Mendime
Shefqet Dibrani: Doktrina e titizmit jugosllav ndaj shqiptarëve dje dhe sot
E premte, 30.01.2026, 06:59 PM
DOKTRINA E TITIZMIT JUGOSLLAV NDAJ SHQIPTARËVE DJE DHE SOT
(Ose
sundim përmes kontrollit, shantazhimit dhe diferencimit politik e klanor)
Nga Shefqet DIBRANI
Titizmi jugosllav, si ideologji shtetërore e ndërtuar pas
vitit 1945, nuk ishte thjesht një variant "më i butë" i socializmit
krahasuar me stalinizmin, por një projekt kompleks i pushtetit jugosllav
kundrejt shqiptarëve të mbetur padrejtësisht në këtë ëmbrellë të përzier me
nacionalitete, kryesisht sllave. Titizmi si doktrinë është mbështetur mbi
balancime etnike, kontroll policor dhe manipulim politik të identiteteve
kombëtare. Në këtë arkitekturë, shqiptarët, veçanërisht ata të Kosovës, nuk u
trajtuan kurrë si subjekt politik i barabartë, por si problem strukturor, si
rrezik potencial për stabilitetin e federatës jugosllave.
Parimi themelor:
Shqiptarët si "tepricë historike"
Doktrina themelore e titizmit ndaj shqiptarëve ishte ideja
se shqiptarët në Jugosllavi ishin një element i tepërt historik, një trup etnik
jashtë narrativës së "vëllazërim-bashkimit". Ndryshe nga kombet
sllave, shqiptarët nuk përfshiheshin në mitologjinë themeluese të Jugosllavisë
partizane. Ata nuk u konsideruan kurrë "komb shtetformues", por
pakicë e toleruar nën kushte specifike. Kjo logjikë e përjashtimit shpjegon:
Pse Kosova nuk u bë republikë; pse shqiptarëve iu mohua e drejta e vetëvendosjes;
dhe pse çdo kërkesë e tyre për barazi u etiketua si irredentizëm, nacionalizëm
apo armiqësi ndaj shtetit dhe federatës.
Autonomia si mjet
kontrolli, jo si e drejtë juridiksioni
Titizmi e përdori autonominë e Kosovës jo si akt emancipimi,
por si mekanizëm menaxhimi të krizave. Kushtetuta e vitit 1974 nuk e ndryshoi
esencialisht thelbin e pushtetit, sado që element me orientime të tilla flasin
ndryshe, e vërteta është se Serbia ruante levat kyçe, ndërsa Kosova mbetej
juridikisht e varur dhe politikisht e mbikëqyrur nga Serbia. Autonomia e
Kosovës ishte: Pa subjektivitet shtetëror; pa të drejtë për shkëputje nga
Sërbia dhe gjithmonë e kushtëzuar nga besnikëria ideologjike ndaj Beogradit.Në
këtë kuptim, titizmi prodhoi një elitë lokale të kontrolluar, një kastë funksionarësh
shqiptarë që shërbenin si tampon midis pushtetit serb dhe popullsisë shqiptare,
ajo mendësi edhe sot është aktive, në parti poltike (sidomos pas vdekjes së
Rugovës në LDK). Ajo mendësi vepron kudo në borde kryesore udhëheqëse, në
juridiksionin e Kosvës, sistemin e sigurisë dhe atë financiar, dhe nëpër media
ku haptas mbrohet interesi i Sërbisë mbi Kosovën, që në diskursin polemik edhe
sot quhet "titizëm politik" ose servilizëm ndaj një koncepti që
tashmë nuk ekziston.
Diferencimi me
përjashtim dhe etiketim ishte arma më efikase e neotitistëve shqiptar të ardhur
në pushtetin autonom të krahinës, veçmas
pas vitit 1981
Një nga doktrinat më të rrezikshme të titizmit ishte
diferencimi politik dhe ideologjik i shqiptarëve, sidomos pas demonstratave të
vitit 1981. Nomenklatura e Lidhjes Komuniste të Kosovës, me një orientim
projugosllav, ishte aktive dhe shumë e ashpër kundër shqiptarëve. Ata në emër
të "irredentizmit shqiptar" janë treguar kundër të burgosurve politik
shumë ma të ashpër se vet serbet. Janë zbatuar katër forma goditjesh kundër
shqiptarëve: Janë përjashtuan studentët nga universiteti; janë ndëshkuar,
anatemuar dhe përjashtuar profesorët më të guximshëm nga mësimdhënia në
universitet; dhe kudo është goditur inteligjenca e guximshme dhe kritike, kurse
në bordet drejtuese filluan infiltrohet elementi i sigurt titist, që u treguan
të suksesshëm dhe operativ brenda atij sitemi, dhe u krijua një frikë
institucionale e cila ka vazhduar të aplikohet deri kur dha shpirt sundimi
jugosllav mbi Kosovën. Hipotetikisht u ringjall kjo frymë pas vdekjes së Dr.
Rugovës, me theks në LDK e cila tashmë po vuan atë logjikë ideologjike, duke
mbetur në udhëheqje shpura e titizmit dhe vasalet e atij mentaliteti, prandaj
ky subjekt politik nga një demokraci substanciale me orientim evropian është
rikthyer në nostalgjik të asaj ideologjie. Qëllimi i "titizmit" si
doktrinë nuk ishte vetëm shtypja e protestës, por thyerja e boshtit intelektual
të shoqërisë shqiptare. Kështu, titizmi nuk luftoi vetëm "nacionalizmin shqiptar",
por luftoi deri në asgjasim vetë mendimin politik shqiptar.
Parulla
"Vëllazërim–bashkimi" ishte vetëm ideologji maskuese
Parulla e famshme "Bratstvo i jedinstvo" ishte, në
raport me shqiptarët, një doktrinë asimetrike përjashtuese. Ajo kërkonte,
heshtje nga dhuna kundrejt shqiptarëve; rritja e dyshimit dhe besnikërisë pa
reciprocitet dhe u punua shumë për harresë historike pa drejtësi dhe me të
drejta të cunguara.Në praktikë, falë elementit shqiptarë edhe sot në mjetet
publike dhe subjektin politik (krahaso me lëvizjet e tanishme brenda në LDK),
kjo doktrinë ideologjike mundësoi dominimin serb mbi Kosovën, ndërsa çdo reagim
shqiptar u shpall prishje e harmonisë federative. Kështu, "vëllazërimi
serb" u shndërrua në instrument disiplinimi politik. Sot ajo logjikë është
e shtrirë këmbëkryq brenda udhëheqjes së tanishme në LDK, që janë vazal të
kryetarit të asaj doktrine i cili i mban freret e kësaj parti nëpërmes shpurës
së tij.
Trashëgimia e titizmit
nga Jugosllavia në Kosovën e pasluftës
Titizmi nuk përfundoi me vdekjen e Titos. Ai mbijetoi dje
dhe sot si: mentalitet pushteti; kulturë servilizmi; përbuzje ndaj sakrificës
kombëtare (sidomos UÇK-së dhe kategorive të dala nga lufta); instrumentalizim i
luftës dhe i paqes, urrejtje në mes gjeneratave, dhe prodhimi i urrejtjes ndaj
bashkombasve që jetojnë në vendet e zhvilluara në Europë dhe Amerikë. Kjo
doktrinë shpjegon arsyen pse, heronjtë u ngrinë në piedestale, ndërsa pushteti
u zhyt në tenderë. Trashëgimia titiste është pikërisht kjo ndarje midis
simbolikës së lirisë dhe praktikës së pushtetit, në mes shtresës së mërguar që
është aset ekonomik i Kosovës dhe servilëve mediokër të katapultuar në sistemin
shtetëror e partiak, qoftë si staf civil dhe këshillues e qoftë si sekser për
kontrollimin e parasë nëpërme tendereve.
Titizmi si mohim i
subjektivitetit politik shqiptar dje, kurse sot mohimi i demokracisë përmes
eliminimit
Në thelb, doktrina e titizmit jugosllav ndaj shqiptarëve
ishte doktrinë e mohimit: mohim i republikës; mohim i barazisë; mohim i të
drejtës për të qenë subjekt politik i plotë, ndërsa sot mohimi i hapur i
diasporës për të votuar, për tu zgjedhur dhe për të zgjedhur. Prandaj,
krahasimi im sado i ashpër, në vetvete ka apostrofim të asaj që kundërmon
ideologji titiste, nuk është mllef emocinal por është njohje në thelbin e saj
ideologjik, simptomët e asaj plage historike të pashëruar i gjejm në Kolonën e
Pestë anti Kosovë të strukur në udhëheqjen e LDK-së dhe vazalitetit ndaj
"prjësit" i cili ende flet e këshillon se cili duhet të jetë
pasardhësi i denjë ideologjik nëse të shtunën do të ik prijësi i tanishëm. Pra
doktrinë ideologjike e "titizmit", është udhëheqje që ndërron emra,
por jo natyrën e veprimit. Dhe per pradoks, fajin e ka elektorati po sidomos
diaspora që nuk po i mbështesin devijimet e shtrembëruara që ende kërkojnë
fajtorin me emër.
Shefqet DIBRANI
St. Gallen, 24 janar 2026









