E merkure, 24.12.2025, 11:31 PM (GMT)

Kulturë

Don Fran Sopi: Krishtlindja është drita e paqes në historinë e njerëzimit mbi tokë

E merkure, 24.12.2025, 04:59 PM


KRISHTLINDJA ËSHTË DRITA E PAQES NË HISTORINË E NJERËZIMIT MBI TOKË

Shkruan: Don Fran Sopi

Në natën e shenjtë të Krishtlindjes, kur qielli dhe toka preken në një çast amshimi dhe historia e njerëzimit mbi tokë ndalet për të dëgjuar rrahjet e zemrës së Hyjit. Heshtja e Betlehemit bëhet fjalë, errësira shndërrohet në dritë, frika në shpresë. “Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha Birin e vet të Vetmin” (Gjn 3,16), kjo dashuri hyjnore nuk mbetet ide e largët, por merr mish, hyn në kohë dhe bëhet pjesë e fatit njerëzor. Në grazhdin e varfër lind Ai që e shpëton dhe e mban universin, Shëlbuesi i botës, Mbreti i paqes, Drita që nuk shuhet kurrë.

Krishti vjen për njeriun e plagosur nga mëkati dhe nga historia, për njeriun që kërkon kuptim, drejtësi dhe dashuri. Ai nuk pyet për ngjyrë, gjini, gjuhë apo përkatësi kombëtare, sepse dashuria hyjnore nuk njeh kufij. Në Lindjen e Tij shpallet dinjiteti i çdo njeriu që do të thotë se secili tek Ai edhe është i dashur, secili është i thirrur. Dhe kush e pranon këtë dhuratë bëhet pjesë e jetës së Hyjit: “Atyre që e pranuan, u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit” (Gjn 1,12). Kjo është fitorja më e madhe, poliedrike dhe universale e Krishtlindjes ku njeriu nuk është më i vetëm, por bir e bijë dhe një trashëgimtar i shpresës së pasosur.

Në përmasën shpirtërore, Krishtlindja është thirrje për kthim të thellë të zemrës. Nuk mjafton ta kremtojmë Lindjen e Krishtit vetëm me zakone dhe fjalë, por vetvetiu duhet ta lindim Atë në brendësinë tonë. Dy janë aktet që na kërkohen qe ne ta pranojmë kthimin tonë në rrënjë në paqen e Zotit me zemër të pastër dhe ta ruajmë atë me besnikëri të përditshme. Paqja e Krishtit është paqe që shëron ndërgjegjen, qetëson shpirtin dhe i jep forcë njeriut të falë edhe atëherë kur plagët janë të thella. Ajo është paqe që na çliron nga urrejtja dhe na bën ndërtues të pajtimit.

Në përmasën tonë kombëtare shqiptare në vendin tonë, Lindja e Krishtit merr një jehonë të veçantë. Populli ynë martir, i rritur ndër prova, sakrifica dhe qëndresë, e ka bartur ndër shekuj Shpresën si Dritë që nuk Shuhet. Krishtlindja na kujton se forca e një kombi nuk qëndron vetëm në armë apo pasuri, por në vlerat hyjnore shpirtërore që e mbajnë të bashkuar, Besimin, Dejtësinë, Dashurinë për njeriun dhe respektin për jetën. Krishti i porsalindur na fton që historia jonë të shërohet përmes kthimit në rrënjë, përmes faljes dhe që e ardhmja e tyre të ndërtohet mbi paqe, dialog dhe përgjegjësi morale. Vetëm kështu liria bëhet e qëndrueshme dhe shpresa merr rrënjë të thella.

Në përmasën njerëzore dhe shoqërore, Krishtlindja zbret në jetën e përditshme. Krishti hyn në shtëpitë tona, në familjet tona, në gëzimet dhe lotët tanë. Ai vjen aty ku njeriu ndihet i harruar, i varfër dhe i vetmuar. Lindja e Tij na bën përgjegjës për tjetrin: për të dobëtin, për të sëmurin, për të mërguarin dhe për të varfrin. Të jesh i krishterë do të thotë të jesh përcjellës i paqes me vepra konkrete dashurie, me fjalë që ngushëllojnë dhe me jetë që dëshmon besim.

Në këtë dritë, secili prej nesh thirret të bëhet një Betlehem i vogël, vend ku Krishti gjënë strehë. Duke e jetuar paqen e Tij në familje, në shoqëri dhe në jetën publike, ne edhe bëhemi dëshmitarë se drita është më e fortë se errësira dhe se dashuria e Hyjit për ne, vazhdon ta ripërtërijë botën. Krishtlindja nuk është vetëm një kujtim i një nate të shenjtë, por mision i përditshëm. Pra, ta bartim Krishtin e gjallë në zemrat tona dhe në zemrën e popullit tonë.

Prandaj të dashur besimtarë të Krishtit, le ta mirëpresim Shëlbuesin me fe të gjallë dhe me shpresë të palëkundur dhe të bëhemi paqe aty ku ka përçarje, dritë aty ku ka errësirë dhe shpresë aty ku ka dëshpërim, që përmes jetës sonë fizike të dëshmohet se Hyji ende e do botën dhe se në Krishtin e lindur për ne, njerëzimi e gjënë kuptimin, dinjitetin dhe jetën e pasosur.

Për Shumë Mote Krishtlindja!

Pejë, më 24 dhjetor 2025



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx