Mendime
Lekë Mrijaj: Dikur na zgjonin sirenat, sot na rrezikon heshtja
E merkure, 11.02.2026, 06:55 PM
Nëse dikur sirenat e fenomeneve natyrore (tërmeteve...) na lajmëronin dhe na zgjonin për të na mbrojtur jetën, sot heshtja jonë rrezikon ta lërë atë në mëshirë të fatit
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Para
më shumë se një orë e gjysmë (diku kah ora 22:05') një tërmet i fuqishëm është
ndier në qytetin e Klinës dhe në shumë pjesë të Republikës së Kosovës dhe në
një pjesë të rajonit. Dridhjet e tokës rikthyen frikën, pasigurinë dhe pyetjen
e përhershme se sa jemi të përgatitur përballë fatkeqësive natyrore? Në ato
momente ankthi u kuptua qartë se mungon paralajmërimi, mungon organizimi dhe
mungon një reagim i koordinuar institucional në nivel lokal dhe shtetëror.
E
them me plot kuptimin e fjalës se absolutisht nuk jam nostalgjik i asaj kohe
apo i kohës së komunizmit. Megjithatë, ka gjëra nga e kaluara që, për të mirë,
ia vlejnë të kujtohen dhe të analizohen seriozisht, si nga pushtetet komunale
në Republikën e Kosovës, ashtu edhe nga vetë qytetarët. Njëra ndër këto është
mënyra se si dikur paralajmëroheshin qytetarët për rreziqet dhe fatkeqësitë
natyrore.
E
mbaj mend nga fëmijëria ime se në qytetin tim, në Klinë, gjatë viteve '70 dhe
'80, ekzistonin sirena paralajmëruese për fenomene natyrore, sidomos në raste
tërmetesh apo rreziqesh të tjera. Ishin persona të caktuar nga komuna, si dhe
nga policia e qytetit, të cilët kishin për detyrë të lajmëronin qytetarët për
rreziqe si tërmetet, përmbytjet apo fatkeqësi të tjera natyrore. Sirena ishte
një sinjal i qartë se diçka e rrezikshme po ndodhte dhe se duhej vepruar me
kujdes dhe përgjegjësi.
Kur
dëgjohej sirena, qytetarët menjëherë duhej të zbrisnin nga banesat e larta dhe
nga shtëpitë e tyre. Edhe pse mundësitë ishin të kufizuara dhe kushtet e
jetesës nuk ishin të mira, qytetarët e Klinës e dinin se duhej të ishin të
kujdesshëm dhe të mbronin veten dhe familjet e tyre. Ky paralajmërim krijonte
një ndjenjë bashkësie dhe përgjegjësie të përbashkët përballë rrezikut.
Ndërsa
sot, megjithëse jetojmë në kohë më të zhvilluara dhe më moderne dhe kemi në
dispozicion më shumë teknologji, duket se si institucionet komunale, ashtu edhe
ne si qytetarë, jemi më pak të përgatitur për këto rreziqe. Paradoksalisht,
përparimi teknologjik nuk është shoqëruar gjithmonë me rritje të sigurisë dhe
me kujdes më të madh për jetën njerëzore.
Në
qytetet e Republikës së Kosovës janë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen shumë
ndërtesa të larta, shpesh me ose pa kritere të qarta sigurie. Në shumë raste
mungon planifikimi i duhur dhe kujdesi i mjaftueshëm për mbrojtjen e banorëve.
Në raste rreziku, veçanërisht gjatë tërmeteve, banorët e këtyre ndërtesave
mbeten të pasigurt dhe të papërgatitur.
Nuk
ka paralajmërime të qarta, nuk organizohen ushtrime emergjente, as nëpër
shkolla, dhe qytetarët nuk janë gjithmonë të informuar se si duhet të veprojnë
në situata rreziku. Kjo mungesë informimi dhe përgatitjeje e rrit rrezikun dhe
i bën pasojat e fatkeqësive natyrore edhe më të rënda.
Është
e vertetë se fatkeqësitë natyrore nuk mund të ndalohen, sepse ato janë pjesë e
natyrës. Por pasojat e tyre mund të zvogëlohen ndjeshëm nëse shoqëria jonë
është e përgatitur dhe e vetëdijshme. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme
që institucionet komunale dhe shtetërore të kujdesen seriozisht për sigurinë e
njerëzve, ndërsa qytetarët, sidomos të rinjtë, të informohen dhe të edukohen
për mënyrat e mbrojtjes.
Kujtimi
i sirenave të asaj kohe nuk do të thotë kthim pas në të kaluarën, por një
thirrje e përbashkët për më shumë përgjegjësi dhe kujdes në të tashmen. Sepse
qytetet nuk janë vetëm ndërtesa të larta, por mbi të gjitha janë vetë
qytetarët, dhe jeta e tyre duhet të mbrohet. Kjo është përgjegjësi e secilit
prej nesh.
Nëse
dikur sirenat e fenomeneve natyrore na lajmëronin dhe na zgjonin për të na
mbrojtur jetën, sot heshtja jonë rrezikon ta lërë atë në mëshirë të fatit.
Klinë, më 10 shkurt 2025









