E merkure, 25.02.2026, 10:56 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Shkodra... Shkodra asht kafshim malli

E merkure, 25.02.2026, 06:55 PM


Shkodra... Shkodra asht kafshim malli

Nga Albert Vataj

Shkodra mundet me ken gjithqysh, por për andjen teme e dashnin e t'tanve asht nji kafshim malli në shpirt. Kjo ngase ajo asht shpirtnore para krejt tana gjasjeve t'tjera. E tue ndigju heshtjen ma zashëm se krejt tallazimet e liqenit, lyp shpirtje andjesh e përmallim zemrash, qi n'prehna kujtimesh trazintare behin.

E un' gjej prehje te stolisja e fjalëve e mallshëm za e zemër jam njiktu tue u rrëfy: Shkodër, u ba do kohë qi nuk kam ardh me t'pa, me u ndi i magjepsun prej hirit tand, me e ndigjue se si m'përshkojnë t'amëltat andje qi m'dalldisin tue m'lumnue.

S'erdha, jo ngase jam fort larg, por se diçka qi m'ban me faj, gjithnji s'mlen me ardh, me beh e me shue njat mall qi m'djeg.

Ndoshta duhet me m'dhimt bash fort mungimi jot, qi un me ndi ma thellë, e me vuejt ma shum.

Me zemër kam ardh, e n'shpirt t'kam ba vend, por prap s'u epa ku m'yshtin n'trazim kujtimet.

Kam ba mend, he sod e he nesër me bujt, e tanaheret nji pengim m'bahet sebep mos me ardh, si tue prit qi gjithnji t'vi te ti, kur kam hall a dert.

Pse u dashka me ken te ti, tue ik ma shpejt se tue ardh.

Shkodër, kam njaq mall për ty, njaq sa s'mundem me e shue edhe kur buj, thue se m'janë vu përmbas e duen me m'shkul rranjt e tuja qi vërshojnë n'mu si duhi ndjesish flakëruese.

Po të kujtoj gjithher, anipse tue u dogonis n'shpirt ngase s'po e gjej rrugën qi m'bjen atje.

Me sy t'skuqun e lotëve t'mallit, përpiqem me t'pa ma t'kthjellt, e me kqyr n'ty ma kjart, tançka gjegjet me m'nguc, e me m'nguc n'trazim shpirtin. Lypi me pa e me ndi gjanat qi rrëmbyshëm më marrin e më hedhin n'nji përjetim pikëllimi e malli, si tue dasht me sëmbu thellë n'mu gjendjen qi vitet ngucin me i mbulu me harrim.

Ndoshta diçka n'ty, tue u drasht me u fik harrimit, m'trazon tue m'marr në prehna kujtimesh, e tue m'çue ku e shkuemja m'ka prit e përcjell.

Pash ty, m'beso, djepi dhe parmenda jeme, për ty nuk ka harrim, kjo ngase jetoj me ty, e për ty. Përpiqem me ba ma t'mirën për vedi, tue mos harrue se krejtçka e njasaj pune me përkushtim, përulësi dhe përkorje, t'përket ty, sepse ti m'ke mëkue gjinin tand, n'ty kam çapitjen filluese t'hapit dhe sprovën me fluturue, tek ti kam kujtimet ma t'bukura, tek ti kam kalue vitet ma t'shumta, e ti më shpërbleve me gjanat qi sot më mungojnë.

E... në këtë mungim ti vjen tu m'përmallue, e ikën tue lan n'mu nji breng.

Shkodër, t'deshta e t'du, jo sepse mu deshte me t'përdor, por sepse prejse ika prej teje, ndij ma amësht, përjetoj ma vdirun, rrnoj si nji i syrgjynosun i fatit të vet.

E megjithatë n'ty s'pat kurrë hatërmbetje, as atëherë kur ta kthyem shpinën, as masandej qi, kur tue dasht me u krenue me ty, i çuem gjanat n'teprim.

Ti dite me na dasht e me na dhan njaq shum', e na u rrekem, qi tue mos me t'harrue, me ba diçka për ty, me kriju si tue dasht me i'a blatue më t'shtrenjtat gjana shejtnis tande.

Shkodër, ti, ke ken, je e ke me mbet shejtnesh, me bekue çdo shpirt e çdo zemër, qi vullnetmir, gjithçka qi e nalton dhe e krenon, e bjen prap n'prehnin tand si fmijën e xanun n'faj, si un tue u rrëfi e lyp falje.

(Fotot e kolazhit janë huajt nga miku jem, Terenc Pepa)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Hannah Arendt, një predikuese e kurajshme e besimit te e vërteta dhe të menduarit Albert Vataj: O zog shtegtimtar, mësoja fluturimin e ardhjes dhe këndimin e shqipes, zogjve Albert Vataj: Gjurme në historinë e një kremteje Albert Vataj: Virginia Woolf mbi vetësakrifikimin e grave, si normalitet në marrëdhënie me burrat Albert Vataj: Skënder Sallaku, një jetë e mbrujtur me të qeshura Albert Vataj: Azem Shkreli, më i zëshmi zë i këndimit të kushtrimshëm të fjalës së shpirtshme Albert Vataj: Dhimbja e ndarjes nuk është vetëm "në kokën tonë", por në çdo rrahje zemre dhe në çdo qelizë Albert Vataj: “Amaneti i Tylit” çon “Daja dhe Nipi”, nga “Portokalli” në Teatrin “Migjeni” Albert Vataj: Bruno Shllaku, aktori i prezencës së fuqishme skenike, ky kalorës i fushëbetejave të artit të shenjtërisë së fjalës Albert Vataj: Biblioteka rritet dhe unë vogëlohem, nën peshën e ëndrrës për të zotëruar dritën e dijes Albert Vataj: Kur Nënë Tereza, shpirti shqiptar i mëshirës lartësohej në mirënjohjen indiane, “Bharat Ratna” Albert Vataj: 20 vite nga kalimi në amshim i Ibrahim Rugovës Albert Vataj: Sot në përvjetorin e 558 të kalimit në përjetësi të Skënderbeut, udhëprijësit arbër që u ngjit në legjendë Albert Vataj: Shkodra, 14 Janari 1990, historia që nisi si shpresë dhe përfundoi si faj Albert Vataj: Robert Ndrenika, aktori që shndërroi çdo rol në monument të artit tonë skenik Albert Vataj: Mary Sherman Morgan, një grua gjeni që u mbulua me harrim Albert Vataj: Klea Marku, një yll i ri rroku që shkëlqen vezullimshëm në galaksinë “X Factor Kids Albania” Albert Vataj: At' Gjergj Fishta, gurëthemeli i qenësishëm i vetëdijes sonë kombëtare Albert Vataj: Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit Blerim Latifi: Kërshëndellat, kujtesë se jemi të moçëm në gjeografinë fizike e shpirtërore të Europës

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx