| E merkure, 24.12.2025, 04:59 PM |

KRISHTLINDJA ËSHTË DRITA
E PAQES NË HISTORINË E NJERËZIMIT MBI TOKË
Shkruan:
Don Fran Sopi
Në
natën e shenjtë të Krishtlindjes, kur qielli dhe toka preken në një çast
amshimi dhe historia e njerëzimit mbi tokë ndalet për të dëgjuar rrahjet e
zemrës së Hyjit. Heshtja e Betlehemit bëhet fjalë, errësira shndërrohet në
dritë, frika në shpresë. “Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha
Birin e vet të Vetmin” (Gjn 3,16), kjo dashuri hyjnore nuk mbetet ide e
largët, por merr mish, hyn në kohë dhe bëhet pjesë e fatit njerëzor. Në
grazhdin e varfër lind Ai që e shpëton dhe e mban universin, Shëlbuesi i botës,
Mbreti i paqes, Drita që nuk shuhet kurrë.
Krishti
vjen për njeriun e plagosur nga mëkati dhe nga historia, për njeriun që kërkon
kuptim, drejtësi dhe dashuri. Ai nuk pyet për ngjyrë, gjini, gjuhë apo
përkatësi kombëtare, sepse dashuria hyjnore nuk njeh kufij. Në Lindjen e Tij
shpallet dinjiteti i çdo njeriu që do të thotë se secili tek Ai edhe është i
dashur, secili është i thirrur. Dhe kush e pranon këtë dhuratë bëhet pjesë e
jetës së Hyjit: “Atyre që e pranuan, u dha zotësinë të bëhen bijtë e
Hyjit” (Gjn 1,12). Kjo është fitorja më e madhe, poliedrike dhe
universale e Krishtlindjes ku njeriu nuk është më i vetëm, por bir e bijë dhe
një trashëgimtar i shpresës së pasosur.
Në
përmasën shpirtërore, Krishtlindja është thirrje për kthim të thellë të zemrës.
Nuk mjafton ta kremtojmë Lindjen e Krishtit vetëm me zakone dhe fjalë, por
vetvetiu duhet ta lindim Atë në brendësinë tonë. Dy janë aktet që na kërkohen
qe ne ta pranojmë kthimin tonë në rrënjë në paqen e Zotit me zemër të pastër
dhe ta ruajmë atë me besnikëri të përditshme. Paqja e Krishtit është paqe që
shëron ndërgjegjen, qetëson shpirtin dhe i jep forcë njeriut të falë edhe
atëherë kur plagët janë të thella. Ajo është paqe që na çliron nga urrejtja dhe
na bën ndërtues të pajtimit.
Në
përmasën tonë kombëtare shqiptare në vendin tonë, Lindja e Krishtit merr një
jehonë të veçantë. Populli ynë martir, i rritur ndër prova, sakrifica dhe
qëndresë, e ka bartur ndër shekuj Shpresën si Dritë që nuk Shuhet. Krishtlindja
na kujton se forca e një kombi nuk qëndron vetëm në armë apo pasuri, por në
vlerat hyjnore shpirtërore që e mbajnë të bashkuar, Besimin, Dejtësinë,
Dashurinë për njeriun dhe respektin për jetën. Krishti i porsalindur na fton që
historia jonë të shërohet përmes kthimit në rrënjë, përmes faljes dhe që e
ardhmja e tyre të ndërtohet mbi paqe, dialog dhe përgjegjësi morale. Vetëm
kështu liria bëhet e qëndrueshme dhe shpresa merr rrënjë të thella.
Në
përmasën njerëzore dhe shoqërore, Krishtlindja zbret në jetën e përditshme.
Krishti hyn në shtëpitë tona, në familjet tona, në gëzimet dhe lotët tanë. Ai
vjen aty ku njeriu ndihet i harruar, i varfër dhe i vetmuar. Lindja e Tij na
bën përgjegjës për tjetrin: për të dobëtin, për të sëmurin, për të mërguarin
dhe për të varfrin. Të jesh i krishterë do të thotë të jesh përcjellës i paqes
me vepra konkrete dashurie, me fjalë që ngushëllojnë dhe me jetë që dëshmon
besim.
Në
këtë dritë, secili prej nesh thirret të bëhet një Betlehem i vogël, vend ku
Krishti gjënë strehë. Duke e jetuar paqen e Tij në familje, në shoqëri dhe në
jetën publike, ne edhe bëhemi dëshmitarë se drita është më e fortë se errësira
dhe se dashuria e Hyjit për ne, vazhdon ta ripërtërijë botën. Krishtlindja nuk është
vetëm një kujtim i një nate të shenjtë, por mision i përditshëm. Pra, ta bartim
Krishtin e gjallë në zemrat tona dhe në zemrën e popullit tonë.
Prandaj
të dashur besimtarë të Krishtit, le ta mirëpresim Shëlbuesin me fe të gjallë
dhe me shpresë të palëkundur dhe të bëhemi paqe aty ku ka përçarje, dritë aty
ku ka errësirë dhe shpresë aty ku ka dëshpërim, që përmes jetës sonë fizike të
dëshmohet se Hyji ende e do botën dhe se në Krishtin e lindur për ne, njerëzimi
e gjënë kuptimin, dinjitetin dhe jetën e pasosur.
Për
Shumë Mote Krishtlindja!
Pejë, më 24 dhjetor 2025