E diele, 01.02.2026, 11:45 PM (GMT)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Kuvendi i Punës, parapërgatitje për Kuvendin Zgjedhor

E diele, 01.02.2026, 06:55 PM


KUVENDI I PUNËS PARAPËRGATITJE PËR KUVENDIN ZGJEDHOR

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Stërkeqja e LDK-së është e hershme. Porosia e kryetarit historik të LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, se "njerëzit e shantazhuar, nuk duhet lejuar të ngritën në pozita drejtuese, sepse janë të dëmshëm për Kosovën, u shpërfill deri në harresë.

Është fatale për një parti politike, kur kreun e saj ia "dhuron" kundërshtari politik. Kështu i ndodhi LDK-së, kur me skuthëri bizantine, Isa Mustafa uzurpoi postin e kryetarit. Si mjeshtër i hileve dhe intrigave, konsolidoi një klan brenda kryesisë të LDK-së. Teza e parë e tij ishte: "Do ta krijojmë një Lidhje të re demokratike!" Dhe, vazhdoi të lansohet dhe afishohet kudo në mjediset e LDK-së. LDK-ja në Mërgatë ishte e para që nuk e pranoi dhe e denoncoi si devijim nga rruga rugoviane.

Ndërrimi i statutit të LDK-së, ishte përgatitje që kryetari i partisë të kalaveshej me kompetenca tej mbretërore. Tkurrja e kompetencave të strukturave të partisë, shpërfillja e kryesisë dhe forcimi i rrethit vicioz rreth kryetarit. Shuarja e Aktivave të LDK-së, ishte fillimi i çmontimit të rugovizmit në LDK-e. Anashkalimi i debatit brenda partiak, që nga kryesia, strukturat e partisë, e deri në bazën e Degëve, Nëndegëve, e degradoi deri në degjenerim LDK-në, dikur famëmadhe të Presidentit Rugova.

Aklamacioni, votimi i hapur, e zëvendësoi votimin e fshehtë në të gjitha nivelet e kuvendeve zgjedhore, garantoi riciklimin e kryetarit të LDK-së në qendër dhe bazë. Kështu rrjedha e anëtarësisë, me rënie të lirë, nga 47 %, zbriti në 9.8 dhe jo 12%, siç u tha rrejshëm, sepse në koalicion ishte Pacolli me disa partiza të vogla.

Kuvendi i 10-të i Jashtëzakonshëm i LDK-së, prodhoi Lumir Abdixhikun kryetar. Në përballje me Lutfi Hazirin, tashmë, i konsumuar si nënkryetar i dytë, në ekipin e Mustafës, fitoi bindshëm. Kryetari i ri, përveç disa klanorëve të Isës, seleksionoi edhe disa nga kundërshtarët e klanit, si balancim. Kjo ngjalli dyshime, madje edhe habi, sepse ngjasonte me kryetarët pararendës, me goditjen e rugovistëve të devotshëm, të përkushtuar.

"Do vazhdojmë zgjedhjet me statutin në fuqi", - tha në fillim të Kuvendit zgjedhor kryetar Lumiri. Kjo la shije të hidhur. Edhe pse premtoi reforma në LDK-e, të cilat, realisht, nuk i la në gjysmë. Ai me kryesinë e tij, e shpalli "Kryetar Nderi" Isa Mustafën "për merita drejtuese të LDK-së", të cilën e solli në 9.8 %. Një ish ministër i dinjitetshëm, më tha: "Në vend që ta largonin zvarrë nga salla, turma e delegatëve po e përcjellin me duartrokitje!"

Duhet pranuar se kryetari Lumir Abdixhiku punoi shumë, lëvizi në qytete e fshatra, me fjalime me elokuencë dhe përgatitje solide intelektuale. Por, klani Mustafa, fort i varur nga PDK-ja, e sabotoi mjaftueshëm, duke vazhduar zanatin, si patericë e PDK-së. Neutraliteti, asnjanësia e kryetarit Lumir, bllokada 9 mujore e krijimit të institucioneve shtetërore, iu faturua, madje meritueshëm, LDK-së. Kjo solli edhe humbjen e thellë të saj.

Reagimi i parë i Abdixhikut, pas rezultatit mjeran zgjedhor, ishte premtimi i vakët i dorëheqjes nga posti i kryetarit, duke e relativizuar se për këtë do të vendosin strukturat e partisë. Por, tani, pas caktimit të datës të Kuvendit të partisë, nuk përmendet dorëheqja, por bëhet fjalë për një votëbesim të Kuvendit, për vazhdimin e mandatit të kryetar Lumirit. Ose edhe dorëheqje të deklaruar, me të drejtë të konkurrimit të serishëm për kreun e LDK-së. Pra, shprehja "dorëheqje e parevokueshme" nuk është thënë asnjëherë nga ai.

Kryetari Lumir Abdixhiku reagimin e parë e bëri me mendjen e tij, konform realitetit faktik, sepse përgjegjësia kryesore bie mbi të parin e fajësisë. Ndërsa ndryshimi i qëndrimit është i imponuar nga shokët që e rrethojnë, sepse janë palë në bashkëfajësi. Dhe, mbrojtja në grup, gjithsesi, është më e sigurtë, se sa individualisht.

Ndryshimi nga dorëheqja në një votëbesim të pa afatizuar, është mjegullnajë dhe jo zgjidhje. Përfitimi në kohë duhet përdorur me racionalitët, për një këndellje, përmes analizës, duke vënë pikën mbi -i-. Shkaqet që gremisën LDK-në, duhet qartësuar në funksion të riorganizimit, për të mos përsëritur një gjëmë tjetër në LDK-e.

Votëbesimi duhet të shoqërohet me krijimin e një Komisioni përgatitor të zgjedhjeve të përgjithshme, që nga Nëndegët e deri tek kryetari i LDK-së. Duke parë babëzitjen karrieriste të klaneve në LDK-e, por edhe mendësinë provinciale ballkanike, në përgjithësi, dhe shqiptare, në veçanti, afati duhet të kufizohet në dy mandate, nëse mandati i parë i kryetarit është i suksesshëm.

Pra, ndryshimi nuk është vendim personal i Lumirit, por, kryesisht, vendim i shumicës të kryesisë aktuale. Dhe, vendimi kolegjial, kolektiv, është gjithmonë më racional, më i studiuar se ai individual. Përmes mbrojtjes grupore, kryesia mbron edhe partinë nga rrëshqitja drejt humnerës. Ndarjen e Kosovës, me kamuflimin e këmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, Kancelarja Angela Merkel e ilustroi me një shprehje gjermane "është shpat i rrëshqitshëm". Dhe, këtë ua tha tre banditëve: Hashim Thaçit, Edvin Ramës, Aleksander Vuçiq, të cilët "me thika" mbi hartën e shpalosur të Kosovës, në këndin e një salle ndërkombëtare, e luten Kancelaren t`ia bëjë "aminin" ndarjes, por ajo i refuzoi me përbuzje dhe neveritshëm.

Anëtarësia, elektorati, populli, shqiptarët vendorë dhe botërorë, në shumësinë absolute të tyre, po e presin me ankth Kuvendin e LDK-së më 31 janar. Arsyeja është se pavarësisht propagandës të egër korale të vrastarëve të djeshëm të saj, ajo ka qenë dhe mbetet parti e parë pluraliste demokratike në Ballkan; parti shtet-formuese dhe shtet-ndërtuese; parti që bëri rezistencën paqësore aktive, duke krijuar institucionet paralele, në kushtet e një pushtimi brutal; parti që vuri bazat e ushtrisë luftarake, duke organizuar edhe luftën për çlirim; parti që ripërtëriu miqësinë me shtetet e Kuintit dhe Amerikën.

Ky projekt madhor u realizua mençurisht nga mendimtari atdhetar, Dr. Ibrahim Rugova, bashkëpunëtorët e Tij. Me filozofinë e Tij urtake unike e bindi botën përparimtare demokratike, të prirë nga Amerika liridashëse, ta aktivizojë forcën ushtarake, të bashkuar në NATO-paktin, për ta stopuar dhe përzënë ushtrinë vrastare serbo-sllave, me apaçet e saj.

Kuvendi i LDK-së të 31 janarit 2026, nuk duhet të shndërrohet në Kuvend zgjedhor. Përkundër, duhet të jetë Kuvend pune dhe udhëzime veprimi për Kuvendin e mirëfilltë zgjedhor, i cili kërkon disa muaj kohë për t`u përgatitur. Sepse, Kuvendi aktual i LDK-së, me pasivitetin dhe heshtjen qyqare, nuk e ka kredibilitetin, besueshmërinë për ta zgjedhur as kryetarin, as kryesinë dhe as Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së. Sepse në forma të ndryshme, hiç demokratike, u përzunë nga LDK-ja, vajza dhe djemë, veprimtarë dhe luftëtarë, besnikë të frymës rugoviane, duke shkelur parimet dhe porositë e themeluesit të LDK-së, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.

Humbjes së thellë të LDK-së, siç duket, përveç PAN-it, i janë gëzuar edhe klani rival brenda partisë. Ata nxituan të tërhiqen nga kryesia e LDK-së, me qëllim të presionit ndaj kryetarit Abdixhiku, që edhe ai të japë dorëheqje të parevokueshme. Shpallja e kandidaturave për kryetar partie, pa qenë Kuvend zgjedhor, po konsiderohen si veprime të nxituara dhe jo serioze. Klani i Isa Mustafës, aleat i hershëm i PDK-së, ka ndikuar jo pak në përcaktimet e aleancave me subjektet politike të kriminalizuara, rrjedhimisht, humbjen sa të thellë, aq edhe të pritshme!

Është normale dhe e pritshme të veprojë Komisioni i përgjegjësisë, i domosdoshëm për disiplinën brenda partiake. Edhe ndryshimet do të jenë pashmangshme, sepse pauzimet individuale dhe grupore janë të shëndetshme për një parti politike. Mosha e pretendentve aktual, për kreun e partisë apo kryesinë e saj, i favorizon për t`u përmbushur. Përçarjet dhe ndarjet, kryesisht, subjektive dhe karrieriste, e kanë lodhur, deri në molisje dhe varfëruar në anëtarësi LDK-në.

Nuk mund dhe nuk duhet të mbahet asnjë Kuvend zgjedhor, pa u ftuar në procesin e madh të analizës dhe debatit demokratik, me të drejtën për të zgjedhur dhe për t`u zgjedhur, cilido që e dëshmon vetën, nga sot e tutje, qoftë në pjesëmarrjen aktive të organizimit të Kuvendit zgjedhor, qoftë në prurjet e reja në parti.

LDK-ja ka qenë dhe mbetet parti e vlerave. Kosova ka nevojë për këtë parti veterane në moshë, por gjithnjë vitale në veprimtari.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Nue Oroshi: Shumica nuk është gjithmonë e vërtetë por e vërtetë është se shumica vendos Ndue Dedaj: “Puna e mbarë!” – atyre që punojnë Isuf B. Bajrami: Në Kosovë, duhet mbisundimi i ligjit si mbizotërim i normës juridike mbi arbitraritetin dhe presionin jashtëinstitucional Shefqet Dibrani: Doktrina e titizmit jugosllav ndaj shqiptarëve dje dhe sot Lëvizja për Rikthim: Ideologjia islamike dhe policia e moralit Albert Zholi: Prof. Dr. Enriko Ceko - Ekonomia shqiptare ka krizë pasi ka marrë tiparin e një ekonomie konsumi, me pothuajse aspak tipare prodhimi Fritz Radovani: 115 vjet, O Ded Gjo’ Luli (3) Rejhane Rexhepi: Bashkësia Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë – Ura e kujtesës, kulturës dhe identitetit kombëtar në Sarajevë Asllan Dibrani – Luani: Bota përgatitet për banim në Hënë, hoxhë efendi – “akademik” Feti Mehdiu mbetet bredharak nëpër xhami Kalosh Çeliku: Babës t’i ngjash adet t’ia kalosh marifet Gjon Keka: Djegja e librit do të thotë rënie e njeriut në errësirë dhe në demonizëm Asllan Dibrani (Luani): Shqiptarët nuk djegin libra – alarm pa prova: kur feja keqpërdoret për përçarje Shefqet Dibrani: Portret i Mërgimtarit – Fatmir Thaqi Ilir Çumani: Paradoksi dhe amnezia politike e Ramës – kur dhuna dënohet vetëm nga karrigia e pushtetit Rrezart Kalaja: Kur Gazeta Impakt dhe Rexhep Elezaj shpallin luftë kundër shqiptarëve Milazim Zeqiraj: LDK pas Rugovës në udhëkryq mes trashëgimisë rugoviane dhe rrugës së re Asllan Dibrani – Luani: Reagim publik kundër shpifjeve, etiketimit ideologjik dhe propagandës antikombëtare të gazetës “Impakt Kalosh Çeliku: Patriotë të vonuar me brekë mbi pantollona Idriz Zeqiraj: Dr. Vjosa Osmani, presidente brilante e pakonkurrencë Florim Zeqa: Nga sot përballë dy kandidaturave!

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx