte varr,
ngaqë ia kishin tretur nga toka që i këndoi me hove homerike e hedhur në Drin.
Vite më parë, sipas rrëfimit të miqve të tij në Patos, pasi Baca Pal qe shuar,
kemi botuar një shkrim të gjatë, se si ai në rrethana kritike të përndjekjes,
në fillim të viteve ’70, teksa punonte shkrirës metali në shkritoren e uzinës
mekanike të naftës në Patos, pati mësuar pëmendësh krejt poemën “Lahuta e
Malcis”!?...
Kemi
pasur fatin ta njihnim nga afër Bacën Pal, siç e thërrisnin të gjithë në
Myzeqe. Por duhet thënë se qemë njohur ende pa u takuar. Në vitin 1999 qe
botuar libri im “Toka e Katedraleve”, një kopje të të cilit e kishte marrë me
vete drejt Italisë njëri nga të afërmit e mi, Ladi. Teksa po e shfletonte në
traget, libri kishte tërhequr vëmendjen e një burri të fisëm që gjithashtu po
udhëtonte drejt tokës italiane. Ky me mirësjellje ia kishte kërkuar librin dhe
kishte vazhduar ta lexonte për “gjithë natën”, duke bërë dhe një shënim
vlerësues në pjesën e brendshme të kopertinës. Do të takoheshim me Palin për
herë të parë në prill të vitit 2006 në vendlindjen e tij, ku ai vinte pas aq
kohësh i ftuar në 95-vjetorin e Qeverisë së Kimzës, organizuar nga komuna e
Gjegjanit, që i kishte dhënë dhe një titull nderi. Do të shiheshim dhe më pas,
në shtëpinë e tij në Patos, ku u njohëm dhe me familjen e tij, si dhe në
Apolloni, kur do të priste gjimnazistët e Rrëshenit etj., duke bërë për ta
ciceronin, në qytetin antik ku në lashtësi kishte shkelur Mark Antoni. Pali,
njeriu i qiellit kishte dhunti poeti, shkruante herë pas here tekste këngësh,
njëra sosh kushtuar naftëtarit, kompozuar nga kompozitori i njohur shkodran
Zef Leka, muzikant në Kuçovë, autor i
këngës mbarëpopullore “Qingji i vogël”, i cili që pati fatin e keq të shumë
intelektualëve të elitës, burgosjen politike, teksa po plotësonte librezën e
pensionit.
Pali
kishte dhe një vëlla më të vogël, Dedën, të zotin si veten në punë të diturisë,
diplomuar si gjeolog në Bashkimin Sovjetik dhe përmendet si i pari shqiptar
që ka shkelur në Polin e Veriut gjatë
kohës që ishte student. Të dy vëllezërit i lidhi jeta me pasuritë nëntokësore,
njërin në Jug e tjetrin në Veri, Palin me naftën (edhe pse nuk kishte qenë
zanati i tij), kurse Dedën kryesisht me bakrin dhe mineralet e tjera me ngjyra
të vendlindjes, “kretakët” e Munellës, që iu kushtoi dhe një studim, me të
cilin fitoi titullin doktor i shkencave gjeologjike.
I
pari që e solli në vëmendjen e publikut këtë figurë emblematike, që kurrë nuk
iu shua buzëqeshja dhe mirësia, ishte studiuesi dhe ish - kryetari i komunës së
Gjegjanit Mark Mesuli, përmes monografisë së mirëpritur “Skifteri i Munellës”
(2009), që do të shërbejë dhe për dokumentarin e Televizionit Shqiptar, që po
realizon këto ditë me përkushtim regjisorja Vasilika Londo, edhe me nxitjen e
bashkëshortit të saj, artistit të mirënjohur Kiço Londo, i cili ka qenë një mik
i hershëm i Bacës Pal në Patos, ashtu si dhe Toli Shabani, Kozma Çuko, Balil
Balili etj.
Pilotët
ishin miqtë e tij të rinisë, jetën e të cilëve e kishte ai në “dorë”, ndër të
cilët dhe Frrok Prenga nga Kimza e vendlindjes, me të cilin e shohim në
fotografi. Ai nuk donte asesi që shtegtarët e qiellit të binin dëshmorë e të
bëheshin heronj, përderisa Atdheu ishte në paqe. Por ja që kjo ndodhi e ai do
të përcillte me dhimbje të thellë mikun e tij Niko Hoxha.
Pali
ishte një bashkëbisedues i pashoq, i qeshur, i dijshëm, i mençur, që nuk
parapëlqente të fliste për veten, thënë ndryshe, “vuante” nga modestia,
ndërkohë që atëherë e sot ta “rrëmbejnë” fjalën ata që s’kanë asgjë për të
thënë, pos mburrjes provinciale për (pa)bëmat e tyre. Në kohën e demokracisë
Pali nuk qau “fatin” që i kishte rënë për hise në të shkuarën, por vazhdoi të
ishte vetvetja, tashmë si një person publik, që ftohej në promovime librash në
Fier etj., në TV “Puka” në intervistë për jetën e tij të dallgëzuar, në Patos
ku do t’i bëheshin nderime etj.
Kemi
shkruar disa herë për Bacën Pal pa na e kërkuar askush dhe po i rikthehemi
sërish profilit të tij njerëzor jo të zakonshëm, ngaqë fisnikët si ai po
rrallohen dita-ditës dhe nuk duam të na humbasë kujtesa e tyre. Si mund të
vazhdojë të mbetet dhe sot e kësaj dite i “panjohur” një shqiptar i racës, një
princ i diturisë, që fliste e shkruante në disa gjuhë, që kishte pasion librin,
bibliotekat, filozofët, shkrimtarët, të cilët i citonte pareshtur dhe i
përkthente, si poetin bullgar Hristo Botev, poetin italian Vincenzo Monti etj.
Ka
shumë vite që Baca Pal nuk rron, por ai sërish “ecën” nëpër Mirditë, Myzeqe e
Tiranë, “si një monument shëtitës”, siç është shprehur në të gjallë të tij një
publicist i njohur. Miqtë dhe të njohurit e tij e kujtojnë me mirënjohje,
komuniteti i Kuçovës, Patosit dhe më gjerë e ka nderuar gjithnjë këtë figurë
interesante humanisti, që regjimi i kaluar ia preu krahët, ndaj në këtë jubile
të tijin do të ishte i mirëpritur nderimi presidencial, që shpresojmë të
ndodhë.









