Mendime
Albert Zholi: Flet Prof. Dr. Lush Susaj - Po vuajmë pasojat e qeverisjeve kaotike me njerëz pa kulturë, pa atdhedashuri, pa shpirt e pa ndjenja kombëtare
E marte, 10.02.2026, 06:53 PM
Flet Prof. Dr. Lush SUSAJ:
Sot,
kemi një kalim nga qeverisja aristokratike e gjithëpërfshirëse e 1912, tek
qeverisjet kakistokratike e klanore të sotme
-Po
vuajmë pasojat e qeverisjeve kaotike me njerëz pa kulturë, pa atdhedashuri, pa
shpirt e pa ndjenja kombëtare.
-
Produkti i ëndrrës, sakrificës dhe punës së dëshmorëve dhe patriotëve të
Rilindjes Kombëtare që shkrinë jetën dhe pasurinë për të bashkuar, nuk zgjati
më shumë se sa 28 nëntori 1912
-
Ajo që bie në sy në çdo qeverisje të këtyre 113 viteve është përkeqësimi i
vazhdueshëm i imazhit, cilësisë dhe kapaciteteve të elitës drejtuese e
qeverisëse.
-
Askush nuk mund të krahasojë cilësinë e parlamentarëve dhe kabineteve të
qeverisjes së këtyre 82 viteve (1944-2026), me asamblenë dhe kabinetin prej 10
ministrash të Ismail Qemalit.
-Madje
edhe periudha e errët e komunizmit, për
hir të së vërtetës kishte ruajtur një dimension teknik, shkencorë,
meritokratikë, por edhe mjedisorë e kombëtarë.
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Politikanët shqiptarë sot nuk duken
aspak atdhetarë si rilindësit thuhet shpesh nga analistët. Rilindësit (Naimi,
Samiu, Frashërit, Ismail Qemali etj.) luftonin për: mbijetesën e kombit, gjuhën
shqipe, pavarësinë. Ata nuk kishin pushtet, as pasuri, as privilegje. Idealizmi
ishte motivi kryesor. Sot politikanët veprojnë në një shtet që tashmë ekziston,
ndaj nuk kanë më "kauzë ekzistenciale", por administrim pushteti.
Politika sot është profesion, jo mision. Për shumicën: politika karrierë, burim
pasurie dhe ndikimi, jo sakrificë personale, ndërsa rilindasit: rrezikonin
jetën, jetonin në varfëri, shkruanin, punonin, organizonin pa përfitim
personal. Sistemi prodhon interesa, jo ideale. Sot politika funksionon mbi:
parti, financime, klientelizëm, favore ekonomike. Kjo krijon politikan
pragmatist, jo idealist. Rilindja ishte lëvizje morale dhe kulturore, jo sistem
pushteti. Edhe populli sot duket se: voton për interesa, për punë, favore,
premtime, jo për ideale kombëtare, Pra politika është pasqyrë e shoqërisë, jo
vetëm faji i politikanëve. Në thelb Rilindësit ishin figura historike në kohë
tragjike.
Politikanët e sotëm janë produkte të një shoqërie tranzicioni dhe konsumiste.
Një fjali që e përmbledh: Rilindësit donin të krijonin shtetin, politikanët e sotëm duan ta shfrytëzojnë atë. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë më atdhetarë, por sistemi aktual i mbyt idealistët dhe shpërblen oportunistët. Ja si shprehet Prof. Lush Susaj...
Shtetformimi
ynë filloi me njerëz me nivel të lartë aristokratë, por lind pyetja ku kanë
përfunduar qeveritë e dekadave të fundit?
Qysh në
antikitet e deri në ditët e sotme është shkruar dhe folur aq shumë për
benefitet e qeverisjes meritokratike, aristokratike me më të mirët e shoqërisë.
Sikurse është folur e shkruar edhe për pasojat e qeverisjeve kaotike me
kakistokratë e me njerëz pa kulturë, pa atdhedashuri, pa shpirt e pa ndjenja
kombëtare.
Për mendimin
tim, produkti i ëndrrës, sakrificës dhe punës së dëshmorëve dhe patriotëve të
Rilindjes Kombëtare që shkrinë jetën dhe pasurinë për të bashkuar kombin e për
të ndërtuar shtetin e pavarur të Shqipërisë, nuk zgjati më shumë se sa periudha
28 nëntor 1912 e deri në maj të vitit 1913. Kjo është ajo periudha e shkurtër,
gjatë të cilës shteti njihej dhe respektohej nga të gjithë, sepse qëndronte mbi
një marrëveshje, ëndërr, taban, traditë dhe sakrificë të përbashkët. Sepse
shteti shqiptarë u projektua dhe u fillua mbi bazën e një marrëveshje
demokratike të moralshme e të qëndrueshme, në themel të së cilës qëndronte
gjithë përfshirja, përfaqësimi real, flamuri dhe interesi kombëtarë.
Në këtë realitet
historikë të periudhës maj 1913 e deri më sot që është data 9 shkurt 2026, ajo
që bie në sy në çdo qeverisje të këtyre 113 viteve është përkeqësimi i vazhdueshëm
i imazhit, cilësisë dhe kapaciteteve të elitës drejtuese e qeverisëse, aqsa
askush nuk mund të krahasojë cilësinë e parlamentarëve dhe kabineteve të
qeverisjes së këtyre 82 viteve (1944-2026), me asamblenë dhe kabinetin prej 10
ministrash të Ismail Qemalit. Ku cilësia dhe niveli kulturorë dhe atdhetar nga
njëra qeverisje në tjetrën është reduktuar në përmasa të frikshme.
Unë nuk guxoj që
të krahasoj cilësinë e parlamentit dhe të drejtuesve të sotëm të administratës
dhe institucioneve, as me periudhën e komunizmit, që për hir të së vërtetës qe
ruajtur një dimension teknik, shkencorë, meritokratikë, por edhe mjedisorë e kombëtarë.
Komunizmi na turpëron e kurrë mos ardhtë më, ama duhet të pranojmë edhe faktin
që profesionistët e fushave të ndryshme, e kishin mundësinë që të punonin në
profesionet e tyre, e në të mirë të kombit të tyre. Në këtë mënyrë, ndonëse në
kushtet e një varfërie të thellë ekonomike, deri në vitin 1990 u ruajtën
profesionistët, e bashkë me ta edhe ruajtur edhe diçka meritokratike nga
institucionet e ekonomisë, planifikimit, projektimit, zbatimit, kullimit,
ujitjes, bujqësisë, blegtorisë, arsimit, shëndetësisë, ushtrisë, mjedisit,
topografisë, etj. Në këtë mënyrë, sa herë që është kërkuar një zgjidhje e
qëndrueshme, ndonëse në kushte diktature, di që ka patur aristokratë dhe
meritokratë të fushave dhe profesioneve të ndryshme, që kanë ditur ta thonë
fjalën e tyre, e të bashkëpunojnë për zgjidhjen afatgjatë të problemeve të
ekonomisë dhe qeverisjes kombëtare. Ndërsa sot po stimulohet, nxitet dhe
avancohet ajo shkretëtira institucionale dhe intelektuale, e gjitha e mbuluar
me propagandën e njohur të dosjeve fiktive dhe atyre arritjeve imagjinare me
patronazhista, lëpirësa, konjukturalë, amoralë, hipokritë e pa asnjë ndjenje
përgjegjësie për shtetin dhe shoqërinë. Kjo bashkësi të pangopurish pa fe e
atdhe, nëse nuk stopohën me bashkim dhe reagim mbarë popullorë, dijeni që do të
vazhdojnë në rrugën e tyre të grykësisë, ku për t'i ngopur, nuk do të mund të
mjaftojnë postet dhe as pasuria kombëtare.
Për më tepër,
kjo specie e rrallë e korupsionit ka një "stomak " aq të pangopur me
korrupsion dhe hajni, që në dallim nga stomaku i ngopshëm i lopës, nuk do të
mund të ngopet as me jonxhën, misrin dhe kallamishtët e të gjitha tokave dhe
kënetave të botës.
Pra në
këtë situatë duhet një reagim qytetar?
Po, një reagim
për interesat e larta të Shqipërisë, e jo të hajnave dhe bandave të partisë.
Në këtë periudhë
të gjatë kohore, ajo që më shqetëson më shumë është rrëshqitja e vazhdueshme e
modelit të qeverisjeve aristokratike në modele të ulëta të një qeverisjeve
kakistokratike e të korruptuar, ku dija, kultura, teknologjia dhe atdhedashuria
nuk duhen për asgjë.
Në vitet
2012-2013, askush nuk e kishte menduar që do të vinte edhe dita e zezë, ku
blloku i vërtetë apo i gënjeshtërt në dorën e Ilir Metës do të dukej si një
gonxhe trëndafili, krahasuar me blloqet e ministrave, drejtorëve e zyrtarëve të
sotëm, të cilët janë kthyer në pengesën dhe belanë më të madhe për rininë dhe
elitën e Shqipërisë.
Qeverisja e
sotme, pa pikë dyshimi është e do të kujtohet si qeverisja dhe shembulli më i
arrirë i marrisë së degradimit të administratës dhe shtetit në kakistokraci,
nepotizëm, krahinizëm, korrupsion, hajni, përçarje dhe antishqiptari me
shpopullimin dhe varfërinë.
Kurrë dhe askund
nuk ka ndodhur që e gjithë qeverisja e një shteti të degradojë, e të kthehet në
inxhinieri njerëzish të marrë, që krijojnë dhe lubrifikojnë mekanizmin e
vrasjes së votës, të meritokracisë, të demokracisë përfaqësuese, të mirëqenies
dhe punësimit, të kohezionit shoqërorë e politikë të shoqërisë. Kanë krijuar e
po mbajnë një mekanizëm që ka në fokus vetëm si e si të zhbëjnë pluralizmin,
opozitarizmin dhe demokracinë, pa e kuptuar që kjo që po kërkojnë që të bëjnë,
është vrasja më e madhe ndaj lirisë dhe interesave jetike të kombit dhe
shoqërisë shqiptare. Sepse Shqipëria e sotme nuk ka skelet as muskuj për të
ndërtuar, e as për të përballuar një tjetër rënim ekonomikë e as një diktaturë
të re. Mendoj se është provuar fakti që diktaturat, në radhë të parë punojnë
dhe jetojnë për vetëdiskreditimin dhe fundin tragji-komik të tyre. Në këtë
rrugë të gjatë e të mbushur me vetëdiskreditime dhe tragjedi, nuk ka dhe kurrë
nuk mund të ketë të fituar. Përkundrazi, që të gjithë jemi të humbur. Që të
gjithë duhet të bëhemi qytearë të përgjegjshëm, e të kërkojmë zgjidhjen e
kontratës së qeverisjes me të korruptuarit dhe strukturat e nepotizmit dhe
hajnisë. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të jemi në shërbim të Shqipërisë,
shtëpisë sonë të përbashkët. Në këtë rrugë të ndarjes sa më parë nga degradimi
i qeverisjes, duhet me pas për busull nderin dhe dinjitetin e shqiptarit,
interesat afatgjata të Shqipërisë, e jo të hajnave e pangopurve të partisë.
Qysh në
antikitet, Platoni argumentonte se shteti duhet të udhëhiqet nga një
elitë e edukuar, e aftë për të drejtuar me drejtësi, duke shmangur korrupsionin
që vjen nga qeverisja e të pasurve. Që në antikitet është argumentuar fakti që
kur shteti dhe qeverisja kapën, zhgërryhen e degradojnë në korrupsion, populli
dhe elita duhet të kërkojnë gjenë më demokratike të kësaj bote, zgjidhjen e
menjëhershme të kontratës së qeverisjes.
Sepse mbi interesat
e secilit prej nesh dhe mbi flamurin e të gjitha partive dhe organizatave,
është dhe duhet të mbetët interesi dhe flamuri i Shqipërisë.
Kjo
revoltë e juaja qytetare dhe intelektuale ku e ka burimin?
Tek ai mendim i
lartë qytetare se pa kulturë dhe atdhetari, nuk mund të kemi shtet demokratik e
as Shqipëri ...
Sipas Padër Gjon
Shllakut, dështuam sepse askush nuk pati eksperiencën e duhur për të shtruar
drejtë para shoqërisë shqiptare dy çështje themelore siç ishin kultura dhe
atdhetarizmi, mbi të cilat do të mund të mbështeteshin e të përparonin ëndrrat
dhe përpjekjet e elitës shqiptare.
Antikultura e
hajdutit, grindavecit dhe çipit të vetmisë, nuk ka asnjë lidhje me kulturën që
orientohet kah dija, profesionalizmi, bashkëpunimi dhe bashkërendimi për një
përpjekje kolektive për me ra dakord për atë se çfarë është kultura shqiptare,
në mënyrë që kultura të na bëhet elementë bashkimi dhe ilaç për të rrafshuar e
shëndoshur individualizmat e tepruara, që shkaktojnë rrënimin e vetës dhe të
njëri tjetrit.
Kultura zbutë
dhe bashkon njerëzit e një kombi dhe popujt, e unë mendoj që Shqipëria nuk ka
nevojë për asgjë më shumë se sa për kulturë, që të mund të bashkohet në
interesat dhe vlerat reale të rinisë e të së ardhmes kombëtare, përtej
mendësisë dhe kufizimeve të mentalitetit të fanatikëve të politikës së vjetër
përçarëse dhe konfliktuale.
At Gjon Shllaku
ka shkruar që: "një qytetërim që është faqja e kulturës së ndjesive të një
populli, çon me doemos në bashkimin e plotë në të vërtetën, në të mirën e të
bukurën".
E përsëri në
fronin më të lartë qëndron kultura, sepse individi së pari është njeri i
kulturës më pas është atdhetarë. Sepse atdhedashurisë të secili prej nesh
formohet dhe piqet vetëm pas një zhvillimi të plotë kulturorë. Njërëzit e
pakulturuar nuk kanë asnjë lidhje me atdhedashurinë, përkundrazi shkëlqejnë në
fushat e hajnisë dhe tradhëtisë ndaj atdheut.
Atdhedashuria e
bën individin e përgjegjshëm e reagues për të drejtat e veta e të shoqërisë.
Çka dëshmon që shkalla e lartë e indiferencës, oportunizmit dhe mungesës së
reagimit të shoqërisë shqiptare, më shumë se asgjë tjetër ka për bazë goditjen
ndaj kulturës dhe nivelin e ulët kulturorë. Nga ku, për mendimin tim buron
qëndrimi armiqësorë, hipokritë e hajdutërorë i kakistokratëve dhe qeverisjeve
kakistokratike ndaj arsimit, shkencës, teknologjisë, transparencës, debatit,
mediave, etj. Në qeverisjet e korruptuara, kultura ekziston si një justifikim
dhe propagandë, ndërsa është e sulmuar për ta mbyllur dhe bërë sa më rakitike.
Është kultura ajo që kultivon tek rinia dhe popullsia dëshirën për të njohur
njëri tjetrin, tolerancën dhe bashkëpunimin, nga ku burojnë ndjesi dhe qëndrime
të përbashkëta e të sinqerta, edhe pse mund të ndajmë ide, besime dhe
këndvështrime të ndryshme. Sepse tek njerëzit e kulturuar ekziston dhe
funksionon mekanizmi i refuzimit të arrogancës, keqdashjes, ligësisë,
paragjykimeve, goditjes pas shpinde, etj. Sepse popujt dhe njerëzit e kulturuar
kanë zëmër të mirë e mëndje të hapur, besojnë në Zot dhe në vlerat më të larta
të jetës njerëzore, nuk nënshtrohen e as nuk shantazhohen, nuk nënshtrohen si
delet, shiten e as nuk blihen. Që do të thotë që rruga e sigurtë dhe e
qëndrueshme drejtë lirisë dhe prosperitetit kalon nga kultura, këtu qëndron
edhe sekreti dhe përgjigja mbi shkakun se përse pushtuesit dhe qeverisjet
kakistokratike, pikë së pari sulmojnë për vdekje kulturën që zgjon, zhvillon
dhe për.bashkon, dhe mbjellin injorancën, analfabetizmin funksional, përçarjen
dhe konfliktualitetin që shkreton dhe dobëson kombin dhe shtetin.
Është koha që
njerëzit me kulturë dhe përgjegjëshmëri të bashkohen e të reagojnë për të
shpëtuar Shqipërinë dhe shtetin...









