Mendime
Ilir Çumani: Përse “Vëllai i vogël” Albini duhet të marrë për dore “vëllanë e madh” Edin…!?
E hene, 29.12.2025, 07:00 PM
PËRSE “VËLLAI I VOGËL” ALBINI DUHET TË MARRË PËR DORE “VËLLANË E MADH” EDIN…!?
Nga Ilir Çumani
Zgjedhjet në Kosovë
na paraqitën një model normaliteti të thjeshtë demokratik që, në vend të ishte
i tillë edhe për Shqipërinë, shndërrohet në pasqyrë të një krize ciklike dhe të
thellë politike e morale.
Ironia është e madhe
dhe domethënëse: Kosova, një shtet i ri, ende në proces konsolidimi
ndërkombëtar, arrin të zhvillojë zgjedhje me rregull, qartësi dhe brenda një
kohe të arsyeshme, ndërsa Shqipëria, me 113 vite shtet, ndodhet në një rreth
vicioz dhe vazhdon ende të prodhojë paqartësi, zvarritje dhe konflikt të
përhershëm.
Ky kontrast nuk është
më vetëm institucional. Ai ka marrë formë të qartë edhe përmes dy modeleve të
lidershipit politik, që sot mishërohen nga Albin Kurti në Kosovë dhe Edi Rama
në Shqipëri. Dy figura, dy stile, dy mënyra krejtësisht të ndryshme të të bërit
politikë dhe të raportit me kundërshtarin, me institucionin dhe me pushtetin.
Albin Kurti, “vëllai
i vogël” në kronologjinë shtetërore shqiptare, drejton një shtet të ri, me
plagë të hapura historike dhe presione të vazhdueshme politike. Megjithatë, ai
ka ndërtuar një raport më të disiplinuar me procesin demokratik. Zgjedhjet nuk
shihen si luftë për shkatërrimin e kundërshtarit, por si mekanizëm legjitim për
të marrë dhe ushtruar pushtetin.
Humbja pranohet si
pjesë e rregullit demokratik, ndërsa fitorja nuk shndërrohet automatikisht në
arrogancë institucionale. Ky qëndrim nuk e bën politikën kosovare të përsosur,
por e bën funksionale.
Në anën tjetër, Edi
Rama, drejtues i një shteti me mbi një shekull histori, shfaq një model
lidershipi të ndërtuar sipas një tipologjie neo-otomane, mbi konfliktin dhe
intriga të vazhdueshme, mbi personalizimin ekstrem të pushtetit dhe përçmimin e
hapur ndaj kundërshtarit politik.
Në Shqipëri,
zgjedhjet nuk përjetohen si akt normal demokratik, por si betejë ekzistenciale,
ku fituesi merr gjithçka dhe humbësi delegjitimohet. Ky model sjelljeje
politike ka prodhuar një kulturë tensioni të përhershëm, ku institucionet
politizohen, proceset zvarriten dhe besimi publik shkatërrohet.
Paradoksi është i
fortë dhe i dhimbshëm: vëllai i vogël, Kosova, i jep model dhe leksion
demokracie vëllait të madh, Shqipërisë. Dhe në këtë kontekst lind natyrshëm
pyetja: pse Albin Kurti duhet t’i japë dorën Edi Ramës? Jo për ta ndihmuar
politikisht, por për t’i treguar rrugën e duhur dhe për t’i kujtuar rregullat
elementare të të bërit politikë edhe me kundërshtarin — ato rregulla që Shqipëria, pavarësisht moshës së saj si shtet, duket se i ka harruar.
Në Kosovë,
pavarësisht retorikës së fortë politike, ekziston një vijë ndarëse mes garës dhe
shtetit. Në Shqipëri, kjo vijë është fshirë prej kohësh. Politika është në
fushatë të përhershme, institucionet janë zgjatim i pushtetit dhe zgjedhjet
shndërrohen në procese të errëta, të zgjatura dhe të kontestuara. Ky nuk është
problem teknikaliteti, por problem kulture politike.
Albin Kurti
përfaqëson një model shtetari që kërkon të legjitimohet përmes procesit. Edi
Rama përfaqëson një model sundimtari, ku procesi i shërben legjitimimit të
pushtetit të kapur prej tij. Këtu qëndron dallimi thelbësor.
Njëri ndërton raport
me rregullin, tjetri me kontrollin. Njëri pranon kufijtë e lojës demokratike,
tjetri i shtyn ose i deformon ato.
Pas 113 vitesh shtet,
Shqipëria nuk ka më justifikime historike. Ajo nuk është viktimë e rinisë së
vendit, por e një klase politike që refuzon të maturohet dhe të piqet. Dhe për
sa kohë ky model lidershipi mbizotëron, çdo zgjedhje do të prodhojë më shumë
kriza se demokraci, më shumë tension se besim. E për rrjedhoj edhe më shumë
korrupsion dhe destabilitet, paqe sociale të munguar.
Modeli ekziston.
Është aty, në Kosovë, në një shtet më të ri, por më të disiplinuar në
respektimin e rregullit demokratik. Ndoshta ka ardhur koha që vëllai i madh të
pranojë se ka humbur busullën dhe të dëgjojë vëllain e vogël. Jo për krenari,
por për më shumë kulturë demokratike. Jo për pushtet, por për SHTET!










