Kulturë
Ilir Muharremi: Elegji për Shemin
E merkure, 24.12.2025, 04:57 PM

Elegji për Shemin
Shkruan:
Ilir Muharremi, kritik i artit
Ai
që na mësoi të dallojmë vlerën e muzikës, që na dha një emër për çdo mall ai zë që herë ishte qetësi e qetë, herë
stuhia e një fjalie është heshtur. Nuk
është vetëm mungesë është një akt i
padrejtë i kohës, një gjykim i ngulur mbi ne. Çdo herë që thoshte "Sa e sa
vite...", ne mësuam të matim vetveten me tinguj kur pëshpëritej
"Magdalena" ne kuptuam se dashuria mund të mbahet brenda një vargu.
Tani ato vargje rrëmbehen prej zjarrit të harresës.
Këngët
e tij "Xhamadani vija vija",
"Gabelica ime", "Mora testin", "Heroi",
"Boemi", "Oj Tirani"
nuk janë thjesht tituj janë gurë të harkuar në urën e kujtesës sonë. Çdo
refren, kur përmendet sot, duket si një thirrje në një shkretëtirë, tingulli vdes
para se të mbërrijë, dhe e gjithë gjuhë e fëmijërisë ngeli si një letër e
copëtuar që era nuk do ta rindërtojë më.
Çfarë
do të thotë të mbash lotin për dikë që të ka bërë të dish? Është të prishësh
një traditë brenda vetes të pranosh se diçka madhështore ka rënë dhe ti je i
vogël. Heshtja e tij është një akuzë
përjetësisht e pranishme që na
shtron pyetjen e vjetër përse jemi ne, dhe kush na mësoi të bëjmë dallimin
midis një kënge dhe një lutjeje? Zëri i tij, që na mblodhi rreth vetes si një
familje e vogël e tingujve, na la të vetëm me kujtimet që shfaqen si shenja në
mur: të mbërthyera, të ftohta, të pashlyera. Le të mos e zbusim humbjen me
fjalë të lehta le ta shohim dhimbjen si një vepër e sakrificës. Ne do të
jetojmë nën hijen e këngëve të tij: ato do të jenë si akuza dhe si shenjtërim
njëherësh. Ndërsa rrugët e qytetit mbajnë emrat e këngëve si plagë, ne do të
mësojmë të lutemi në gjuhën e mungesës. Dhe kur, në mes të natës, një nga ato
tituj kaq të njohur të përmendet pa zë
"Magdalena" loti do të
vijë, i pashmangshëm: jo si dritë që ndriçon, por si dëshmi që rrëzon çdo
përshtypje se diçka e pavdekshme mund të shuhet pa lënë plagë.
Ai
u nda ne mbetëm me zërin e tij në heshtje
dhe ajo heshtje është e rëndë sa një betim. Më besoni: loti që lind nga një
zë i vdekur nuk janë vetëm pika uji janë vula që na bëjnë të rritemi, gri dhe
të thyer, duke bërë nga dhimbja një mësim që s'do ta harrojmë kurrë.









