Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Zeqiraj: LDK pas Rugovës në udhëkryq mes trashëgimisë rugoviane dhe rrugës së re

| E marte, 27.01.2026, 06:54 PM |


LDK pas Rugovës në udhëkryq mes trashëgimisë rugoviane dhe rrugës së re

Nga Milazim Zeqiraj

Lidhja Demokratike e Kosovës është më shumë se një parti politike. Ajo është themeli politik mbi të cilin u ndërtua shteti i Kosovës. Nën udhëheqjen e Presidentit Ibrahim Rugova, LDK trasoi vizionin e rezistencës paqësore, unitetin kombëtar dhe orientimin perëndimor.

Ky vizion e mbajti gjallë te populli shpresën shtetformuese në periudhën më të vështirë të historisë sonë, deri te liria dhe pavarësia e Kosovës.

Pas Rugovës, humbja e identitetit

Pas vdekjes së Presidentit Rugova, LDK-ja hyri në një proces degradimi politik dhe organizativ.

Kryetarët pasues, Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa, erdhën me zhurmë, pa vizion të qartë politik.

Nën moton e “reformave”, ata gradualisht e larguan LDK-në nga identiteti i saj rugovian, duke e shndërruar në një parti pa peshë politike dhe pa projekt afatgjatë.

Gjatë kësaj periudhe, LDK u nda disa herë, si pasojë e lidershipit.

Anëtarësia sinjalizoi me mosvotim, por lidershipi ishte i shurdhër.

Humbja e madhe në zgjedhjet e vitit 2021 ishte një alarm serioz për ekzistencën e partisë.

Pas presionit dhe ndarjes së partisë, lidershipi i LDK-së reflektoi me zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së re.

Z. Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së – një shans i duhur

Zgjedhja e z. Lumir Abdixhikut u pa si mundësi për ringritje. U krijua perceptimi i një fryme të re, por shpejt u dëshmua se kjo risi ishte më shumë formale sesa thelbësore.

Z. Abdixhiku, si kryetar i LDK-së, nuk e njohu dhe nuk e kuptoi shpirtin e rugovizmit dhe elektoratin tradicional të partisë, siç është hapja e partisë dhe komunikimi me anëtarësinë.

Kjo ishte e kuptueshme, pasi ai erdhi si prurje e jashtme dhe jo nga strukturat e partisë. Andaj nuk e kuptonte garën zgjedhore në aktive, nëndegë dhe degë.

Mbështetja për njerëz të rinj është e natyrshme kur ata janë në LDK dhe punojnë për LDK-në, por mungesa e vizionit politik te prurjet e reja u bë shpejt e dukshme. Strukturat e vjetra u anashkaluan, gjë që ishte e panevojshme.

Anëtarësia disa herë tregoi pakënaqësi, por kryetari zgjodhi të mos komunikojë me anëtarësinë dhe e vazhdoi udhëheqjen e partisë me praktika të liderit të pakontestueshëm, të ngjashme me atë të Vetëvendosjes: vendimmarrje të mbyllur, përjashtim të mendimit ndryshe dhe retorikë pa frymëzim politik.

Në vend të një udhëheqjeje bashkuese, LDK mori një udhëheqje të mbyllur dhe autoritare. Z. Abdixhiku u përpoq të shfaqej si lider i LDK-së, por në realitet mbeti vetëm një kryetar partie pa ndonjë koncept politik.

Centralizimi i partisë – gabim strategjik

Tentimi për centralizimin e partisë ishte një gabim serioz. Kjo sjellje e kryetarit dhe e kryesisë vazhdon ta dëmtojë rëndë LDK-në edhe pas humbjes së thellë.

Është e vërtetë se LDK-ja në opozitë pati paraqitje korrekte në Kuvend, hartoi program zgjedhor solid dhe krijoi lista kandidatësh për deputetë me profile të respektuara nga jeta politike, ekonomike, ushtarake dhe shkencore. Por elektorati, pavarësisht kësaj, u largua.

Pse ndodhi ky fenomen duhet studiuar.

Pjesa besnike e elektoratit e votoi LDK-në si ide, jo kryetarin.

Një pjesë e elektoratit u zhgënjye dhe kaloi te e majta, duke menduar se rugovizmi është zhvendosur te Lista Guxo, ndërsa një pjesë e madhe zgjodhi abstenimin si shprehje mosbesimi ndaj lidershipit.

Sinjalizimi i dëshpërimit

Pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, kryetari dhe kryesia duhej të jepnin dorëheqje ose të kërkonin votëbesim në Kuvendin e partisë. Kjo nuk ndodhi. Anëtarësia u zhgënjye. Kryetari nuk e kishte legjitimitetin e plotë për të vazhduar udhëheqjen e partisë, pasi i kishte humbur zgjedhjet që i kishte premtuar.

Zhgënjimi u rrit kur humbja filloi të prezantohej si fitore vetëm pse pati rritje të lehtë.

LVV arriti ta bindë një pjesë të elektoratit të LDK-së se LDK-ja është fajtore për bllokadën në Kuvend dhe moskrijimin e institucioneve, gjë që nuk ishte e vërtetë, ndërsa LDK-ja nuk arriti të arsytohej.

Në fushatë, LDK-ja nuk u mor me tema të mëdha, siç ishte Asociacioni dhe politika e jashtme. Premtimet ishin të ngjashme me ato të VV-së.

Gjatë gjithë mandatit, fushatës dhe debateve televizive, LDK kritikonte qeverisjen e dobët të z. Kurti, gjë që për elektoratin e LDK-së nuk ishte diçka e re dhe nuk kishte peshë.

Në zgjedhjet lokale të nëntorit ishte alarmi i fundit për reflektim të kryetarit dhe kryesisë, përmes dorëheqjes ose votëbesimit.

Megjithatë, lidershipi, pasi humbi disa komuna, përsëri u përpoq t’i paraqiste humbjet si fitore, për shembull fitorën e Prishtinës me një kandidat jo anëtar të LDK-së (z. Përparim Rama). Kjo tregon se anëtarësia nuk i beson lidershipit të LDK-së.

Pa reflektim të lidershipit, LDK hyri në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Rezultati ishte i parashikueshëm, por jo kaq i thellë.

Humbja nuk ishte pasojë e forcës së kundërshtarëve politikë, por dënim i brendshëm nga vetë anëtarësia dhe elektorati tradicional.

Dorëheqja që nuk ndodhi

Z. Lumir Abdixhiku duhej të jepte dorëheqje më 28 dhjetor 2025. Një akt i tillë moral do ta forconte atë personalisht dhe do t’i bënte nder partisë. Sot, anëtarësia ka humbur besimin edhe në Kuvendin e LDK-së.

Nëse lidershipi nuk reagon shpejt, rreziku është ndarja e thellë në Kuvend ose rënia edhe më e madhe në rast të zgjedhjeve të reja.

Për anëtarësinë, fitorja e Abdixhikut ose e Hotit në Kuvendin e radhës nuk është zgjidhje. Një numër i madh i anëtarësisë është i zhgënjyer dhe e arsyeton këtë zhgënjim me lojën e kryetarit dhe kryesisë. Kjo pakënaqësi rrezikon rënie edhe më të thellë në rast të zgjedhjeve të reja.

Heshtja që rëndon

Heshtja e Kryesisë e thellon krizën në LDK.

Kjo heshtje ngre pyetje serioze: a po ruhen pozitat personale të kryetarit, i cili ka humbur tri palë zgjedhje, apo po pritet largimi i anëtarëve të devotshëm të LDK-së për të mbetur një rreth i mbyllur që kinse mbron interesin e partisë?

Rruga e vetme për shpëtim

LDK ka nevojë për zgjedhje urgjente për një lidership të ri, bashkues dhe me vizion të qartë rugovian. Kryetar dhe kryesi që rikthejnë dialogun e brendshëm, respektojnë anëtarësinë dhe janë të hapur për bashkëpunim politik, duke ruajtur frymën rugoviane dhe interesin e Kosovës.

Koha për zgjedhje të brendshme është tani, duke filluar nga aktivet lokale, nëndegët, degët e deri te Kuvendi i partisë, përmes një procesi të thellë demokratik që të nxjerrë një Kuvend të ri.

Përndryshe, rreziku është real që LDK-ja, partia që krijoi shtetin e Kosovës, të mbetet vetëm një kapitull i mbyllur i historisë politike, çka do të ishte një humbje për vendin dhe demokracinë në Kosovë, sepse LDK është më shumë se një parti politike, dhe humbjes së saj i gëzohet e majta.