E merkure, 31.12.2025, 09:47 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Nga viti në vit

E merkure, 31.12.2025, 04:54 PM


Nga viti në vit

Nga Blerim Rrecaj

Sa shpejt u gjend në fundvit! Përgjatë këtij viti ndodhën ato që ndodhën. Seç iu vërtit diç nëpër mendje dhe përfytyroi një mozaik vlerash që lanë gjurmë, nëpër të cilin kaloi, mori pjesë, që qëndisën e zbukuruan jetën, e bënë atë më të këndshme e më të bukur. Dhe se ky mozaik përbëhej nga  shembuj konkretë, nga njerëz, nga emra, nga aktivitete, ngjarje, çaste që i lanë mbresa, që e frymëzuan, që e këndellën, e që iu dukën pjesëza përbërëse të një viti mjaft  mbresëlënës.

Nga të fillonte se, kjo e bënte pak hezitues për të  të vazhduar. Pushoi pak, u hodh në krahët e heshtjes, pa mundur të qëndronte gjatë në gjirin e saj. "I gjori ti", tha. Pastaj "i lumi ti". Mëdyshja vallëzonte. Pasandaj edhe ajo u lodh. Dhe i mbeti të vendoste për këtë mozaik. Dhe në fund mori vendim. Ia nisi për ndërtimin e këtij mozaiku vjetor nëse mund të shprehej kështu, gur pas guri, duke vënë në shërbim intuitën, dijen, përvojën, mësimet e jetës. Mund të jetë një mozaik i larmishëm e duke përfshirë lëmenj të ndryshëm, një llojllojshmëri shumëngjyrëshe veprimtarish kulturore.

Dhe filloi.

E nisi me librat. Edhe gjatë këtij viti kishte blerë disa libra. Disa te librashitësit e rrugës, disa nëpër librari. Disa nga ta i kishte lexuar, disa i kishte nisur, disa i kishte lexuar deri kah gjysma, e disa s'i kishte hapur ende, e sikur prisnin t'u vinte radha, t'u vinte çasti. Dhe çfarë do të veçonte nga ta. Përzgjedhja gjithmonë është e vështirë kështu që fajin për këtë do ia linte shijes e subjektivitetit siç thuhet zakonisht. Sa libra do t'i përmendte një, dy a ndoshta edhe pesë, po e shihte, tu pa e tu ba. Ishte i vetëdijshëm se disa i kishin lënë mbresa dhe mbase mund të kthehej te rileximi i tyre, por nëpërmendi një listë, duke pasur parasysh atë që kishte dëgjuar diku, se shumë gjëra është mirë t'i njoftonte të tjerët, t'i shpërndante, t'i  përhapte, sepse edhe kështu bëhej një punë e mirë, pasi të tjerët mund t'i kuptonin më mirë, dhe t'ia shihnin hajrin një njoftimi sado të thjeshtë. I tha vetes mos e zgjat se mos po bëhesh bajat dhe vijoi me radhë. Ndonjëri nga librat ishte me poezi, tjetri me kujtime, njëri me tregime, ndonjëri humoristik e satirik e tjetri publicistik me leximin të cilin siç duket po e përmbyllte këtë vit.

Vazhdoi të përsiaste.

Në këtë kohë vrullesh teknologjike vazhdonte të blente dy gazeta të përvajshme letrare që vinin nga Tirana në Prishtinë, nëpër ca pika shitëse, njëra nga to në kioskun e sheshit afër Radio Kosovës e tjetra në dyqanin brenda hapësirës së Stacionit  Ndërurban të Autobusëve të kryeqytetit.

U kujtua se gjatë këtij viti pa pesë-gjashtë shfaqje në kompleksin e Pallatit të Rinisë pasi që ende nuk janë kryer punimet në objektin e Teatrit  Shfaqjet ishin të realizuara, qofshin ato me karakter tragjik, komik a përzierje e dy zhanreve.

Diçka tjetër për të cilën e vërtiti mendjen ishin tri-katër koncerte, dy-tri festivale këngësh, me karakter kombëtar a ndërkombëtar, vallesh, a këngësh ku u përzie me të pranishmit qoftë në mjedise të hapura qoftë në salla, duke u bërë pjesë e reagimeve, brohorimave,

duartrokitjeve. Aty-këtu ndërroi dy fjalë me dikë, e bënë dhe ndonjë fotografi, për kujtim.

U kthye te strehëza e portaleve për t'u ndalur te një mori shkrimesh të bukura, frymëzuese, në lajme, kronika, raporte, reportazhe, analiza e studime, e vëmendjen e përqëndroi te ato shkrime ku mbrohej interesi i përgjithshëm, ku flitej për përafrime e bashkëpunime në sfera të ndryshme, ku mblidhej energjia për të ecur përpara e ku tërhiqej vërejtja për rreziqet që dëmtonin familjen, rrethin, shoqërinë, shtetin e kombin.

U ndal edhe te sukseset e sportit, ku do të veçonte fitoret frymëzuese të Shqipërisë e Kosovës, e shqiptarëve anembanë,  qoftë në futboll, qoftë në xhudo, qoftë në mundje, në atletikë e kudo, ku kurorëzoheshin përpjekjet, mundi e djersa.

U gëzua kur u ndesh me ndonjë gjë kreative qoftë rrugëve, kafeneve, ndejave, bisedave, stacioneve, parqeve.

Pra, ditë pas dite, sikurse që thuhet për pusin që mbushet pika-pika, edhe ky vit po përmbushet. Me gjithë shenjat e gjurmët e veta. Me ndjenja të përziera, me kuptime e nënkuptime, me ndonjë gjë që duhet lexohet mbi, nën, anash a mes rreshtash. Sidoqoftë, ishte vit që na dhuroi një sofër të mirash, të mbarash e vlerash, që duhet t'i ruajmë e kultivojmë, një arsye më shumë për të vazhduar për t'u përmirësuar e për të thënë:

Gëzuar!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx