Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ndërroi jetë Pjetër Leka Ivezaj
E premte, 30.01.2026, 07:00 PM
NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
“Vetëtimë
që paralajmëroi stuhinë” (Ismail Kadare)
Nga Frank Shkreli
Lajmin e hidhur për
kalimin në amshim të Pjetër Lekë Ivezajt e lexova në portalin e Kishës Katolike
Shqiptare Shën Pali në Rochester Hills. Të shtetit Miçigan: “Me dhimbje të
madhe dhe zemër të thyer, familja Ivezaj njofton komunitetin shqiptar se më
datën 27 janar 2026, paqësisht në shtëpi, i rrethuar nga të dashurit e tij, në
moshën 69-vjeçare, ndërroi jetë Pjetër Leka Ivezaj”.
Në vitin 1986, Pjetër
Ivezaj u arrestua në Mal të Zi—një akt ilegal që pasqyronte realitetin e zymtë
të kohës për shqiptarët që guxonin të mendonin ndryshe dhe që kërkonin të
drejtat e tyre legjitime, anë e mbanë trojeve shqiptare. Tani e dijmë se
arrestimi i tij nuk ishte thjesht një çështje penale por ishte një përpjekje
për ta heshtur zërin e një njeriu që refuzoi nënshtrimin, por edhe të
shqiptarëve në përgjithsi. Përvoja e tij
e hidhur në duar të autoriteteve komuniste jugollave, siç ishte për shumë
bashkvendas të tij, la plagë të thella, por edhe dëshmi të forta të karakterit të një malësori që nuk u dorëzua,
ndërsa shpalosi, njëkohsisht, para botës së qytetëruar fytyrën e kalbur të
negjimit terrorist sllavo-komunist të ish-Jugiosllavisë.
Por qëllimi i këtij
shkrimi të shkurtër me këtë rast morti nuk është historia e arrestimit,
burgosjes as edhe e lirimit të Pjetër Ivezajt nga burgjet e ish-Jugosllavisë
komuniste me ndihmën e autoriteteve më të larta amerikane të viteve 1980-ave se
do kërkonte më shumë kohë e hapësirë. Por dihet se ai u arrestua nga autoritet
jugosllave si përfundim i aktiviteteve patriotike të Pjetrit, përfshir
pjesëmarrjen e tij në demonstratat anti-jugosllave të komunitetit
shqiptaro-amerikan këtu në Shtetet e Bashkuara në mbrojtje të të drejtave të
njeriut për shqiptarët e Kosovës. Për ata që janë të interesuar për rastin
Ivezaj dhe për atë periudhë, kjo histori është e dokumentuar sumë mirë në librin “Klithma
e një shqiponje”, shkruar nga vëllai i Pjetrit, Dr. Fran L. Ivezaj. Një libër jo vetëm letrar e autobiografik, por
njëkohsisht, edhe një dëshmi e dokumentuar, historike dhe morale e asja
periudhe. Një tregim i gjallë i
vuajtjeve, qëndresës dhe dinjitetit të shqiptarit nën shtypjet shekullore të
sllavëve të jugut. Në thelb të këtij
libri qëndron drama e një familjeje shqiptare -- familja e madhe patriotike
Ivezaj nga Malësia e Madhe, simbol i qendresës. Veçanërisht, pasqyrohet me
dokumenta, përndjekja politike e malësorit shqiptaro-amerikan, Pjetër
Ivezajt nga autoritetet sllavo-komuniste jugosllave, përndjekje që më në fund u
shndërrua në një simbol të fatit të keq kolektiv shtypës për mijëra shqiptarëve
nga të gjitha trojet iliro-arbërore, nën ish-Jugollavinë komuniste, përfshir
Kosovën.
Por, dua të kujtoj --
me këtë rast të zi për familjen dhe për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan --
këtë simbol vuajtjesh e qëndrese në burgjet jugosllave të njërit prej atyre
shqiptarëve të heshtur por edhe të palëkundur, siç ishte Pjetër Ivezaj, simbol
i përndjekjeve politike dhe sakrificës personale. Duke e kujtuar atë si
shembull të një qëndrese morale dhe kombëtare, i cili e pagoi shtrenjtë
besnikërinë e tij ndaj Malësisë dhe shqiptarisë, lirisë, dinjitetit njerëzor
dhe të drejtave bazë të njeriut, për të gjithë shqiptarët kudo ishin.
Dua t’a kujtoj atë rast,
që në atë kohë i referoheshim si, “Çeshtja Ivezaj” -- si një sfidë e madhe që
paraqitej atëherë për komunitetin shqiptaro-amerikan por edhe për të gjithë
shqiptarët, përball barbarive serbe kundër shqiptarëve, në adthe pore dhe këtu
në Amerikë. Si sfidë po, por e kujtojmë edhe si shpresë: si një “vetëtimë që
paralajmëroi stuhinë”, siç e ka cilësuar rastin e Pjetër Ivezajt, shkrimtari Ismail
Kadare. Duke shtuar se, “Thyerja e tyre (autoriteteve jugosllave) përball
Pjetër Ivezajt ishte shenja e parë e sigurtë se një epokë e re po afrohej në
Ballkan. Për shqiptarët, në radhë të parë, por edhe për të gjithë të tjerët”,
ka shkruar Kadare. Ndërsa shkrimtari Dritëro
Agolli ka komentuar rastin Ivezaj duke u shprehur se “Shteti komunist, që
s’kishte prapsur as tanket para studentëve të Prishtinës me ’81-ën, detyrohet
të tërheq dënimin e Pjetës Ivezajt”. Dhe
nëse, “Çeshtja Ivezaj” ose, “Fati i Pjetër Ivezajt po e paralajmëronte fatin e
ndryshuar të shqiptarëve dhe të Kosovës”, siç ka thënë Rexhep Qosja,
përfundimisht, kjo gjë u takon historianëve të ardhëshëm të thonë fjalën e vet,
nëse fati i këtij malësori në duartë e barbarëve sllavë në vitin 1986, ishte
vërtetë fillimi i triumfit përfundimtar të shqiptarëve mbi dehumanizimin serb
në Ballkanin Perëndimor që eventualisht përfundoi me çlirimin dhe lirinë dhe
pavarsinë që gëzon sot Kosova.
Dua të kujtoj
gjithashtu në këtë ditë të kalimit në amshim të Pjetër Ivezajt, duke shtuar se
kjo “thyerje” e regjimit terrorist serb, vështirë se do kishte ndodhur pa interesimin
dhe pjesëmarrjen e shumë faktorëve vendimtarë të politikës amerikane që, më në
fund, çuan në lirimin e Pjetër Ivezajt nga burgu jugosllav. Nuk kam asnjë
dyshim se kryesori në këtë mes ishte angazhimi aktiv institucional i Kongresit
të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në “Çeshtjen Ivezaj”. Fillimisht, ishin
përfaqsuesit e shtetit Miçigan në Kongres, të nxitur dhe të mbështetur fuqishëm
nga diaspora shqiptaro-amerikane, fillimisht nga shqiptarët e Detroitit me
rrethe, kryesuar nga biznismeni dhe aktivisti i dalluar i komunitetit tonë këtu
në Amerikë, Z. Ekrem Bardha. “Rasti Ivezaj” u soll në vëmendjen e autoriteteve
qeveritare të Washington nga Z. Ekrem Bardha nëpërmjet mikut të tij,
njërit prej përfaqësuesve të shtetit Michigan në Kongresin e Shteteve të
Bashkuara, Z. William Broomfield. Kongresisti Broomfield kishte organizuar me
kolegët e tij sesion-dëgjimi për këtë rast në Kongresin e Shteteve të Bashkuara
në tetor, 1986. Mos qofsha gabim e para e këtij lloji, ekskluzivisht, për t’u
informuar për fatin e një personi – një malësori të arrestuar e keqtrajtuar në
burgjet jugosllave – por edhe për gjëndjen e rëndë të shqiptarëve në
ish-Jugosllavinë e asaj kohe.
Ky presion nga
komuniteti shqiptaro-amerikan dhe nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, u
shoqërua në atë kohë edhe me raporte periodike të Departamentit të Shtetit
dhe të enteve të tjera qeveritare dhe jo-qeveritare amerikane, ku flitej për
shkeljet sistematike të drejtave të njeriut në Jugosllavi, duke e rritur për
Beogradin, koston politike dhe diplomatike të mbajtjes në burg të figurave si
Pjetër Ivezaj. Prandaj, lirimi i tij nuk
ishte thjesht rezultat i rrethanave të brendshme jugosllave, por produkt i
ndërhyrjes ndërkombëtare, ku Kongresi Amerikan luajti rol kyç. Duhet të
kujtojmë se ky episod mbetet një dëshmi konkrete se si demokracitë perëndimore,
kur vihen në lëvizje nga komunitetet e tyre dhe nga parimet e lirisë dhe të
demokracisë, mund të ndikojnë drejtpërdrejt në fatin e individëve të
persekutuar dhe të kombeve të shtypur.
Dua të kujtoj. në
këtë ditë të kalimit në amshim të Pjetër Ivezajt, për të gjithë shqiptarët, por
sidomos për diasporën shqiptaro-amerikane se figura e Pjetër Ivezajt ka një
domethënie të veçantë për të gjithë ne edhe pas largimit të tij nga kjo jetë. Historia e Pjetër Ivezajt dhe shumë
shqiptarëve si ai, të fund shekullit të kaluar, është bërë tanimë pjesë e
mozaikut të vuajtjeve dhe qëndresës kombëtare shqiptare -- një histori që
meriton të ruhet dhe të përcillet brez pas brezi, këtu në mërgim dhe në atdhe. Përvoja e hidhur e Pjetër Ivezajt na kujton
sot të gjithë neve se pse u detyruam të largoheshim -- me mijëra shqiptarë --
nga trojet tona stërgjyshore, sidomos gjatë 1960-1970-ave. Qe besa, duhet të na kujtojë të gjithëve këtu
në Amerikë por edhe në Malësi, Shqipëri e Kosovë por dhe anë e mbanë trojeve
shqiptare sot, se liria dhe demokracia sado e brishtë që është në trojet tona
që gëzojnë sot shqiptarët, nuk duhet marrë kurrë si e mirëqenë, por për të
cilat vlera duhet të luftohet çdo ditë, për t’I ruajtur e për t’i mbrojtur.
Me ndarjen e Pjetër
Ivezajt nga jeta, humbëm një dëshmitar të gjallë të një epoke padrejtësishë,
por fituam një obligim moral: që të mos harrojmë! Kujtimi i Pjetër Ivezajt na fton të flasim
hapur për të kaluarën, por edhe të kujtojmë dhe të nderojmë viktimat e asaj
historie të hidhur dhe të mbrojmë të vërtetën historike nga heshtja dhe
relativizimi. Ndarja e tij nga kjo jetë,
le të shërbejë gjithashtu si një kujtesë se liria dhe identiteti kombëtar i
shqiptarëve janë ruajtur edhe falë njerëzve të thjeshtë si Pjetër Ivezaj i Malësisë
së Madhe, të cilët nuk u përkulën kurrë, përballë padrejtësive të historisë.
Kur ndahet nga kjo
jetë një burrë si Pjetër Ivezaj, jo vetëm familja e ngushtë e familja më e
gjërë, farefisi në mërgim dhe në Atdhe, por e gjithë mërgata jonë pëson një
humbje të rëndë. Kujtimi, vepra dhe
dinjiteti i tij prej burrë-malësori mbeten trashëgimi të gjalla, jo vetëm në
familjen e tij, por edhe tek të gjithë ata që e njohën, sidomos pjesëtarë të
komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit. Pjetër Ivezaj pushoftë në paqë e
Zoti i dhashtë forcë familjes dhe të afërmëve për të përballuar këtë dhimbje
dhe humbje të rëndë. Familjarëve dhe
far-e-fisit kudo që janë nepër botë, disa prej të cilëve i kam njohur gjatë
viteve, u paraqes ndjenjat e mia më të ndieshme dhe ngushëllimet më të sinqerta
për humbjen e Pjetër Ivezajt. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!

Botimi i Librit,
“Klithma e një shqiponje”, një ndërmarrje bujare për të qitur në dritë të
Vërtetën, siç e ka përjetuar vet Pjetër Ivezaj dhe familja e tij. Me mirënjohje
të thellë për ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këtij vendi të
bekuar për të gjithë ne shqiptaro-amerikanët e vjetër e të rinj, për ndihmën e
pakursyer të Amerikës gjatë historisë, në mbështetje të ekzistencës së racës
shqiptare dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Përfshirë historinë moderne
të angazhimit të përbashkët të komunitetit shqiptaro-amerikan me përfaqsues të
enteve më të larta qeveritare të Shteteve të Bashkuara, siç ishte, “Çeshtja
Ivezaj”.

Pjetër Ivezaj me
Kongresistin e Miçigenit, William Broomfield, një prej mbështetësve kryesorë të
përpjekjeve për lirimin e tij nga burgjet jugosllave, n[ një pritje në sallën e
Kishës Katolike Shqiptare, Shën paëi në Miçigan

Pjetër Ivezaj në krye
të demonstratës anti-jugosllave për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë,
Washington DC.
Xhim Xhema, me
origjinë nga Kosova -- biznismeni dhe aktivisti i njohur shqiptaro-amerikan i
çeshtjes së Kosovës ndër dekada dhe biznismeni dhe aktivisti tjetër i çeshtjeve
kombëtare, Ekrem Bardha nga Leskoviku, kanë dëshmuar se nga ditët e para të
demonstratave anti-jugosllave në Washington dhe qytetet tjera amerikane, që në
fillim të 1980ave, ishin malësorët të parët ata që morën pjesë në tubime për
lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve të Kosovës!

Pjetër Ivezaj në
demonstratë në Washington, 2006 – “Të drejtat në Mal të Zi, ose bashkë me
Shqypni”.

Pjetër Ivezaj majtas, me Ambasadoren e Presidentit Ronald Reagan pranë Kombeve të Bashkuara, Jean Kirkpatrick
Fotot: Nga libri “Klithma e një shqiponje” e autorit Dr Fran L.
Ivezaj –Kërkoj ndjesë për kualitetin e forografive.









