Mendime
Milazim Zeqiraj: LDK pas Rugovës në udhëkryq mes trashëgimisë rugoviane dhe rrugës së re
E marte, 27.01.2026, 06:54 PM
LDK pas Rugovës në udhëkryq mes trashëgimisë rugoviane dhe rrugës së re
Nga
Milazim Zeqiraj
Lidhja
Demokratike e Kosovës është më shumë se një parti politike. Ajo është themeli
politik mbi të cilin u ndërtua shteti i Kosovës. Nën udhëheqjen e Presidentit
Ibrahim Rugova, LDK trasoi vizionin e rezistencës paqësore, unitetin kombëtar
dhe orientimin perëndimor.
Ky
vizion e mbajti gjallë te populli shpresën shtetformuese në periudhën më të
vështirë të historisë sonë, deri te liria dhe pavarësia e Kosovës.
Pas Rugovës, humbja e
identitetit
Pas
vdekjes së Presidentit Rugova, LDK-ja hyri në një proces degradimi politik dhe
organizativ.
Kryetarët
pasues, Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa, erdhën me zhurmë, pa vizion të qartë
politik.
Nën
moton e “reformave”, ata gradualisht e larguan LDK-në nga identiteti i saj
rugovian, duke e shndërruar në një parti pa peshë politike dhe pa projekt afatgjatë.
Gjatë
kësaj periudhe, LDK u nda disa herë, si pasojë e lidershipit.
Anëtarësia
sinjalizoi me mosvotim, por lidershipi ishte i shurdhër.
Humbja
e madhe në zgjedhjet e vitit 2021 ishte një alarm serioz për ekzistencën e
partisë.
Pas
presionit dhe ndarjes së partisë, lidershipi i LDK-së reflektoi me zgjedhjen e
kryetarit dhe kryesisë së re.
Z. Lumir Abdixhiku,
kryetar i LDK-së – një shans i duhur
Zgjedhja
e z. Lumir Abdixhikut u pa si mundësi për ringritje. U krijua perceptimi i një
fryme të re, por shpejt u dëshmua se kjo risi ishte më shumë formale sesa
thelbësore.
Z.
Abdixhiku, si kryetar i LDK-së, nuk e njohu dhe nuk e kuptoi shpirtin e
rugovizmit dhe elektoratin tradicional të partisë, siç është hapja e partisë
dhe komunikimi me anëtarësinë.
Kjo
ishte e kuptueshme, pasi ai erdhi si prurje e jashtme dhe jo nga strukturat e
partisë. Andaj nuk e kuptonte garën zgjedhore në aktive, nëndegë dhe degë.
Mbështetja
për njerëz të rinj është e natyrshme kur ata janë në LDK dhe punojnë për
LDK-në, por mungesa e vizionit politik te prurjet e reja u bë shpejt e dukshme.
Strukturat e vjetra u anashkaluan, gjë që ishte e panevojshme.
Anëtarësia
disa herë tregoi pakënaqësi, por kryetari zgjodhi të mos komunikojë me
anëtarësinë dhe e vazhdoi udhëheqjen e partisë me praktika të liderit të
pakontestueshëm, të ngjashme me atë të Vetëvendosjes: vendimmarrje të mbyllur,
përjashtim të mendimit ndryshe dhe retorikë pa frymëzim politik.
Në
vend të një udhëheqjeje bashkuese, LDK mori një udhëheqje të mbyllur dhe
autoritare. Z. Abdixhiku u përpoq të shfaqej si lider i LDK-së, por në realitet
mbeti vetëm një kryetar partie pa ndonjë koncept politik.
Centralizimi i partisë –
gabim strategjik
Tentimi
për centralizimin e partisë ishte një gabim serioz. Kjo sjellje e kryetarit dhe
e kryesisë vazhdon ta dëmtojë rëndë LDK-në edhe pas humbjes së thellë.
Është
e vërtetë se LDK-ja në opozitë pati paraqitje korrekte në Kuvend, hartoi
program zgjedhor solid dhe krijoi lista kandidatësh për deputetë me profile të
respektuara nga jeta politike, ekonomike, ushtarake dhe shkencore. Por
elektorati, pavarësisht kësaj, u largua.
Pse
ndodhi ky fenomen duhet studiuar.
Pjesa
besnike e elektoratit e votoi LDK-në si ide, jo kryetarin.
Një
pjesë e elektoratit u zhgënjye dhe kaloi te e majta, duke menduar se rugovizmi
është zhvendosur te Lista Guxo, ndërsa një pjesë e madhe zgjodhi abstenimin si
shprehje mosbesimi ndaj lidershipit.
Sinjalizimi i
dëshpërimit
Pas
zgjedhjeve të shkurtit 2025, kryetari dhe kryesia duhej të jepnin dorëheqje ose
të kërkonin votëbesim në Kuvendin e partisë. Kjo nuk ndodhi. Anëtarësia u
zhgënjye. Kryetari nuk e kishte legjitimitetin e plotë për të vazhduar
udhëheqjen e partisë, pasi i kishte humbur zgjedhjet që i kishte premtuar.
Zhgënjimi
u rrit kur humbja filloi të prezantohej si fitore vetëm pse pati rritje të
lehtë.
LVV
arriti ta bindë një pjesë të elektoratit të LDK-së se LDK-ja është fajtore për
bllokadën në Kuvend dhe moskrijimin e institucioneve, gjë që nuk ishte e
vërtetë, ndërsa LDK-ja nuk arriti të arsytohej.
Në
fushatë, LDK-ja nuk u mor me tema të mëdha, siç ishte Asociacioni dhe politika
e jashtme. Premtimet ishin të ngjashme me ato të VV-së.
Gjatë
gjithë mandatit, fushatës dhe debateve televizive, LDK kritikonte qeverisjen e
dobët të z. Kurti, gjë që për elektoratin e LDK-së nuk ishte diçka e re dhe nuk
kishte peshë.
Në
zgjedhjet lokale të nëntorit ishte alarmi i fundit për reflektim të kryetarit
dhe kryesisë, përmes dorëheqjes ose votëbesimit.
Megjithatë,
lidershipi, pasi humbi disa komuna, përsëri u përpoq t’i paraqiste humbjet si
fitore, për shembull fitorën e Prishtinës me një kandidat jo anëtar të LDK-së
(z. Përparim Rama). Kjo tregon se anëtarësia nuk i beson lidershipit të LDK-së.
Pa
reflektim të lidershipit, LDK hyri në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Rezultati
ishte i parashikueshëm, por jo kaq i thellë.
Humbja
nuk ishte pasojë e forcës së kundërshtarëve politikë, por dënim i brendshëm nga
vetë anëtarësia dhe elektorati tradicional.
Dorëheqja që nuk ndodhi
Z.
Lumir Abdixhiku duhej të jepte dorëheqje më 28 dhjetor 2025. Një akt i tillë
moral do ta forconte atë personalisht dhe do t’i bënte nder partisë. Sot,
anëtarësia ka humbur besimin edhe në Kuvendin e LDK-së.
Nëse
lidershipi nuk reagon shpejt, rreziku është ndarja e thellë në Kuvend ose rënia
edhe më e madhe në rast të zgjedhjeve të reja.
Për
anëtarësinë, fitorja e Abdixhikut ose e Hotit në Kuvendin e radhës nuk është
zgjidhje. Një numër i madh i anëtarësisë është i zhgënjyer dhe e arsyeton këtë
zhgënjim me lojën e kryetarit dhe kryesisë. Kjo pakënaqësi rrezikon rënie edhe
më të thellë në rast të zgjedhjeve të reja.
Heshtja që rëndon
Heshtja
e Kryesisë e thellon krizën në LDK.
Kjo
heshtje ngre pyetje serioze: a po ruhen pozitat personale të kryetarit, i cili
ka humbur tri palë zgjedhje, apo po pritet largimi i anëtarëve të devotshëm të
LDK-së për të mbetur një rreth i mbyllur që kinse mbron interesin e partisë?
Rruga e vetme për
shpëtim
LDK
ka nevojë për zgjedhje urgjente për një lidership të ri, bashkues dhe me vizion
të qartë rugovian. Kryetar dhe kryesi që rikthejnë dialogun e brendshëm,
respektojnë anëtarësinë dhe janë të hapur për bashkëpunim politik, duke ruajtur
frymën rugoviane dhe interesin e Kosovës.
Koha
për zgjedhje të brendshme është tani, duke filluar nga aktivet lokale,
nëndegët, degët e deri te Kuvendi i partisë, përmes një procesi të thellë
demokratik që të nxjerrë një Kuvend të ri.
Përndryshe,
rreziku është real që LDK-ja, partia që krijoi shtetin e Kosovës, të mbetet
vetëm një kapitull i mbyllur i historisë politike, çka do të ishte një humbje
për vendin dhe demokracinë në Kosovë, sepse LDK është më shumë se një parti
politike, dhe humbjes së saj i gëzohet e majta.









