E hene, 29.12.2025, 09:47 PM (GMT)

Mendime

Lekë Mrijaj: 'Të mirës duhet t'i jepet krahu'

E hene, 29.12.2025, 06:55 PM


"Të mirës duhet t'i jepet krahu" – thënie popullore

Shkruan: Lekë Mrijaj

Kjo thënie e urtë, e lindur nga përvoja kolektive e popullit tonë e cila edhe e merr një kuptim të veçantë kur lexohet në dritën e rezultatit të përgjithshëm zgjedhor në Republikën e Kosovës. Zgjedhjet e sotme parlamentare nuk janë vetëm shifra dhe numra; ato janë pasqyrë e vullnetit qytetar që kërkon drejtim të qartë, përgjegjësi dhe shpresë për të ardhmen.

Triumfi bindës i Lëvizjes Vetëvendosje ( e cila ka fituar 49.30 % ), ndaj opozitës tradicionale – LDK-së (e cila ka fituar 13.59 %), PDK-së (e cila ka fituar 21.01%), dhe AAK-së (e cila ka fituar 5.68 %), nuk ishte rastësi, por rezultat i një orientimi të qartë i sovranit...

Në thelb të këtij orientimi te sovranit i qëndron bindja se e mira njerëzore e ka nevojë për mbështetje të vendosur. Qytetari kosovar, i lodhur nga premtimet boshe dhe të pambajtura dhe nga hijet e së kaluarës politike, i dha "krahun" një force që e konceptoi ndryshimin si projekt konkret, e jo thjesht si slogan elektoral. Fitorja e Vetëvendosjes u shndërrua kështu në një lloj referendumi plebishitar moral: për drejtësi institucionale, për barazi para ligjit dhe për një qeverisje që synon mbrojtjen e interesit publik.

Opozita, megjithëse me histori dhe kontribute të pamohueshme në procesin e shtetformimit, u përball me dy sfida kryesore: mungesën e një vizioni të ri politik dhe largimin nga pritjet e brezit të ri. Zgjedhjet treguan se elektorati nuk u mjaftua vetëm me kujtesën historike, por kërkoi ide të reja dhe një perspektivë të besueshme për të ardhmen. Në këtë kuptim, humbja e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së ishte më shumë se një rezultat numerik; ajo ishte një thirrje për reflektim dhe reformim të thellë brenda përbrenda partisë...

Triumfi i Levizjës Vetëvendosje nga ana tjetër, nuk duhet kuptuar si një autorizim pa kufij. Urtësia popullore që hap këtë reflektim na kujton se mbështetja për të mirën shoqërohet gjithmonë me përgjegjësi. Qeverisja e mirë matet me rezultate konkrete: me sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, arsimin cilësor dhe dinjitetin social. Vetëm në këtë mënyrë "krahu" i dhënë shndërrohet në ecje përpara, e jo në zhgënjim.

Në përfundim nga këndveshtrimi im e them se, zgjedhjet në Republikën e Kosovës shënuan një moment të rëndësishëm të pjekurisë demokratike. Qytetarët-sovrani folën qartë dhe zgjodhën atë që e perceptuan si të mirën e përbashkët. Sfida qëndron tani në shndërrimin e këtij vullneti në politika të drejta dhe të qëndrueshme. Sepse e mira nuk mjafton vetëm të dallohet – ajo duhet të mbështetet, të mbrohet dhe të udhëhiqet me mençuri, që krahu i dhënë të bëhet forcë që ndërton të ardhmen. Mirënjohje për Republikën e Kosovës!

29 dhjetor 2025- Gjermani



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx