E shtune, 20.12.2025, 08:03 PM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Esad Mekuli ose identiteti i mohuar dhe poezia e rezistencës

E premte, 19.12.2025, 08:07 PM


Në 109-vjetorin e lindjes së Esad Mekulit

ESAD MEKULI OSE  IDENTITETI I MOHUAR DHE POEZIA E REZISTENCËS

(Ese mbi poezinë “Turk, elhamdulila” të Esat Mekulit)

Nga Prend BUZHALA

Poezia "Turk elhamdulilah" e Esad Mekulit përbën një dëshmi të fuqishme historike, morale dhe letrare mbi një nga plagët më të rënda të shqiptarëve të Kosovës në shekullin XX: shpërnguljen masive drejt Turqisë gjatë viteve ’50, nën trysninë e politikave shtypëse të regjimit jugosllav, të mishëruara në figurën e Aleksandar Rankoviqit. Ky kontekst i i tragjedisë shqiptare shërben si çelës interpretimi për poezinë “Turk, elhamdulila” të Esat Mekulit, e cila nuk është thjesht një krijim poetik, por një akt i hapur rezistence kombëtare. Historia shqiptare e shekullit XX njeh jo pak forma dhune, por ndër më tinëzaret ka qenë ajo që nuk ushtrohej vetëm mbi trupin, por mbi vetëdijen. Vitet ’50 në Kosovë dhe në viset shqiptare nën Jugosllavi shënojnë pikërisht këtë lloj dhune: një politikë shtetërore që synonte të zbrazte trojet nga shqiptarët, duke i shpërngulur drejt Turqisë, nën mashtrimin se feja i bënte “turq” dhe se Anadolli do t’u ishte atdhe i natyrshëm. Humbja e rreth 250 mijë shqiptarëve nga hapësira etnike nuk është thjesht pasojë migrimi, por rezultat i një projekti të qëllimshëm të çrrënjosjes identitare.

1. Konteksti historik: trauma e shpërnguljes dhe mashtrimi identitar

Në këtë kontekst lind poezia “Turk, elhamdulila” e Esat Mekulit (1954), një tekst poetik që e tejkalon funksionin estetik dhe shndërrohet në akt ndërgjegjeje. Mekuli e lë anash  komoditetn e distancës historike, por futet brenda dramës shqipotare, duke e bërë poezinë një formë rezistence morale kundër një ideologjie shfarosëse që synonte ta shndërronte fenë në mjet asimilimi kombëtar.

Kur Esad Mekuli  e kishte shkruar këtë poezi, gjatë viteve '50, në një moment kritik të historisë shqiptare nën ish-Jugosllavi, sidomos në Kosovë, politika e Aleksandar Rankoviqit synonte zbrazjen demografike të shqiptarëve, asimilimin e tyre përmes identitetit fetar, si dhe shpërnguljen drejt Turqisë, duke u imponuar ideja se “myslimani = turk”. Shifra 250 mijë shqiptarë të zhdukur nga hapësira etnike përveçse është një statistikë që e shënon historia, kjo shifër është vetë tragjedia kombëtare me shumë akte. Poezia  e Mekulit duhet lexuar si akt rezistence morale dhe intelektuale ndaj këtij projekti famëkeq. Nga ky aspekt, poezia nuk është vetëm letërsi, por dokument i ndërgjegjes historike. Humbja e 250 mijë shqiptarëve nuk paraqitet vetëm si shifër demografike, por si zhdukje e një pjese të kujtesës historike dhe kulturore. Kjo tragjedi nuk ndodhi rastësisht: ajo u ushqye nga një keqinterpretim i qëllimshëm i fesë, e cila u përdor si mjet për të shuar vetëdijen kombëtare. Pikërisht këtu ndërhyn poezia e Mekulit. Me ironi therëse dhe ton protestues, ai demaskon barazimin e rremë mes fesë islame dhe përkatësisë turke. Vargu përsëritës “Je turk, elhamdulila!” shndërrohet në një refren tragjik, që pasqyron mënyrën se si pushteti dhe propaganda e imponuan këtë identitet të huaj mbi shqiptarët, duke ua ndaluar gjuhën, duke ua mohuar historinë dhe duke i shtyrë të mohonin vetveten. Në fillim, përmendja e mashtrimit kolektiv: bindja e shqiptarëve se ishin “turq” dhe se shpëtimi shpirtëror e material i priste në Anadoll, e zbërthen një tragjedi identitare. Mekuli e sheh pushtimin osman jo si lavdi fetare, por si sundim me “shpatë e zjarr”, si një periudhë ku liria u mohua dhe tirania u normalizua. Megjithatë, kulmi i poezisë nuk është urrejtja, por vetëdija. Deklarata e fuqishme “Po, s’jemi turq, nuk jemi!” është një kthesë morale dhe kombëtare, një thirrje për zgjim dhe vetëpranim. Autori e ndan qartë kombin nga feja, duke theksuar se besimi nuk e zhbën përkatësinë shqiptare.

2. Ironia e fortë e shprehjes “elhamdulila”

Që në titull, poeti përdor një ironi therëse. Shprehja “elhamdulila”, zakonisht shenjë falënderimi dhe paqeje shpirtërore, këtu shndërrohet në refren të nënshtrimit. Ajo nuk vjen si lutje e lirë, por si formulë e imponuar, si gjuhë e pushtetit që kërkon të hyjë në ndërgjegjen e të shtypurit. “Je turk, elhamdulila!” nuk është pohim identitar, por urdhër ideologjik, i përsëritur aq gjatë, sa rrezikon të pranohet si e vërtetë. Ideja kyresore e ksëaj peozie ishte çmontimi i barazimit të fesël me kombin. Boshti ideor i poezisë është kundërshtimi i një barazimi të rremë dhe të rrezikshëm që shqiptari mysliman barazohej me fjalën a kombin TURK. Esad Mekuli e trajton këtë barazim si produkt të dhunës historike, nga njëlra anë, dhe si instrument pushteti me qëllime të zhdukjes së identitett shquipatr, nga ana tjetër:

Fenë me kombësi e njisoi,

Muslim e turk – s’ka da.

Këtu poeti shpalos mekanizmin ideologjik të perandorisë otomane (dhe më vonë të politikave shtetërore): feja përdoret jo si besim, por si etiketë politike. Titulli dhe refreni:

“Je turk, elhamdulila!” është thellësisht ironik. “Elhamdulila” (falënderim Zotit) përdoret këtu jo si devocion, por si maskë e nënshtrimit, si një lutje e detyruar, si gjuhë e pushtetit që hyn në ndërgjegjen e të shtypurit. Refreni “Je turk, elhamdulila!” përsëritet disa herë dhe merr trajtën e një formule hipnotike, që për shekuj iu imponua, për ta “shti shqiptarin”, derisa, siç thotë poeti me dhimbje:

“e nji ditë ndër ne u ndi:

– Jam turk, elhamdulila!”

Kulmi tragjik është strofa:

e nji ditë ndër ne u ndi:

– Jam turk, elhamdulila!

Ky çast përfaqëson tragjedinë më të madhe: çastin kur njeriu fillon ta besojë gënjeshtrën dhe ta mohojë vetveten. Është momenti më i rrezikshëm i kolonizimit (otoman dhe serb): kur i shtypuri e pranon vetë gënjeshtrën.

Shpatat e Turqisë paraqiten si simbol i forcës dhe sundimit, ndërsa "Evropa dridhet, ushton" dhe e sugjeron ndikimin e përhapjes së Turqisë në Ballkan dhe Europë. Poezia shpalos një proces historik të gjatë: sundimin osman, mungesën e lirisë, ndalimin e gjuhës shqipe dhe barazimin e dhunshëm të fesë me kombësinë. Mekuli e demaskon qartë këtë mekanizëm, duke treguar se asimilimi nuk ndodh vetëm përmes shpatës, por edhe përmes gjuhës, shkollës dhe diskursit fetar të keqpërdorur. Ndalimi i gjuhës shqipe dhe kushtëzimi i besimit me përdorimin e turqishtes paraqiten si forma ekstreme të mohimit të qenies shqiptare.

3. Gjuha dhe ndalimi i saj: shkatërrimi i identitetit

Një nga shtyllat e identitetit kombëtar, siç është gjuha, paraqitet si viktimë e drejtpërdrejtë:

Dhe gjuhën tonë e ndaloi,

Kush turqisht s’flet fe s’ka.

Gjuha dhe feja janë pjesë thelbësore e identitetit të një populli. Së këndejmi, përpjekjet për ta ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe dhe për ta imponuar gjuhën turke dhe fenë myslimane, shprehin përpjekjet për ta shmangur dhe për ta shfuqizuar identitetin e popullit shqiptar. Ky përdorim i gjuhës së pushtuesit dhe fesë, krijoi sfidat që populli shqiptar ka përjetuar në ruajtjen e identitetit kulturor dhe kombëtar nën presionin e pushtetit të jashtëm.

Këtu Mekuli e lidh gjuhën me qenien kombëtare, e demaskon dhunën si “urdhër hyjnor të rremë”  dhe na kumton se ndalimi i gjuhës është ndalim i ekzistencës. Përvoja e luftës në Kosovë dhe nevoja për liri përforcohen si motiv kryesor i poezisë. Shprehja "kush s’të don?!" thekson mungesën e mbështetjes së fqinjëve dhe kombeve të tjera në luftën për liri. Vargjet "Tirani mbi ne gërmoi" dhe "Fenë me kombësi e njisoi" i paraqet përpjekjet e Turqisë për ta imponuar kulturën dhe fenë kundër popullit shqiptar. Megjithatë, përballja e shqiptarëve me këtë shtypje dhe përpjekjet për të ruajtur identitetin dhe lirinë e tyre janë thelbësore në poezi. Fjala "Je turk, je Turk!" është një thirrje për t'u identifikuar si turk, duke injektuar idenë se përjetimi si turk është më i rëndësishëm se identiteti shqiptar i tyre. Kjo përshkruan përpjekjet e jashtme për të ndryshuar identitetin e popullit shqiptar.

Në kontrast, vargjet e tjera shprehin një rezistencë të qartë ndaj kësaj përpjekjeje të jashtme për të ndryshuar identitetin e tyre kombëtar. Duke thënë "Po, s’jemi turq, nuk jemi! Jo kurr’!", shqiptarët shprehin një qëndrim të fortë kundër kësaj përpjekjeje për të anashkaluar identitetin e tyre të vërtetë.

Mesazhi i fortë patriotik dhe refuzimi i identifikimit si turq përforcohet përmes vargjeve "Jo kurr’! Ta dinë të tanë:/ Shqiptarë dhe t’parët i kemi. Feja prej kombit s’na ndanë!"

Në vitet {50 këtë imponim e ushtronte pushtimi komunist serbomadh që shqiptarët e besimit mysliman të mos quheshin shqiptarë, por turq. Momenti më tragjik i poezisë është ai kur gënjeshtra historike fillon të flitet nga vetë viktima: “Jam turk, elhamdulila!”. Kjo është pika ku dhuna e jashtme shndërrohet në vetëdhunë, ku identiteti fillon të mohojë veten për të mbijetuar. Mekuli e njeh mirë këtë rrezik dhe pikërisht këtu e ngre zërin poetik si alarm.

4. Pohimi i identitetit shqiptar: kthesë morale

Kthesa e poezisë vjen me një pohim të prerë dhe çlirimtar: “Po, s’jemi turq, nuk jemi!”. Ky nuk është thjesht refuzim etnik, por akt vetëdijeje. Poeti e ndan qartë fenë nga kombi, pa e mohuar as njërën, as tjetrën. Feja paraqitet si përkatësi shpirtërore, ndërsa kombi si përkatësi historike dhe kulturore – dy dimensione që nuk duhet të përzihen me dhunë. Pika kulmore e poezisë është kthesa e fortë morale dhe kombëtare, ku Mekuli flet me zë të prerë dhe sjell kthesën etike dhe ideologjike:

Po, s’jemi turq, nuk jemi!

Jo kurr’! Ta dinë të tanë:

Ky është një akt i hapur rezistence, një thirrje për zgjim kombëtar. Ai e përkufizon qartë identitetin shqiptar, duke e ndarë përfundimisht fenë nga kombi:

Shqiptarë dhe t’parët i kemi.

Feja prej kombit s’na ndanë!

Kjo është deklaratë identitare. Le ta lexojmë edhe si manifest qytetar, një ndarje e qartë mes fesë dhe kombit, pa mohuar asnjërën. Feja nuk refuzohet, por çlirohet nga instrumentalizimi politik.

Poezia mbyllet me një mesazh të lartë human:

Po turqit,

Popullin puntor i duem!

Këtu Mekuli nuk bie në nacionalizëm shovinist, ndan perandorinë nga populli dhe hap horizontin e bashkëjetesës pas dhunës. Kjo e bën poezinë më frymë qytetare,  moderne  dhe europiane në frymë. Poezia merr  përmasë njerëzore, humaniste dhe pajtuese. Është shqiptim i pjekurisë morale të autorit, i cili kundërshton asimilimin dhe dhunën, por jo bashkëjetesën dhe respektin ndërmjet popujve. Mekuli nuk mohon popullin turk, përkundrazi e respekton atë si “popull puntor”, duke dëshmuar se kundërshtimi i tij nuk është kundër një kombi tjetër, por kundër shtypjes dhe manipulimit. Shpresa për ecje “të përqafuem” pas “ditëve t’gjakut e territ” e bën poezinë një vizion për të ardhmen, ku identitetet respektohen dhe dhuna mbetet pas.

Vizioni përmbyllës është shpresëdhënës:

Mbas ditëve t’gjakut e territ

do të ecim – të përqafuem!

5. Vlera e guximit poetik (1954)

Të mos harrojmë kjo poezi është shkruar më 1954, në një kohë censurash tëe gra të regjimit shtypës serbomadh, kohë survejimi dhe ndëshkimesh, vrasjesh e burgosjesh politike. Po ae se e  mohoje barazimin “mysliman = turk” ishte akt politik. Prandaj, Esat Mekuli nuk është vetëm poet, por edhe figurë e rezistencës intelektuale shqiptare. Është zë i ndërgjegjes kombëtare dhe paralajmërues historik, që fatkeqësisht u vërtetua nga shpërnguljet masive.

Pozia “Turk, elhamdulila” është poezi kundër asimilimit. Është akt demaskimi i dhunës ideologjike,= serbomadhe. Ishte dhe një thirrje drejtuar shqiptarëve nën ish-Jugosllavi për vetëdije kombëtare. Mbi të gjitha, poezia është edhe dokument moral i një kohe tragjike. Në dritën e regjimit të Rankoviqit dhe shpërnguljeve, kjo poezi lexohet sot jo vetëm si art, por si dëshmi e një krimi historik ndaj identitetit shqiptar.

Mekuli shfaq një humanizëm të rrallë për kohën. Ai nuk e kthen poezinë në thirrje urrejtjeje, por bën dallimin mes pushtetit shtypës dhe popullit të zakonshëm turk. Ky qëndrim e nxjerr poezinë nga rrethi i ngushtë i polemikës historike dhe e vendos në një plan etik universal: dënimin e dhunës, jo të njerëzve.

Sot, “Turk, elhamdulila” lexohet si një tekst paralajmërues. Ai na kujton se identiteti nuk humbet vetëm kur na e marrin, por edhe kur e dorëzojmë. Poezia e Esat Mekulit mbetet një dëshmi se fjala, kur është e guximshme dhe e vetëdijshme, mund të bëhet formë rezistence ndaj historisë që përpiqet të fshijë kujtesën. Në këtë kuptim, ajo nuk i përket vetëm vitit 1954, por çdo kohe kur identiteti vihet në provë.

Teksti dhe poezia “Turk, elhamdulila” e Esat Mekulit duhen lexuar në dritën e një tragjedie historike konkrete: shpërnguljes masive të shqiptarëve të Kosovës në vitet ’50, nën presionin e politikave shtypëse të regjimit jugosllav të Rankoviqit. Mashtrimi se shqiptarët ishin “turq” dhe se shpëtimi shpirtëror e jetësor i priste në Anadoll solli pasoja të pakthyeshme, ku “u zhdukën përgjithmonë 250 mijë”. Kjo nuk ishte vetëm zhdukje fizike, por mbi të gjitha zhdukje identitare.

6. Vlerësimi i Kadaresë

Në librin “Mosmarrëveshja”, Ismail Kadare ndalet me mprehtësi analitike te një nga paradokset më tragjike të historisë shqiptare: zhdukja e identitetit kombëtar jo vetëm përmes dhunës së hapur, por edhe përmes manipulimit të ndërgjegjes. Duke përmendur poezinë “Turk, elhamdulilah” të Esad Mekulit, Kadare e shndërron këtë vepër poetike në dëshmi historike dhe morale të një tragjedie që po zhvillohej në zemër të Europës në mesin e shekullit XX. Kadare shkruan se “një vjershë që u bë e famshme më 1954, shkruar nga Esad Mekuli, poeti më i shquar i Kosovës, dëshmonte se turqizimi i shqiptarëve të Kosovës vazhdonte me ngulm në Jugosllavinë komuniste të Titos”. Ky vlerësim është jo vetëm letrar, por politik dhe historik: poezia e Mekulit shihet si dokument i gjallë i një procesi asimilues që vazhdonte, edhe pse Perandoria Osmane kishte shekuj që kishte rënë.  ragjedia që Kadare e quan ndër më të mëdhatë në Europë, nuk konsiston vetëm në shpërnguljen fizike të shqiptarëve drejt Turqisë, por në shndërrimin gradual të tyre në “TË HUAJ TË VETVETES”. Pikërisht këtë proces e përmbledh poezia e Mekulit me refrenin e saj të frikshëm: “Je turk, elhamdulila!”. Ky varg, i përsëritur me ngulm, përfaqëson mekanizmin e imponimit identitar, ku feja përdoret si mjet për të fshirë kombësinë. Kadare vëren se titulli i poezisë “Turk, Elhamdulilah” është në vetvete ironik dhe tragjik njëkohësisht. Fjala “elhamdulilah”, që në thelb shpreh falënderim ndaj Zotit, shndërrohet në kontekstin e poezisë në shenjë nënshtrimi dhe mohimi. Ajo nuk është më lutje, por vulë ideologjike, me të cilën shqiptari detyrohet të pranojë një identitet të huaj si fat hyjnor. Në pak vargje, siç thekson Kadare, jepet “përshkallëzimi i një prej tragjedive më të mëdha që po ndodhte në Europë”. Ky përshkallëzim nis me pushtimin dhe dhunën historike, vazhdon me ndalimin e gjuhës shqipe dhe kulmon me momentin më tragjik: çastin kur shqiptari thotë vetë “Jam turk, elhamdulila!”. Ky është momenti i kapitullimit të brendshëm, më i rrezikshëm se çdo dhunë e jashtme. Mirëpo, poezia e Mekulit, ashtu siç e lexon Kadare, nuk ndalet te dëshpërimi. Ajo shndërrohet në akt rezistence, në një “jo” të fuqishme kundër zhdukjes: “Po, s’jemi turq, nuk jemi! / Jo kurr’!”. Kjo thirrje përbën thelbin e mesazhit kombëtar: feja nuk e zëvendëson kombin dhe nuk e shuan gjuhën, historinë dhe kujtesën. Duke e përfshirë këtë poezi në librin “Mosmarrëveshja”, Kadare e vendos Mekulin, në radhë të parë, në historinë e letërsisë, por gjithsesi mandej edhe në historinë e mbijetesës shqiptare. Poezia “Turk, Elhamdulilah” bëhet kështu një dëshmi se letërsia mund të jetë më e fortë se propaganda, më e qëndrueshme se dhuna dhe më e thellë se harresa. Ajo flet për një plagë që ende kërkon kujtesë dhe për një të vërtetë që nuk duhet heshtur: se identiteti humb jo vetëm kur të dëbojnë, por edhe kur bindesh se nuk je më ai që ke qenë.

(17 dhjetor 2925)

----------------------

Esat MEKULI

TURK, ELHAMDULILA

Turku me shpatë ka pre-

Evropa dridhet, ushton..

Në Kosovë luftuem dhe ne

Liri, kush s’të don?!

Me shpatë, me zjarm sundoi-

Me shekuj liri s’kemi pa.

Tirani mbi ne gërmoi:

Ja turku, elhamdulila!

Fenë me kombësi e njisoi,

Muslim e turk – s’ka da.

Deshti edhe emnin t’na harroi:

– Je turk, elhamdulila!

Dhe gjuhën tonë e ndaloi,

Kush turqisht s’flet fe s’ka.

Ashtu, thane, Zoti urdhënoi:

– Je turk, elhamdulila!

Je turk, je Turk!- kanë shti

Shqiptarin me shekuj, pa da,

e nji ditë ndër ne u ndi:

– Jam turk, elhamdulila!

Po, s’jemi turq, nuk jemi!

Jo kurr’! Ta dinë të tanë:

Shqiptarë dhe t’parët i kemi.

Feja prej kombit s’na ndanë!

Jo , s’jemi turq! Po turqit,

Popullin puntor i duem!

Mbas ditëve t’gjakut e territ

do të ecim- të përqafuem!!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx