Kerko: a
Fritz Radovani: 115 vjet, O Ded Gjo’ Luli
E merkure, 14.01.2026, 06:57 PM
Përgatiti Fritz RADOVANI – Pjesa I
115 VJET
O, Ded Gjo’ Luli

Ded Gjo’ Luli (1840–1915)
Po emni i yt asht i përjetshëm!
Një
emën që, tue mos pasë pranë asnjë epitet, nënkupton në vetvete: Shqipninë,
Flamurin, Malësinë, Hotin, Burrninë, Trimin e Traboinit, nderën, vetflijimin
për Atdhe dhe, së fundit, “shpifjet dhe harresën”...
Kur
mësuem këtë emën, na dukej se bahej fjalë për një person që e kishim ndigjue
dikund… ndoshta ndër përralla, mbasi nuk kishim ide se një malësor nga Hoti
mund të detyronte një sulltan të Stambollit me i kërkue “marrëveshje”… e
ndoshta edhe me e peshue me monedha ari. Asnjëherë nuk shihej as flamuri i tij,
edhe pse Foto Kel Marubi e kishte fiksue në xhamat e vjetër të studios së tij.
Dikund
ndër skuta të shtëpisë e kishim edhe një fotografi “të mbetun”, ma shumë se të
ruejtun, mbasi kontrollet e vazhdueshme të sigurimit komunist kishin marrë me
vete çdo foto që kishte një njeri me armë ose të veshun ushtarak. Për fat, Deda
ishte i veshun me çakçir; nuk ua pat tërheqë synin e tyne “vigjilent”.
Herën
e parë këtë emën e pata ndigjue nga një grue e veshun me rroba të zeza, që pat
ardhë për vizitë në shtëpinë tonë. Ajo ishte jo aq plakë sa e bante shamija e
zezë mbi kokën e saj dhe fytyra e lodhun nga qendresa për mos me kja për
vrasjet e djelmëve të saj, nga stuhija e ardhjes së komunistave me ernat
rrënuese të Serbisë, që ajo i njihte me kohë, kur ishte kenë vajzë e re. Ishte
Katrinë Tomja… edhe sot kujtoj ata dy sy shqiponje, apo të ndonjë sfinksi – nuk
mund ta përcaktoj – por pa i shtue asgja nga fantazia ime fëminore, ata ishin
sa një filxhan kafeje dhe të zezë si futa, që i mbështillte fytyrën e skalitun
si ndër vepra arti që shfletojshe në libra, por gati pa kuptue asgja.
Ajo
i foli nanës sime për qëndresën e saj, se “grueja apo vajza malësore e ka për
turp me u pa një pikë loti tue i ra nëpër faqet e saj, kjoftë edhe për djalin e
vetëm…”. Kjo bisedë më tërhoqi vëmendjen, mbasi nuk ishte larg nga koha e
vdekjes së babës dhe unë po mendojshe se cilit fis i përkiste nana eme, që
porsa zente me gojë emnin e babës, i shkonin lotët rrëkajë. Kur iku, e pyeta
nanën pse nuk i shkonin lotët asaj kur bisedonte për djelmët e vet të vramë nga
partizanët, dhe nana më tha shkurt: “Ajo asht një nga burrneshat që ka luftue
vetë me armë në dorë… ndër male kundër serbëve!”
Ma
vonë jam kujtue pse ndër male nuk qajnë femnat tona: se atyne u asht pjekë syni
nga duhma e barotit në beteja të rrebta përkrah trimave të vet malësorë.
Ishte
viti 1961 kur pata fatin me kalue ndër duert e mia një nga gazetat ma të
njohuna shqiptare, “Ora e Maleve”, aso kohe rrebtësisht e ndalueme me u lexue.
Por për me dashtë me ditë kush asht kenë ai burrë me emnin Dedë Gjo’ Luli, aty
mundesh me gjetë esencën e veprës së tij, të shprehun në pak rreshta, por të
saktë, ashtu si të gjithë dokumentat që përfshihen ndër ato faqe. Sigurisht,
tue lexue aty gjen edhe fakte ende të panjoftuna ose të lanuna më njëanë me
qëllim të keq, që ma vonë me u arkivue në “harresë”.
Deri
këtu do të ishte diçka edhe e pranueshme me rrugën e vështirë që vazhdon me ecë
historia e vërtetë e popullit shqiptar, ende e pashkrueme, por ajo ma e keqja
asht shtrembnimi i fakteve historike. Kjo më ka shty me u ulë me shkrue këta
pak rreshta për mikun e shtrenjtë të të parëve të mi, që në ato ditë të shenjta
të marsit 1911 ishin përkrah Dedë Gjo’ Lulit.
Dedë
Gjo’ Luli asht le aty rreth vitit 1840. Kur mungon data e saktë në artikujt e
klerikëve, ajo datë asht e pamundun me u gjetë. Edhe ata e tregojnë jetën e tij
nga goja e njerëzve të afërt të Dedës, në gazetën “Ora e Maleve”, dokument të
cilit i jam referue pa frikë. Vendi ku çeli shqipja këtë vigan asht Mali i
Traboinit. Ishte djalë i vetëm. Gjithmonë Shqipnia ka pasë fatin e saj me u
mburrë me “relike” të vetme…
Koha
e Miletit asht ajo që zen fillë emni i tij, kur me Preng Bibdodën, Çun Mulen e
Hotit, Hodo Begun, të famshmin Marash Ucin e sa perla tjera të “Lahutës së
Malësisë”, me të cilat At Gjergj Fishta i vuni në gjoksin e nanës së vet
Shqipni gjerdanin e artë të lavdishëm dhe të përjetshëm të tyne, në betejat e
përgjakshme kundër turkut.
Atëherë
kur Hafiz Pasha i Turqisë së plotfuqishme u pat kërkue armët malësorëve, bash
ato “dreq” armësh me të cilat u ka dalë punë të gjithëve, Deda mori malet
bashkë me disa burra që historia e sotme e Shqipnisë nuk i njeh: Sokol Bacin,
Smajl Martinin, Dedë Preçin, Keqa Prelen, Dulo Staken. Për dy vjet patën shkue
ndër bjeshkë të Krasniqes, në shtëpinë e një tjetër emni të “harruem”, Qazim
Binakut.
Pas
formimit të Lidhjes së Prizrenit, qetësia e Perandorisë Osmane kishte marrë
fund njëherë e përgjithmonë. Malësorët nuk i mbante ma as frika, as huni, as
“premtimi”. Lufta e tyne për liri ishte ndezë në të katër anët. Flaka kishte
përfshi Hotin, Grudën dhe Kastratin.
Të
gjithë kishin rrokë armët. Beteja ma e rrebta u ba në Traboin, në Qafën e
Kishës dhe në Spi, ku Dedë Gjo’ Luli u pat tregue anmiqve të Shqipnisë se kush
asht shqiptari i “ringjallun”.
Asht
pragu i një ringjalljeje të madhe. Po rilindte një popull i nëpërkëmbun, për
mos me u shtrue e mos me u shue kurrë. Ky ishte populli shqiptar që trandi
Ballkanin.
Ishte
viti 1910, kur Trimi i Traboinit, me vullnetin e tij prej çeliku, ndodhej mes
kryengritësve të Malësisë së Madhe (Malësisë së Mbishkodrës), dhe len trollin e
vet për mos me u kthye kurrë, më 29 korrik.
Melbourne, 14 janar 2026
Vazhdon Pjesa II









