Mendime
Asllan Dibrani-Luani: Urime Albin Kurti
E hene, 29.12.2025, 06:49 PM
Urime Albin Kurti mandati i tretë dhuratë nga opozita që goditi shtetin
Shkruan
Asllan Dibrani-Luani
Ka fitore që ndërtohen me program, dhe
ka fitore që dhurohen me deklarata. Mandati i tretë i Albin Kurtit i përket
kategorisë së dytë. Ai nuk erdhi vetëm nga puna e Vetëvendosjes, por nga një
opozitë që vendosi të luftojë Kurtin duke e luftuar vetë Kosovën.
Në këtë garë për absurditet politik, dy
emra dolën fitues absolutë: Hykmete Bajrami dhe Lumir Abdixhiku. Jo
si liderë opozitarë, por si strategë të padukshëm të fitores së
Vetëvendosjes.
Le ta nisim me deklaratën tashmë
historike të Hykmete Bajramit, e cila në një moment ndriçimi politik na siguroi
se:
“Nuk kam problem me Listën Serbe –
problemin e kam me Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin.”
Fantastike. Në një vend ku Lista Serbe
ka qenë instrument i drejtpërdrejtë i Beogradit për bllokim institucionesh,
zonja Bajrami gjeti armikun kryesor te qeveria e Kosovës. Një deklaratë e tillë
nuk është qëndrim opozitar – është manual se si t’i trembësh votuesit
shqiptarë nga vetja.
Ironia është therëse: ndërsa
Vetëvendosja po përballej me presion ndërkombëtar për veriun, opozita po e
relativizonte Listën Serbe. Dhe pastaj pyesin pse qytetari i zakonshëm
tha: “Më mirë ky që s’ka problem me Beogradin, sesa ata që s’kanë
problem me Listën Serbe.”
Tani kalojmë te Lumir Abdixhiku, njeriu
që mendoi se sloganet boshe mund ta zëvendësojnë përgjegjësinë shtetërore.
“Mjaft është mjaft”, tha ai. Dhe kishte të drejtë – por jo në mënyrën që e
mendoi.
Kulmi erdhi kur vendosi të na sqarojë historinë:
“Mitrovica nuk ka qenë e jona.”
Kaq. Me një fjali, Abdixhiku arriti atë
që s’e kishte arritur as propaganda serbe: ta normalizojë dorëzimin
verbal të territorit. Nuk ishte lapsus. Ishte filozofi politike e zhveshur
nga çdo ndjenjë shtetërore.
Në atë moment, çdo votues që kishte
dilemë, e kuptoi qartë zgjedhjen:
një kryeministër që përplaset për sovranitetin, apo një opozitë që heq dorë nga
Mitrovica me qetësi akademike.
Rezultati dihet. Vetëvendosja fitoi.
Albin Kurti mori mandatin e tretë. Dhe jo pak – por me një epërsi
që i lejon të qeverisë pa frikë nga bllokadat që dikur ishin “sport opozitar”.
Në fakt, këto dy deklarata bënë më shumë
se çdo tubim i Vetëvendosjes. Ato ia dhuruan Kurtit të paktën 8
deputetë shtesë. Falas. Pa fushatë. Pa shpenzime.
LDK-ja, ndërkohë, vazhdon të flasë për
Rugovën, por sillet sikur nuk e ka lexuar kurrë. Rugova nuk do të thoshte se
Mitrovica s’është e jona. Rugova nuk do ta relativizonte Listën Serbe. Ai do ta
dinte se fjala, në politikë, peshon po aq sa vendimi.
Prandaj, sot kemi këtë realitet ironik:
Vetëvendosja qeveris.
Albin Kurti vazhdon mandatin e tretë.
Ndërsa opozita vazhdon… të shpjegojë se çfarë ka dashur të thotë.
Urime Vetëvendosje.
Urime Albin Kurti.
Dhe faleminderit opozitës – për kontributin e saj të pazëvendësueshëm në këtë
fitore.









