| E hene, 29.12.2025, 06:55 PM |
"Të mirës duhet t'i jepet krahu" – thënie popullore
Shkruan: Lekë
Mrijaj
Kjo thënie e urtë, e lindur nga përvoja kolektive e
popullit tonë e cila edhe e merr një kuptim të veçantë kur lexohet në dritën e
rezultatit të përgjithshëm zgjedhor në Republikën e Kosovës. Zgjedhjet e sotme
parlamentare nuk janë vetëm shifra dhe numra; ato janë pasqyrë e vullnetit
qytetar që kërkon drejtim të qartë, përgjegjësi dhe shpresë për të ardhmen.
Triumfi bindës i Lëvizjes Vetëvendosje ( e cila ka fituar
49.30 % ), ndaj opozitës tradicionale – LDK-së (e cila ka fituar 13.59 %),
PDK-së (e cila ka fituar 21.01%), dhe AAK-së (e cila ka fituar 5.68 %), nuk
ishte rastësi, por rezultat i një orientimi të qartë i sovranit...
Në thelb të këtij orientimi te sovranit i qëndron bindja
se e mira njerëzore e ka nevojë për mbështetje të vendosur. Qytetari kosovar, i
lodhur nga premtimet boshe dhe të pambajtura dhe nga hijet e së kaluarës
politike, i dha "krahun" një force që e konceptoi ndryshimin si
projekt konkret, e jo thjesht si slogan elektoral. Fitorja e Vetëvendosjes u
shndërrua kështu në një lloj referendumi plebishitar moral: për drejtësi
institucionale, për barazi para ligjit dhe për një qeverisje që synon mbrojtjen
e interesit publik.
Opozita, megjithëse me histori dhe kontribute të
pamohueshme në procesin e shtetformimit, u përball me dy sfida kryesore:
mungesën e një vizioni të ri politik dhe largimin nga pritjet e brezit të ri.
Zgjedhjet treguan se elektorati nuk u mjaftua vetëm me kujtesën historike, por
kërkoi ide të reja dhe një perspektivë të besueshme për të ardhmen. Në këtë
kuptim, humbja e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së ishte më shumë se një rezultat
numerik; ajo ishte një thirrje për reflektim dhe reformim të thellë brenda
përbrenda partisë...
Triumfi i Levizjës Vetëvendosje nga ana tjetër, nuk duhet
kuptuar si një autorizim pa kufij. Urtësia popullore që hap këtë reflektim na
kujton se mbështetja për të mirën shoqërohet gjithmonë me përgjegjësi.
Qeverisja e mirë matet me rezultate konkrete: me sundimin e ligjit, zhvillimin
ekonomik të qëndrueshëm, arsimin cilësor dhe dinjitetin social. Vetëm në këtë
mënyrë "krahu" i dhënë shndërrohet në ecje përpara, e jo në zhgënjim.
Në përfundim nga këndveshtrimi im e them se, zgjedhjet në
Republikën e Kosovës shënuan një moment të rëndësishëm të pjekurisë
demokratike. Qytetarët-sovrani folën qartë dhe zgjodhën atë që e perceptuan si
të mirën e përbashkët. Sfida qëndron tani në shndërrimin e këtij vullneti në
politika të drejta dhe të qëndrueshme. Sepse e mira nuk mjafton vetëm të
dallohet – ajo duhet të mbështetet, të mbrohet dhe të udhëhiqet me mençuri, që
krahu i dhënë të bëhet forcë që ndërton të ardhmen. Mirënjohje për Republikën e
Kosovës!
29
dhjetor 2025- Gjermani