Kulturë
Jahja Drançolli: Patriarkana e Pejës - transformimi i kishave romane-bizantine në ortodokse rasiane-serbe
E enjte, 18.12.2025, 06:56 PM
Patriarkana e Pejës, një shembull që ilustron se si, duke filluar nga shekujt XIII-XIV, kishat e para romane dhe bizantine u transformuan sistematikisht në kisha ortodokse rasiane-serbe!
Nga
Jahja Drançolli
Nga
viti 2006 deri në vitin 2008, përmes një "projekti" të zbatuar nga
Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës të Republikës së Serbisë, u
kryen ndërhyrje, me sa duket me natyrë konservimi dhe restaurimi. Megjithatë,
fokusi kryesor i restaurimit dhe konservimit ishte në fasadën e kompleksit të
Patriarkana së Pejës, por nuk u kursyen as afresket, dritaret dhe portalet.
Sipas burimeve që zotërojmë, duhet theksuar se në shekujt XVI-XVII, kur u kryen
ndërhyrjet e para në Kishën e Shën Dhimitrit dhe Kapelën e Shën Nikollës, këto
kisha të kompleksit të Patriarkana së Pejës, fasadat e tyre mbetën të
paprekura; ato nuk u suvatuan, që do të thotë se origjinaliteti i shekujve të
mëparshëm, kur u ndërtuan këto kisha, u ruajt. Gjithashtu, nuk janë suvatuar as
pjesët hyrëse (paripratos), të kishave
të kompleksit të Patriarkanës, të quajtur hyrja e Danilit. Këtej, sipas të
gjitha gjasave, synimi i udhëheqësit të “projektit” konservues dhe restaurues,
gjithsesi i mbështetur nga politika e
ditës, ka qenë t’i tregonte botës, se kjo trashëgimi e
kultit të krishterë është ndërtuar në
kohë të njëjtë dhe me stil të njëjtë, dmth. gjatë shek. XIII-XIV, dhe si tillë
i ngjason Manastirit të Zhiçës në Rashë (Raška), prej nga është bartur në Pejë
në fund të shek. XIII, selia e kishës ortodokse rasiane. Për më tepër, dihet se
gjatë punimeve të konservimit dhe restaurimit në vitet 1931/32, 1938 dhe në
vitet 1960 dhe 1970, u zbuluan edhe pjesë të monumenteve fetare të hershme të
krishtera nga shekujt IV-VI, një fakt i provuar shkencërisht më shumë se një
herë.
Me
suvatimin sistematik të kryer midis viteve 2006 dhe 2008, shtresat më të vjetra
dhe pak më të vona u shkatërruan plotësisht. Këto shtresa tani janë të vështira
për t'u studiuar sepse janë degraduar pothuajse plotësisht. Për më tepër, këto
shtresa të lashta, pas konservimit dhe restaurimit të viteve 2006 dhe 2008,
kanë humbur gjithashtu aftësinë e tyre për t'u prezantuar/ekspozuar, një
problem i madh për trashëgiminë kulturore.

Fig. 1. Pjesë e dritares romane me afreskun në kompleksin e
Patriarkanës së Pejës (para bllokimit).

Fig. 2. Bllokimi i dritares romane së bashku me afreskun
(2006-2008).

Burimi: Jahja Drançolli et al. në: "Peja Books"!
(Municipality of Peja, 2021), f. 67-84.









