E enjte, 12.02.2026, 05:52 AM (GMT)

Mendime

Lekë Mrijaj: Dikur na zgjonin sirenat, sot na rrezikon heshtja

E merkure, 11.02.2026, 06:55 PM


Nëse dikur sirenat e fenomeneve natyrore (tërmeteve...) na lajmëronin dhe na zgjonin për të na mbrojtur jetën, sot heshtja jonë rrezikon ta lërë atë në mëshirë të fatit

Shkruan: Lekë Mrijaj

Para më shumë se një orë e gjysmë (diku kah ora 22:05') një tërmet i fuqishëm është ndier në qytetin e Klinës dhe në shumë pjesë të Republikës së Kosovës dhe në një pjesë të rajonit. Dridhjet e tokës rikthyen frikën, pasigurinë dhe pyetjen e përhershme se sa jemi të përgatitur përballë fatkeqësive natyrore? Në ato momente ankthi u kuptua qartë se mungon paralajmërimi, mungon organizimi dhe mungon një reagim i koordinuar institucional në nivel lokal dhe shtetëror.

E them me plot kuptimin e fjalës se absolutisht nuk jam nostalgjik i asaj kohe apo i kohës së komunizmit. Megjithatë, ka gjëra nga e kaluara që, për të mirë, ia vlejnë të kujtohen dhe të analizohen seriozisht, si nga pushtetet komunale në Republikën e Kosovës, ashtu edhe nga vetë qytetarët. Njëra ndër këto është mënyra se si dikur paralajmëroheshin qytetarët për rreziqet dhe fatkeqësitë natyrore.

E mbaj mend nga fëmijëria ime se në qytetin tim, në Klinë, gjatë viteve '70 dhe '80, ekzistonin sirena paralajmëruese për fenomene natyrore, sidomos në raste tërmetesh apo rreziqesh të tjera. Ishin persona të caktuar nga komuna, si dhe nga policia e qytetit, të cilët kishin për detyrë të lajmëronin qytetarët për rreziqe si tërmetet, përmbytjet apo fatkeqësi të tjera natyrore. Sirena ishte një sinjal i qartë se diçka e rrezikshme po ndodhte dhe se duhej vepruar me kujdes dhe përgjegjësi.

Kur dëgjohej sirena, qytetarët menjëherë duhej të zbrisnin nga banesat e larta dhe nga shtëpitë e tyre. Edhe pse mundësitë ishin të kufizuara dhe kushtet e jetesës nuk ishin të mira, qytetarët e Klinës e dinin se duhej të ishin të kujdesshëm dhe të mbronin veten dhe familjet e tyre. Ky paralajmërim krijonte një ndjenjë bashkësie dhe përgjegjësie të përbashkët përballë rrezikut.

Ndërsa sot, megjithëse jetojmë në kohë më të zhvilluara dhe më moderne dhe kemi në dispozicion më shumë teknologji, duket se si institucionet komunale, ashtu edhe ne si qytetarë, jemi më pak të përgatitur për këto rreziqe. Paradoksalisht, përparimi teknologjik nuk është shoqëruar gjithmonë me rritje të sigurisë dhe me kujdes më të madh për jetën njerëzore.

Në qytetet e Republikës së Kosovës janë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen shumë ndërtesa të larta, shpesh me ose pa kritere të qarta sigurie. Në shumë raste mungon planifikimi i duhur dhe kujdesi i mjaftueshëm për mbrojtjen e banorëve. Në raste rreziku, veçanërisht gjatë tërmeteve, banorët e këtyre ndërtesave mbeten të pasigurt dhe të papërgatitur.

Nuk ka paralajmërime të qarta, nuk organizohen ushtrime emergjente, as nëpër shkolla, dhe qytetarët nuk janë gjithmonë të informuar se si duhet të veprojnë në situata rreziku. Kjo mungesë informimi dhe përgatitjeje e rrit rrezikun dhe i bën pasojat e fatkeqësive natyrore edhe më të rënda.

Është e vertetë se fatkeqësitë natyrore nuk mund të ndalohen, sepse ato janë pjesë e natyrës. Por pasojat e tyre mund të zvogëlohen ndjeshëm nëse shoqëria jonë është e përgatitur dhe e vetëdijshme. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që institucionet komunale dhe shtetërore të kujdesen seriozisht për sigurinë e njerëzve, ndërsa qytetarët, sidomos të rinjtë, të informohen dhe të edukohen për mënyrat e mbrojtjes.

Kujtimi i sirenave të asaj kohe nuk do të thotë kthim pas në të kaluarën, por një thirrje e përbashkët për më shumë përgjegjësi dhe kujdes në të tashmen. Sepse qytetet nuk janë vetëm ndërtesa të larta, por mbi të gjitha janë vetë qytetarët, dhe jeta e tyre duhet të mbrohet. Kjo është përgjegjësi e secilit prej nesh.

Nëse dikur sirenat e fenomeneve natyrore na lajmëronin dhe na zgjonin për të na mbrojtur jetën, sot heshtja jonë rrezikon ta lërë atë në mëshirë të fatit.

Klinë, më 10 shkurt 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Zholi: Flet Prof. Dr. Lush Susaj - Po vuajmë pasojat e qeverisjeve kaotike me njerëz pa kulturë, pa atdhedashuri, pa shpirt e pa ndjenja kombëtare Argetina Tanushi Aquino: Interpretimi Kulturor i Performancës së Bad Bunny në Super Bowl LX Halftime Show Isuf B. Bajrami: Përshkrimi i Vilajetit të Janinës në Shqipëri Fahri Xharra: Pse nuk kishte albanofobi serbe para shekullit 19-të? Presidentja Vjosa Osmani: Lufta e UÇK-së, e drejtë dhe e pastër Bashkim Saliasi: Psikologjia e zhvillimit të fëmijës Idriz Zeqiraj: 'Bordi i Paqes', shprehje e mirënjohjes dhe miqësisë amerikane Romeo Gurakuqi: Tetëdhjetë vjet nga martirizimi i Etërve të Kombit Idriz Zeqiraj: Opozita bllokuese imponoi zgjedhjet, por e pësoi keqas Isuf B. Bajrami: Vështrim juridik dhe faktik mbi ICC-në, OKB-në dhe Këshillin e Evropës Florim Zeqa: Referendum për kryetar të LDK-së! Ilir Çumani: Diagnoza koniciane e një kombi që refuzon pjekurinë Vladimir Shyti: Politikantët shqiptarë dalin nga hiçi Kristaq Turtulli: Letër e hapur për Kryeministrin Edi Rama Fritz Radovani: 115 vjet, O Ded Gjo’ Luli (4) Kalosh Çeliku: Hajdutët e shtetit “të përbashkët” Idriz Zeqiraj: Shpifjet denigruese ndaj Presidentes Vjosa, normë e opozitës çoroditëse Asllan Dibrani (Luani): Përçarja e kombit po shkatërron gjithçka - Dorëheqja e Naim Tërnavës dhe Bashkësisë Islame te Kosovës është urgjente Kalosh Çeliku: Im atë ishte burrë i natës, jo i ditës së sotme Florim Zeqa: Fitoi 'minihamburgeri' antirugovist në LDK!

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx